Lekë Mrijaj: Historia e Kosovës nuk mund të mbetet peng i askujt, as i heshtjes institucionale dhe akademike
Historia e Kosovës nuk mund të mbetet peng i askujt, as i heshtjes institucionale dhe akademike

Sapo
më ra në sy opinioni i z. Jusuf Buxhovi, i cili, siç shihet qartë, ka bërë një
trajtim të drejtë, të guximshëm dhe të nevojshëm të një çështjeje që nuk mund
dhe nuk duhet të anashkalohet.
Në
opinionin e tij në gazetën Koha të datës: 30. Qershor 2026 me titullin
përmbjajtësor: "Ka akademik që ka marrë deri në 7 mijë euro në muaj e
s'kemi një libër kredibil për historinë e Kosovës", ai trajton një
shqetësim me rëndësi të veçantë për jetën shkencore, institucionale dhe
kulturore të Republikës së Kosovës.
Në
thelb, fjala është për një fenomen të dhimbshëm dhe njëkohësisht mjaft
shqetësues për shoqërinë tonë: ekzistimin e akademikëve, instituteve, titujve
të lartë shkencorë, pagave dhe privilegjeve të konsiderueshme institucionale,
ndërkohë që vendi ynë ende nuk ka arritur të prodhojë një vepër të plotë,
serioze, të argumentuar dhe kredibile për historinë e Kosovës.
Kjo
gjendje nuk mund të vlerësohet vetëm si mangësi akademike. Ajo përbën një
dështim moral, institucional dhe kombëtar, sepse historia e një vendi nuk është
thjesht objekt studimi, por pjesë themelore e vetëdijes shtetërore, e kujtesës
kolektive dhe e identitetit kombëtar.
Historia
e Kosovës nuk mund të mbetet peng i rehatisë personale, i heshtjes shkencore, i
dembelisë intelektuale apo i improvizimeve të rastit. Një popull, sikurse
populli shqiptar në Kosovë, i cili ka kaluar nëpër robëri, luftë, sakrificë,
dëbim, qëndresë dhe shtetformim, meriton një histori të shkruar me dinjitet, me
burime të qëndrueshme, me argumente shkencore dhe me përgjegjësi të lartë para
brezave.
Prandaj,
kritika, apo, siç do ta quaja unë, mesazhi i z. Buxhovi, duhet kuptuar edhe si
reflektim pozitiv dhe konstruktiv, e cila nuk synon rrënimin e institucioneve
shkencore, por zgjimin e ndërgjegjes institucionale e akademike.
Është
një apel që akademitë, institutet dhe bartësit e përgjegjësisë shkencore të
dalin nga vetëkënaqësia formale dhe t'i kthehen misionit të tyre themelor:
shërbimit ndaj së vërtetës, ndaj kujtesës historike, ndaj dinjitetit kombëtar
dhe ndaj shtetit të Kosovës.
Në
përmbyllje të komentin tim do ta përmblidhja me një mendim të thjeshtë, por
thelbësor: çështja nuk qëndron vetëm te fakti se sa marrin akademikët, por te
pyetja se çfarë vlere shkencore, kulturore dhe kombëtare i japin ata vendit. Në
këtë pikë, Republika e Kosovës ka të drejtë të kërkojë më shumë. Pra, më shumë
punë të mirëfilltë shkencore, më shumë vepra serioze, më shumë përgjegjësi
institucionale dhe më shumë përkushtim ndaj historisë së saj.
Mirënjohje
z. Jusuf Buxhovi për këtë reflektim aq të nevojshëm mbi Akademinë e Shkencave,
mbi institucionet tona kërkimore dhe mbi përgjegjësinë e akademikëve ndaj
historisë së Kosovës. Respekt për vlerat tuaja!
Klinë, 7 korrik 2026


