Visar Zhiti: Plumba në kurorë

1h më parë

PLUMBI NË KURORË…

Nga Visar Zhiti

Ka ditë që kujtesa njerëzore mbart një dënduri më të madhe emocionesh, shpesh dhe më tronditëse, jo thjesht prej ngjarjeve në vetvete, por dhe prej kuptimeve, përzierjeve të tyre, ku ndodh të ngrihet më lart një lutje dhe të vezullojë shpresë mbi gjakun e derdhur…

Ja, sot më 13 Maj, teksa Papa Leoni XIV kalonte përmes njerëzve në Audiencën e Përgjithshme në sheshin San Pietro, më të bukurin në botë, të botës Katolike, ndaloi dhe u gjunjëzua në vendin, ku 45 vjet më parë, në një ditë si kjo, u qëllua me armë një paraardhës i tij, kreu i atëhershëm i Selisë së Shenjtë, Papa Gjon Pali II.

Në atë vit unë isha në burg…

Plumbat e atentatit tronditën botën. Papa ra i plagosur rëndë mes britmash dhe panikut, por shpëtoi mrekullisht. Ai tha se ishte dora e Madonës së Fatimas që i ndryshoi drejtimin plumbit, kur një dorë tjetër, ajo e djallit, deshi ta vriste…

Ne kemi vajtur në atë shesh dhe e kemi parë atë Papë të madh…

13 Maji është dhe dita e “Zojës së Fatimës së Portugalisë”, se në vitin 1917 tre barinjve të vegjël aty iu shfaq Virgjëresha Mari, duke sjellë porosi për pendesë, paqe dhe kthim te Zoti, etj. Se kishte nisur një luftë e madhe botërore dhe do të bëhej një revolucion i egër bolshevik… Stuhi plumbash si ai i atentatit do të vërshonin mbi popujt…

Dhe ne vajtëm në Fatima, tashmë vend pelegrinazhi, ndalëm atje, ku Shenjtja Mari u shfaq rrezëllitëse, vizituam dhe shtëpitë e tre barinjve. Diku pranë ishte ekspozuar një pjesë e madhe nga Muri i Berlinit dhe në muze pamë plumbi i vogël që nxorën nga trupi i Papa Vojtilës pas atentatit.

Plaga është dhe histori, kujtesa dhe përgjegjësi, po mendoja, dhe bëhen dhe një nyje e së ardhmes.

Ai plumb aty, pas xhamave, nuk e prekja dot… E pashë prapë, gjatë dhe ngulmueshëm. Dhe e ndjeva në mish, nga ku dhe hiqet, por kur ngulet në kujtesën e dhimbjes së botës…?

Ai plumb është metafora e çdo bombe që bie mbi njerëzimin… por dhe e çdo fjale të keqe që plagos shpirtin, po thosha me vete, e urrejtjeve që vrasin… e harresave dhe pabesive, e dhunës që kërkon të shuajë qirinjtë e ndezur brenda vetes…

Por Fatima na thotë se e keqja nuk e ka fjalën e fundit. Ai plumb tashmë është vënë në një kurorë të florinjtë, që gratë e atij vendi ia kishin blatuar Madonës. Ai plumb aty, vocërrak si majë lapsi, por e kundërta e tij, a di të pendohet? Apo ka prapë zilinë e zezë që të ikë nga kurora dhe të futet në gojë arme apo njerëzish…?!

Një plagë mund të kthehet dhe në dëshmi. Plagët i përçmojnë vetëm ata që plagosin. Një dhimbje mund të bëhet dhe falje sot… por edhe roman, kujtoj që ka thënë një shkrimtar i madh…

Ka ditë si kjo që na porosisin sërish se botës i duhen jo plumba më shumë e fjalë që vrasin, por më shumë paqe, mirësi dhe dritë.

Prandaj dhe Papa Leo XIV shkoi sot per homazh në vendin e atentatit…

Në fund të fundit asnjë plumb nuk vret dot shpirtin ashtu siç nuk vret dot erën, ajrin, ëndrrën… i përshkon tej e tej me përvëlime dhe bie më pas i ftohur në fund të kujtesës së njeriut.