Shyqyri Fejzo: Partia e re bashkëkohore

1h më parë


PARTIA E RE BASHKEKOHORE

Nga Shyqyri Fejzo

-Sot, të dashur zonja e zotrinj jemi mbledhur për një problem të madh të gjërë, të thellë e të lartë, më i lartë se mali i Tomorrit, gati i afrohet malit Everest.- Ai mori frymë thellë, hodhi një shikim hithër, të shpejtë në sallë dhe vazhdoi.

...   -Ne sot do të shpëtojmë vendin nga lëngimet politike. Do të krijojmë partinë e re.- Pastaj ai u ngrit dhe u drejtua nga sëra e parë e pjesmarrësve.

– Mos u çuditni që po takoj Xhemon, mikun tim të vjetër, bariun e dalluar të Freskores.-Hë! Xhemo! Thuaju këtyre se unë e di. Çfarë bën ujku me tufën e deleve kur është mjergull?

- Dasëm bën. E mbyt të gjithë tufën po pati kohë...tha bariu.

-E, e, e! e muart vesh?  Ka përvojë Xhemoja. Edhe vendi ynë në mjergull politike ka kohë që noton. Sot ketu jemi të mbledhur nga të katër anët e vendit. Jo të gjithë e njohim njëri-tjetrin. Po do të njihemi. Mendimi i grupit drejtues është që të themelojmë një parti të fortë. E  do koha,e duan protestat mujore.

-Ja, si mendon ti Laze?-hodhi pyetjen e po priste përgjigje. Lazja krojti rrëzën e veshit, u ngrit pak përtuar dhe tha:

-Dhe unë ashtu them. Na duhet një parti e fortë.

-Ja! Për këtë partinë e fortë duam mendime.

-Me leje! Unë mendoj se ai ose ajo që do të pranohet dhe do të militojë në këtë parti, ta bëjë mendjen "rroçkë" që antar i saj do të mbetet gjithë jetën.-..

-Ashtu mendoj edhe unë. Nuk duhet të ketë "hyrje"dhe "dalje" nga kjo parti. Të ketë vetëm "pranime" dhe "përjashtime". Ata që përjashtohen nga ajo parti, mirë është që emri i tyre të çrregjistrohet në librat e gjendjes civile dhe të figurojë vetëm në pllakat e vorrezave publike."Ndaj do aprovojmë statut të fortë me disiplinë të çelniktë..."

Gjindja pati një zhurmë të mbytur të brendëshme e cila nuk u kthjellua në ishte mendim unanim apo i kundërt.

-Pikës i ke rënë ore zotri. Disiplina është mbi gjithëçka. Po, a nuk na tregon, ku e ke  fituar këtë përvojë?

Drejtuesi ngriti kokën lart. Sytë gjysëm të mbyllur i hodhi në tavan, me të majtën krojti pak qafën, mërmëriti me zë të ulët dhe tha:

...-Unë kam kryer "akademinë e burgut"...

-Nuk  ka nevojë për shpegime të tjera se..-foli ai që bëri pyetjen.

-Ti, aty nga rrjeshti i gjashtë, të mbeti koka mbështetur në tavolinë. Mos ja fute një copë herë gjumë?-ndërhyri  rishtaz drejtuesi.

-Epo, njerëz jemi. Ai i uruar gjumë kur vjen dhe ikën nuk pyet shumë. Pastaj në gjumë vinë ide shumë të mëdha, të cilat mund ti kllaposim sot në këtë punë që po bëjmë -pohoi dhe u shfajsua një meso burrë që fytyrën e kishte plot cërka të kuqe.

-Kur të diskutojmë për programin e afërt dhe të largët të partisë ti do e marrësh fjalën i pari.- foli drejtuesi. U ngrit grupi i statutit, i organizimit territorial dhe i programeve ekonomike të çastit dhe të perspektivës. Koha kaloi shpejt dhe ja ku erdhi rradha e programeve të zhvillimit të vendit.

-Në se i shoshëm dhe i sitëm mirë këto probleme, e fituam- foli drejtuesi.

-Mendoj se realizimi ka jo më pak rëndësi -ia shpejtoi një pjesmarrës që dallohej për një fytyrë të imët e të mrehtë.

-Ti zotri, mos hyrë si daullja në mes të sazeve.-mori një dackë folësi nga drejtuesi, i cili krojti pak hundën e rrëzën e veshit dhe ftoi pjesmarrësit të japin mendimet e tyre pa egjer e pa dushk.

-Po çfarë të themi  ne? Unë po i bie siç thotë ajo kënga:"Për midis pazarit të Durrësit."Ne, si parti duhet të kapemi fort tek problemet e mëdha që nuk janë bërë. Të rrimë shtrembër e të flasim drejt, Enver Hoxha kapi arsimin, shëndetësinë, elektrifikimin industrializimin, i realizoi. Saliu me partinë e tij i ktheu me kokë poshtë këto, po la vetëm elektrifikimin pa hapur e shembur digat. Ky "i gjati",e zuri nga deti duke ecur ngadalë si kërmill e si rul e ti thotë botës:"Pa shikoni nga ne çfarë turizmi kemi!" Në këto që janë bërë dhe nuk janë bërë them që ne të kërkojmë. Kanë lënë ata, duke bërë sikur nuk i shikonin se nuk ua mbante prapanica ti bënin kur kishin kohën e premtimet. Kështu, unë mendoj se aksionin më të madh në programin tonë të shpallim "Sigurimin e ujit të pijshëm për çdo familje për 24 orët e ditës dhe të natës..."

Njëherësh pati lëvizje të karrikeve, disa zhurma të mbytura dhe u duk sikur sejcilit ju hapën sytë, ende pa ju lagur këmbët nga uji që do të teptiste nga shpallja e aksionit të madh shpëtimtar për partinë dhe vendin.

-Po a kemi ujë ne sa të pinë, të lahen e shplahen dy milion e kusur banorë?- E merr fjalën gjithë merak një banor si duket bregdetar, se kishte ballin e hundën të rrjepur nga dielli.

-Ohu! Ne kemi ujë dhe tepron. Atë që tepron e derdhim në të dy detet që lagin brigjet tona të thara për ujë.

-Ja ta dini të gjithë ne kemi ujra të ëmbla  që mjaftojnë për mbi 60 milionë banorë- mori fjalën e tha plot kompetencë një meso burrë, i cili kur hoqi syzet, mund të konvertohej lehtë me një pedagog korekt.

Në vazhdim, ky aksioni i ujit të pijshëm, hapi diskutime të gjëra e të thella, që për nga rëndësia thanë disa e kalonte aksionin e elektrifikimit të vendit. Të gjithë ishin dakord se uji i pijshëm do të ishte aksioni më i gjetur dhe më bindës për popullin. Pati edhe mendime; si "pse nuk e bëri ky, apo ay?"Ose do shpenzohet shumë energji elektrike për aksionin" etj. Por argumentat e kundërta se "burimet e ujit të pishëm janë më lart se qendrat e fshateve e qyteteve dhe vinë në çezmat vullnetarisht, me vetërrjedhje" rrëzonin lehtë këto mendime frenuese. Kur erdhi puna tek fondet që duhet të përdoreshin për aksionin, diskutimet u venitën. Pa filluan të lakohen, bankat, krediti, emigrantët puna e vet njerëzve, buxhetet e organeve të pushtetit lokal, por shifrat e shpenzimeve që duheshin bërë ishin lart.

-Mos u trembni burra. Ai që kërkon gjen, po ai që këmbëngul, gjen dhe merr i thonë një fjale. Rëndësi ka të nisë aksioni, pa me partinë në ballë, do të bitiset- tha Xhemoja, çobani i Freskores.

-Ju ja futni kot.!-e merr fjalën ai kuqaloshi në fytyrë, që tani pas gjumit që bëri, dukej se ishte esëll.

-Tani që të ka dalë gjumi, pa na thuaj ti si do i sigurojmë fondet. Si mendon? -Po i shtërngonte pak vidhat drejtuesi.

"-Përgjigja është e kollajtë. Ju pyes juve; ku u gjetën fondet që u ngritën pyll me pallate e ndërtesa banimi që mjaftojnë për 10 milion banorë? Që aty të nisemi."- shkarkoi drutë kuqaloshi. Pastaj filluan debatet më të fuqishme se ato që shikojmë në qindra kanale televizive. Edhe pse drejtuesi kishte në dorë e në gjuhë kamxhikun dhe fjalën e rëndë, plumb debatet morën flakë. "Ore, mos jemi të nxituar?"  "Mirë e ka Veseli. Njerzimi ujin e ka pasur xhan e shpirt. Pse ato partitë përpara nesh nuk e kanë rrokur këtë punën e ujit? Ka diçka të madhe që nuk e dimë" titre thekun e bisedës një trup madh aty nga mesi i sallës. "Ore miq. Vertet duhet parë mirë kjo puna e ujit. A kini dëgjuar atë fjalën "Ta fut ujin nën rrogoz?"ore është dinak uji. Them ta zevendësojmë me ndonjë aksion tjetër kombëtar." Por drejtuesi nuk e lejoi të ulej.

-Me që je në këmbë, na thuaj me çfarë aksioni masiv ta zevendësojmë?-drejtoi gishtin e ngriti zërin ai.

-Po ja.Të shpallim se japim energjinë elektrike falas. Ata para nesh e gjetën dhe e mbushëm vendin me hidrocentrale, centrale fotovoltaike, pse mos ndihmojmë ne për vjeljen e energjisë që prodhojnë ato?- Ky mendim duket se gudulisi shumicën e pjesmarrësve.

-Po ndonjë mendim tjetër për aksion kombëtar, na e thoni, me që zumë këtë postat me interes.- ndërhyri butë-butë e qetë drejtuesi.

-Ka shumë.- e mori fjalën një i ri. Pse mos e bëjmë udhëtimin falas për gjithë popullatën. Kështu mendoj se ja kalojmë Luksemburgut, Gjermanisë apo Zvicrës.- përfundoi ai dhe u ul.

-Ky i gjati herë pas here, sidomos përpara votimeve ka dhënë realisht ndonjë bonus pensionistëve. Unë them të dalim me një propozim interesant. Edhe nga Basha e nga Rama ju premtua popullit për të dhënë çeqe shpërblimi për lindjet e reja. Ato tani janë zvarritur dhe harruar fare. Ka ardhur koha që të premtojmë dhe bëjmë pagesën e çeqeve të prapambetura të bebeve që kanë shkuar deri në klasën e pestë. Kjo do quhej premtimi ynë që mund të zejë vend në politikën tonë ekonomike..-

-Unë mendoj për ulje të çmimit të naftës, sidomos në bujqësi-...nisi të  flasë një tjetër andej nga fundi. Por drejtuesi ju sul menjëherë.

-Të lutem flisni për ato mbi tokë. Nafta është nën tokë dhe kur të vijë goneja do i futemi edhe asaj-orientoi ai.

-Të shtërngojmë vidhat e kambizmit privat deri sa euro dhe monedhat e tjera të venë në këndarin e së vërtetës. etj.

Para pak minutash, kishte hyrë në sallë e zënë vend andej nga fundi edhe Yzedini. Ai njihej në qytet se mballosej shpesh me raki. Drejtuesi në një moment pati mendim ta nxirte jashtë, po dy kolegë dhe dy zonja që kryesonin takimin, nuk ishin dakord. Kështu Yzedini i dëgjoi këto diskutimet e fundit. Ai, si u qetësua pak, e merr fjalën pa i dhënë njeri leje.

-Do ju tregoj një histori që ka ndodhur dikur në fshatin fqinjë. Një çift, burrë e grua ishin nisur për në pazarin e Grabovës. Në zallin e një përroi burri gjen një patkua të ri, që  i kishte rënë ndonjë kali a mushke. E lau, pastroi e fshiu ai patkuan, dhe i kërkoi së shoqes ta futëte në çantën e saj.

-Po çfarë do bësh me këtë hekurishte?-i thotë ajo.

-Pse nuk e kupton ti moj teveqele?

-Nuk e kuptoj ndaj  pyes.-i përgjigjet e shoqja jo pa inat.

Ata u ulën në një gur për tu shlodhur dhe i shoqi fillon sqarimin.

-Sot ne gjetëm patkuan.Kështu?

-Po.E kuptova-përgjigjet e shoqja.

-Nesër mund të gjejmë kapistërn.-vazhdon burri.

-Pasnesër mund të gjejmë dhe shalën.-vazhdon gruaja.

-Bravo.Tani po e kupton.- I rrahu shpatullat ai gruas.

-Do blejmë kalin dhe për pazar si sot do e ngarkojmë veshi e bishti. Po kur të lodhesh do i  hipësh edhe ti.

-Oh sa mirë. Do i hipi ndonjëherë dhe të shkoj në të parë tek nëna.-tha ajo tërë  gas. Por gëzimi i saj nuk shkoi gjatë.

-Hej plaç. Kali i lodhur ti do i hipësh të shkosh tek nëna- fjalë që i shoqëroi dhe me një pëllëmbë kokës.

-Dil përjashta se na e përgëve mbledhjen ngriti zërin drejtuesi kurse katër vetë ngritën peshë Yzedinin dhe e nxuarën jashtë.

Ore kolegë!- Foli kur po dilnim nga mbledhja njw goxha burrw, qw nuk e mora vesh  as si e kishte emrin as nga vinte.

-Mua kjo protesta dhe mbledhja qe bëmë sot më duken lëvizje që janë shartuar me pak marksizëm?

Uji aty ka qënë gjithë jetën. Elektrifikimi ka vite e dekada që funksionon. Bebet lindën e tani po rriten e shkojnë në shkollë. Kot nuk thoshte gjyshja ime se "kur thonë që sivjet kanë bërë shumë qershitë, merr shportën e vogël."

Kështu përfundoi ajo mbledhje nismëtare për Partinë e Re Bashkëkohore.

Shyqyri Fejzo

Hamburg Gjermani

Korrik 2026