Ndue Dedaj: Shtëpia e Bardhë

1h më parë

SHTËPIA E BARDHË

Tregim nga Ndue Dedaj

E kishte andërr me e pasë shtëpinë të bardhë, por nuk kishte mujt me gjet gëlqere, me e lye kullën nga të katër anët, përveç portikut dhe qosheve që e stolisnin. Dikush i thoshte si me të qeshun se nji kusi gëlqere duhet me i ba bardhë si bilori krejt muret e nxime, dikush tjetër i thoshte se për të zbardhun gjithë atë gërdallë kulle treqind vjeçe, nuk dilte as nji furrë gëlqereje! Veç mos të raftë halli për hise, pa gjindja atë punë kishin, me e tjerrë mbarë e mbrapsht muhabetin...

Drejtori i Ndërtimit i tha përgjegjësit të sektorit, unë do të shkoj për 15 ditë me pushime në plazh, disa herë punëtorët më kanë kërkue nga dy thasë gëlqere, sa me lye shtëpitë, asht rasti që t’i lajmosh, t’i marrin pa ba shumë “zhurmë...”

Ashtu bani dhe burri i kullës së vjetër, Lek Gjogjini. Ngarkoi kalin tri herë te gropa e gëlqeres së ndërmarrjes dhe mezi ia doli me e ba kullën të bardhë, që tash binte në sy nga larg.

Kur nji ditë ia mësynë ata të kontrollit të shtetit.

- Ti don me imitue Shtëpinë e Bardhë të Xhonsonit?

- Jo, bre burra, ç’asht ajo fjalë!

- Fol, ku e more gëlqeren!

Leka ngurroi, nuk donte me i ba keq Përgjegjësit, ashtu si ky i fundit nuk donte me i ba keq Drejtorit.

- E kam pasë ruejt do gëlqere te gropa e vjetër...

- Po thue qysh nga koha e Zogut? Ha-ha-ha-ha-ha. E ku kishte gëlqere atëhere?

- Nuk ju rrej, ndoshta ka qenë e kohës së Nolit? – foli me shpoti i zoti i kullës.

- Na trego, ku?

Vërtetë ai kishte gërvishtun koren e tokës, por gëlqerja aty ishte përzie me baltë dhe nuk ishte ma e bardhë.

Nuk ishte hera e parë që i dilte punë me shtëpinë e tij.

Njëzet vjet ma parë, kur kishte nis me i çel dritaret kullës trekatshe, i kishin ardhë ata të Sigurimit e i kishin thanë se ai po e bante këtë gja me prit e përcjell diversantat.

- Mos o Zot, ç’punë kanë ata në shtëpinë time?

- Kanë, kanë, që ç’ke me të, se yt atë ua çon bukën te Shpella e Stërçokëve, çdo mbramje!

- Gojët e liga atë punë kanë!

- Pse i duhen zgjanue dritaret kullës tande? Se mos do ta bash vilë borgjeze?

- Unë nuk e di se si janë vilat! Nuk kam shkelë ndonjëherë në oborr të tyne.

- Jo, ore... Pse ata që hyjnë e dalin nëpër natë, që ulën me parashutë, a nuk janë njerëz vilash të hueja? Mos ban sikur nuk kupton!

Dhe me kaq ishte mbyllun ajo bisedë, tue ia lanë dritaret përgjysmë, atëherë e më sot.

Koha bante të veten, të tjerë fshatarë zunë t’i lyenin kullat e tyne me gëlqere, por asaj të parës i mbeti emni “Shpia e Bardhë”. Ndokush e çonte ma tej muhabetin, tue thanë se ajo ishte shtëpi borgjeze, bile imperialiste. Gja të gjallë e mall sa të duesh. Po dhe lekë ma shumë se çdokush në ato anë, se i zoti i kullës punonte në Ndërtim me gjithë mushkë, tue u pague kjo e fundit sa nji puntuer e gjysë...

U mblodh byroja me i dhanë një zgjidhje kësaj pune. Nuk mund të lejohej ma gjatë me lulëzue ajo “Shpia e Bardhë” në katund, në nji kohë që televizori natë për natë shante me të parë e të mbramë Shtëpinë e Bardhë të Amerikës.

- T’i vëmë flakën, ta djegim si Sarajet e Kapidanit në 44’ën! Ajo e Amerikës dihet që asht fole e reaksionin botnor, pse të na bahet dhe kjo këtu nji fole grenzash e borgjezisë?...

- Nuk bahet me zjarrm e barut kjo punë, duhet gjetun nji zgjidhje tjetër! Si me thanë, mishi të piqet e helli mos të digjet...

- Ah, si nuk ra një tërmet e t’ia shkulte themelet! Atëherë nuk do të kishte kush gojë me fol!

- Ore, i lëni këto, të ishte kjo e të ishte ajo! Duhet nximë ajo kullë kulm e themel dhe pikë! Nuk mund të jetë e bardhë nga nesër e mbrapa një kullë... kulake!

Ata panë nga njani-tjetri. I deleguemi e kishte nda mendjen, po si do të nxihej gjithë ajo binà sa një pallat? Ama partisë asnjiherë nuk i ngecte sharra në gozhdë, ajo me siguri që e kishte zgjidhjen në xhep, por e pyeste popullin, me qenë sa ma popullore gjaja.

Këtu na duhet të bajmë nji kalim në të shkuemen. Ajo historia e lyemjes me gëlqere të asaj kulle nuk ishte aq e thjeshtë dhe jo vetëm çka dukej; të ishte një shtëpi tjetër, ndryshonte puna, mbase duhej marrë si shembull për të tjerat, por asesi ajo nuk mund të ishte nji shtëpi e bardhë. Përkundrazi, ishte nji shtëpi e zezë. Dhe pikë. E kishte zanë herët meraku me amerikanët.

Simbas njoftimit të Nënprefekturës së Z., në verën e vjetit 1944, në vendin e quejtun Murana asht rrëxue nji aeroplan amerikan katërmotorësh, tue u djegë krejtësisht, ndërkohë që ekuipazhi i tij i përbamë prej 10 vetash, të gjithë shtetas amerikanë, asht ulë me parashutë, ku 9 prej tyne u shoqnuen në Komandën e Gjindarmërisë, por nuk dihet fati i të dhjetit, kolonelit Xhon, që ose ka vdekun, ose gjindet i plagosun në ndonji nga shpitë e katundeve të Krahinës...

Ishtë kjo e dyta. Amerikani nuk kishte vdekun, por ishte strehue në bodrumin e kullës së Gjon Gjogjinit, me kambën e thyeme. Ai e dinte se po të dorëzohej, gjermanët do ta vrisnin. Ma mirë të priste sa të shnoshej, se ndoshta do të kishte ditë ma të mira për të...

Amerikani u habit fort kur ndigjoi se i zoti i shtëpisë ku e hodhi fati ishte me të njajtin emën si ai, Gjon. Po aq u mrekullue e mbeti pa mend ky i fundit me emnin e amerikanit, Xhon, që ishte emni i tij. Nuk dinte nëse ky Xhoni amerikan duhej marrë si mik apo si armik, por fundja në shtëpinë e tij të gjithë ata që hynin, ishin miq.

Nuk do të shkojmë ma tej në këtë tregim me fatin e Xhon amerikanit, i cili, mbas nji odiseje jo pak të mundimshme, mundi me u kthye në vendin e vet, e as të Gjon shqiptarit, që i bani do vjet internim për strehimin e (an)mikut, tue u kthye te kulla e të birit, Lekës.

...Të nesërmen e mbledhjes së Byrosë një brigadë e kooperativës, me furça të gjata si cfurqe, nisi t’i lyente të gjitha shtëpitë e fshatit, tue nisë nga “Shpia e Bardhë”, me një bojë që nuk ishte as e bardhë, as e kuqe, as e verdhë, por e laracueme si në të gjelbër, kinse, po të sulmonte anmiku, shtëpitë  e përhumbuna mes pemëve të mos binin në sy!...

Por nuk u zhbi ajo kullë prej faqes së dheut e as emni i saj, përkundrazi. Njerëzit si për inat, një e dy e përmendnin Shtëpinë e Bardhë. Ajo tashma ishte pika orientuese numër nji në atë katund.

“Kah je tu shkue?”

“Kah Shpia e Bardhë, andej asht ma shkurt udha!...

Në gjuhën e popullit ajo puna e bojatisjes së kullës së Gjogjinëve do të thoshte: nisesh me vu vetullat e padashtun nxjerr sytë...