Fërgim Demiri: Kokë më kokë për Shqipëri

52m më parë

KOKË MË KOKË PËR SHQIPËRI

NGA FËRGIM DEMIRI

Me datë 1 gusht në vitin 1908 -të u themelua klubi “Bashkimi i Manastirit”, organizatë patriotike politiko-kulturore. E themeluan Fehim Zavalani e Gjergj Qiriazi. Krah për krahu me patriotët e Atdheut: Luigj Gurakuqi, Spiro Bellkameni, Nuçi Naçi, Bajo Topulli, Mihail Grameno, etj.

Në statutin e tij botuar më 1908, thuhej se, klubi do të punonte për forcimin e bashkimit kombëtar të shqiptarëve, për përparimin e tyre kulturor, për lëvrimin e gjuhës dhe për hapjen e shkollave shqipe në mbarë vendin. “Komiteti i fshehtë” që funksiononte pranë tij, punonte për autonominë e Shqipërisë. Nxori organin e vet të shtypit me emrin “Bashkimi i kombit” e më vonë “Drita”.

Klubi “Bashkimi i Manastirit” luajti një rol të madh në themelimin e klubeve të tjera, dhe u zgjodh në Kongresin e Manastirit, në nëntor 1908, dhe në Kongresin Kombëtar të Elbasanit, në shtator 1909, si klub qëndror që bashkërendonte veprimtarinë politike-kulturore në mbarë vendin. Ishte nismëtar i thirrjes së Kongresit të Manastirit për çështjen e njësimit të alfabetit, ndihmoi në përhapjen e shkollave shqipe, në organizimin e qëndresës kundër reaksionit xhonturk dhe masave të tij shkombëtarizuese, për mbrojtjen e alfabetit shqip dhe të kulturës shqiptare. U mbyll nga xhonturqit gjatë shtypjes së kryengritjes së vitit 1910, por u rimëkëmb dhe e vazhdoi veprimtarinë e tij patriotike.

Klubi "Bashkimi i Manastirit" kishte një rëndësi të madhe për kohën kur u themelua, shkaku, se: u bënë shum aktivitete, arsimore dhe kulturore: Kongresi i ABC -es i quajtur si Kongresi i Parë i Manastirit, u shtyp gazeta e parë në gjuhën Shqipe me shkronjat Latine dalë nga Kongresi, u shtyp edhe Abetarja e parë po me të njëjtat shkronja, dhe sa e sa aktivitete tjera u organizuan nga po ky Klub.

Është dita për ta kujtuar këtë ngjajre arsimore - kulturore dhe historike, që na solli dritë dhe liri ne si komb, por për fat të keq mbeti veç ajo dritë, nuk shkëlqeu fuqishëm si e donin Atdhetarët e mëdhenj të asaj kohe.

Na qoftë për shum mot e për Ditë të mbarë, përjetsishtë me fat kjo datë kaq e madhe historike e kombit shqiptar!

Shoqata për art, kulturë, arsim dhe shkencë: “KONGRESI I BASHKIMIT”, ua uron gjithë Shqiptarëve kët festë kaq të madhe!

Kryetari i shoqatës “KONGRESI I BASHKIMIT”, Fërgim Demiri, ende me banim në Manastir…


Në fotografi: Pamje nga qyteti i Manastirit, 1908.


Rilindasët shqiptar kokë më kokë për Shqipëri...


Hoteli "LIRIA" ku vepronte Klubi "Bashkimi"…


Hoteli "LIRIA" në Manastir ku vepronte: Klubi "Bashkimi"…


Feim Bej Zavalani i Manastirit, 1908.)