Lazim Miftari: Dëshmitarët e detit

3h më parë

Lazim Miftari


DËSHMITARËT E DETIT


Në horizont kaosi lindi detin,

valët e larta nuk patën fund,

Gjithësia e ruan mirë sekretin –

çdo gjë në këtë botë u lëkund.

Uji përplasi me vrull bregdetin,

dallgët anijen e kanë përkund.


Kapiteni aspak nuk u përkul,

edhe stuhitë u kthyen në lojë,

rrebeshi i egër keq iu vërsul,

por ai ekipën di si ta mbrojë.

Dallga anijen s'mund ta shkul,

as rrufeja s'guxon ta shpojë.


Valët u bënë bjeshkë të larta,

detarët s'kërkonin dritë tjetër,

dallgët hapnin plagë të qarta,

era këndonte këngën e vjetër.

Ata kërkonin vargje të arta –

diçka që s'vdes as në letër.


Anija larg u tret si një vegim,

hijet mbi valë mbetën patundur,

deti s'i kthen çelësat në kuptim–

ai ruan gjithçka pa u lëkundur.

Në brendinë e tij pa zë e shikim,

nuk ka asnjë detar të humbur.


Shekujt numërojnë kreshta,

çdo valë ka një emër si ari.

Kujtesa rrin në këto rreshta,

në terr nuk shuhet prej zjarri.

Deti, libër pa faqe të thjeshta,

shkëlqen fort si margaritari.


Nga shpella del i zbardhur,

një zë,si jehonë vjen përsëri:

"Për ata që s'kanë ardhur,

për brezat që vijnë si puhi –

ne jemi si zjarri i ringjallur,

dëshmitarët s'njohin stuhi."

Lazim Miftari

Prishtinë 16 Qershor 2026