Sevdail Hyseni: Vapa

3h më parë

Sevdail Hyseni

Satirike


Vapa


Populli, nën hije

të një kumbulle të tharë,

pret reshjet si pensionisti

pagën e parë.


Në Tiranë protesta,

në Prishtinë debate,

dikush kërkon zgjedhje,

dikush mandate.


Në studio televizive,

kravatat me lara,

analistët piqen

si specat në ara.


Inflacioni fryhet

si kulaçi e bakllavaja,

çmimet vallëzojnë

si nipat te daja.


Ndërkohë, meteorologu

del me nxitim:

"Nesër priten reshje

madje dhe freskim!"


Populli gëzohet,

hap dritare me kënaqësi,

Por reshja vjen me tre pika shi,

sa për të bërë një fotografi.


Prandaj rrimë e qeshim,

se ç'të bëjmë tjetër,

në këtë teatër

me skenar të vjetër.


Politika zien poshtë,

qielli digjet lart,

e populli, si gjithmonë,

pret një ditë me fat!

-

(Karikatura marrë nga interneti)