Visar Zhiti: Libra dhe errësirë nga Ernesto Sabato
LIBRA DHE ERRËSIRË
NGA
ERNESTO SABATO
Nga
Visar Zhiti
Ka
shkrimtarë që lexohen për të hyrë më thellë në errësirën dhe dritën e njeriut,
pra, të njerëzimit, po mendoja.
Ernesto
Sabato është njëri prej tyre. Ai shkruajti për ato realitete, ku njeriu
përballet me frikën, fajin, vetminë, ankthin, vetveten…
Diti
të tregojë errësirën dhe traumat që ndodh të mos e dinë që i kanë, me të cilat
gabojnë dhe të tjerë e bëhen të dëmshëm…
Po
unë veç desha të them se ai sot mbush 15 vite që është larguar nga kjo jetë dhe
desha të risillja diçka nga universi i tij, që lidhet dhe me ne.
Tashmë
e dimë që shkrimtari argjentinas, Ernesto Sabato, ndër më të shquarit e
letërsisë botërore të shekullit XX, kishte origjinë arbëreshe nga ana e nënës
(babai italian), prandaj dhe kishte dashur të vinte në Shqipëri, të shihte
malet, pengu i tij…
Dhe
erdhi. Dha dhe intervista. Në librin e tij “Para fundit”, tregon:
“Jam
kthyer nga Shqipëria ku u nderova me Çmimin Kadare. Isha i dërrmuar, por shkova
atje për të respektuar atë vend të varfër e heroik, i cili e jepte për herë të
parë për mua atë çmim. Në qytetin e Tiranës m’u bënë nderimet më emocionuese në
jetën time. Ky popull i vuajtur nga një tirani e egër, ku ende duken gjurmët e
diktaturës: fytyra të prishura nga heqkeqja, bunkerë të përzishëm, me të cilët
diktatori kishte mbushur vendin, më priti si një mbrojtës, si një mbret, si
birin e saj të dashur. Në dorëzimin e këtij Çmimi pati këngë dhe valle që s’do
t’i harroj kurrë. Shkrimtari shqiptar, Visar Zhiti, më dorëzoi një urnë me dhé
që e kishte sjellë nga vendlindja e nënës sime. […] U trondita dhe u
mallëngjeva njëherazi… në atë vend, sot përsëri në luftë...”
Ishte
para vitit të çmendur ’97. S’dihet ç’parandjeu, por kujtoj që, kur iu dorëzua
në Presidencë në Tiranë titulli “Nderi i Kombit”, Sabato tha:
“Demokracia
më e keqe është më e mirë se diktatura më e mirë. Por më thoni, a ka diktaturë
të mirë?”
Jo,
asnjëherë, shkrimtar i dashur!
Atë
trallisje e gjejmë dhe në librat e tu mahnitës, janë dhe në shqip, përkthyer
mjaft mirë, me shpirt…
Maestro,
nuk është shuar zëri juaj i butë e i thellë, është bërë më i qartë. Si një porosi e vyer… Errësira që na japin nuk duhet shmangur, por kuptuar dhe përballuar…





