Visar Zhiti: Maji i ri në kalendarin e atjonit
MAJI I RI
NÊ
KALENDARIN E ATJONIT
Kthejmë
fletën e Kalendarit… muaji i ri ndonjëherë është si shtëpia e re…
1.
Datat
në kutitë e tyre - si dritaret e pallatit. Por ka dhe një ballkon, që të pëlqen
se nuk je më brenda dhe ende nuk je jashtë dhe të duket ndërkaq se je në
kufirin mes asaj që ikën dhe asaj që vjen.
Po
sot është Festa e Punëtorëve, ka një histori që lidhet me protestat, pikërisht
ato në Chicago, në 1886, në Haymarket Affair, lexoj, siç duket Chicago është
qyteti më i përshtatshëm për të bërtitur... Dhe më pas 1 Maji u shpall festë
ndërkombëtare e punëtorëve, shumë e rëndësishme në vendet e Lindjes, me paradat
dhe tribunat e kuqe, me rreshtat dhe disiplinën deri në dënim, etj, etj.
Të
vjen të buzëqeshësh trishtueshëm, kur ndërmend se muaji që sapo kaloi, fillonte
me atë që quhet dita e gënjeshtrave, ka që e kanë çdo ditë atë festë, madje
duke e shndërruar në dëm…
Por
sot është 1 Maj. Ka dhe një histori tjetër, më vlerësuese, do të thosha për
festën, që lidhet dhe Tokën dhe Qiellin që quhet Festa e Punës, pra, pa i ndarë
njerëzit në klasa.
SHBA
p.sh. më të çmuar ka Festën e Punës.
Edhe
Kisha Katolike ka Festën e Shën Jozefit punëtor, të lidhur me 1 Majin. Madje
Papa Più XI e ka emëruar dhe Pajtor të të gjithë atyre që punojnë kundër
komunizmit, diktaturat e së cilës e shpërdorojnë punën, e trajtojnë si dënim,
që e hedhin mbi ata që punojnë, etj, etj.
Po
është 1 Maj. Përballë është një pranverë kaq e bukur, e çlirët dhe e begatë që
të futet në shpirt.
2.
Si zakonisht në Kamendarin e Atjonit është dhe një citat i tij, nxjerrë nga libri i tij “Për atë që dua(m)”:
Kërkimi
është
zhveshje”, -
i
shkruar dhe në anglish e italisht, të cilat studenti i filizofisë i fliste
lirshëm si gjuhën amë, por në këtë maj ajo thënie rreptësisht e shkurtër,
ndjehet edhe më e fortë, aq sa dhe e urtë, duhet të heqësh shtresat e shtirjes,
të hipokrizisë, të mashtrimit. Nuk mund të mbash maska, sidomos në pranverë,
vetëm e vërteta që të mbetet në trup.
Është
porosi të riu, kërkimi nuk mbaron kurrë dhe guxon të zhveshë më thellë
realitetin…
3.
Dhe
piktura në Kalendar, po e Atjonit, vënë në kopertinë e librit “Perëndia
mbrapsht dhe e dashura”, e punuar posaçërisht për këtë roman.
Se
ka dhe një botë të kthyer përmbys, ku e shenjta dhe e përditshmja sulmohen nga
djalli, nuk ka brirë, që ta kuptosh, madje dhe buzëqesh, mbahet dhe modern, të
jep dorën, që befas kthehet në kthetër parake.
Por
ështê maj. Maji i dashurisë, thotë kenga e popullit, Shko ku është pranvera, ku
blerimi nuk di të shtiret. Kërkimi është zhveshje… nga të tepërtat. Mjafton sot
të shohesh një degë plot me brilante petalesh. Sa bukur!







