Gjon Marku: Shelgu lotues

Tregim nga Gjon Marku
Sytë i hodhi përmbi zabel dhe vështroi diku thellë në të, sikur
të donte të zbulonte ndonjë të fshehtë. Pastaj vështrimin e hodhi drejt
fushave, në fund të të cilave gjendej njëri nga plepat shekullorë, në majë të
të cilit ishte një çerdhe lejleku që, edhe pse tundej bashkë me degët, nuk i
ndahej dot atij vendi, dhe çdo pranverë vinte i zoti i saj e meremetonte
shtëpizën e tij mbretërore. Mjegulla endej nëpër përrenj, duke treguar se po
afronte dimri. Dy-tri re notonin në qiell, si të ishin bletë pa mëmë, që kishin
humbur orientimin. Vjeshta, tutje ndër rrafshina, zverdhte gjithçka pa ngut, si
dikush që di se koha e vet do të vijë përsëri.
Flokënaja
e degëve të shelgut, që ai vetë e kishte mbjellë në fund të kopshtit, iu duk e
shkretuar dhe kjo ia bëri zemrën t'i dridhej. E kishte mbjellë atë shelg tamam
sipas dëshirës së saj. Një thëllëzë fluturoi nga rrëza e tij dhe u fsheh ndër
dëllinja. Sikur zemra iu mbush me akull. Kishte rënë bryma, dhe kur i hodhi
sytë mbi pelerinën e vet, pa se vesa e kishte lagur sipërfaqen dhe disa pika
uji kishin nisur të rrëshqisnin, duke krijuar vija të holla si gjarpërinj që
kërkojnë të struken nga dimri.
Ai, si një
shpend udhëtar, kishte fluturuar dhjetëra herë në vende të ndryshme, dhe ishte
kthyer gjithnjë si lejleku në çerdhen mbi plep. Por këtë herë kishte ndodhur
krejt ndryshe: kishte ikur në pranverë dhe po kthehej në vjeshtë, dhe shkak i
këtij kthimi ishte e shoqja, e shtruar në spital, që luftonte me vdekjen.
Nëpër
mendje i erdhën statujat e hirta, të panumërta, të Budëve në qytetin e vjetër,
ku murgj mjekërbardhë luteshin pa fund, duke ngjizur një rit të veçantë. Kishte
vështruar pllakat e pafundme të gurëve të shkruar prej tyre dhe qytetin e tyre
të ngritur në atë pjerrësi, sikur nuk u mjaftonin fushat e pafundme përreth.
Si një
plagosje mbante me vete kujtimin e saj, dhe shpesh i dukej se dëgjonte gulçimin
e saj. Si pikturë e magjishme, imazhi i saj shkonte kudo bashkë me të. Në
kujtesën e vet ziente e tërë e shkuara. Dhe ashtu po ndodhte edhe tani, edhe
pse pa dashje, ndërsa gjithçka brenda tij po vyshkej, po zverdhej më keq se
fushat në vjeshtë.
Ndjeu
ftohtë, dhe në kujtesën e tij u ngulën sytë e saj, si dy qelqe të lodhur që
sikur kërkonin ndihmën e tij në atë përballje me jetën.
Flokënaja
e shelgut iu duk krejt si një ujëvarë dhembjeje. Kishte ngulur vështrimin mbi
atë shelg, por në përfytyrim i vinte një shelg tjetër, i ngjashëm, diku më
larg, në kohën kur ishte një djalosh i pashëm, plot vrull, që kishte njohur
dashurinë e tij të parë. Ai shelg lotues ishte bërë strehë e degëve të tij,
plot gjallëri, sikur kishte marrë përsipër të fshihte e të ruante dashurinë e
tyre. Ishte dëshmitari i vetëm i asaj të fshehte.
Humbisnin
veten nën degët e tij orë të tëra, derisa mbrëmja binte në honin e natës dhe
hëna endej mes reve. Ajo hije shelgu, për të, ishte si një mriz zanash. Në
hijen e tij kishte kërkuar, nëpër ëndrra, të bukurën e dheut.
Por shelgu
që kishte tani përpara iu duk i plakur dhe i shkretë, i lënë në vetminë e
mospërfilljes së askujt. Kujtimet ishin bërë thërrime, si copat e një gote të
thyer, prej së cilës kishte frikë se mos gjakosej.
Kushedi sa
gjatë do të kishte qëndruar atje, mbërthyer nga kujtimet e së shkuarës, po qe
se në oborrin e shtëpisë nuk do të shfaqej e ëma, plakur dhe mezi e mbajtur në
këmbë, sikur miku i vetëm që i kishte mbetur ishte hija e saj, me të cilën
fliste gjithë ditën, derisa ajo humbte bashkë me natën dhe rikthehej me
diellin. Ajo që në jetën e saj kishte ligjëruar qindra vaje, si këngë zie,
tashmë vajtonte pa pushim vetminë e tij dhe jo vuajtjet e veta, të cilat i
ngjanin një gërmadhe të madhe; lutej që ai t'i shpëtonte kthetrave të frikshme
të vdekjes. Nuk fliste, por gjithnjë kishte mbajtur brenda një trishtim që e
kishte bërë të përlotej pa e treguar.
Vështrimin
e hodhi te rrafshinat, ku në anën tjetër të përroit qëndronte i vetëm plepi
shekullor, që tundej bashkë me çerdhen e lejlekut mbi të, e që pa shokun pranë
iu duk se nuk kishte më kuptim. Dikur atje kishin qenë dy plepa, si dy vëllezër
binjakë, që rriteshin njësoj, zgjateshin drejt qiellit, në një barazi të
përkryer moshe e shtati. I ati kishte vendosur ta priste njërin, edhe pse i
donte të dy njësoj, në fund të arës. E kishte prerë atë plep për një gjë të
shtrenjtë - ndoshta për ëndrrën më të shtrenjtë të jetës së tij. Ndoshta për
shumë gjëra të tjera nuk do ta kishte rrëzuar përtokë, si një dinosaur të
ngordhur. Por donte ta gdhendte me duart e veta djepin ku do të përkundej nipi
që pritej të lindte - pra i biri - i cili tani gjendej në spital, ku e ëma
luftonte t'i shpëtonte kthetrave të vdekjes që, si kthetra kuçedre, e kishin
ngërthyer, duke dashur ta bëjnë të sajën. Kështu që e preu plepin dhe,
ngadalë-ngadalë, gdhendi djepin e nipit të tij. Pastaj ndërtoi një dollap ku do
të viheshin rrobat e fëmijës. Edhe kalorësin hipur mbi kalë e kishte gdhendur
me drurin e po atij plepi, edhe pse druri nuk ishte fort i përshtatshëm për
kësi pune. Gjithë atë plep ia kishte kushtuar nipit që akoma nuk kishte lindur.
Pas lindjes së tij, duket se i kishte kushtuar gjithë pjesën tjetër të jetës: i
kishte premtuar edhe çibukun që kishte gdhendur me dorën e vet, kutinë e vogël
prej argjendi ku mbante brisqet me të cilat rruhej, madje edhe kullën e vjetër
- gjithçka që dukej se tashmë i përkiste atij, nipit të vogël, të birit të Mark
Viganit. Por fati nuk kishte dashur; Zoti kishte sjellë një fat të keq, dhe ai
kishte ndërruar jetë pa e parë nipin të rritej e të burrërohej.
Ata dy
plepa, për Mark Viganin, kishin qenë si dy prindërit e tij - si e ëma me të
atin, që udhën e jetës e kishin bërë bashkë për shumë vite, derisa njëri u
shkëput në mes dhe e la tjetrin fill vetëm. Në shtëpinë e tij kishte mbetur
vetëm e ëma, ashtu si në fund të arës kishte mbetur vetëm njëri plep. Nga plepi
tjetër kishte mbetur djepi i të birit, i cili tani ishte në fund të studimeve
universitare, dhe kalorësi mbi kalë, gdhendur nga dora e të atit. Nuk gjente
dot diçka të mirë për t'u kujtuar, se mendimet i hidheshin herë në një kohë,
herë në një tjetër - herë te plepi, që gjithnjë e çonte te kujtimi i të atit,
herë te shelgu lotues, që e kthente në kujtimet e së shkuarës së tij, në rininë
e vet, pra në moshën e të birit, i cili, edhe pse në fund të studimeve, akoma
s'i kishte treguar ndonjë histori me hije shelgu lotues, nën degët e të cilit
fshihej gjithmonë ndonjë histori dashurie. Ai s'ia kishte kërkuar këtë të
birit, të pashëm, me trup të drejtë si një lis i ri. Në moshën e tij, ishte i ngarkuar
me një jetë të pasur, dhe pjesën më të madhe të kohës ia zinte ajo, e cila
sikur kishte pushtuar jo vetëm ëndrrat e tij, por çdo qelizë të trupit të tij.
Tani ajo gjendej në prag të fatit të plepit apo të të atit, të cilët kishin
ikur nga kjo botë para kohe, sikur për ta lënë vetëm plepin tjetër, apo të ëmën
e kërrusur, që fliste vetëm me hijen e saj. Po i biri, vallë, si do të kalonte
ditët e veta i vetmuar, si plepi?
Ecte udhës
drejt spitalit, mbështjellë në copëra mendimesh nga e shkuara, të cilat nuk po
arrinte t'i sistemonte dot. Nuk gjente dot asnjë rreze dielli të ngrohtë që të
ngrohte shpirtin, tashmë kthyer në një copë akulli.
E shoqja
dergjej në krevat, në reanimacionin e spitalit, ku i bënte roje i biri, me
numrin e rruazave të bardha të gjakut rënë drejt minimumit - pra afër vdekjes.
Nuk fliste gjatë, veç ndonjë fjalë të rrallë. Mjekët nuk po e gjenin dot
shkakun; njëri prej tyre kishte mërmëritur ndër dhëmbë se vdekja e saj ndoshta
do të vinte pas muajsh a javësh, ndoshta pas ditësh a orësh. Mendoi kështu me
vete dhe ndjeu ftohtë. I mori mall për puthjen e saj të ngrohtë e të prushtë,
si dikur, në hijen e atij shelgu lotues. Sa më shumë i afrohej spitalit, aq më
shumë ndjente ftohtë. I ngjiti shkallët drejt katit të tretë, ku ndodhej salla
e reanimacionit, sikur mbante mbi shpinë një mal të tërë. Në shtëpi kishte lënë
vetëm të ëmën, që i lutej Zotit t'ia merrte dhembjen e t'ia shpëtonte të renë.
Tetëdhjetë e gjashtë vjetët e jetës së saj kërkonin që dikush t'i gjendej
pranë, po sikur t'i ndalej zemra. "Mjaft," desh britma, sikur donte
të çlirohej nga këto mendime të trishta. Pa e kuptuar as vetë, u gjend ballë
për ballë me derën e reanimacionit. E uli dorezën pa trokitur dhe e shtyu të
hapej. Priste që i biri t'i jepte ndonjë lajm të kobshëm nga përgjigjja e
analizave, që kishin shkuar për t'u analizuar në një prej laboratorëve më të
mirë. Nuk pati kurajë të futej brenda; u ndal në paradhomë. Nuk e dinte a mund
të përballonte ndonjë lajm...
Nga brenda
dëgjoi zëra, që flisnin e mërmëritnin në një mënyrë të pazakontë. E hapi derën
dhe pa se e shoqja, sikur të mos ishte ajo që kishte lënë një ditë më parë,
dukej e gjallëruar; i biri, mbështetur pas një vajze të bukur, vështronte nga e
ëma dhe tregonte një histori, të cilën e ndërpreu në mes, si i zënë në faj, dhe
hoqi dorën që i qarkonte qafën e vajzës.
Mark
Vigani u hutua fare, nuk e dinte se për çfarë të pyeste më parë. Mbi komodinë
ishte përgjigjja e analizave. E mori në duar, por s'kuptoi asgjë.
- Përgjigjjen e solli Fatjona, dhe kanë dalë shumë
mirë, - mërmëriti i biri, duke vështruar nga i ati, pa mundur t'i thoshte kush
ishte Fatjona.
Mark
Vigani u përkul dhe puthi lehtë ballin e së shoqes, pastaj u kthye nga ata dhe
i vështroi disa çaste.
- Ejani, të dalim e të pimë një kafe.
Dolën, por
asnjëra palë nuk tha ndonjë fjalë që të çlironte tjetrën.
- Jeni të lirë, bijtë e mi, - u drejtua ai atyre,
- tani mund të shkoni, - dhe heshti.
- Mund të shkoni drejt shelgut tuaj lotues, -
mërmëriti me vete.
- Baba, mos deshe gjë? - pyeti i biri.
- Jo, biri im, - por, pa hedhur hapin e parë, u
kujtua: - Altin.
Ata të dy
u kthyen dhe e vështruan.
- Çfarë, baba?
Ai kishte
nxjerrë disa kartmonedha, që ua zgjati.
- Merri, Altin.
- Jo, baba, kam para.
- Merri, s'e i ke për shkollën këto.
U
vështruan sy më sy, dhe pasi i buzëqeshi ëmbël, i mërmëriti në vesh vargun e
fundit të njërës nga poezitë e tij, atë që i kishte thënë se ia kishte kushtuar
së ëmës:
Aty do të më gjesh, sa herë të më duash...
I biri i
rrëmbeu kartmonedhat dhe, si një kaproll i lehtë, u sul drejt drenushës së vet,
ndërsa Mark Vigani mezi priste të ngjiste shkallët e ta puthte ngrohtë të
shoqen.


