Xheladin Mjeku: Fatet njerëzore dhe historia në një roman
FATET NJERËZORE DHE HISTORIA
NË NJË ROMAN
Beqir
Cikaqi: PËRBALLË FATIT, roman, botues LSHK – Prishtinë, 2026

Beqir Cikaqi, pas disa botimeve me poezi, publicistikë dhe
krijimtari letrare për fëmijë, kolanës së veprave të tij letrare ia shton edhe romanin e parë Përballë fatit, që shquhet për
trajtimin tematik, thellësinë e mendimit dhe vlerat estetiko-letrare, duke
ndërtuar kështu një prozë që lexohet e shijohet me ëndje.
Autori,
në përpjekje të prurjeve të reja sa më
cilësore në të gjitha gjinitë dhe zhanret që krijon, edhe në këtë roman synon arritje të
niveleve të kënaqshme, ku spikatë ndërtimi i një proze romanore përmes
trajtimit të një kronologjie të ngjarjeve brenda familjes, e cila në disa breza
arrinë të ndërtoj jetën e saj, mes
vuajtjeve të vazhdueshme, varfërisë së skajshme dhe përballjeve me pushtete e
zakone prapanike, që ia rëndojnë në masë të konsiderueshme rrugëtimin e saj,
por falë qëndrimeve të palëkundura të nënë Fatimes (nënë Fatës, në tekstin e
mëtejmë) do të arrihen ndryshime të ndieshme progresive të kësaj familjeje, që
ishin edhe synimet e saj të përhershme.
Dy kaptinat narrative
të ndërtimit të romanit
Emil
Zola në qëndrimin e tij për fabulën e romanit, ndër të tjera thotë: “Kuptimi i
fabulës do të ishte ndonjë “dramë e vogël”, histori e cila i nevojitet
shkrimtarit për të formuar skeletin e kaptinave të saj”. Një ngjashmëri e këtij
mendimi përkon edhe me ndërtimin fabulor të këtij romani, në brendinë e të
cilit, zhvillohet drama jetësore ku do të takohen situata e ngjarje të dy
familjeve nga Mahalla e Gurit: asaj të Islam Feratit, që varësisht afrisë
familjare, e thërrisnin me emra tjerë, si: Lam, baci Lam, axha Lam, baba Lam,
daja Lam dhe gjyshi Lam dhe, familjes së
Musës (poashtu emri i tij i vërtetë ishte Musli), që ,,ishin kushërinj të afërt dhe fqinjë të mirë”
(po aty, fq. 11). Nga këtu fillon zhvillimi i ngjarjeve, për të vazhduar në
disa breza, derisa pas vrasjes së Musës në Masakrën e Tivarit, familja e tij do
të largohet nga shtëpia, gjithnjë me shpresat se një ditë do të kthehet ai. Nga
dhimbja dhe shqetësimet e vazhdueshme pas një kohe të shkurtër do të vdes edhe gruaja
e tij, pë të lënë jetime vajzën e tyre të vetme, Hajrinë. Lami edhe më tutje do
të interesohej për atë vajzë, meqë i kishte premtuar Musës para nisjes për
mobilizim në ushtrinë jugosllave. Ai e ruan lidhjen familjare edhe më tutje,
sepse e konsideronte Hajrinë si amanet nga Musa.
Pas
mbarimit të Luftës së Dytë Botërore situata filloi të ndryshohet në tërësi.
Lami kishte shumë fëmijë, ndër të cilët shumica ishin vajza. Kërkesa për t’i
dërguar në shkollë vajzat do t’ia ndryshonte situatën, meqë ende ishte ndikimi
i zakoneve, e atij i vinte vështirë t’i pranonte ato kërkesa, prandaj vendosi
të bënte zgjidhje të tjera, duke i martuar vajzat, e ndonjërën prej tyre edhe e
ndaloi pa asnjë diskutim. Ndër vajzat, më e shquara ishte Fata, e cila
dëshironte të shkonte në shkollë, po nuk iu plotësua dëshira e saj.
Në
familjen e Lamit gjërat po merrnin një kthesë tjetër. Fëmijët rriteshin dhe
duhej të mendonte për fatin e tyre. Ai kishte vendosur ta fejonte djalin e
dytë, por ndodh një fatkeqësi në komunikacion dhe djali pëson lëndime të rënda.
Pas daljes nga spitali vëllai i vogël duhej të martohej, meqë ishte i fejuar,
por kishin dalur telashe tjera mes miqësh. Për të zgjidhur problemin e martesës
së djalit, Lami detyrohet ta martoj Fatën për një burrë të vej. Këtë të ligë në
jetën e saj sikur e kishte parandier më parë Fatimja, e cila pas një zënke me
Zizën e Zekës, e njohur si përgojuese me përvojë, do t’i ishte kundërvënë:
-Oj Ziza e Zekës, sa të jem gjallë, duke
rrahur gjoksin me grusht, - kurrë nuk e lë pa e martuar. Nëse duhet, do të
shkoj edhe me artake, por vëllaut tim nuk do t’i mungojë nusja! (po aty, fq. 64).
Fata,
këtë zotim e kishte dhënë për t’iu kundërvënë Zizës, por në asnjë mënyrë nuk e
kishte menduar se do t’i kthehet në realitet dhe do t’ia ndryshonte rrugëtimin
e mëtutjeshëm jetësor.
Fata do
të mësonte për fejesën e saj tek kur kthehet nga dajat e saj, pas qëndrimit një
javor. Gjithçka kishte ndodhur me një skenar të saktë për tu realizuar të dy
objektivat e lartëtheksuara. Pikërisht nga këtu fillojnë peripetitë e jetës për
Fatën, e cila konsiderohet ndër personazhet kryesor të romanit, ndonëse në këtë
rol do të angazhohet pas një periudhe të gjatë të shtjellimit të ngjarjeve. Të gjitha zhvillimet tjera çojnë drejt
realizimit të martesës së saj, njohjes me anëtarët tjerë të familjes së burrit;
veçanërisht ishte i dhimbshëm kumtimi i informacionit se Demirit, për të cilin
e kishin fejuar, i kishte vdekur gruaja dhe kjo ishte martuar për një të vej, i
cili kishte edhe një vajzë nga gruaja e parë.
,,Sa i përket martesës së Fatës, ajo nuk ishte
as e para, e fatkeqësisht as e fundit që iu desh të martohej për detyrim, për
vajzat e asaj kohe. Megjithatë, për Fatën martesa nuk ishte vetëm një formë e
re jete, por edhe fillimi i një vështirësie tjetër jetësore. E këto vështirësi
kishin nisur që nga fëmijëria e saj, ku iu mohua e drejta për të vazhduar
shkollën, një fillim që paralajmëronte një jetë të mbushur me sfida. Sidoqoftë,
ajo kishte vendosur të qëndroi përballë fatit të saj (po aty, fq. 83).
Me
zhvillimet e reja në këtë familje do të fillojnë edhe veprime tjera të
pakëndshme ndaj saj, veçanërisht kur në fillim refuzoj t’i pranoi përgjegjësitë
e kryefamiljares, bazuar në moshën e burrit, i cili ishte vëllai i madh në familje.
Kunatat, përveç zilisë ndaj saj për pamjen fizike dhe për sinqeritetin që
tregonte në çdo hap, ato filluan edhe ta shpotisnin në mënyra të ndryshme, sa
duke e shprehur në formë dhimbjeje, aq edhe me fjalë të pakëndshme, që për Fatën
filluan të peshojnë rëndë.
-Po më dhimbset, është nuse e re... - ishte
shprehur njëra nga kunatat, derisa dy të tjerat menjëherë ia kthyen asaj të
parës me një reagim tallës:
-Eh, nuse e re, e kemi ble me pare! A e di ti
sa pare kemi dhënë për këtë? Krejt ne të tjerat nuk kemi ba shpenzime, sa janë
dhanë për të!
Gjithë
këto biseda do t’i ketë dëgjuar Fata, por ishte përmbajtur, meqë kishte vendosur të zgjidhte heshtjen, duke
ua lënë në dorë të ndërgjegjes së tyre. Pas këtyre bisedave mes kunatave,
ajo kishte ikur në dhomën e vet për të shprehur shqetësimet përmes vajit.
-O Zot i madh, çfarë të bëra që po më ndëshkon kështu? (po aty, fq. 94).

Kështu,
lirisht mund të themi se komunikimi përmbajtësor dhe
domethënës në shtjellimin e ngjarjeve përmes gjuhës së
personazheve dhe dialogjeve midis tyre, që interpretohen edhe përmes frazeologjizmave
të shtrirjes gjeografike prej nga është ndërtuar ngjarja, autori përpiqet në
mënyrë të besueshme t’i transponojë përmes komunikimit brenda komuniteteve të
caktuara. Këto, dhe ngjarje
tjera të pa zbërthyera në këtë vështrim, e pasqyrojnë rrjedhën kronologjike të
zhvillimeve të panumërta gjatë historisë, që të bashkuara si një veprim
krijojnë pasqyrën e vërtetë për njeriun e vuajtur e të okupuar, përpjekjet e
vazhdueshme të të cilit synojnë daljen nga këto situata, qofshin edhe
eventuale, duke shfrytëzuar durimin dhe qëndrimet e palëkundura kundruall
përballjeve të paimagjinuara nga individ apo grupe njerëzish.
Vitet
po kalonin e asaj i kishin lindur pesë fëmijë, por asnjëherë nuk do ta largonte
kujdesin edhe për vajzën e burrit, Lulen. Jetonin në bashkësi familjare, sepse
Dani nuk kishte dëshirë t’i ndante. Pas vdekjes së tij, edhe Demiri filloi ta
organizonte familjen, por nuk ia doli të ketë sukses. Ai, s’bashku me
vëllezërit e tij do ta pjesëtojnë gjithë pasurinë në pesë pjesë të barabarta,
përveç mungesës së shtëpive për çdonjërin. Këtë ngjarje Fata po e përjetonte si
një shpëtim nga barra që i ishte caktuar, që kur ishte martuar dhe nuk
merakosej për mungesën e shtëpisë, derisa po i hiqeshin nga supet të gjitha
obligimet e bashkësisë familjare që kishte deri tash.
Tashmë,
Fata kishte lindur pesë fëmijë, por nuk e ndante asnjëherë as Lulen, vajzën
e burrit, që e kishte rritur vetë. Jeta vazhdonte e ndryshimet në familjen e
saj do të vinin njëra-pas tjetrës. Mërgimi i djalit të madh, Ramadanit, martesa
e tij dhe ftesa për të shkuar në
shërbimin ushtarak në ushtrinë jugosllave, do t’ia rëndojnë situatën nënë Fatës
e cila kishte rolin kryesor në familje, pas vdekjes së burrit të saj, Demirit.
Në vazhdimësi romani Përballë fatit i qëndron besnik
ndërtimit klasik tradicional, ku kryepersonazhi udhëheq ngjarjet drejt
pikëqëllimit, rreth të cilit trajtohen ngjarjet e tjera. Shtrirja e gjërë e veprimeve krijon pasqyrën tablore, përmes së cilës parakalojnë ngjarje
e personazhe, tërësia e të cilave ndërtojnë kupolën narrative të lëndës
prozaike.
Në parim do ta veçoja ndërtimin e
këtij romani, si dy kaptina të një vazhdimi narrativ për realizimin e një proze
me motive historike-gjenealogjike, duke mos i anashkaluar edhe shumë elemente
monografike, meqë në rrjedhën e ngjarjeve herë-herë krijohet bindja se kemi të
bëjmë me ngjarje të vërteta, që mjeshtërisht vijnë përmes ndërtimit strukturor
të një vepre letrare. Kështu, derisa në kaptinën e parë takojmë narrativën e
ngjarjeve të pashkëputura të një rrugëtimi plot mundime e rreziqe të familjes
së nënë Fatës, në kaptinën e dytë do të zhvillohen ngjarje të shumta, kryesisht
për periudhën nga vitet e ’80-ta të shekullit të kaluar e deri në çlirimin e
Kosovës, ku familja e saj do të personifikohet, përveç si familje tradicionale
me vlera të larta njerëzore, edhe si familje atdhetare që nuk do të kursente
asgjë për lirinë e atdheut.
Sakrificat dhe heroizmi në rrugëtim të pandarë
Ngjarjet e ndryshme
të dhunës do ta kenë përcjellë në vazhdimësi vendin, duke u përballur me dhunë,
vrasje, zhdukje njerëzish, ndjekje të paskrupullta dhe peripeti të ndryshme, që
gjithnjë e më shumë do ta rëndojnë jetën e njeriut të këtre viseve. Zhvendosjet
dhe dëbimet masive të popullit ndodhin në periudha të ndryshme duke ia
ndryshuar gjeografinë atdheut. Barbaria okupuese nuk mund të anashkalohet pa u
kujtuar, qoftë edhe me pak fjalë edhe nga krijues të zhanreve të ndryshme
letrare, si: shkrimtarë, poetë, dramaturgë, etj. Kjo, padyshim është njëra nga
plagët e thella që kohërat do ta kenë krijuar në këto treva të banuara që nga
lashtësia.
Thënë shkurt, trajtimi i ngjarjeve
do të vazhdoi edhe në këtë pjesë të romanit, me pasqyrimin e ndryshimeve të
situatës politike, e cila kishte
marrë përmasa të mëdha të zhvillimeve, si: demonstratat e studentëve, mbyllja e
institucioneve, përfshirë edhe shkollat, ndjeka e vazhdueshme e rinisë për t’i
angazhuar në ushrinë jugosllave, me qëllimin për t’i nisur në frontet e luftës
në Bosnjë, e shumë rreziqe tjera, që asnjëherë nuk mund të parashikoheshin. Në
një situatë të këtillë kaq të rrezikshme, edhe djali i dytë i nënë Fatës,
Sabiti do të ballafaqohet me shumë rreziqe, ndër më të rëndat, ku pasojnë
burgosja dhe dënimi prej mbi pesë vitesh, pas një akuze për mbajtjen dhe
shpërndarjen e literaturës propagandistike dhe pjesëmarrje të vazhdueshme në
organizimin e rrënimin të rendit kushtetues jugosllav; pastaj kthimi në familje
dhe martesa e tij, që i solli në jetë një vajzë, Lirinë.
Shpërthimi
i luftës në Kosovë do ta ndryshonte situatën tërësisht. Popullata po përballej
me probleme të shumta, duke u zhvendosur në zona më pak të rrezikshme, me
kushte tepër të rënda, ku mungonin edhe kushtet më elementare për jetë, si
ushqimi, veshmbathjet, mundësitë e
strehimit dhe, mbi të gjitha problem në vete ishte edhe transporti i turmave të
njerëzve, pjesa dërmuese e të cilëve u detyrua të udhëtojnë në këmbë me ditë të
tëra për tu strehuar në vende më të sigurta. Edhe familja e nënë Fatës po
përballej me këto probleme, por assesi të ndalej. Ajo kishte mbledhur me vete
vajzat, nusen e Sabitit, që po priste edhe fëmiun e dytë, dhe vajzën e saj
dyvjeçe, që duhej ta barte tërë kohën. Të gjithë s’bashku me shumë familje të tjera
nga fshati i tyre i bashkohen grupeve të njerëzve që po shkonin në Kukës për tu
strehuar. Edhe atje nënë Fata dëshmohet për
bujarinë, forcën, mençurinë dhe zemrën e
madhe që e karakterizonte (po aty, fq. 176). dhe merr epitetin Nënëlokja
Dardane, etj.
Organizimi
i UÇK-së, do ta gjej Sabitin në radhët e saj, meqë ai kishte filluar herët të
angazhohej në çështjen kombëtare, duke organizuar demonstrata e aktivitete të
shumta ilegale. Rënja e tij në altarin e lirisë duke mbrojtur atdheun, për nënë
Fatën dhe familjen e saj do të ishte sa e dhimbshme aq edhe e lavdishme.
Kështu,
në këtë kaptinë, përveç shumë zhvillimeve të tjera, në të cilat do të jenë edhe
familja e madhe e Demirit, do të veçoja veprimin e veçantë të nënë Fatës, e
cila, pas marrjes së lajmit për rënjen e Sabitit në luftë, e ndodhur larg
shtëpisë, e zhvendosur në Kukës, nuk pranon të ndalet dasma e një fqiut të
Bahti Shytit, në shtëpinë e të cilit po qëndronte me familjen e saj. Ajo shkon
në dasmë dhe kërkon që dasmorët të vazhdojnë të festojnë, por ata, të vendosur
të ndajnë dhimbjen me nënë Fatën dhe familjen e saj, dhe në nderim të rënjes
heroike të djalit të tyre nuk pranojnë. Këmbëngulëse në qëndrimin e saj, nënë
Fata detyrohet që vetë ta fillon dasmën duke marrë mikrofonin nga dora e
këngëtarit dhe ia thotë këngës. Pas saj fillojnë edhe dasmorët, e nënë Fata vazhdon më tutje duke i prirë valles për disa
hapa, e përkrahur nga dasmorët tjerë, u jep mesazhin heroik, për të dëshmuar se
nuk guxojmë të mbajmë zi: Në dasmë nuk ka
vend për heshtje, sepse armiku i lumtur po na shikon se si ne qajmë e vajtojmë.
Shihni këta pëllumbat! – iu drejtua dhëndrit dhe nuses që ishin ulur në vendin
e tyre.
-Sot është dita më e lumtur e jetës së tyre,
prandaj duhet festuar (po
aty, fq. 183).

Romani Përballë fatit shquhet për veçantitë e tij krijuese, për lëndën
përmbajtësore, dendësitetin e shtjellimit, ruajtjen e origjinalitetit dhe
trajtimit të universit letrar.
Kemi të
bëjmë me një roman që në formë kronologjike i shtjellon ngjarjet e përjetuara
të një familje që dëshmon guximin, heroizmin dhe krenarinë në breza. Krijimi i
një galerie personazhesh, qofshin fiktiv, apo të imagjinuar, ndër të cilët: Lami, Shaha, nusja e
Lamit, Kada, Demiri, Fata, Zela, Azizja, Kumrija, Eminja, Ramadani, Sabiti,
shkuesi, Behram Balia, Bahti Shyti, e shumë të tjerë, identifikojnë shumë personazhe të atyre
kohërave, që me sakrificën dhe heroizmin e tyre u bënë pjesë e historisë.
Gjuha e pastër dhe komunikative,
shtrirja e gjërë tematike për të ndërtuar një fabulë konstruktive, pamje që
reflektojnë dashuri për njerëzit, vendlindjen, dhe mbi të gjitha, për krijimin
e një jete harmonike të familjes deri në heroizëm, e bëjnë këtë roman sa
tërheqës, poaq edhe të dëshiruar për lexuesin.


