Sabile Basha: Roli i mërgatës shqiptare në kujtesën historike të Kosovës (30)
ROLI I MËRGATËS SHQIPTARE NË KUJTESËN HISTORIKE TË KOSOVËS (30)
Bashkimi i Forcave Ilegale Shqiptare në Vitin
1982

Në
vazhdim të komunikatës, pas paraqitjes së programit politik, të qëndrimeve
ideologjike dhe të objektivave strategjike, autorët ndaleshin edhe te çështjet
organizative dhe te mesazhi që dëshironin t’i përcillnin opinionit
ndërkombëtar. Këto pika përbëjnë një dëshmi të rëndësishme të përpjekjeve të
lëvizjes për të ndërtuar jo vetëm një organizatë të qëndrueshme politike, por
edhe një mekanizëm të komunikimit publik dhe të ndërkombëtarizimit të çështjes
shqiptare.
Në
vazhdim do të paraqes tekstin e komunikatës:
K
O M U N I K A T Ë
Përfaqësuesit
e Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Kosovës dhe të viseve tjera shqiptare në
Jugosllavi (LNÇKVSHJ) dhe të Partisë Komuniste Marksiste-Leniniste shqiptare në
Jugosllavi (PKMLSHJ) u mblodhën më 17 shkurt 1982 dhe zhvilluan bisedime
përfundimtare për bashkimin e këtyre organizatave në një të vetme. Pas arritjes
së bashkimit u vendos që organizatat të organizohen në Lëvizjen për Republikën
Shqiptare në Jugosllavi.
Në
ndërkohë bisedime u zhvilluan edhe me përfaqësuesit e Organizatës
Marksiste-Leniniste të Kosovës (OMLK) me të cilët bisedimet përfunduan më 15
maj 1982.
Me
një shkallë të lartë të unitetit të mendimit përfaqësuesit e të tri
organizatave me këtë rast pos tjerash, morën këto vendime e qëndrime:
1.
Që organizata e re të pagëzohet Lëvizja për Republikën Shqiptare në Jugosllavi.
2.
LRSHJ-ja si front unik i rezistencës do të përfshijë në gjirin e saj të gjitha
forcat patriotike e revolucionare të popullit shqiptar në Jugosllavi, si dhe të
gjithë patriotët në mërgim, të cilët për shkak të dhunës dhe terrorit serbomadh
janë detyruar t’i lënë trojet e veta të stërlashta.
3.
LRSHJ-ja do të luftojë për formimin e Republikës Socialiste Shqiptare në
Jugosllavi, në të cilën duhet të përfshihen të gjitha territoret etnike
shqiptare dhe për realizimin e këtij qëllimi do të shërbehet me të gjitha
mjetet që lejon etika revolucionare.
Duke
u nisur nga bindja politike dhe gjerë tek revolucioni i armatosur po qe se e
kërkon nevoja.
4.
LRSHJ-ja është thellësisht e bindur se duke luftuar për Republikën Shqiptare në
kuadrin e Federatës Jugosllave, si përfaqësuese e vetme e popullit shqiptar në
shtetin jugosllav, LRSHJ-ja konsideron se lufta e saj e drejtë i shërben edhe
forcimit të unitetit të federatës jugosllave, ruajtjes së paqes në Ballkan dhe
stabilitetit të përgjithshëm në Evropë e më gjerë.
5.
LRSHJ-ja llogarit në ndihmën dhe përkrahjen e të gjitha forcave progresive të
Jugosllavisë, të cilave u propozon luftë të përbashkët kundër forcave
hegjemoniste, kolonialiste, shoviniste dhe forcave tjera reaksionare në
Jugosllavi, të cilat kanë sot pozita dominuese në të gjitha strukturat e
shtetit si të tilla paraqesin rrezik permanent për të ardhmen e Jugosllavisë
për perspektivën e popujve që jetojnë në të dhe për paqen në këtë regjion:
6.
LRSHJ-ja me të gjitha forcat do të luftojë kundër çdo shovinizmi e separatizmi
sepse edhe këto izma reaksionare që mund të paraqiten edhe tek ndonjë shqiptar
e dëmtojnë unitetin e Jugosllavisë dhe vetvetiu edhe luftën e drejtë që bën
populli ynë.
7.
LRSHJ-ja përshëndet qëndrimin e drejtë të të gjithë opinionit progresiv
ndërkombëtar, që u solidarizua dhe po solidarizohet me kërkesën e drejtë të
popullit tonë për Republikën e vet në kuadrin e Federatës jugosllave.
8.
Përshëndetet qëndrimi i PPSH dhe i qeverisë shqiptare ndaj kërkesës së popullit
shqiptar në Jugosllavi për konstituimin e Republikës së vet në kuadrin e
Federatës Jugosllave, me çka dëshmojnë interesimin e vet për këtë pjesë të
kombit dhe principialitetin e politikës së jashtme ndaj RSFJ, ku respektohen me
përpikëri parimet e mos cenimit të sovranitetit dhe integritetit territorial, mos
përzierjes në punët e brendshme, respektimit reciprok dhe barazisë së plotë në
marrëdhëniet ndërshtetërore dhe ruajtjes së fqinjësisë së mirë duke qenë
gjithmonë në gatishmëri të plotë të mbrojnë interesat e pjesës së kombit brenda
normave dhe ligjeve ndërkombëtare.
9.
LRSHJ-ja u bën thirrje të gjitha grupeve ekzistuese dhe individëve që luftojnë
për Republikën Socialiste Shqiptare në Jugosllavi, që t’i bashkohen Lëvizjes
për Republikë.
10.
LRSHJ-ja që tash distancohet nga të gjitha format e luftës që mbajnë erë
terrorizmi dhe s’do t’ua shtrijë kurrë dorën e pajtimit individëve që i kanë duart
e zhytura në gjakun popullit e lëvizjeve që nuk e zbatojnë e çojnë në dëm të
popullit, gjithashtu Lëvizja s’do të bashkëpunojë asnjëherë me rrymat e
organizata politike që mbajt vulën e tradhtisë , apo qëllimin ta rrezikojnë
pavarësinë e RSFJ.
11.
Organi qendror i LRSHJ-së do të jetë “Zëri i Kosovës”.
12.
LRSHJ-ja ua bën me dije si OKB-së ashtu edhe qeverive të të gjitha shteteve që
janë për paqe, liri dhe demokraci në botë, se pa iu njohur popullit shqiptar në
Jugosllavi statusi i kombit dhe e drejta e patjetërsueshme e tij për Republikën
e vet në kuadrin e federatës jugosllave, pa u liruar pa asfar kushti të gjithë
të burgosurit politikë dhe pamundësimin e kthimit në vendlindja të të gjithë të
mërguarve që luftuan për Republikën Socialiste Shqiptare në Jugosllavi LRSHJ-ja
nuk do të qetësohet kurrë:
Komiteti Qendror i Lëvizjes për Republikën Shqiptare në RSFJ
Nga këndvështrimi historik, kjo pjesë e komunikatës është dëshmi e qartë e procesit të ndërkombëtarizimit të çështjes shqiptare gjatë viteve tetëdhjetë. Ajo tregon se lëvizja ilegale nuk e shihte më veten vetëm si një forcë opozitare brenda Jugosllavisë, por si një subjekt politik që kërkonte të fitonte vëmendjen dhe mbështetjen e opinionit ndërkombëtar. Në të njëjtën kohë, ajo pasqyron besimin e veprimtarëve të kohës se e drejta për liri, barazi dhe vetëpërfaqësim kombëtar ishte pjesë e parimeve universale që duhej të mbroheshin jo vetëm nga vetë shqiptarët, por edhe nga bashkësia ndërkombëtare në tërësi. Në këtë kuptim, këto pika të komunikatës përbëjnë një pasqyrë të qartë të ambicieve politike, të vizionit strategjik dhe të kulturës së rezistencës që karakterizoi lëvizjen kombëtare shqiptare në një nga periudhat më të rëndësishme të historisë së saj moderne.
Vijon



