Meçan Hoxha: Shqiptaria - motiv qëndror i krijimtarisë së Hytbi Tarellit

1h më parë

Shqiptaria - motiv qëndror i krijimtarisë së Hytbi Tarellit

(Shënime nga libri i Kadri Tarellit:”Hytbi Tarelli, mjeshtër i penelit dhe daltës)

Nga Meçan Hoxha

Në bibliotekën e studios sime është dhe libri i Kadri Tarellit: ”Hytbi Tarelli, mjeshtër i penelit dhe daltës”. E shfletoj shpesh sepse në të karikohem me shqiptari artistike. Sot vendosa që ndjesitë e mia t’i ndaj dhe me të tjerë, sepse dhe personazhi i këtij libri, madje lënda e këtij libri na kushtohet të gjithë ne shqiptarëve kudo ndodhemi.

Bëhet fjalë për piktorin dhe skulptorin me emër të ndritur, Hytbi Tarelli. Shqiptaria në krijimtarinë e tij bën dritë në zemrën e çdo shqiptari të vërtetë. Nderimi dhe rspekti për kontributet e Hytbi Tarellit s’do të shterojnë kurrë.

Ndaj, iu kthava librit, në radhë të parë, si dashuri e rspekt për njerëzit që i janë përkushtuar atdheut dhe kanë lënë emër në shërbim të tij. Ruaj si frymëzim të përhershëm fjalët e mrekullueshme të Nekrasovit: “N’Atdhe s’dua të jetoj pa emër”. Emri që lënë njerëz si Hytbi Tarelli të rritin krenarinë kombëtare, i shtojnë lavdi Atdheut.

Së dyti, u ndala te ky libër dhe si vlerë e shquar e artit pamor. Punime e Hytbiut në pikturë e skulpturë janë mbresëlënëse, të papërsëritëshme.

Kadri Tarelli (i vëllai), ia ka ngritur përmendoren, po ai ka nevojë për përmendore më të lartë. Përmendores së tij duhet t’i kontribuojmë të gjithë, se nuk bëri piktura e skulptura vetëm për familjen e fisin Tarelli (ani se është fis me shtrirje të gjërë, që nga Devolli deri në Modena të Italisë e më tutje në Stamboll), po për gjithë Shqipërinë e shqiptarët që i gjen në të gjithë cepet e kontinentit.

Të dashur miq, Hytbi Tarelli, ka fatin e atyre artistëve të mëdhenj që nuk bëjnë tregti me talentin e tyre, po e vënë atë në shërbim të humanizmit, progresit, të bukurës, duke u nisur nga pragu i shtëpisë deri tek yjet. Është veçori dalluese fakti që lidhja me origjinën devollite nuk e kufizon krijimtarinë në një hapësirë krahinore. Përkundrazi, rrënjët lokale shndërrohen në pikënisje për një identitet më të gjerë kombëtar. Kjo e bën artin e tij të kapërcejë kufijtë e vendlindjes dhe të komunikojë me të gjithë botën shqiptare.

Dashuria e tij për shqiptarët dhe Shqipërinë i ndrin si diell gjithë krijimtarinë. Shqiptaria në krijimtaria e piktorit dhe skulptorit Hytbi Tarelli, duket jo vetëm në tematikë, por edhe në misionin kulturor që arti i tij mori në mërgim, sidomos në Toronto. Në krijimtarinë e tij, shqiptaria nuk është element dytësor, por boshti kryesor i identitetit artistik. Ai i përdori pikturën dhe skulpturën jo vetëm si mjete estetike, por si instrumente ruajtjeje të identitetit shqiptar larg vendlindjes.

Një nga tiparet më të dukshme të kësaj shqiptarie është prania e figurave historike kombëtare. Portretizimi i personaliteteve që kanë lënë gjurmë në historinë shqiptare përbën një përpjekje për të ruajtur kujtesën kolektive dhe për ta transmetuar atë te brezat e rinj. Përmes skulpturës dhe pikturës, figurat historike nuk paraqiten vetëm si personazhe, por si simbole të qëndresës, identitetit dhe vazhdimësisë kombëtare. Në këtë mënyrë, arti i Tarellit merr funksionin e një arkivi shpirtëror kombëtar.

Në krijimtarinë e tij figurat kombëtare janë drita e frymëzimeve të përhershme. Albumi i tij ofron vlera kombëtare dhe estetike që nuk shlyhen nga mendja. Duke i vëzhguar disa nga to, thua: “Është talenti i tij që subjektet e trajtuara rrëfejnë kaq atdhetari, apo është atdhetaria brenda tyre, që na bën të duken kaq të bukura?”

Krijimet: “Nusja ilire”, “Genti, Mbreti i ilirëve”,”Medalioni i Flamurit”, Himni Kombëtar”, “Gjergj Kastrioti, Skënderbeu”, ”Mëmëdheu”, “Nënë Tereza”, “Ali Pashë Tepelena”, “Isa Boletini”, “Adem Jashari”, “Besëlidhja e Lezhës”, “Lidhja Shqiptare e Prizerenit”, “Kongresi i Manastirit”, e të tjera vepra, formojnë një gjerdan të artë. Vlerat që e kanë motivuar realizimin e këtyre diamanteve janë: Kombi, atdhetaria e flaktë dhe dashuria njerëzore. Në krijimtarinë e tij nuk shfaqet vetëm mjeshtëria artistike, por një lloj magjie te “besimi kombëtar”, ku figura historike trajtohet si kujtesë e gjallë.

Burime të ndryshme përmendin që një pjesë e madhe e veprimtarisë së Tarellit iu kushtua figurës së Skënderbeut, madje kjo cilësohet si tema kryesore e krijimtarisë së tij. Te trajtimi i Skënderbeut, artisti nuk duket se synon vetëm portretin historik. Skënderbeu shfaqet si simbol i vazhdimësisë shqiptare: qëndresë, shtetësi, identitet dhe krenari kombëtare. Fakti që këto vepra u krijuan në diasporë është domethënës. Larg Shqipërisë, ai rikthen figurën që bashkon shqiptarët përtej kufijve. Kjo përbën manifestimin më të drejtpërdrejtë të shqiptarisë së tij.

Një nga veprat e njohura është basorelievi i madh i Nënë Terezës, i ekspozuar pranë një shkolle publike në Ontario të Kanadasë. Basorelievi i Nënë Terezës në Ontario, u rrëfen vizitorëve shqiptarinë si humanizëm universal. Ajo është interesante, sepse aty shqiptaria nuk paraqitet përmes luftës apo historisë politike, por përmes mëshirës dhe humanizmit. Në figurën e Nënë Terezës, Tarelli paraqet një identitet shqiptar të lidhur me dhembshurinë, sakrificën dhe shërbimin ndaj njerëzimit. Me respekt citojmë, në këtë rast, deklaratën e ish presidentit të SHBA, Bill Clinton: “Nënë Tereza, ishte e para Ajo, qe më bëri ta dua kombin shqiptar”. Pra, shqiptaria te kjo vepër nuk është heroizëm ushtarak, por heroizëm moral.

Krijimtaria e Hytbi Tarellit nuk ka kufij shtetërorë, ajo për kufij njeh vlerat e shqiptarëve kudo që ndodhen. Skulptura e Adem Jasharit përjetëson shqiptari si sakrificë dhe liri. Ajo është një nga veprat më të vlerësuara të tij. Madje, autori e çoi vetë veprën në Prekaz, duke e lidhur fizikisht artin me vendin e kujtesës kombëtare. Vepra ka peshë të veçantë, sepse Adem Jashari nuk paraqitet thjesht si figurë ushtarake, por si simbol i sakrificës për lirinë shqiptare. Skulptura e Adem Jasharit është shprehje e shqiptarisë së dhimbjes dhe flijimit; një monument i heshtur për lirinë. Këto tri figura përbëjnë pothuaj një panteon artistik të Tarellit. Përmes tyre ai ndërtoi një narrativë: shqiptari që lufton, shqiptari që flijohet dhe shqiptari që shërben. Kështu, shqiptaria e Tarellit merr formë më moderne: nga epoka e Skënderbeut kalon te historia e Kosovës dhe mbijetesa kombëtare në fund të shekullit XX. Në këtë rast arti i tij bëhet përkujtimor.

E gjithë krijimtaria artistike e Hytbi Tarellit përfaqëson një ndërthurje të veçantë mes artit figurativ, kujtesës historike dhe ndjenjës së përkatësisë kombëtare. Interesimi për episode të historisë kombëtare dëshmon për një vetëdije të qartë mbi rolin që arti mund të luajë në ruajtjen e kujtesës historike. Veprat e tij synojnë jo vetëm përjetimin estetik, por edhe reflektimin mbi rrugëtimin historik të shqiptarëve.

Këta tregues i gjejmë të trajtuar bukur nga artisti tjetër (shkrimtar, poet kritik e publicist), vëllai i Hytbiut, Kadri Tarelli. Ai na rrëfen ca më shumë. E nis me lindjen e Hytbiut në trevën e Devollit dhe vazhdon gjithë ecurinë e jetës së tij, deri në fundin e saj të parakohshëm. Autori i librit i kushton vemendje të veçantë pjesës më të madhe të jetës krijuese në emigracion, në Kanada, ku Hytbiu mbeti i lidhur aq ngushtë me identitetin shqiptar. Kadriu ndjehet krenar për atë vëlla që shqiptarinë nuk e ka si slogan patriotik apo si element të jashtëm dekorativ, por si vetëdije kulturore të përjetësuar në krijimtari.

Autori i librit na njeh dhe me dimensione të tjera të rëndësishme të shqiptarisë së Hytbi Tarellit, duke e lidhur me përvojën e emigracionit. Jetesa larg Shqipërisë duket se e ka forcuar nevojën për rikthim shpirtëror te vendlindja, duke bërë që kujtesa, malli dhe identiteti të fitojnë peshë të veçantë në krijimtari. Në shumë raste, arti i diasporës shndërrohet në urë mes atdheut dhe mërgimit. Edhe te Tarelli kjo urë ndërtohet përmes simbolikës kombëtare, figurave historike dhe motiveve shqiptare. Shqiptaria e tij bart kështu edhe dimensionin e nostalgjisë, jo si dhimbje pasive, por si përpjekje për ruajtje dhe afirmim identitar.

Në planin estetik dhe kulturor, veprimtaria e Hytbi Tarellit në diasporë është një formë e diplomacisë kulturore. Përmes ekspozimeve, skulpturave dhe prezantimit të figurave shqiptare jashtë vendit, ai kontribuoi në njohjen e kulturës shqiptare në mjedise ndërkombëtare. Në këtë aspekt, krijimtaria e tij nuk i shërbeu vetëm artit, por edhe përfaqësimit të identitetit shqiptar përtej kufijve kombëtarë.

Në përfundim, shqiptaria në krijimtarinë e Hytbi Tarellit përbën një sintezë të historisë, kujtesës, mallit për vendlindjen dhe krenarisë kombëtare. Veprat e tij dëshmojnë se identiteti shqiptar mund të ruhet dhe të shprehet fuqishëm edhe larg atdheut, duke e kthyer artin në mjet kujtese dhe vazhdimësie kulturore. Për këtë arsye, Hytbi Tarelli mbetet jo vetëm artist i diasporës shqiptare, por edhe një prej zërave që përmes penelit dhe skulpturës i dhanë formë shpirtit kombëtar shqiptar, duke e skalitur në gur, baltë dhe ngjyrë.

Autori i librit trajton dhe jehonën e krijimtarisë së Hytbi Tarellit. Për të është shkruar në disa gazeta dhe portale shqiptare: brenda e jashtë vendit, sidomos pas ndarjes së tij nga jeta në vitin 2016 dhe me rastin e ekspozimeve të veprave të tij në Kanada e gjetkë. Ato e kanë cilësuar Hytbi Tarellin si ‘mjeshtër të penelit dhe daltës’, artist të shquar me frymë atdhetare, krijimtaria e të cilit i kushtohej figurave kombëtare shqiptare. Ai u vlerësua për kontributin në ruajtjen e identitetit kulturor shqiptar në diasporë dhe u nderua në Kanada me çmimin ‘Për arritjet e jashtëzakonshme në Artet Figurative’ (2016).”

Edhe libri: “Hytbi Tarelli, mjeshtër i penelit dhe daltës” i Kadri Tarellit është një monografi kushtuar jetës dhe krijimtarisë së këtij skulptori e piktori të pavdekshëm. Ky libër është sa përkujtimor edhe dokumentues.

Këtë këndvështrim, si dhe trajtimin kompleks të veprës së Hytbi Tarellit i gjen të realizuara me një buonsens të shenjtëruar te libri i shkrimtarit dhe poetit të njohur, Kadri Tarelli :“Hytbi Tarelli, mjeshtër i penelit dhe daltës”. Aty paraqiten jeta, formimi artistik, krijimtaria në pikturë e skulpturë, si dhe veprimtaria e tij në diasporën shqiptare. Libri e paraqet artistin si një krijues autodidakt me ndjenjë të fortë atdhetare dhe me prirje për përjetësimin e figurave kombëtare shqiptare.

Autori i librit ka përzgjedhur disa nga vlerësimet e shumta të shokëve e miqëve të Hytbiut. Unë përzgjodha një, atë të një skulptori shumë të talentuar durrsak, z. Qazim Kërtusha, i cili  është shprehur se Hytbiut i shkëlqenin sytë kur thoshte:”Çdo familje shqiptare në Kanada, dëshiron të ketë në shtëpi, një copë nga historia e kombit tonë. Unë ua mundësoj këtë. Më bëjnë të lumtur”.

Edhe unë, nëse arrita tu them diçka, do t’i jem mirënjohës atij shqiptari të madh, i cili do të jetojë përjetë në mes të shqiptarëve.