Gjon Marku: Email i gabuar

Tregim nga Gjon
Marku
"Më ka marrë malli shumë, e dashur
Elsonë. Sa do të kisha dashur të ishe këtu, e të të puthja fort si atëherë, kur
e shtyve lehtë derën dhe hyre brenda, kokulur siç hyn një çast dallëndyshja
midis dimrit dhe pranverës. Tamam në kohën kur qokthi këndon natën mbi degë, e
kur pranvera zbulon gjinjtë dhe burbuqet çelin buzët. Isha i ri e gjithë vrull,
aq sa bota më dukej e vogël, e qiejt doja t'i zija me dorë. Ndjenjat m'u ndezën
shpuzë kur dëgjova zërin tënd të beftë, pëshpëritës, një zë të përmallshëm...
Të dua shumë, Elsona. E tash e ndjej fort mungesën tënde, edhe të puthjeve të
tua."
Aroni e lexoi edhe një herë mesazhin që i kishte kushtuar aq shumë.
Avioni ecte turrthi mbi Urale. Ai e hodhi vështrimin poshtë, mes grykave
të thella, ku hijet zgjateshin si akrepa, duke matur gjatësinë e vet me shtatin
e malit ngjitur. Muzgu shtrinte krahët mbi vargmale. Një drithërimë ia përshkoi
trupin. Po sikur?... "Kush ta dijë se kujt i takonte jeta ime: qyqes që
këndon buzëmbrëmjes mbi degën e thatë, apo zogut që angullin buzëmëngjeseve?
Vajit të nënës që... apo luftës së Elsonës për të harruar kujtimin e
përbashkët?"
Nga mbrapa avionit përzjareshin perëndimet. Përrenjtë, në grykat e
maleve, dukeshin si udhë të rrahura me muzgje. Në qiellin e lindjes shkëlqenin
yjet. Nata ishte derdhur mbi hapësirë dhe qytetet e lindjes i kishte marrë në
gji. Kështu e kishte pushtuar një ndjenjë frike, duke ia shpërndarë mendimet në
atë udhëtim të largët, prej cepit të Europës në zemër të Azisë. Ndjente mall të
ecte anembanë qytetit të tij buzë liqenit, ku prej rrënjëve të shelgjeve, nëpër
myshqe, rrëshqasin shtatholla ngjalat. Yjet e malet, të pasqyruara, marramenden
e bien në liqen. Peshqirin e argjendtë e hedh hëna. Nga rrënjët e shkëmbinjve
të mbytur në ujin e tij, ardhur prej lotësh krojesh, del e bukura e liqenit.
Mëngjeseve mjelmat i gërvishtin fytin; buzëdimrit zogjtë ikin idhshëm drejt skajeve.
Në atë qytet, në shtëpinë e vjetër, kërkonte fëmijërinë e largët.
Kishte kohë që nuk ishte kthyer në qytetin e bukur ku i kishte kaluar
fëmijërinë dhe rininë. Nuk kishte mundur të rrugëtonte deri atje ku gjendej
Elsona, e dashura e tij, në këtë ardhje prej larg - sepse udhëtimi tani e çonte
diku tjetër: në një qytet tjetër, mes malesh, ku era qante si vajtojcë dhe
majëmalet ishin mbuluar me bardhësi.
-Eh, ofshani, kur pa bardhësinë që mbështillte majëmalet. Mbuluar me
borë e kishte lënë dhe qytetin mes malesh, ku era qante si vajtojcë.Në
mjegullën e kujtesës i vinin herë njëri qytet, herë tjetri: qyteti buzë
liqenit, ku gjendej e dashura e tij, dhe qyteti mes malesh, ku e priste një
grua e panjohur, që rastësia e lidhte me jetën e tij.
Atë mëngjes, kur ishte gjendur në qytetin mes malesh, lumi rridhte i
zemëruar, duke marrë përpara gjithçka. Dimri ishte i ashpër; rrufetë këndonin
këngën e furtunës; bubullimat zbrisnin nga malet si gjëmë qielli. Natën
ulërinte murrani si bishë e tërbuar; qielli ishte i zi si saç; retë përshkonin
hapësirën me nervozizëm. Në ëndrra, ai qytet ishte përkundur natën në një mijë
e një klithma - atë qytet që e mbulonte mjegulla, dhe që, thonë, vetëm ujqërit
e donin shumë. Pishave të vogla u shket degëve një ketër i vetmuar.
Ishte hera e parë që merrte atë udhë. Pasi la pas qytetin e lashtë të
njëmijë dritareve, u ngjit maleve drejt vendit ku e priste shqetësimi që e
kishte bërë të udhëtonte prej Azie në Europë, edhe pse nuk e njihte.
Më ka marrë malli shumë, e dashur Elsonë... E pa sërish, në ekranin e kompjuterit,
mesazhin që i kishte kushtuar kaq shtrenjtë.
Mendimet iu tallazitën. Iu kujtua buzëqeshja e ftohtë, si brymë, e atij
burri që ikte për në punë herët në mëngjes - atëherë kur dita dhe nata s'ia
kishin lënë ende vendin njëra-tjetrës - dhe kthehej nëpër muzg, veshur si
fantazmë me kostum të zi, si hije para natës. Ishte drejtues i një institucioni
shtetëror. Nën harqet e vetullave kishte dy sy të skuqur, si yje që zymtohen
nën qiell, dhe që lëshonin një vështrim tinëzar, si një muzg me re.
Ecte gjithë autoritet, i ftohtë e i heshtur, gjithnjë duke bërë sikur
ishte indiferent - pse gjithkënd e përshëndeste shkurt e prerë. Vetëm kur
kalonte ndonjë femër e pashme, zgërdhihej dhe tregonte një fytyrë tjetër.
Rrallë shihej i qeshur, veç kur ishte me ndonjë nga drejtuesit e lartë të
pushtetit, të cilëve u servilosej deri në pështirosje, ndërsa me njerëzit e
thjeshtë ishte gjithnjë autoritar, sikur zemra i ishte mbushur akull. Pelerina
e zezë e bënte të dukej i frikshëm, buzëmbrëmjeve, kur kthehej si hije para
muzgut.
Më ka marrë malli shumë, e dashur Elsonë... - e pa përsëri mesazhin e dërguar,
pastaj kërkoi në kompjuter dhe gjeti mesazhin e saj:
"Unë të kuptoj ty, se ke dashur t'i
shkruash të dashurës tënde, por mesazhin tuaj e ka lexuar im shoq, dhe që nga
ajo ditë jo vetëm më ka përzënë nga shtëpia, por nuk më ka lejuar as të shoh
fëmijët. Të qarat e tyre i dëgjoj poshtë ballkonit, pa mundur të bëj asgjë për
ta. Ti më shkatërrove jetën e unë nuk kam ku të mbytem..."
Kishin qenë të kota të gjitha përpjekjet e tij për komunikim elektronik,
kështu që ishte detyruar të merrte linjat e avionit njëra pas tjetrës, derisa u
gjend në atë qytet mes malesh. E kuptonte mirë ç'do të thoshte të rritesh pa
nënë - e ëma e kishte lënë të vogël, dhe jeta e tij kishte qenë ndryshe nga ajo
e shokëve. Por shumë më e tmerrshme ishte ta kesh nënën gjallë e të mos mund ta
takosh, pa asnjë faj të sajin - kur, mbi të gjitha, shkaktar i gjithë asaj
gjullurdie ishte ai vetë. Iu drodhën vajshëm sytë. Ajo grua fatkeqe ishte në
dorën e mëshirës.
Të dua shumë Elsona... - kaq kishte shkruar në mesazhin e tij,
por kishte harruar të vinte pikën pas emrit "Elsona". Ky mesazh i
kishte shkuar një Elsone tjetër, të martuar, që jetonte me një burrë xheloz. I
shoqi, duke dashur t'i kontrollonte besnikërinë, kishte gjetur mesazhin, dhe në
shtëpinë e tyre kishte plasur hataja. Vetëm pas dy ditësh, gruaja fatkeqe ishte
përzënë nga shtëpia. E zënë ngushtë, ishte detyruar t'i përgjigjej mesazhit të
panjohur, duke shkruar në fund: "Jeta
ime dhe e fëmijëve të mi tash është në dorën tënde."
Atë natë që Aroni kishte marrë mesazhin e saj, kishte ndenjur zgjuar,
duke menduar për atë që kishte ndodhur në atë familje për shkak të fajit të
tij. E kishte gjetur ngatërresën dhe menjëherë kishte nisur një mesazh tjetër,
sqarues, për zonjën fatkeqe - me emrin e vërtetë të së dashurës së tij dhe të
universitetit ku ajo studionte. Por asnjëra nga këto s'kishte ndryshuar pozitën
e saj, kështu që ishte dashur të niset drejt qytetit që deri atëherë e kishte
parë vetëm në hartë, edhe pse ishte qytet i vendit të tij, i struktur në gji të
maleve.
Tashmë kthehej drejt qytetit ku vazhdonte studimet, pasi kishte takuar
Elsonën fatkeqe, që qante pareshtur. Një gurrë lotësh i kishin rrjedhur prej
syve kur ai i kishte thënë kush ishte. Nuk i shkiteshin nga kujtesa përqafimet
e fëmijëve të saj, kur ishte takuar me ta.
"Ah, ju djemtë, ç'jeni kaq të ligj," iu kujtuan fjalët e
Elsonës - të dashurës së tij - të thëna pas asaj nate.
I ati fatkeq i asaj familjeje, xheloz, i paditur e fodull, nuk ishte
mësuar të përballej me pasojat e fodullëkut të vet.
"S'është faji im," kishte thënë, gjithë kryelartësi.
"Bile ti e ke fajin," i kishte thënë Aronit, të ri e të pashëm, të
cilin e shihte gjithë xhelozi. Aroni kishte heshtur, por vetullat i ishin
ngrysur. S'kishte dashur t'i krijonte më probleme asaj gruaje fatkeqe; i vinte
keq për atë që kishte ndodhur, edhe pse e dinte se s'kishte faj.
I kujtohej edhe i ati i asaj gruaje, burrë zotëri, me fjalën të matur e
të mençur, që kishte dashur t'i jepte Aronit të paktën lekët e biletës - po ai
s'i kishte pranuar.
"Të kam në vend të tim biri," i kishte thënë kur Aroni po
largohej, pas atij sqarimi të madh.
Avioni ecte drejt vend-studimit të tij, ndërsa mendjen ia zinte ajo
ngjarje e rinisë, që pas kaq vitesh ishte bërë shkak i një ngatërrese të madhe.
Lodhja i ishte ulur mbi vetull dhe gjumi po ia përdridhte sytë.
Nata, njerëzit dhe çdo send - edhe natyra bie në gjumë. Ai do të
mbërrinte në mesnatë, pastaj do t'i duhej të rrugëtonte deri afër tregut të
qytetit, në paralagjen ku gjendej hoteli ku ai flinte. Buzë shtratit të lumit
era rridhte e lirë, aty ku dikur gjendej banesa e tij.
E ktheu sërish kompjuterin te mesazhi i parë, e pasi e rilexoi, hodhi
vështrimin poshtë, diku në një liqen të panjohur për të - dhe humbi në kujtimet
e së shkuarës, atje në qytetin e liqenit, ku gjendej e dashura e tij, Elsona.
Shtëpitë e tyre ishin ngjitur derë më derë, në katin e katërt të njërit prej
pallateve pesëkatëshe të atij qyteti buzë liqenit.
Ajo e kishte shtyrë lehtë derën dhe kishte hyrë brenda, kokulur, siç hyn
një çast dallëndyshja midis dimrit dhe pranverës. Tamam në kohën kur qokthi
këndon natën mbi degë e kur pranvera zbulon gjinjtë e burbuqet çelin buzët. Ai ishte i ri e gjithë vrull, aq sa bota i
dukej e vogël e qiejtë donte t'i zinte me dorë. Ndjenjat iu ndezën shpuzë kur
dëgjoi zërin e saj të beftë pëshpëritës, një zë i përmallshëm.
- Jam në
dush kishte thirrur nga dhoma e vogël ku pikat e ujit të nxehtë i jepnin një
energji dehëse. Pastaj kishte mbajtur vesh dhe kishte dëgjuar mbylljen e derës,
dhe kishte menduar se ajo ishte larguar drejt hyrjes së saj, dera e së cilës
ishte ngjitur me derën e tyre. - Eh, ofshani një herë, dëshira e pabindur i
strukej në gjoks. Vështroi përjashta hënën, e cila iu duk si të ishte zatetur
në një zambak.
Ishin shokë të së njëjtës klasë, madje të së njëjtës bankë; jo pas shumë
kohësh kishin filluar të studionin bashkë. Çdo ditë ajo vinte në shtëpinë e
tyre, duke i sjellë diçka për të ngrënë sipas shijeve të tij; studionin bashkë,
por ai shpesh tinëzisht shihte gjinjtë e saj si perla. Prania e saj në dhomën e
tij të studimit e shqetësonte. Ajo në fakt e pyeste për gjëra të rëndomta e për
problema që ai i zgjidhte gjithë bezdi ndërsa nëna e saj, në dhomën tjetër,
thurte triko a hekuroste, dhe shtëpinë e mbulonte heshtja.
Në fakt
ajo vjedhurazi e nën sy shpesh studionte e shihte gjestet dhe lëvizjet e tij.
Ishte një vajzë që sillej lirshëm e kur ai zgjidhte ndonjë problem të saj ajo e
mbështeste gjoksin në shpatullën e tij dhe dëgjonte shpjegimin e problemës, dhe
disa herë në shenjë mirënjohje e kishte puthur në ballë. Atij i vinte zor nga
sjelljet e saj të zhdërvjellta por nuk kishte çfarë të bënte, ajo çdo ditë
bënte të njëjtën gjë. Prapë në orën e studimit vinte e futej në dhomën e tij,
ku gjithnjë i sillte diçka për të ngrënë.
Atë natë
ai ishte vetëm në shtëpi, i ati ishte me një shërbim jashtë shtetit, ndërsa e
ëma kishte vite që kishte vdekur. Edhe ajo ishte vetëm në shtëpinë e saj, pasi
i ati kishte shkuar në një stërvitje ushtarake jashtë rrethit, kurse e ëma ishte
turn i dytë e vinte vonë afër mesnatës. Atë mbasdite ajo nuk kishte ardhur si
zakonisht të studionin bashkë, e ai ishte ndjerë i lirshëm. Edhe pse ora nuk
kishte vajtur as shtatë e darkës ai ishte futur në dush pse më pas donte të
shihte në televizor filmin "David Koperfild".
Kështu
ai me mendimin se askush nuk gjendej në shtëpinë e tij, pasi ishte larë mirë e
mirë, kishte veshur mbathjet, kishte hedhur krahëve robdishamin e tij ngjyrë
rozë dhe kishte dalë prej dushi i lehtë si një pupël. Ishte drejtuar në dhomën
e tij ku donte të ndalohej para pasqyrës e të llakoste flokët e tij të hijshëm.
Por kur ishte futur atje aty ishte gjendur ajo e Aroni ishte ndjerë keq.
Nuk
ishte shumë gojëtar e nuk dinte nga t'ia niste e çfarë t'i thoshte.
- Më
fal, - kishte mërmëritur ai, po unë nuk e dija se ti ishe këtu. Kujtova se ke
ikur por ajo i kishte buzëqeshur ëmbël dhe vështrimin e kishte ngulur në
lugthin e kraharorit të tij. Vështrimet e tyre, ishin zatetur në njëri-tjetrin
dhe ata s'iu kishin bërë ballë ndjenjave të tyre të cilat kishin marrë vrull.
Shikimet e tyre ishin rrëzuar përdhe.
Ai
kishte kundërshtuar e në ato pak sekonda, kishte menduar gjithçka, por ajo
ishte drejtuar drejt korridorit ku i kishte vënë shulin derës, pastaj ishte
drejtuar drejt tij dhe i kishte zgjidhur rripin e robdishamit. Buzët i kishin
cokërruar si gota. E vetmja që përmes perdes së hapur, hëna përgjonte si një
yll çunak, askush tjetër nuk ndihej. Dy buzët e njoma filluan ta shpojnë epsh
flakë. Durimi i tij i humbur dhe tretur larg. Ashtu në një stërngutje ,ajo u
gjend e zhveshur lakuriq dhe i mbështeti gjinjtë, në lugthin e gjoksit të tij,
të atij gjoksi që rrahjet tash ia ndjente të forta. Pastaj si nëpër ëndërr, në
vend që të dëgjonte zemrën e tij të rrihte, ndjeu gulçin e hovit të tij rinor,
e pas atyre çasteve të magjishme ajo ishte ngritur ashtu nxitimthi dhe pasi i
kishte hedhur një vështrim të shpejtë trupit të tij të lakuriqtë një valë e
nxehtë sikur e kishte pushtuar nga brenda. Nata drithërohej e tërbuar prej
epshit në atë lojë të paparashikuar seksi ku gjunjëzohet burrëria.
Çarçafi
i zhubravitur nuk fshihte mëkatimin e tyre. Ajo aty kishte dhuruar vajzërinë e
saj, e tashmë ishte tjetër gjë. Ashtu duke u dridhur u afrua sërish pranë tij e
para se të largohej la mbi buzët e tij, një puthje. Ai donte sërish të
rijetonte atë tërbim të ëmbël, por ajo mori drejt korridorit; dhe ndërsa ai
vishej u dëgjua hapja e derës dhe mbyllja e saj, pastaj përplasja e derës së
saj kur u mbyll e nata ra. Vështrimin e hodhi tek hëna, e cila ishte dëshmitare
e vetme e asaj që kishte ndodhur, e ai ndjenjëtrazuar mërmëriti me vete si t'i
kërkonte asaj të mos dëshmonte atë që kishte par. Ma fal mëkatin e dëshirave të
mia të marra! Me tërthoren e shikimit të tij pa çarçafët e zhubravitur kështu
që shpejt i mblodhi dhe i rrasi në lavatriçe. Atë natë ai nuk fjeti pothuajse
fare.
Mëngjesi mori jetë si një ylber. Lejlekët dashuronin e këndonin këngën
në sqepin e tyre të kristaltë.
Në orën e zakonshme, pasi mori çantën, u drejtua për në shkollë. U
takuan në korridorin e pallatit, por jo si zakonisht - shikimet e tyre ishin
rrëzuar përdhe. Ai vuri re skuqjen e lehtë të fytyrës së saj, ku kishte zënë
vend një pendesë e pathënë. Ajo mërmëriti diçka me zë të dridhur, që ai nuk
arriti ta kuptonte; fytyra i pushtohej nga një krenari e fshehur në muzg.
"Mbrëmë kam jetuar njëqindfish," kishte thyer ai heshtjen, dhe
kishte dashur ta puthte atje, në shkallët e pallatit - por ajo kishte nisur të
qante.
Edhe pse ajo ishte penduar, për Aronin zogu i pendesës kishte marrë
arratinë.
"Mos qaj," pëshpëriti ai. "Kujt tjetër i ka hije kaq
shumë bukuria?"
Ndër livadhe harliste bari i njomë. Ai tashmë ndjente një pushtet të
pathënë mbi të, një të fshehtë që e dinin veç ata të dy dhe hëna. Ai kishte
zbuluar lakuriqësinë e saj në atë shtrat, ku i kishte ikur vajzëria.Ecnin të
heshtur, njëri pranë tjetrit; ai nuk guxonte t'i afrohej e ta prekte. Dy
nuselale dolën vjedhurazi prej mureve.
"Sa bukur nuselalet," tha ai.
Po i afroheshin oborrit të shkollës, kur një makinë ndaloi para tyre dhe prej saj zbriti i ati i saj. Ai u drodh, sikur diçka e kishte përshkuar; hodhi vështrimin përdhe dhe s'gjeti dot guxim ta shihte drejt në sy.
***
Vështrimin e hodhi poshtë, dhe në ekranin përpara pa se po i afroheshin
aeroportit të mbërritjes. Mendimet i mbeteshin krahë-thyera. Bashkë me ato
kujtime të bukura, iu kujtua sërish mesazhi i shkurtër që kishte dashur t'ia
shkruante Elsonës së tij, e cila i kishte dhuruar gjithçka.
"Më ka marrë malli shumë, e dashur
Elsonë."
E dashura e tij flinte e qetë, pa ditur asgjë nga ç'kishte ndodhur. Ai
nxitonte të kthehej në qytetin e studimeve, në zemër të Azisë. Elsonën fatkeqe
ndoshta ende s'e kishte zënë gjumi - çmallej me fëmijët e saj. Apo ndoshta ata
flinin tashmë, dhe ajo po përpiqej të bënte paqe me të shoqin, mbase duke
kërkuar që t'i falej, mbase duke shpresuar për një jetë të re.
Sa herë shkruante emrin e Elsonës, gjithnjë vinte pikën pas tij. Ajo
shenjë pikësimi kishte mbetur si një pikë në zemrën e tij, që s'u hoq kurrë.
Kishin kaluar vite që ishte martuar. Një natë, Elsona i kërkoi t'i
printonte disa të dhëna nga posta e saj elektronike; kur ai hapi adresën, aty
gjeti një mesazh dashurie. Nuk e lexoi - por trazimi i brendshëm iu shtua.
Kishte harruar mesazhin që vetë ai ia kishte dërguar dikur, si student.
Ajo e kishte kuptuar që diçka nuk shkonte, edhe pse ai s'kishte folur.
Atë natë s'kishte fjetur, dhe të nesërmen, kur e kishte rilexuar mesazhin me
kujdes, kishte parë se ai vetë e kishte dërguar. I ishte kujtuar sërish
historia që kurrë s'do të donte ta kishte ndodhur - as asaj Elsone tjetër, as
burrit të saj, atje, në qytetin mes malesh.
Eh, si qenka jeta - gruaja, edhe pse e
shenjtë, se është nënë, mbetet pjesë e dramave të mëdha e e dhimbjes pa fund,
edhe pa faj...


