Pashk Alia: Kur tjetri të tregon ngjyrat e shpirtit
KUR TJETRI TË TREGON NGJYRAT E SHPIRTIT
-
Reflektime leximi të librit “Ngjyrat e shpirtit” të poetit Llesh Ndoj-

Krijimtaria
e Llesh Ndojit është shumëplanëshe, e shumtë në numër dhe e shpeshtë në kohë.
Vetëm në gjashtmujorin e parë të këtij vitit (2025) prej tij kemi 4 botime të
reja, secili më I bukur se tjetri, por në këto shënime po ndalemi tek vëllimi
me poezi “Ngjyrat e shpirtit”, SHB “Marjanistët Lezhë, qershor 2026. Pa marr
përsipër recensën e plotë, po hedh në letër ato ndjesi pozitive që mora nga
leximi I këtij libri dhe ashtu si më erdhën ato, si një konsideratë për disa
monente të lidhura me dashurinë si ngjyra shpirti, ku brenda saj udhëheq mendja
jonë jo voluntarizmi! Specialistët le të thonë më shumë!
-
“Dashuria”, - thotë poeti Llesh Ndoj, - hyn në atë kategori emrash që duhet
shkruar me gërmë të madhe! Dhe ka të drejtë. Ajo është e përveçme si përjetim,
edhe pse është universale në thelbin e saj dhe bashkëjetuese me të gjitha
ndjenjat e tjera njerëzore. Madje, pikërisht këtu qëndron një nga veçoritë e
poezisë së tij: dashuria nuk qëndron e veçuar, e mbyllur në një botë
sentimentale, por ushtrohet e kuptohet duke u bërë pjesë komplementare e jetës
dhe e të gjitha marrëdhënieve të tjera njerëzore. Pra, nuk dashurohet në hava!
Dashuria
është një fjalë olimpike, botërore, komplekse. Mbi të gjitha ajo hyjnore. Zoti
e krijoi botën me dashuri. Dhe më këtë konkluzion autori na ballafaqon që në
kapakun e parë të librit, ku shkruan: “Kush tha se Zoti s’ka sy? / Kush tha se
Zoti s’ka shpirt? / Ai është shpirti I botës, / Syve tanë veç Ai u jep dritë.
Na vjen kjo si një ftesë nga autori për ta gjetë edhe burimin e dashurisë tek
Zoti e për ta parë atë me syun që Ai na sheh ne. Prej këtij kuptimi universal e
brenda saj është edhe dashuria e ndjenjave në çift, dashuria gjinore, por ajo
në vetvete është shumë më e gjerë se kaq. Ashtu si e nis, autori edhe e
përfundon librin e tij. Në poezinë e tij, titulluar “jeta”, pasqyruar edhe në
kopertinën e fundit, ai shprehet: Jeta, / ky lëmsh I zjarrtë / ndjenjash, /
dashurishë, vuajtjesh, / shpresash, / zhgënjimesh…, vjen për lexuesin si
konkluzion se dashuria është vetë jeta, por ajo s’dueht ngatërruar me ndodhitë
që ajo na përplas e për më tepër, këto të fundit s’duhet t’na bëjnë ta humbim
kuptimin hyjnorë të vetë dashurisë. Dashuria është aq e ndjeshme, saqë më së
pari e marrim dhe e ndiejmë prej prindërve dhe familjes sonë. Madje, e ndiejmë
qysh sapo lindim; mbase me këtë ndjenjë na ushqejnë nënat në atë genin
fillestar të ekzistencës sonë. Dashuria jonë fillon qysh kur rritemi në mitrën
e nënës. Aty rritemi dhe aty mësohemi të duam ambientin ku jetojmë, të
ambientohemi me të.
Pastaj
dashuria vjen përmes dëshirës. Dhe dëshira është ajo që na bën të kërkojmë të
dalim nga ajo dhomëz e vogël, nga mitra e nënës. Të duam hapësirë! Të kërkojmë
botën! Të dalim drejt së panjohurës! Në këtë kuptim, autori, në poezitë e tij,
i jep dashurisë një korelacion gjithëpërfshirës. Dashuria na meson, është një
koncept abstrakt që na çon tek realja. Flasim për dashurinë dhe janë dhënë
qindra portretizime për këtë fjalë, por ende nuk është gjetur përkufizimi i saj
i saktë. Por pikërisht këtu qëndron e bukura. Dashuria, duke qenë një “objekt
shpirtëror” që e ndiejmë individualisht, secili e përkufizon si të dojë, secili
e përjeton në mënyrën e vet, sipas botës së vet shpirtërore, sipas kujtimeve,
ëndrrave, dëshirave, vuajtjeve dhe përvojave që ka mbledhur gjatë jetës.
-
A mund të jetë dashuria një enigmë? Autori sjell mes rreshtave nocione të
tilla. - Pse? Sepse ne mësojmë të dashurojmë përmes ëndrrave. Ato janë
dashurickat e para. Unë kam shkruar një libër me titull “Dashuruar me ëndrrën”.
Dhe e kam menduar shpesh këtë marrëdhënie mes ëndrrës dhe dashurisë. Qysh
fëmijë, pa mësuar ende shkrim e këndim, mbase as pa ditur të flasim mirë, na
shfaqen ëndrrat dashurore. Ëndrra është një nga përjetimet e para nga më të
bukurat, ku njeriu krijon një botë që ende nuk e ka prekur me dorë. Autori e
pohon dashurinë sa universale, po aq edhe konkrete, individuale, platonike. Dhe
poet ii njohur Llesh Ndoj tregohet mjaft inteligjent edhe këtu. Ai e thotë
bukur këtë, madje me gjuhën e vet krijuese. Dhe e thotë me elegance poetike.
Është një dashuri që kumbon kur e ndajmë me të tjerët. Por çfarë janë “të
tjerët”? - A është dashuria një ndjenjë kolektive? - Jo! Ajo është individuale.
Por të gjitha dashuritë e tjera autori i portretizon si komunitare, sociale. Më
së pari është dashuria prindërore, bijësore, vëllazërore. Është dashuria për
vëllazërinë, për komshiun, për komunitetin, për shoqërinë njerëzore. Është
dashuria për shtetin, dhe mbi të gjitha, dashuria për punën.

Kur
autori na thotë, se “dashurinë e dua në çdo çast, kudo, se pa të unë jam bosh”,
ai nuk është duke folur vetëm për dashurinë e ndjenjave. Përgjatë gjithë kohës
ai flet për dashuri të llojeve të ndryshme dhe jo thjesht për dashurinë
sentimentale. Secili moment ka një objekt të cilin duhet ta duam. T’a duam në
mënyrën e vet! Dhe përmbushja e tyre na çon tek ajo dashuria e ndjenjave. Nga
perceptimi te dashuria. Edhe tek kjo lloj dashurie, tek dashuria e shpirtit
binjak, janë disa lloj dashurish që na çojnë atje. Dashuria e perceptimit, e
njohjes, e pranimit, diçka që na bëhet shkak.Ne nuk duam vetëm me sy. Nuk duam
vetëm me para. Nuk duam vetëm me mendje. Nga momenti i shikimit deri tek
fiksimi në mendje, tek dëshira për trupin e saj, tek burrat është një kohë
shumë e shkurtër, diku 6–8 sekonda, që na ngacmon trurin, ndërsa tek femra kjo
kohë është më e gjatë. Kështu, edhe dashuria e çiftit nuk është një ndjenjë që
lind në një pikë të vetme. Ajo kalon përmes perceptimit, njohjes, pranimit,
dëshirës, mendimit dhe më pas përmes një procesi të gjatë të jetës së
përbashkët. Dhe autori e plotëson varg pas vargu sagën e tij për dashurinë.
Dashuria vjen si amalgamë e jetës. Ai e thotë diku se janë të bashkuar mes nesh
elementet e dashurisë, që nga ndjenjat, vuajtjet, sukseset, mirësia, zhgënjimet
dhe se të gjitha këto zhyten mes nesh, duke u rrotulluar rreth nesh e rreth
vetvetes, si Toka rreth Diellit dhe rreth boshtit të saj. (poezia “jeta”, faqe
16). Kjo është një përngjasim.Ajo lind
me diellin, përsillet rreth nesh, por ama kjo duhet “lidhur” mirë rreth nesh. Dhe
kjo është dashuria e jetës. Jeta që duhet ta mbajmë për laku, për konopi, por
pa e lëshuar kurrë.
Liro
- shtrëngo! Edhe kjo është një mënyrë për t’a kuptuar dashurinë, jo si një
litar që duhet t’a këputim, por si një lidhje që duhet ditur t’a mbash. As
shumë fort sa të mbytë, as shumë lirshëm sa të të ikë. E nga kjo autori na
mëson se jeta nuk është vetëm dashuri. Sepse atë lloj jete nuk e duruan dot as
Adami, as Eva. Dhe ky është edhe një mësim për njeriun, për çiftet, sepse
dashuria, ashtu si jeta, është e gjithë amalgama jonë e përditshme dhe e
përnatshme dhe jo vetëm ajo sentimentale e momentit. - A është dashuria që
kërkojmë vetë fati që kemi pranë? - E pres çdo moment, - thotë autori, -
dashurinë. Ama dashuria është më së pari në mendjen tonë. Është fati mes nesh.
Dhe këtë fat duhet të dimë t’a kërkojmë. Nganjëherë fatin e kemi mes nesh dhe e
kërkojmë diku tjetër. E kemi në turrën e druve në shtëpi dhe e kërkojmë në mal,
shumë larg. E kemi tek gruaja jonë, apo tek burri ynë dhe nuk na bind, nuk na
ngroh, dhe ne e kërkojmë tek një bashkëshort tjetër. E kemi tek molla jonë në
kopsht, e cila ka lëng të ëmbël e të shijshëm, dhe nuk ngopemi me të, por
shkojmë e blejmë mollë në dyqan, me fare pak lëng ose aspak shije. Kjo na mëson
se, në fund të fundit, të kërkuarit në objekte të tjera, jashtë nesh, mund të
na çojë në një kërkim të pafund.
Dashuria
është si puna e kungullit. Kungull janë të gjitha! Dhe këtu autori i shkon deri
në fund gjithëllojdashurisë së tij kur thotë: “Unë, qysh kur mësova notin,
fillova të dua detin!” Sa bukur! Autori na thotë se dashuri është edhe ajo që
kemi pranë, bile në radhë të parë ajo. Pranë syrit, pranë zemrës. Dhe ndoshta
këtu qëndron një nga mësimet më të bukura të këtij libri: Shpesh njeriu kërkon
larg atë që e ka pranë. Kërkon një tjetër botë, ndërkohë që nuk e ka parë me
vëmendje botën që i ka dhënë jeta. Dashuria fillon tek atdheu, tek puna, tek
familja, tek natyra. Dhe për t’a mbyllur këtë konsideratë për poezinë e mikut
tim, tek libri “Ngjyrat e Shpirtit”, më duhet të them, më në fund, se çdo
dashuri ka vlera. Por çdo dashuri fillon tek puna. Nga puna na vjen dashuria e
të gjitha llojeve të tjera. Mund të rrimë duke dashuruar me mendje, me ndjenja,
me trup, një, dy, dhjetë ditë, por pas kësaj na duhet jeta, puna, të mirat
materiale për të mbajtur frymën. Frymën nuk e mban vetëm dashuria. Dhe kjo nuk
ia heq aspak madhështinë dashurisë, përkundrazi, e vendos atë në tokë. E zbret
nga ëndrra në jetë, nga fjala në vepër, nga ndjenja në përgjegjësi, nga dëshira
në përditshmëri.
Kjo
është arsyeja, pse mendoj se poeti Llesh Ndoj, në vëllimin poetik “Ngjyrat e
Shpirtit”, nuk ka shkruar thjesht për dashurinë. Ai ka shkruar për njeriun
përmes dashurisë, për dashurinë universale që ekziston tek qeniet njerzore. Ka
shkruar për mënyrën se si njeriu lind, ëndërron, dëshiron, njeh, pranon, punon,
jeton, zhgënjehet, vuan, gëzohet dhe përsëri kërkon dashurinë. Prandaj
“Dashuria” këtu meriton vërtet të shkruhet me gërmë të madhe.
Dhe
tani, në vend të një përfundimi:
Bravo
Llesh Ndoj! Libri yt është si deti: sa më thellë të hysh, aq më shumë të
tërheq. Ndaj duhet lexuar. Duhet lexuar me vëmendje, por jo në mënyrë
voluntariste. Duhet hyrë në të me mendje të hapur, sepse mes vargjeve nuk është
vetëm fjala poetike. Është edhe mendimi, përvoja, filozofia e jetës dhe ajo
përpjekje e përhershme e autorit për t’a parë njeriun në marrëdhënie me veten,
me shoqërinë dhe me botën.
Do
të kisha shumë e shumë për të thënë për librin tend poet, por më duhet të
kthehem tek librat e mi. Me librin tënd i çlodha mendimet dhe tashmë më ke
dhënë vullnet dhe forcë të punoj edhe për disa orë pune të mira.
Të
lumtë, Llesh!
Një
libër që të çlodh dhe, në të njëjtën kohë, të jep forcë për të punuar, nuk
është thjesht një libër që e ke lexuar. Është një libër që ka hyrë tek ti, ka
hyrë në ndergjegjen tende, në qenien tende.
Lezhë, më 18 gusht 2026


