Lazim Miftari: Gjuha shqipe

1h më parë

Lazim Miftari


GJUHA SHQIPE


Gjuhë e lashtë, këngë e gurit,

si zë i erës që s'ka mbarim,

si një rrënjë e thellë prej nurit,

që s'vdes kurrë në udhëtim.


Gjuhë pellazge, yjesh të largëta,

që lidhet me qiellin në gjithësi,

që erdhi prej hyjnive të lashta,

urë nga lashtësia në përjetësi.


Gjuhë ilire, e fisit Dardan,

ajo që flet me gjakun e burrave,

shpatën e dritës në dorë e mban,

dhe jeton në zemrat e nënave.


Gjuhë e fortë, gjuhë e shkrepave,

që ngrihesh lart si kala mbi mur,

si këngë që këndohet kreshtave,

si dritë e betim që s'thyhet kurrë.


O gjuhë e zërit të shqiponjave,

që sheh botën prej lartësisë,

gjuhë e folur dhe e shkronjave,

gjuhë e gjakut, gjuhë e lirisë.


Gjuhë e pastër dhe e kulluar,

që buron nga zemra e popullit,

si ujë që del mbi gurë të lëmuar,

si shpirt që s'njollos të folurit.


Gjuhë e dlirë, si fluskë e bardhë,

që ndriçon lart si ylli i parë,

si këngë e bukur që hije zbardh,

si fjalë që bekon jetën mbarë.


Gjuhë e mirë dhe gjuhë e urtë,

që sjell paqe me çdo mëngjes,

që lidh zemrat me fjalën e butë,

si bekim kalon nga brezi në brez.


Gjuhë që hap dyert për çdo dije,

si çelës i artë në botën mbarë,

me të shkruhen fjalë dashurie,

si bujku në arë që mbjell farë.


Lazim Miftari

1 Shtator 2026 Prishtinë