Ilir Muharremi: Nga laboratori i artistëve të rinj te përvoja e drejtpërdrejtë e artit bashkëkohor

Nga laboratori i artistëve të rinj te përvoja e drejtpërdrejtë e artit bashkëkohor

Arti
është më i fuqishëm se realiteti, jo sepse e mohon atë apo sepse është një
formë e arratisjes nga bota konkrete, por sepse e tejkalon realitetin përmes
vizionit, imagjinatës, estetikës dhe përjetimit. Realiteti na tregon atë që
është, arti na hap mundësinë të shohim atë që mund të jetë, atë që fshihet pas
së dukshmes dhe atë që nuk mund të shprehet vetëm përmes fakteve. Në këtë
kuptim, arti nuk është thjesht pasqyrim i realitetit, por një mënyrë e veçantë
e njohjes së tij. Shkenca kërkon ta shpjegojë të vërtetën përmes faktit,
dëshmisë dhe verifikimit, ndërsa arti e kërkon të vërtetën përmes ndjesisë,
imagjinatës, simbolit, metaforës dhe përvojës njerëzore. Të dyja i afrohen së
vërtetës, por nga rrugë të ndryshme. Prandaj, e vërteta nuk mund të reduktohet
vetëm në atë që është e matshme, e provueshme dhe objektivisht e verifikueshme.
Ekziston edhe një e vërtetë që përjetohet, ndjehet dhe imagjinohet. Arti na
mëson pikërisht këtë, se e vërteta në
vetvete mund të ketë bukurinë e saj dhe se bukuria nuk është thjesht një
zbukurim i së vërtetës, por një mënyrë për ta zbuluar atë. Një vepër arti mund
të mos na japë një fakt të ri shkencor, por mund të na zbulojë një të vërtetë
mbi vetminë, dashurinë, frikën, vdekjen, kujtesën, lirinë apo ekzistencën që
asnjë formulë nuk mund ta përshkruajë plotësisht. Ajo nuk na thotë vetëm çfarë
është bota, por na bën të përjetojmë se çfarë do të thotë të jesh në botë.
Prandaj, fuqia e artit qëndron në aftësinë për ta zhvendosur realitetin nga fusha
e faktit në fushën e kuptimit. Realiteti është ajo që ekziston, arti është ajo që i jep ekzistencës një
dimension të ri kuptimor. Nëpërmjet artit, e dukshmja bëhet e padukshme, e
zakonshmja bëhet e jashtëzakonshme dhe ajo që dukej e njohur shfaqet përsëri
para nesh si një mister. Në këtë perspektivë, imagjinata nuk është e kundërta e
realitetit, por një nga mënyrat më të thella për ta kuptuar atë. Arti e zgjeron
kufirin e realitetit duke krijuar mundësi të reja të të parit, të të menduarit
dhe të të ndierit. Ai nuk e kopjon botën,
ai e rishpik atë për të na bërë të kuptojmë më thellë botën që tashmë
ekziston. Kështu, arti është më i fuqishëm se realiteti në kuptimin se ai nuk
kufizohet nga ajo që është e pranishme para syve tanë. Ai depërton pas sipërfaqes
së gjërave dhe e kthen përvojën njerëzore në vizion, ndjenjë dhe kuptim. Në
fund të fundit, arti na kujton se njeriu nuk jeton vetëm në botën e fakteve,
por edhe në botën e kuptimeve. Dhe pikërisht aty fillon dimensioni më i thellë
i së vërtetës. E tërë kjo u debatua në Edicionni e katërmbëdhjetë të NET/RRJET
– EXPOART.40 që dëshmon se një program i artit bashkëkohor nuk mund të kuptohet
vetëm përmes ekspozitës si rezultat përfundimtar. Në thelb të këtij edicioni
qëndron një koncept më kompleks: procesi si vepër, dialogu si metodë dhe
hapësira si material. Kjo qasje e zhvendos vëmendjen nga objekti artistik i
përfunduar te marrëdhënia që krijohet ndërmjet artistit, publikut, trupit,
hapësirës dhe idesë.
Në
këtë kuptim, NET/RRJET LAB XIV nuk funksionon thjesht si një laborator
pedagogjik për artistët e rinj, por si një mikro-hapësirë e prodhimit të
mendimit artistik. Punëtoritë, mentorimi, ligjëratat dhe ndërveprimi me
publikun krijojnë një strukturë ku vepra nuk lind vetëm nga materiali, por nga
procesi i të menduarit dhe nga përballja e ideve me situata konkrete. Vetë
ekspozita “Çfarë mbeti e pathënë?” e përforcon këtë ide duke e zhvendosur
vëmendjen drejt heshtjes, kujtesës, tensionit, afërsisë dhe gjendjeve
emocionale që nuk artikulohen domosdoshmërisht përmes gjuhës.
Sislej Xhafa: kur
realiteti nuk përshkruhet, por vihet në pikëpyetje
Një
nga momentet më të rëndësishme të programit ishte prania e artistit Sislej
Xhafa, përmes ligjëratës “Narrativat e padukshme”. Në praktikën e Xhafës,
realiteti nuk trajtohet si një sipërfaqe që artisti duhet ta imitojë apo
dokumentojë. Përkundrazi, ai bëhet një terren i pasigurt që duhet të
shqyrtohet, të destabilizohet dhe të vendoset vazhdimisht në pikëpyetje. Vetë
artisti e formulon këtë qëndrim duke thënë: “Realiteti është më i fuqishëm se
arti. Si artist, nuk dua ta pasqyroj realitetin, por dua ta vë atë në
pikëpyetje.”
Këtu
qëndron një nga dimensionet më interesante të artit të Xhafës: ai nuk kërkon
medoemos të prodhojë një objekt që shpjegon realitetin. Ai krijon një situatë
në të cilën realiteti fillon të duket i çuditshëm, i pasigurt, absurd ose
paradoksal. Pikërisht për këtë arsye, ligjërata e tij nuk mbeti në nivelin e
diskursit teorik. Ajo u shndërrua në një eksperiencë performative, ku publiku u
përfshi fizikisht në vetë ndërtimin e situatës artistike.Në një nga momentet më
karakteristike të këtij takimi, disa vullnetarë morën pjesë në një performancë
me vezë, duke dalë përpara publikut me vezë në gojë, në një veprim që, në
dukje, është i thjeshtë, por artistikisht prodhon një tension të fortë mes
trupit dhe objektit. Imazhi i dy pjesëmarrëseve që afrohen përmes këtij gjesti
e zhvendos performancën nga një akt ilustrues drejt një situate të hapur
interpretimi.
Veza,
si objekt, mbart një potencial të jashtëzakonshëm simbolik: ajo mund të lidhet
me brishtësinë, lindjen, mundësinë, jetën, por edhe me thyerjen, rrezikun dhe
ekspozimin e trupit ndaj një objekti të jashtëm. Kur ajo vendoset në gojë,
objekti nuk është më thjesht një material; ai bëhet pjesë e trupit dhe
njëkohësisht pengesë për të folur. Pikërisht këtu performanca fiton një shtresë
konceptuale veçanërisht interesante: publiku sheh një trup që është i
pranishëm, por që përmes objektit në gojë e humb përkohësisht mundësinë e
komunikimit verbal.Në këtë pikë, performanca mund të lexohet edhe në raport me
vetë idenë e “narrativave të padukshme”. Ajo që nuk thuhet nuk është
domosdoshmërisht mungesë e kuptimit; përkundrazi, heshtja, gjesti dhe sikleti
trupor bëhen forma të tjera të komunikimit. Artisti e largon kuptimin nga
deklarata dhe e vendos në situatë. Publiku nuk merr një përgjigje të gatshme,
por detyrohet të reagojë ndaj asaj që po ndodh përpara tij.
Kështu,
veza bëhet një lloj “fjalie” pa gjuhë. Trupi bëhet medium. Publiku bëhet pjesë
e veprës. Dhe hapësira, në vend që të mbetet vetëm vendi ku zhvillohet një
aktivitet artistik, shndërrohet në një material të performancës.
Nga ligjërata te përvoja
Kjo
është ndoshta pika ku NET/RRJET LAB XIV arrin një nga dimensionet e tij më të
rëndësishme, arti nuk shpjegohet vetëm
ai përjetohet. Dokumentacioni i programit e përshkruan qartë këtë kalim
nga diskutimi te situata, duke theksuar se ndërveprimi, afërsia dhe tensioni e
zhvendosën komunikimin nga fjala tek trupi, objekti, hapësira dhe marrëdhënia
me tjetrin.
Ky
transformim është veçanërisht i rëndësishëm për një program që synon të formojë
artistë të rinj. Në vend që arti konceptual t'u prezantohet vetëm si histori,
teori apo katalog emrash, ai u shfaq si një mënyrë e të menduarit dhe e
organizimit të përvojës. Në këtë aspekt lidhet natyrshëm edhe me ligjëratën
“Arti konceptual në Kosovë”, e cila e zhvendosi diskutimin nga objekti
tradicional drejt idesë, konceptit, kontekstit dhe procesit artistik.Ligjërata
mbi artin konceptual dhe performanca e Sislej Xhafës, ndonëse të ndryshme në
formë, takohen në një pikë themelore: vepra nuk është vetëm ajo që shohim, por
ajo që na detyron të mendojmë. Në artin konceptual, ideja mund të jetë më e
rëndësishme se materiali; në performancë, veprimi dhe marrëdhënia mund të jenë
më të rëndësishme se objekti. Në të dyja rastet, publiku nuk mbetet konsumator
pasiv, por bëhet pjesë e procesit të kuptimit.
“Çfarë mbeti e pathënë?”
si vazhdim i këtij procesi
Në
këtë sfond, ekspozita e artistëve të rinj “Çfarë mbeti e pathënë?” nuk duhet
parë thjesht si rezultat i pesë ditëve të punës. Ajo është vazhdim i logjikës
së laboratorit: përmes pikturës, vizatimit, videos, instalacionit, fotografisë
dhe ndërhyrjeve hapësinore, artistët i afrohen pikërisht atyre gjendjeve që
rezistojnë ndaj formulimit të drejtpërdrejtë.
Këtu
ekspozita fiton një dimension bashkëkohor: ajo nuk përpiqet ta mbushë
boshllëkun e heshtjes, por ta bëjë atë të dukshëm. E pathëna nuk trajtohet si
deficit komunikimi, por si një hapësirë ku mund të lindë vepra. Kjo e vendos
ekspozitën në një marrëdhënie të natyrshme me performancën e Xhafës, ku
heshtja, gjesti dhe prania trupore prodhojnë një narrativë që nuk ka nevojë të
shpjegohet plotësisht.Në këtë aspekt, NET/RRJET XIV ka rëndësi jo vetëm si
platformë ekspozimi, por si mekanizëm i prodhimit të përvojës artistike dhe
mendimit kritik. Programi lidh artistët e rinj me profesionistët, edukimin me
praktikën dhe teorinë me përvojën.Në fund, ajo që mbetet më e rëndësishme nuk
është vetëm një ekspozitë, një ligjëratë apo një performancë e veçuar. Është
pyetja që arti i tillë ia rikthen publikut: çfarë ndodh kur vepra nuk kërkon të
na tregojë diçka, por na vendos në një situatë ku duhet të mendojmë vetë?
Pikërisht
në këtë hapësirë – ndërmjet idesë dhe trupit, fjalës dhe heshtjes, objektit dhe
veprimit – NET/RRJET XIV e gjen kuptimin e tij më të fortë si laborator i artit
bashkëkohor.





