Ajete Zogaj: Testament i kujtesës, humanizmit dhe qëndresës
TESTAMENT I KUJTESËS, HUMANIZMIT DHE QËNDRESËS
Jahja Lluka, “BLLACA ‘99” Përjetimet e të
dëbuarve me dhunë nga forcat serbe, II,
Botoi “Office Printy” Prishtinë, 2026
Një
nga simbolet më domethënëse është treni. Ai nuk përfaqëson thjeshtë largimin
fizik të të dëbuarve, por ndarjen mes dy botëve: asaj që mbetet pas, e mbushur
me kujtime, dhe asaj që i pret në vazhdim, të panjohur dhe të pasigurtë. Brenda
vagonëve të trenit, nuk udhëtojnë vetëm njerëzit, udhëtojnë plagët, shpresa dhe
historia e një populli, i detyruar me
dhunë të largohet nga trojet e veta.

Ngjarje dhe dëshmi të shumta në histori shënohen me data,
por ka shumë prej tyre që mbeten të skalitura thellë në kujtesën e kombit tonë,
përmes rrëfimeve autentike të dëshmitarëve që përjetuan ferrin e tmerrin, në
zemër të Evropës, para syve të botës së qytetëruar!
Eksodi i Bllacës është njëra prej atyre ngjarjeve të
hidhura ku luftohej mes jetës dhe vdekjes, është Ferri i Dantes së
fundshekullit XX. Ai nuk përfaqëson
vetëm një moment të luftës në Kosovë, por një përvojë të përbashkët njerëzore,
ku frika, pasiguria dhe shpresa ecën krah për krah. Pikërisht për këtë arsye,
rrëfimet e të dëbuarve kanë një peshë të veçantë: ato nuk flasin vetëm për atë
që ndodhi, janë përjetimet e të dëbuarve me dhunë nga vatrat e tyre, nga Kosova
që digjej flakë.
Në librin “Bllaca ‘99”, dëshmitë e të
dëbuarve ndërtojnë një mozaik kujtimesh që i sjellin lexuesit realitetin e asaj
kohe të rëndë, që kurrë mos u përsëritë më!. Çdo rrëfim bart një përvojë të
veçantë, por së bashku ato krijojnë një kujtesë të përbashkët që tejkalon fatin
individual dhe bëhet pjesë e historisë së një populli. Përmes këtyre rrëfimeve,
kuptohet se lufta nuk matet vetëm me zhvillimet ushtarake apo politike, por
edhe me plagët që lë në jetën e njerëzve.
Ky punim i qaset librit duke e parë atë si një hapësirë në
të cilën kujtesa personale ‘shkruan’ një kapitull historie dhimbje e krenarie,
mbijetese e sakrifice! Librit i paraprinë fjala hyrëse e intelektualit Jahja Lluka kryetar i Shoqatës për
Kthimin e Shqiptarëve të Shpërngulur nga Trojet e Veta me seli në Prishtinë.
Në libër janë dhënë 32 rrëfime të të dëbuarve, të cilat ndërtojnë
një dëshmi të besueshme për eksodin e vitit 1999, duke nxjerrë në pah vlerën e
tyre historike, njerëzore dhe dokumentare. Në këtë mënyrë, libri nuk lexohet
vetëm si një përmbledhje dëshmish, por si një kujtesë e shkruar dhe e përjetuar
e cila ruan përvojën e atyre që u detyruan ta linin vendin e tyre, për tu
rikthyer në Kosovën e lirë.
Dr. Qerim Lika në recesionin e tij vlerëson rëndësinë
e botimit të këtij vëllimi, si dhe shpalos disa nga mbresat e tij për rrëfimet
e publikuara. Sipas Likës, “...vepra në fjalë duhet të jetë në funksion të
dijes dhe e njëjta të përdoret si doracak në studimet e mëtejshme kërkimore –
shkencore nga ana e studiuesve shqiptar
dhe jo vetëm”[1].
Për prof. dr. Parim Kosova, rrëfimet e të
mbijetuarve, janë “tmerret në kampin e
përqendrimit Bllaca e përjetësuar tani me muzeun “Bllaca ‘99”, që sipas tij
“Vepra e Jahja Llukës, edhe përmes rrëfimeve të atyre që ishin në Kampin e Përqendrimit
– Bllaca ’99, ofron dëshmi të sakta, të drejta dhe reale”[2]
Sabit
Jaha, publicist në vështrimin e tij hedhë dritë mbi veprën “Bllaca
’99...” duke vë theksin te kontributi i
jashtëzakonshëm i Jahja Llukës, “Jahja Lluka hartues e mbarshtrues i kësaj
vepre monumentale “ Bllaca ’99...” falë përkushtimit të pashembullt, gjatë këtyre
25 vjetëve (1999- 2024), më shumë se kushdo tjetër iu qas me devotshmëri
publikimit të përjetimeve të të dëbuarve shqiptarë, të cilët në Bllacë me ditë
e netë të plota ( që nga maji 1999)kush më pak e kush më shumë përjetuan çaste
të dhimbshme, tragjike të DRAMËS KOSOVARE, ku shqiptarët ishin vetëm
trupa(figura) statikë – duarthatë, të uritur e të etshëm, kurse rolet i luanin
kriminelët, milicët, ushtarakët dhe efektivët e aparatit shtetëror serbo
–sllav.”[3]
Sipas prof. Nebi Dervishit,
“Ky është libër i veçantë, sepse e ka kuptimin e momentit që i është ngritur
vuajtjeve, poshtërimit, ëndrrave dhe shpresave
të një populli, klithmave e lotëve të shumtë të tij dhe ndonjë buzëqeshje
të rrallë....”[4]
Rrëfimet
– monument i gjallë kujtese
Në rrëfimin e saj, gazetarja Ilire Zajmi, paralajmëron se ‘gjahu i shtrigave’ kishte filluar,
ndërsa rrëfen për Masakrën e Reçakut dhe masakrën në Rogovë, për të vazhduar me
rrëfimin e saj për eksodin në Bllacë.
Rrëfimet e familjes Kurtaj, janë një gërshetim rrëfimesh
që skalisin dhimbjen, sakrificën dhe qëndresën ndër breza të një familje e cila
përjetoi padrejtësi, dhunë e burgosje vrasje e tortura, kohë ku shumë fëmijë mbeten
pa prindër.
Sahadete
Jaha, njëra ndër dëshmitaret e dëbimit me dhunë nga
kryeqyteti – Prishtina, rrëfen katrahurat e dëbimit deri Bllacë e pastaj në
Shqipëri- Korçë ku Sadetja tregon për mikpritjen e mrekullueshme të korçarëve. “Për ne, që patëm fatin ogurbardhë që të mirëpriteshim
në KORÇËN FAMËMADHE – vatër e civilizimit kulturor – arsimor – kombëtar, ne si
sa e sa familje të tjera të dëbuarish kosovarë, vëllezërit e motrat e Juaja që
atëherë (1999) e sot dhe përjetë, do t’u jemi mirënjohës DENBABADEN, siç
thoshte dikur famëmadhi po(g)radecari Mitrush Kuteli (Dhimitër Pasko)në poemën
e tij shumëdomethënëse “POEM KOSOVAR”: Ne (së bashku ishim, jemi dhe do të jemi
NJË, ngase jemi si MISHI e ASHTI, të pandarë, meqë kemi NJË GJAK, NJË GJUHË, NJË
SHQIPËRI ETNIKE as të VOGËL dhe as të MADHE, por NATYRALE, ku flitet e shkruhet
SHQIP, ku Bukës, Ujit, Dheut, i thuhet: BUKË, UJË, DHE (fjalë këto që na i mësuan:
BABAI (ATI), NANA (MËMA), ta duam AT(MËMË)DHEUN PËR JETË TË JETËVE!”[5].
Pjesë mbresëlënëse e këtij libri janë edhe rrëfimet e Dijana Bajramit, Ejup Maxheres, Ali Gashit,
Xhevat Emërllahut, Filippo Landit, Zejnel Hajrizit, etj.
“Kalimi nëpër rrathë të ferrit” i Nergize Demollit, është një rrëfim që shndërron kujtesën
individuale në një pasqyrë të historisë kolektive. Përmes një rrëfimi të qetë, por mjaft emocional, zonja Nergize tregon përvojën e dëbimit me dhunë jo
vetëm si një ngjarje historike, por si një provë të thellë të shpirtit
njerëzor. Kjo pjesë nuk ndërtohet mbi
heroizmin tradicional; heroizmi lind në heshtje, në durimin e njerëzve, në
mbrojtjen e fëmijëve dhe në besimin se edhe nata më e errët një ditë do t’i hapë rrugë ditës.
Në planin tematik, teksti trajton humbjen e shtëpisë,
pasigurinë dhe ndarjen nga vendlindja, por mbi të gjitha trajton qëndrueshmërinë
e njeriut. Personazhet (të cilët të gjithë janë reale) nuk përballen vetëm me
rrezikun fizik; ata luftojnë për të ruajtur kujtesën, dinjitetin dhe
identitetin e tyre. Çdo hap i tyre është një përpjekje për të mbrojtur jetën
dhe për të mos lejuar që frika t’ua pushtojë shpirtin.
Titulli i tregimit “Kalimi nëpër rrathë të tmerrit” ka një
domethënie të fuqishme simbolike. “Ferri”
nuk është një vend mitologjik, por realiteti i krijuar nga lufta, ku çdo etapë
e rrugëtimit sjell një sprovë të re. Megjithatë, ndryshe nga ferri i përjetshëm,
ky udhëtim lë hapësirë për shpresë. Çdo ndihmë e vogël, çdo dorë e zgjatur dhe
çdo fjalë ngushëlluese bëhen dëshmi se humanizmi mund t’i mbijetojë edhe dhunës
më të egër.
Një nga simbolet më domethënëse është treni.
Ai nuk përfaqëson thjeshtë largimin fizik të të dëbuarve, por ndarjen mes dy
botëve: asaj që mbetet pas, e mbushur me kujtime, dhe asaj që i pret në
vazhdim, të panjohur dhe të pasigurtë. Brenda vagonëve të trenit, nuk udhëtojnë
vetëm njerëzit, udhëtojnë plagët, shpresa dhe historia e një populli, i
detyruar me dhunë të largohet nga trojet
e veta.
Po aq domethënëse është edhe lindja e foshjes gjatë
rrugës. Në mes të frikës dhe kaosit, ardhja në jetë e një fëmije fiton vlerën e
një metafore universale: jeta nuk dorëzohet përballë vdekjes. Ajo dëshmon se
natyra njerëzore ka forcën të rilindë edhe në rrethanat më të pamëshirshme. Ky
episod e pasurin tekstin me një dritë shprese, duke krijuar një kontrast të
fuqishëm me errësirën e luftës. Nga ana stilistike, rrëfimi karakterizohet nga
një gjuhë e thjeshtë, por jashtëzakonisht shprehëse. Nuk mbështetet te retorika
e tepruar; emocionet lindin nga natyrshmëria e rrëfimit dhe nga fuqia e
detajeve. Heshtja, lotët e përmbajtur dhe shikimet e fundit krijojnë një
atmosferë që prek lexuesin më shumë se sa përshkrimet dramatike. Kjo e bën
tekstin autentik dhe bindës.
Në aspektin psikologjik, personazhet shfaqin një forcë
hyjnore dhe mjaft admiruese. Ata përjetojnë frikë, ankth dhe pasiguri, por nuk
humbin aftësinë për të ndihmuar njëri – tjetrin. Pikërisht solidariteti bëhet
forma më e lartë e rezistencës. Në një
kohë kur lufta përpiqet të shkatërroj gjithçka, aktet e vogla të mirësisë
ruajnë thelbin e njerëzores. Në rrëfimin e zonjës Nergize, momenti kur
intelektuali e shkrimtari i njohur Arif
Demolli i bashkëngjitet familjes së tij në kamp , është moment sa
emocionues po aq edhe dramatik. Për Arifin ishte raportuar në medie se është
vrarë nga forcat serbe bashkë me shumë intelektualë të tjerë në Prishtinë.
Familjarët nuk u besonin syve të përlotur për humbjen e njeriut të dashur i
cili erdhi i gjallë(Arif Demolli) dhe iu bashkua familjes!
Gjithashtu, Nergizja rrëfen edhe për kthimin e tyre në
Prishtinë dhe angazhimin e Arif Demollit në përgatitjen e revistës “Pionieri”
duke e shndërruar dhomën e banimit në zyre pune, si dhe edhe punën për
ndryshimin e teksteve shkollore nga Ministria e Arsimit në të cilën ishte i
angazhuar Arifi, punë të cilën e kryente në zyrën e improvizuar të shtëpisë.
Zonja Nergize, është falënderuese ndaj ministrit të arsimit Rexhep Osmani i cili kishte angazhuar
Arif Demollin si zyrtar të lartë në Ministri të Arsimit dhe ofrimin e një zyre pune, por edhe vizitat
e tij në shtëpi derisa Arifi kryente punë nga shtëpia.
Rrëfimi i Nergize Demollit, “Kalimi nëpër rrathë të
ferrit” është më shumë se një rrëfim për luftën; është një meditim mbi forcën e
shpirtit njerëzor. Ai na mëson se njeriu mund të humbasë shtëpinë, vendlindjen por jo dhe dinjitetin, solidaritetin dhe
besimin te jeta. Ashtu si agimi që lind pas natës, edhe shpresa mbetet drita që
i udhëheq njerëzit përmes çdo “rrethi të ferrit”. Kjo e bën veprën një
testament të kujtesës, të humanizmit dhe qëndresës, me një mesazh që mbetet i
vlefshëm për çdo kohë dhe çdo brez.
Bllaca
’99 në kohë lufte dhe në kohë paqeje”
Rrëfimi i Fatmir Krasniqit, “Bllaca ’99
në kohë lufte dhe në kohë paqeje” shquhet për autencitetin e tij, pasi ndërthur
përvojën personale me historinë kolektive të rezistencës shqiptare. Përmes një
narracioni kronologjik dhe të drejtpërdrejtë, autori dokumenton jo vetëm
ngjarjet ushtarake dhe luftën heroike të UÇK-së, por edhe dimensionin njerëzor
të luftës, duke e vendosur familjen dhe komunitetin në qendër të rrëfimit.
Ngjarjet e përshkruara
nga arsimtari Fatmir Krasniqi, zhvillohen
gjatë viteve 1998-1999, periudhë kjo që përkon me luftën e Kosovës. Ishin vitet
kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës organizoi rezistencën kundër forcave serbe,
ndërsa popullsia civile u përball me dhunë sistematike, granatime, dëbime dhe
krime lufte. Rrëfimi i Fatmir Krasniqit pasqyron një realitet të hidhur, ku familjet
nuk janë vetëm dëshmitare të konfliktit, por bëhen pjesëmarrëse aktive në mbështetjen
logjistike të rezistencës.
Autori dëshmon se
shtëpia e tij në Prishtinë ishte shndërruar në një pikë logjistike për
furnizimin e UÇK-së. Ky fakt dëshmon se rezistenca nuk zhvillohej vetëm në vijën
e frontit, por edhe në qytete, ku qytetarët organizonin transportin e
ushqimeve, veshmbathjeve dhe materialeve të tjera të nevojshme për luftëtarët.
Një nga veçoritë e
këtij rrëfimi është karakteri dokumentar. Mësuesi Fatmir Krasniqi, përmend data
të sakta, vende konkrete dhe emra të shumtë
personash, duke krijuar një dëshmi historike me vlerë të veçantë. Përmendja
e lagjes “Muharrem Fejza” në Prishtinë, Malishevës, Tërpezës, Maleve të Berishës,
dhe figurave konkrete e forcon besueshmërinë e narracionit.
Rrëfimi nuk ndërtohet
mbi elemente imagjinare, por mbi kujtesën personale. Pikërisht kjo e bën
tekstin një dokument të rëndësishëm për studimin e luftës, sepse historia rrëfehet
nga perspektiva e një dëshmitari okular.
Figura e protagonistit
Fatmir Krasniqi paraqitet si një protagonist që mishëron
përgjegjësinë qytetare dhe patriotike. Ai nuk paraqitet si një hero në kuptimin
tradicional, por si një qytetar që ndjen detyrim moral për të kontribuuar në
mbrojtjen e vendit. Ai merr pjesë në organizimin logjistik, strehon njerëz,
transporton materiale dhe përjeton rrezikun së bashku me familjen. Heroizmi i
tij nuk manifestohet përmes armës, por përmes solidaritetit, sakrificës dhe përkushtimit
ndaj kauzës kombëtare.
Një nga temat më të
rëndësishme të rrëfimit të tij, është shkatërrimi i jetës së zakonshme. Lufta
depërton në çdo aspekt të përditshmërisë. Shtëpitë shndërrohen në pika
logjistike, shkollat në strehimore, ndërsa familjet jetojnë nën granatime të
vazhdueshme.
Protagonistit i rrëfimit (Fatmir Krasniqit), paraqitet si simbol i qytetarit që kontribuon në
mbrojtjen e vendit jo vetëm me armë, por edhe me organizim, përgjegjësi dhe
solidarizim, bashkë me bashkëshorten e tij, humanisten (motër medicionale) dhe
atdhetaren, Naime Sopaj - Krasniqin.
Përshkrimi i granatimeve
të 19 tetorit 1998 është ndër episodet më dramatike të rrëfimit. Autori nuk përqendrohet
vetëm tek bombardimet si veprime të çmendura ushtarake policore të forcave
serbe, por mbi pasojat e tyre te
popullata e pambrojtur. Viktimat janë gra, fëmijë dhe familje të degdisura si
mos më keq.
Figura e Shpresës dhe simbolika e Nënës
Një nga momentet më
prekëse të rrëfimit të mësuesit,Fatmir është plagosja e Shpresës dhe foshnjës
gjashtëmuajshe, Albionit.
Nëna në rrëfim paraqitet
simbolin e sakrificës, ndërkaq instinkti
i saj për ta mbrojtur fëmijën me trupin
e vet edhe në momentin kur bie granata, është diçka hyjnore që e bëjnë vetëm Nënat, sidomos Nënat shqiptare!. Ky episod përfaqëson një nga shembujt më të
fuqishëm të dashurisë prindërore në rrethana të jashtëzakonshme!.
Fakti që copëza e
granatës mbetet në trupin e Albionit edhe pas shumë vitesh ka një simbolikë të
veçantë. Ajo nuk është vetëm plagë fizike, por edhe metaforë e traumës së luftës
që vazhdon të jetojë në trupin dhe kujtesën e të mbijetuarve.
Solidariteti si formë e rezistencës
Në çdo etapë të rrëfimit
të Fatmirit, shfaqen individë që ndihmojnë
njëri – tjetrin: transportojnë të plagosurit, sigurojnë automjete, organizojnë
trajtimin mjekësor si dhe strehojnë familjarët.
Gjithsesi, kur flasim
për solidaritetin dhe ndihmën mjekësore, të cilën e gjejmë në të rrëfyer me
shumë modesti nga mësues Fatmiri, një meritë e veçantë i takon Naime Sopaj – Krasniqit, motër medicionale në ORL e cila vë jetën e saj
dhe të familjes në rrezik për t’i trajtuar të sëmurët e të plagosurit,
(Albionin), duke i maskuar dhe improvizuar, por edhe të tjerët që kishin nevojë në ato
rrethana shumë të rënda dhe tejet sfiduese e me rrezik të lartë. Naimja aty
ku nuk mund të kryente shërbime vet, angazhonte miq e të njohur në QKU, vetëm e
vetëm që ndihma të mos u mungonte dhe trajtimi mjekësor të kryhej, me sigurimin
e gjakut për të plagosur duke i kamufluar në forma të ndryshme që të mos
hetohej nga policia serbe e cila vëzhgonte çdo gjë. Autori përmend shumë emra e
personazhe, duke treguar se mbijetesa nuk ishte rezultat i veprimit individual,
por i bashkëpunimit të njerëzve vullnetmirë e solidarë. Në këtë mënyrë, solidariteti paraqitet si një formë
rezistence po aq e rëndësishme sa lufta e armatosur.
Dëshmi e rëndësishme e luftës dhe
sakrificës
Rrëfimi i Fatmir
Krasniqit përfaqëson një dëshmi të rëndësishme të luftës së fundit në Kosovë,
ku përmes një narracioni autentik dhe kronologjik, ndërtohet një kapitull
historie, duke ndërthurur heroizmin,
sakrificën, dhimbjen dhe shpresën se ky popull i shumëvuajtur do ta fitojë e do
ta gëzojë LIRINË!.
Njëkohësisht,
episodi i plagosjes së Shpresës dhe foshnjës
Albionit, e zhvendos vëmendjen nga lufta si konflikt ushtarak drejt pasojave të
saj mbi civilët e pambrojtur. Kjo e bën rrëfimin jo vetëm një dokument
historik, por edhe një tekst me vlera të rëndësishme humane, etike dhe letrare.
Gjithashtu, është mjaft domethënës edhe momenti kur Noli,
dali i mësuesit Fatmir (pasi së bashku me babanë kishin dërguar ndihma në zonën
e luftës Terpezë dhe Malet e Berishës, ku kishte takuar pjesëtarë të UÇK -së) i
thotë mësueses në klasë se ai kishte takuar UÇK-në, dhe gjetunia e mësueses në
ato momente.
Eksodi si përvojë kolektive
Përshkrimi i
largimit masiv nga Prishtina nuk paraqitet vetëm si një lëvizje e popullsisë,
por si një përvojë e hidhur që shumë herë goditi popullin shqiptar. Njerëzit
largohen nga shtëpitë e tyre, pa e ditur se a do të kthehen më!
Në këtë pjesë
autori arrin të tregojë kontrastin ndërmjet jetës së zakonshme dhe realitetit të
luftës. Hapësirat urbane, që zakonisht simbolizojnë normalitetin, shndërrohen në
vende ankthi dhe pasigurie. Ky transformim i hapësirës është një nga elementet
më të fuqishme të rrëfimit.
Rrëfimi është një kronologji
e dhimbshme, sidomos pjesa e dëbimit në Bllacë, episodi prekës i foshnjës
gjashtëmuajshe që humbet nga nëna në rrëmujën e largimit, solidariteti i familjes
së Fatmir Krasniqit me këtë foshnje si dhe marrjen e saj nga Kryqi i Kuq, përshkrimi i kushteve të vështira
në Kampin e Bllacës, pastaj vizita e
gazetarit belg Tim Pauwels në kampin e Stankovecit, intervista dhe
kronika televizive që u transmetua në Belgjikë për gjendjen e refugjatëve
shqiptarë të Kosovës. Pastaj vendimi i Belgjikës për të pranuar refugjatë nga
kampi, publikimi i listave dhe momenti kur gjen emrin e familjes së tij në mesin të përzgjedhurve
që të shkoj në Belgjikë. Janë mjaft domethënëse
edhe momentet kur protagonisti i rrëfimit mbërrijnë në Belgjikë, mikpritjen që i bëhet atje dhe
intervistat për televizionet belge. Gjatë këtij rrugëtimi dhe nisjes për në
Belgjikë, në Kampin e Stankovecit, Albulena
, vajza e mësuesit Fatmir edhe pse 15 vjeçare, dinte gjuhën angleze dhe në
rolin e përkthyeses së improvizuar i ndihmonte të dëbuarit.
Vlenë të theksohet se, rrëfimi i Fatmir
Krasniqit pjesë e librit “Bllaca ‘99”, është
ndër rrëfimet më mbresëlënëse të këtij libri. Duke lexuar me kujdes këtë rrëfim,
përjetojmë një pjesë të freskët të historisë më të re të Kosovës, por edhe
sakrificën dhe heroizmin e një intelektuali dhe mësimdhënësi shembullor, i cili
në rrethana shumë të rrezikshme për familjen dhe shtëpinë e tij, vendosi Pikën Logjistike
të UÇK-së në shtëpinë e tij në Lagjen “Muharrem Fejza” në Prishtinë, duke
rrezikuar edhe jetën e tij dhe të fqinjëve. Sot, ajo shtëpi nuk ekziston më, sepse është
ndërtuar një objekt banesor, por ekziston një pjesë e oborrit të shtëpisë, janë
personazhet e gjallë të atyre ngjarjeve: Fatmiri dhe Naimja, fëmijët dhe fqinji
i tyre, motra e Namies me bashkëshortin, të cilët rrezikuan jetën e tyre dhe të
fëmijëve për t’u dal në ndihmë UÇK-së dhe të plagosurve! Dhe sot, në këtë vend,
në këtë PIKË Logjistike të UÇK-së, mungon të paktën një PLLAKË NË OBORRIN E KËSAJ SHTËPIE, QË T’U
KUJTOJË BREZAVE QË VIJNË, SE EDHE NË KRYEQITETIN E KOSOVËS, NË LAGJEN “MUHARREM FEJZA” nga një shtëpi dhe nga një familje
intelektuale është ndihmuar UÇK-ja!
Përfundim
Letërsia
dokumentare që trajton luftën e Kosovës përfaqëson një segment të rëndësishëm
të kujtesës historike, memories dhe traumës që përjetuam si popull
e si komb. Pjesë e kësaj memorie, është edhe libri “Bllaca ‘99” Përjetimet e të dëbuarve me dhunë nga forcat serbe, II,
botuar nga Office Printy” Prishtinë, 2026.Libri përmbledhë rrëfime
autentike të njerëzve që përjetuan luftën, dëbimin dhe pasojat e dhunës së
ushtruar nga forcat serbe, të cilat duke u nisur nga narracioni, aspekti
tematik dhe stilistik, dëshmojnë se si kujtesa individuale shndërrohet në
dëshmi historike.
Nga aspekti
stilistik rrëfimet karakterizohen nga një gjuhë e thjeshtë, e drejtpërdrejtë
dhe dokumentare, pa shumë figura stilistike duke shmangur figuracionin e tepërt
dhe duke u mbështetur në përshkrimin sa
më realist të ngjarjeve.
Rrëfimet nuk mbesin vetëm histori personale. Përmes kujtimeve të
atyre që kanë shpalosur katrahurën e Bllacës, ndërtohet kujtesa kolektive e një pjese të luftës së së Kosovës.
Ngjarjet
individuale përfaqësojnë fatin e mijëra familjeve shqiptare që përjetuan të
njëjtat përvoja: largime, granatime, plagosje, humbje dhe sakrifica.
Në këtë kuptim,
rrëfimet marrin funksionin e një
dokumenti kulturor që ruan kujtesën historike për brezat e ardhshëm!.
Prishtinë, 5 gusht 2026



