Tefë Topalli: Cikli 'Mirdita - Intervista' i Gjon Markut si burim për historinë, kulturën dhe identitetin e Mirditës

Cikli 'Mirdita - Intervista' i Gjon Markut si burim për historinë, kulturën dhe identitetin e Mirditës
Nga
Prof. Dr. Tefë Topalli
Mirdita - Intervista I
Gjon Marku, shkrimtari, publicisti, eseisti, studiuesi dhe
etnografi, ka ndjekur një rrugë krejt të veçantë për realizimin e librave të
tij "Mirdita intervista". Ai ka menduar që hapësirën e Mirditës ta
vërë në vështrimin e njerëzve të shquar, intelektualë e krijues nga i gjithë
vendi, nëpërmjet intervistave, duke vjelë në mënyrë të lirë çfarë dinë dhe
ç'mendojnë për popullatën e Mirditës, sa e njohin atë dhe si e njohin, ç'vlera
i japin vendit dhe banorëve të saj, historikisht si i gjykon historia dhe koha
mirditorët e prijësit e tyre, marrëdhëniet që kanë pasur me të huajt, prirjen
që kanë treguar në mbrojtje të visareve kombëtare dhe rajonale, si janë
vetëqeverisur, çfarë ishte kjo principatë e njohur në Europë, për të cilën
thuhet se arriti që, për pak muaj, të shpallej edhe republikë e pavarur; çfarë
marrëdhëniesh kishte krijuar e mbajtur kjo trevë e gjerë me krahinat e tjera të
vendit e më tej; a është dalluar mirditori për trimëri e qëndresë gjatë
pushtimit të gjatë osman, më vonë gjatë pushtimeve të tjera; a ka qenë dhe pse
ndonjëherë në pozita luftëtari ndaj Portës së Lartë, Ali Pashës, Austro-Hungarisë
etj.
Kështutu do të nisiw
pasqyrimin e mendimit intelektual të disa figurave të njohura në lëmenj të
ndryshëm të artit, letërsisë, gazetarisë, teatrit, diplomacisë dhe jetës
shtetërore të vendit, si në pushtetin vendor ashtu edhe në atë qendror, pa
anime krahinore apo partiake.
Ai sjell në thelb fjalën
dhe opinionin që kanë shprehur për psikologjinë e banorëve, virtytet, por pse
jo edhe cenet, për të cilat thuhet dhe është provuar se karakterizohen;
aftësitë dhe zgjuarsinë që shfaqin në veprimtarinë e tyre; normat morale e
shoqërore që vënë në jetë, si dhe dukuri të tjera, të cilat lexuesi mund t'i
prekë konkretisht nëpërmjet intervistave, bazuar në pyetjet që u ka parashtruar
autori i këtyre përmbledhjeve kaq të vëllimshme.
Në vëllimin e parë që kemi
në dorë, me titullin "Mirdita -I: Intervista", (1) autori, ende në hapat e parë të
kësaj gjinie publicistike, ka mundur të takojë 18 personalitete të ndryshme nga
fusha e letërsisë, albanologjisë, historisë, arkeologjisë, folkloristikës, si
dhe klerikë të vjetër e të rinj, vendas e të huaj. Për më tepër, ai ka
intervistuar edhe katër dijetarë nga Austria, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania
dhe Norvegjia, të cilët e kanë njohur dhe studiuar historinë shekullore të
popullit tonë.
Lexuesit do t'i bëjë
përshtypje jo vetëm shumësia e temave të intervistave, por edhe formulimi kaq i
përpiktë dhe në përputhje me specialitetin e të intervistuarve, duke arritur të
vjelë mendime shumë interesante si: "Mirdita, krahinë qendrore e shtetit
të Arbërit", "Topografia e Lezhës", "Mirdita - shtyllë e katolicizmit",
"Minierë e pashtershme vlerash", "Mirdita: mite dhe
histori", "Mirdita, jetë dhe ar, edhe art", "Pasioni i
mirditorëve", "Mirdita - shteti etnokulturor" etj.
Po aq koherente janë edhe
temat e drejtuara klerikëve, si dhe trajtesat e katër studiuesve të huaj, të
cilat vijnë të menduara e të strukturuara me kujdes.
Me qëllim që lexuesi të
marrë kuintesencën e mendimit të secilit prej këtyre dijetarëve, të thelluar në
njohuritë për trevën e Mirditës, pa rënë në rimarrje apo përsëritje të
mundshme, pasi të gjithë kanë si objekt të njëjtën hapësirë gjeografike, me të
njëjtën psikologji kolektive dhe me të njëjtën histori, do të shmang edhe të
dhënat biobibliografike, të cilat, në fund të fundit, janë pjesë përbërëse e
logosit të intervistës.
Herë pas here do të
shënojmë edhe pyetjen e autorit, për të gjykuar më mirë synimet e tij në këtë
përmbledhje. Të gjitha vjeljet që ka bërë autori i vlejnë jo vetëm shkëlqimit
të Mirditës, si emër dhe komunitet i fuqishëm i shpërndarë ndër male, por, mbi
të gjitha, lexuesit tonë, për t'u njohur me prurjet e mençura të dijetarëve të
rreshtuar këtu.
Zgjedhja është e lexuesit.
Ata që do t'u shkojnë deri në fund këtyre vëllimeve do të njihen me mendjet më
të ndritura në shumë fusha e këndvështrime, nga të cilat është vështruar dhe
interpretuar Mirdita.
MIRDITA -
INTERVISTA II (2)
Brenda një viti, autori
arrin të vjelë e të përmbledhë edhe vëllimin e dytë me intervista, ku pasqyron
fjalën dhe mendimin e 17 intelektualëve nga fusha të ndryshme të dijes:
etnografë, shkrimtarë, albanologë, klerikë të lartë, arkeologë, poetë, historianë,
genetistë, biografë e pedagogë shqiptarë, si dhe dy studiues të huaj nga bota
gjermanike.
Përzgjedhja e autorit
vazhdon të jetë e kujdesshme, me synimin që areali i Mirditës të paraqitet në
një vështrim sa më shumëdimensional: që nga historia e kësaj treve, gjetjet
arkeologjike, veshjet tradicionale dhe tiparet e tyre, besimi fetar i ngulitur
ndër shekuj, forca dhe ndikimi i Kanunit, marrëdhëniet që ka Mirdita me
hapësirat dhe banorët përreth, e deri te përfshirja e vëllezërve Gazulli,
humanistë e dijetarë, ambasadorë të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut.
Po ashtu, nuk lihet jashtë
vëmendjes fakti se nga kjo krahinë kanë prejardhjen edhe personalitete aq të
shquara sa vëllezërit Mjeda.
Nga të intervistuarit do të
sjellim për lexuesin disa prej mendimeve më përfaqësuese, kryesisht në fusha e
problematika që nuk janë trajtuar në vëllimin e parë.
MIRDITA
-INTERVISTA III (3)
Nuk ka të ndalur Gjon
Marku, i prirur të kërkojë e të zbulojë, të sistemojë e të publikojë vlera të
krahinës historike të Mirditës. Ai kujdeset që të mos përsëriten të njëjtat
vlerësime apo atribute dhe, ndër dijetarët tanë, zgjedh pikërisht ata që kanë
mundësi të sjellin fakte, këndvështrime dhe interpretime të reja, ndryshe nga
ç'është thënë e shkruar më parë.
Brenda një komuniteti me
tipare të veçanta historike e kulturore, siç është ai i Mirditës, vëmendja e
studiuesve shtrihet nga psikologjia shoqërore deri te psikologjia e individit,
si dhe te vetitë morale që e karakterizojnë atë.
Në ndërgjegjen dhe kujtesën
e një numri të madh dijetarësh ka trokitur autori ynë, duke mbledhur një galeri
të pasur mendimesh e dëshmish. Prej tyre, unë kam marrë lirinë të përzgjedh
disa nga më përfaqësuesit, ndonëse të gjithë ata që përfshihen në
"Intervista III", siç thonë mirditorët, janë "për krye të
vendit", ashtu si të ftuarit më të nderuar që zënë vend në sofrën
tradicionale të mikpritjes.
Kjo përmbledhje përmban 15
intervista.
Në tërësi, cikli
"Mirdita - Intervista" përfaqëson një kontribut të rëndësishëm në
dokumentimin dhe promovimin e trashëgimisë historike e kulturore të Mirditës.
Përmes dëshmive dhe vlerësimeve të personaliteteve të ndryshme, autori ka
krijuar një korpus të pasur burimesh, i cili mund të shërbejë si referencë e
vlefshme për studimet e mëtejshme mbi këtë krahinë dhe rolin e saj në historinë
shqiptare.
LITERATURA;
1. Gjon
Marku, Mirdita-I, Intervista, shtypur në GEER, Tiranë, 2002.
2. Gjon
Marku, Mirdita-II, Intervista, shtypur në GEER, Tiranë, 2003.
3. Gjon
Marku, Intervista III, Intervista, shtypur në GEER, Tiranë, 2004.


