Sabile Basha: Roli i mërgatës shqiptare në kujtesën historike të Kosovës (54)
ROLI I MËRGATËS SHQIPTARE NË KUJTESËN HISTORIKE TË KOSOVËS (54)
Diskursi
politik dhe mobilizimi kombëtar në thirrjen e mërgatës shqiptare për
demonstratën e Brukselit (13 qershor 1981)

Edhe
thirrja për protestën dhe demonstratën e organizuar në Bruksel ishte ndër
dokumentet më domethënëse që hasa gjatë hulumtimeve të mia në arkivin e
materialeve të ruajtura ndër vite. Kur e mora në duar atë fletë të zverdhur nga
koha, krijova përshtypjen se po prekja jo vetëm një dokument të zakonshëm, por
një copëz të gjallë të historisë së rezistencës shqiptare në mërgatë. Vitet
kishin lënë gjurmët e tyre të pashmangshme mbi letër, ngjyra ishte zbehur
dukshëm, ndërsa lagështia, pluhuri dhe kalimi i dekadave kishin bërë që në disa
vende teksti të ishte fshirë ose dëmtuar, duke e bërë të pamundur leximin e
plotë të çdo rreshti. Megjithatë, pavarësisht këtyre dëmtimeve, pjesa dërrmuese
e dokumentit kishte mbijetuar në gjendje të mirë dhe vazhdonte të ruante
qartësinë e mesazhit të saj politik dhe kombëtar.
E
vetëdijshme për vlerën e veçantë historike që mbartte kjo thirrje, iu qasa
transkriptimit të saj me kujdesin dhe përgjegjësinë më të madhe. Çdo fjalë, çdo
fjali dhe çdo parullë kërkonte lexim të vëmendshëm, jo vetëm për të ruajtur
besnikërinë ndaj dokumentit origjinal, por edhe për të mos humbur frymën e
kohës në të cilën ai ishte hartuar. Synimi im ishte që ky dokument të mos
mbetej i mbyllur në dosje të harruara apo në fletë të zverdhura nga koha, por
të bëhej pjesë e kujtesës sonë historike dhe të vihej në shërbim të studiuesve,
hulumtuesve dhe brezave të ardhshëm. Në këtë mënyrë, një dëshmi autentike e
veprimtarisë së mërgatës shqiptare dhe e përpjekjeve të saj për ta
sensibilizuar opinionin ndërkombëtar për çështjen e Kosovës do të ruhej dhe do
të vazhdonte të jetonte si pjesë e trashëgimisë sonë dokumentare dhe kombëtare.
Një
nga veçoritë më domethënëse që bie menjëherë në sy gjatë shqyrtimit të këtyre
materialeve dokumentare është mënyra e përgatitjes së tyre. Me përjashtim të
ndonjë dokumenti të rrallë, të hartuar me dorë, pothuajse e gjithë lënda
arkivore është e shtypur me makinat e shkrimit karakteristike të kohës. Ky
fakt, në pamje të parë teknik dhe formal, në të vërtetë bart një domethënie
shumë më të thellë historike. Ai dëshmon për përpjekjen e organizatorëve që
materialet të përgatiteshin në mënyrë sa më të rregullt, të lexueshme dhe të
përshtatshme për t’u shumëfishuar e shpërndarë në rrethana të vështira
konspirative. Në një kohë kur teknologjia ishte e kufizuar, ndërsa veprimtaria
kombëtare ndiqej e survejohej nga aparati shtetëror jugosllav, përdorimi i
makinës së shkrimit nuk ishte thjesht një zgjedhje praktike, por një mjet i
rëndësishëm i organizimit politik dhe i komunikimit të fshehtë.
Po
aq domethënës sa forma është edhe gjuha në të cilën janë shkruar këto
dokumente. Në të gjitha materialet që kam pasur rastin të hulumtoj deri më tani
dominon gjuha e unjisuar shqipe, por në të shumtën e rasteve vjen në pah
shqipja e folur në Kosovë, një gjuhë e natyrshme, e gjallë dhe e afërt me
ligjërimin e përditshëm të popullit. Nuk bëhet fjalë për një gjuhë të
stërholluar burokratike apo për një stil të ndikuar nga administratat zyrtare,
por për një shqipe që buron drejtpërdrejt nga realiteti shoqëror e kulturor i
kohës. Pikërisht kjo i bën këto dokumente edhe më autentike, sepse ato nuk
synonin vetëm të përcillnin informacione apo udhëzime, por edhe të krijonin
afërsi me lexuesin, duke përdorur fjalorin dhe mënyrën e të shprehurit që ai e
njihte dhe e ndiente si të vetën.
Edhe
pse dominon gjuha e unjisuar, megjithate, herë pas here, në tekstet e trakteve
dallohen edhe nuanca të ndryshme dialektore, shprehje dhe trajta gjuhësore që
janë karakteristike për rajone të veçanta të Kosovës. Këto dallime nuk
paraqiten si mangësi gjuhësore, përkundrazi, ato përbëjnë një pasuri të çmuar
kulturore dhe gjuhësore. Ato dëshmojnë se autorët e këtyre dokumenteve vinin
nga mjedise të ndryshme, por megjithatë ishin të bashkuar nga një ideal i
përbashkët kombëtar. Brenda të njëjtit tekst mund të ndihen jehonat e të
folmeve të Dukagjinit, Drenicës, Llapit, Anamoravës apo viseve të tjera
shqiptare, duke krijuar një mozaik gjuhësor që pasqyron larminë dhe gjallërinë
e identitetit shqiptar në Kosovë.
Pikërisht
kjo shumëllojshmëri gjuhësore i jep dokumenteve një vlerë të dyfishtë. Përveç
rëndësisë së tyre si burime historike që dëshmojnë për organizimin dhe
veprimtarinë e lëvizjes kombëtare, ato shndërrohen edhe në dëshmi të
rëndësishme të historisë së gjuhës shqipe në Kosovë. Në faqet e tyre ruhet jo vetëm
kujtesa e ngjarjeve, por edhe fryma e kohës, mënyra e të menduarit dhe e të
shprehurit të brezit që mbajti gjallë idealin e lirisë në vitet më të vështira
të represionit jugosllav.
Prandaj,
duke i lexuar sot këto dokumente, nuk ndeshemi vetëm me tekste të shtypura në
letër të zverdhur nga koha. Në secilën faqe gjejmë gjurmët e një epoke të tërë,
dëgjojmë zërin e brezit që i hartoi ato dhe ndiejmë përkushtimin me të cilin
ruhej identiteti kombëtar edhe përmes gjuhës. Çdo fjalë, çdo shprehje dhe çdo nuancë
dialektore përbën një copëz të historisë sonë kolektive, duke e bërë këtë
trashëgimi dokumentare jo vetëm një burim të rëndësishëm për historianët, por
edhe një pasuri të çmuar për studiuesit e gjuhës, kulturës dhe identitetit
shqiptar.
Nga
shqyrtimi i kujdesshëm i këtyre dokumenteve mund të nxirret një përfundim me
peshë historike: trakte, thirrje, ftesa dhe materiale të tjera propaganduese
janë hartuar kryesisht nga mërgata shqiptare e Kosovës, nga ata burra e gra që,
të detyruar nga rrethanat politike, ekonomike ose nga përndjekja e regjimit
jugosllav, kishin gjetur strehim në vendet e Evropës Perëndimore. Ata jetonin e
punonin larg vendlindjes, por asnjëherë nuk u shkëputën shpirtërisht prej saj.
Përkundrazi, mërgimi u shndërrua në një hapësirë të re të organizimit politik,
të ndërgjegjësimit kombëtar dhe të vazhdimit të rezistencës përmes mjeteve që u
lejonin kushtet e lirisë në shtetet demokratike.
Pikërisht
në qytetet e Zvicrës, Gjermanisë, Belgjikës, Austrisë, Suedisë dhe vendeve të
tjera evropiane u krijuan qendra të rëndësishme të veprimtarisë patriotike
shqiptare. Aty u hartuan dhe u shumëfishuan qindra trakte, komunikata, thirrje
dhe ftesa për protesta, demonstrata, tubime përkujtimore dhe aktivitete të
tjera kombëtare. Përmes këtyre materialeve, mërgata jo vetëm që mobilizonte
bashkatdhetarët e saj, por njëkohësisht përpiqej të sensibilizonte opinionin
publik ndërkombëtar mbi gjendjen e rëndë të shqiptarëve në Kosovë, mbi shkeljet
sistematike të të drejtave të njeriut dhe mbi dhunën politike të ushtruar nga
regjimi jugosllav.
Një
veçori që bie menjëherë në sy në pothuajse të gjitha këto dokumente është
mungesa e plotë e emrave dhe mbiemrave të individëve që i kishin hartuar ose
nënshkruar ato. Askund nuk haset identiteti personal i autorëve, organizatorëve
apo drejtuesve të veprimtarisë. Në vend të emrave individualë figuron vetëm
emri i organizatës, lëvizjes apo komitetit organizues, si dhe vendi ku do të
zhvillohej manifestimi ose protesta. Ky nuk ishte një rastësi dhe as një
zgjedhje formale, ishte një domosdoshmëri e diktuar nga realiteti politik i
kohës.
Në
rrethanat e ashpra të ndjekjes së vazhdueshme nga shërbimet sekrete jugosllave,
ruajtja e anonimitetit përbënte një masë elementare sigurie. Veprimtarët
shqiptarë në mërgatë ishin objekt i përhershëm i survejimit, infiltrimit dhe
kërcënimeve. Shumë prej tyre kishin familjarë në Kosovë, të cilët mund të
përballeshin me pasoja të rënda nëse identiteti i autorëve të materialeve
zbulohej. Për këtë arsye, mbrojtja e identitetit personal nuk ishte vetëm akt
vetëmbrojtjeje, por edhe përgjegjësi morale ndaj familjeve dhe
bashkëveprimtarëve që mbeteshin nën kontrollin e regjimit.
Njëkohësisht,
kjo mënyrë komunikimi pasqyron edhe filozofinë organizative të lëvizjes
kombëtare shqiptare të asaj periudhe. Në plan të parë nuk vendosej individi,
por organizata dhe ideali që ajo përfaqësonte. Mesazhi kishte rëndësi më të
madhe sesa autori, kauza kombëtare qëndronte mbi afirmimin personal. Kjo frymë
kolektive krijonte bindjen se lufta për liri nuk ishte vepër e një njeriu apo e
disa individëve të njohur, por përpjekje e përbashkët e një populli të tërë, e
organizuar përmes strukturave të ndryshme politike dhe patriotike të mërgatës.
Për
studiuesin e sotëm, kjo mungesë e emrave individualë paraqet një sfidë serioze
në identifikimin e autorësisë së dokumenteve. Megjithatë, në të njëjtën kohë,
ajo përbën një dëshmi autentike të natyrës konspirative të veprimtarisë së asaj
kohe dhe të rrezikut të vazhdueshëm me të cilin përballeshin organizatorët.
Vetë fakti që dokumentet kanë mbijetuar deri në ditët tona, duke ruajtur
përmbajtjen, gjuhën dhe frymën e kohës, është një dëshmi e rëndësishme e
sakrificës dhe përkushtimit të mërgatës shqiptare, e cila, edhe pse larg
atdheut, mbeti një nga shtyllat kryesore të rezistencës politike dhe të
përpjekjeve për lirinë dhe çlirimin e Kosovës.
Thirrja
për protestën në Bruksel përbëhet vetëm nga dy faqe të daktilografuara, por
pavarësisht gjatësisë së saj modeste, ajo përfaqëson një dokument me vlera të
jashtëzakonshme historike dhe politike. Çdo paragraf është ndërtuar me kujdes
të veçantë, ndërsa argumentet janë të renditura me një logjikë të qartë, duke
dëshmuar pjekurinë politike dhe aftësinë analitike të autorëve të saj. Nuk kemi
të bëjmë me një fletë propagandistike të zakonshme, por me një tekst të menduar
mirë, ku analiza historike ndërthuret natyrshëm me argumentimin politik, duke i
dhënë dokumentit një peshë që tejkalon funksionin e tij fillestar si thirrje
për pjesëmarrje në një manifestim protestues.
Autorët
ndalen me kujdes në trajtimin e rrugëtimit të vështirë historik të popullit
shqiptar, duke rikujtuar padrejtësitë e shumta, diskriminimin sistematik dhe
mohimin e të drejtave kombëtare nën regjimin jugosllav. Ata e paraqesin
protestën jo si një reagim të çastit ndaj një ngjarjeje të caktuar, por si vazhdimësi
të një rezistence të gjatë historike, e cila kishte lindur si pasojë e dekadave
të shtypjes politike dhe kombëtare. Në këtë mënyrë, protesta merr dimensionin e
një akti të përgjegjësisë historike, ndërsa pjesëmarrësit ftohen të bëhen pjesë
e një misioni që tejkalonte interesat individuale dhe lidhej drejtpërdrejt me
fatin e Kosovës dhe të shqiptarëve në përgjithësi.
Megjithatë,
ajo që e bën këtë dokument veçanërisht të rëndësishëm është një qëndrim i
pazakontë, i shprehur me një gjuhë të drejtpërdrejtë dhe dukshëm më të ashpër
sesa ajo që haset zakonisht në materialet e tjera të kësaj periudhe. Për herë
të parë, në dokumentet që kam pasur mundësinë të shqyrtoj, organizatorët
deklarojnë hapur se në protestë nuk dëshirohet pjesëmarrja e personave që kishin
emigruar nga Shqipëria komuniste. Ky qëndrim nuk paraqitet si një vërejtje
kalimtare, por si një kërkesë e formuluar qartë, e argumentuar dhe e vendosur
në qendër të mesazhit politik të dokumentit.
Për
ta kuptuar drejt këtë formulim, është e domosdoshme të merret parasysh
konteksti historik i kohës. Në vitet kur u hartua kjo thirrje, Shqipëria
ndodhej nën regjimin stalinist të Enver Hoxhës, një nga sistemet më të izoluara
dhe më represive në Evropë. Kufijtë e saj ishin pothuajse hermetikisht të mbyllur
dhe kontaktet me botën e jashtme ishin të kufizuara në mënyrë ekstreme.
Megjithatë, për pjesën më të madhe të shqiptarëve të Kosovës, Shqipëria
përfaqësonte simbolin e shtetit shqiptar të lirë, atdheun historik dhe një
ideal kombëtar që ushqente imagjinatën dhe shpresën e shumë brezave. Për ta,
Shqipëria ishte më shumë se një realitet politik, ajo ishte një mit kombëtar,
një pikë referimi shpirtërore dhe emocionale, një lloj "parajse mbi
tokë", pavarësisht se pak veta kishin mundësinë ta njihnin realisht jetën
brenda kufijve të saj.
Pikërisht
për këtë arsye, formulimi i përdorur në këtë thirrje tërheq vëmendje të
veçantë. Ai dëshmon se edhe brenda mërgatës shqiptare ekzistonin dallime të
caktuara politike, ideologjike dhe organizative, të cilat herë pas here
reflektoheshin edhe në dokumentet publike. Organizatorët duket se synonin ta
mbanin protestën larg ndikimeve që, sipas bindjeve të tyre, mund të
identifikoheshin me regjimin komunist të Tiranës ose me individë të ardhur prej
tij. Kështu, dokumenti pasqyron jo vetëm unitetin rreth çështjes së Kosovës,
por edhe debatet, rezervat dhe ndarjet që ekzistonin brenda vetë lëvizjes
shqiptare në mërgim.
Në
këtë kuptim, kjo thirrje fiton një rëndësi të veçantë historiografike. Ajo nuk
na informon vetëm për organizimin e një proteste në Bruksel, por zbulon edhe
kompleksitetin e marrëdhënieve politike ndërmjet grupeve të ndryshme të
mërgatës shqiptare, perceptimet e tyre ndaj Shqipërisë së asaj kohe dhe
përpjekjet për të ruajtur një identitet të caktuar politik të lëvizjes. Për
studiuesin e sotëm, dokumenti është dëshmi se historia e rezistencës shqiptare
nuk ishte një proces njëdimensional, përkundrazi, ajo ishte e përbërë nga ide,
qëndrime, debate dhe vizione të ndryshme, të cilat, megjithëse ndryshonin në
disa çështje, bashkoheshin rreth idealit të përbashkët të lirisë dhe të
çlirimit të Kosovës.
Një
nga pjesët më prekëse dhe njëherazi më domethënëse të kësaj thirrjeje është
mënyra se si autorët u drejtohen shqiptarëve që, dekada më parë, ishin dëbuar
me dhunë nga trojet e tyre për në Turqi. Ky fragment nuk përmban vetëm një
ftesë për pjesëmarrje në protestë, ai shndërrohet në një rrëfim të heshtur të
një plage të madhe historike, e cila kishte lënë gjurmë të thella në kujtesën
kolektive të popullit shqiptar. Në pak rreshta, hartuesit arrijnë të rikthejnë
në vëmendje një nga kapitujt më të dhimbshëm të historisë së Kosovës, atë të
shpërnguljeve të detyruara dhe të politikave sistematike të zbrazjes etnike që
u ushtruan ndaj shqiptarëve gjatë dekadave të ndryshme të shekullit XX.
Me
një ndjenjë të thellë mallëngjimi dhe dashurie vëllazërore, autorët u drejtohen
bashkatdhetarëve të tyre që ishin detyruar të linin vendlindjen nën trysninë e
aparatit shtetëror jugosllav. Ata nuk i trajtojnë si njerëz të larguar apo të
shkëputur nga atdheu, por si pjesë të pandashme të trupit kombëtar shqiptar. Në
çdo fjali ndihet dëshira për t'i afruar sërish, për t'i bërë pjesë të së
njëjtës kauzë dhe për t'u kujtuar se, pavarësisht viteve të gjata të mërgimit,
ata nuk ishin harruar kurrë nga bashkëkombësit e tyre.
Kjo
thirrje fiton një peshë edhe më të madhe kur vendoset në kontekstin historik të
kohës. Gjatë periudhave të ndryshme, veçanërisht pas Luftës së Dytë Botërore,
mijëra shqiptarë nga Kosova, Maqedonia Perëndimore dhe viset e tjera shqiptare
në ish-Jugosllavi u përballën me politika të organizuara të presionit
shtetëror, diskriminimit dhe shpërnguljes së detyruar drejt Turqisë. Përmes
marrëveshjeve ndërshtetërore, trysnisë administrative, konfiskimit të pronave,
frikësimit dhe formave të ndryshme të represionit, shumë familje shqiptare u
detyruan të braktisnin vendlindjen, duke lënë pas shtëpitë, tokat, kujtimet dhe
varret e të parëve. Ishte një proces që synonte dobësimin e elementit shqiptar
në Kosovë dhe ndryshimin e strukturës etnike të krahinës.
Në
këtë dritë, ftesa që u drejtohet këtyre shqiptarëve merr një kuptim shumë më të
thellë sesa një thirrje e zakonshme për të marrë pjesë në një protestë. Ajo
është një akt simbolik i rikthimit të tyre në gjirin e kombit, një përpjekje
për të rindërtuar lidhjet që historia kishte tentuar t'i këpuste me forcë.
Organizatorët i konsiderojnë ata jo si mërgimtarë të huaj, por si vëllezër të
larguar padrejtësisht nga trualli i tyre, të cilët vazhdonin të kishin një vend
të pazëvendësueshëm në kujtesën dhe ndërgjegjen kombëtare.
Gjuha
e përdorur në këtë pjesë të dokumentit është e mbushur me ndjenjë, respekt dhe
mall. Nuk vihet re asnjë distancë mes atyre që jetonin ende në Evropë dhe atyre
që kishin ndërtuar jetën në Turqi. Përkundrazi, në çdo rresht përcillet bindja
se largësia gjeografike nuk mund ta zbehte përkatësinë kombëtare. Ata ftohen me
përzemërsi të marrin pjesë në protestë, të bashkohen me bashkatdhetarët e tyre
dhe të japin kontributin në përpjekjet për lirinë e Kosovës. Mesazhi është i
qartë: dera e kombit mbetet gjithmonë e hapur për bijtë e tij, pavarësisht se
ku i kishte shpënë fati apo dhuna e historisë.
Kjo
pjesë e dokumentit është një dëshmi e vyer se mërgata shqiptare nuk e
konceptonte çështjen kombëtare brenda kufijve administrativë apo shtetërorë,
por si një përgjegjësi të përbashkët të të gjithë shqiptarëve, kudo që
ndodheshin. Në këtë frymë, protesta nuk paraqitej vetëm si një manifestim
politik, por edhe si një moment ribashkimi shpirtëror i shqiptarëve të
shpërndarë nëpër botë, të cilët i bashkonin kujtesa historike, dhimbja e
përbashkët dhe shpresa për një të ardhme më të drejtë.
Prandaj,
ky fragment mbetet ndër pjesët më njerëzore dhe më emocionuese të dokumentit.
Ai nuk flet vetëm për organizimin e një proteste, por shpreh besimin se plagët
e shkaktuara nga dëbimet, ndarjet dhe mërgimi mund të shëroheshin përmes
ruajtjes së solidaritetit kombëtar. Është një dëshmi e qartë se, edhe larg
atdheut, shqiptarët vazhdonin ta ndienin veten pjesë të së njëjtës histori dhe
të së njëjtës përgjegjësi për fatin e kombit të tyre.
Vijon


