Gjon Marku: Pijanecët e qytetit tim

Tregim nga Gjon Marku
Qyteti ynë, i vendosur përballë një shpatulle mali e buzë një
liqeni plak, kishte tre muaj që flinte e zgjohej nën shiun që binte curril.
Çative u kishin nisur cirkat e vjeshtës. Jashtë përziheshin shiu, vetëtimat dhe
ca të qeshura vajzash që sikur vinin prej nëndheut. Ajri po merrte ngjyrën e
mërzisë. Gjethet e rrëzuara nga era e parë e vjeshtës mbulonin trotuaret.
Në fund të
qytetit rridhte lumi. Përgjatë brigjeve të tij ecnin ciganët. Në njërën prej
pijetoreve tavolinat qenë mbushur me gabelë.
Mbi urën e
vogël kalonin bashkëfshatarët e mi urtakë, të drejtuar për në stacionet e
autobusëve.
Sa herë
shiu pushonte për pak, merrnin jetë pingërimat e sorrave që ta shtonin
trishtimin. Tufa sorrash, orëpremet, e nxinin qiellin dhe rendnin turra-turra
pa ditur askush se ku shkonin. Nëpër oborre grinden macet e, turrthi, u
suleshin minjve që dilnin nga birucat.
Nën shi,
qyteti i bukur kishte marrë një ngjyrë gri. Thuhej se mbante mbi supe një
legjendë po aq të vjetër sa vetë ai; një qytet që i kishte provuar të gjitha,
edhe të bardhat, edhe...
Vendi i
qejfit, thoshin, ishte zhytur në krizë. Ca e pranonin, ca jo. Nexho, bashkë me
shushurimën e plepave, përsëriste në çdo derë pijetoreje të njëjtat fjalë:
- Kohë
krize.
Me to e
niste ditën, e me to e mbyllte. Bashkë me shokët e tij ishin të fundit që
braktisnin rrugët e zymta të qytetit.
Ata ishin
gjithnjë njësoj: si në mëngjes, si në mbrëmje, të pirë. Dikush i quante
pijanecë, dikush pijetarë, dikush qejflinj, e dikush të këqijtë e vetes.
Njëri
banonte në krye të rrugës kryesore. Zbriste ngadalë teposhtë dhe ndalonte sa në
një lokal, sa në tjetrin, duke hedhur nga një gotë. Tjetri jetonte pranë
tregut, mes qoftexhinjve, dhe bënte të njëjtin ritual në lokalet e asaj ane. Më
pas të dy takoheshin në kryqëzimin ku, nga një rrugë e tretë, mbërrinte edhe
pijetari tjetër.
Tregtarët
u jepnin ndonjë gotë edhe kur nuk kishin para. Kështu, pa e kuptuar, edhe
pijanecët krijuan "zonat e tyre të influencës". Kur njëri hynte në
një rrugë, tjetri shmangej në tjetrën, ndërsa i treti merrte një drejtim
tjetër. Tregtarët i njihnin, madje i respektonin dhe u ofronin ndonjë teke. Dhe
gjithçka shkonte mirë.
Çdo
mëngjes takoheshin e i tregonin njëri-tjetrit se nga do ta kalonin ditën. Në
mbrëmje mblidheshin në lokalin që mbyllej i fundit. Pronari ishte një plak,
njeri pa njeri, që në shpirt dukej se kishte veç paranë. Megjithatë, me ta
tregonte një dorëlëshim të çuditshëm. Çdo natë u qeraste nga një gotë, ndoshta
sepse ata i bënin shoqëri deri pas mesnate dhe e ndihmonin të shtynte kohën. Në
fund të fundit, ku do të shkonte edhe ai?
Ashtu e
kalonin jetën: e respektonin dhe e donin njëri-tjetrin. Kur kishin një gotë, e
pinin bashkë. Dhe, për aq sa zgjaste ajo gotë, dukeshin të lumtur.
Kishte
ndodhur që tregtarët e qytetit të ziheshin mes tyre e sherri të merrte dhenë.
Kishte ndodhur që piktorët të mos flisnin me njëri-tjetrin. Në ndonjë zyrë, dy
specialistë të të njëjtit profesion nuk përshëndeteshin për shkak të
rivalitetit. Madje edhe ish-kryetari i bashkisë nuk fliste me kryetarin e ri,
sepse ky i fundit ia kishte marrë mandatin. Po ashtu, e ndoshta edhe më keq, dy
shkrimtarë kalonin - njëri në njërën anë, tjetri në tjetrën - pa i folur
njëri-tjetrit. Të gjitha këto qytetarët i kishin kaluar me sportivitet.
Pijanecët, jo.
Qyteti
kishte njohur një lulëzim falë një investimi të huaj, por ai zgjati pak. Rruga
ku punonin shumë banorë përfundoi. Lokaleve nisi t'u binte xhiroja ditore dhe
edhe ato pak minikafe që u falnin pijanecëve ndonjë gotë filluan të
rralloheshin.
Edhe ata
ndryshuan.
Nuk i
tregonin më njëri-tjetrit se nga do ta kalonin ditën. Filluan të shkelnin
parimet e pijetarisë dhe të hynin në zonat e njëri-tjetrit. Gjendja u rëndua.
Jeta u bë më e vështirë.
Një ditë
plasi sherri.
Nuk
përdorën fjalë aq të ndyra sa dëgjohen në parlament. Vetëm i thanë
njëri-tjetrit:
- Ti s'je
burrë. - Burrë jam unë, jo ti.
Kaq
mjaftoi.
Që nga ajo
ditë nuk i folën më njëri-tjetrit. Kalonin pranë e pranë me fytyra të ngrysura.
Kishin mbetur pa lëngun e tyre të magjishëm.
Sipas
Pjetrit, fajin e kishin vetë, sepse kishin hyrë në zonat e njëri-tjetrit. Sipas
Nexhos, fajin e kishte kriza. Ndërsa sipas Kostës, fajtor ishte moti.
Secili
prej tyre mbante një gotë në xhep. Kurrë nuk pinin me gotën e tjetrit; pinin
vetëm me të tyren. Ishte një parim i pashkruar i pijetarisë.
Ishte një
ditë e zymtë. Pjetri mori udhën e vjetër dhe doli në kryqëzimin kryesor.
Zbriste kokëulur, pa mundur ta lagte gurmazin që sikur kishte nisur t'i zinte
ndryshk. Nga ana tjetër mbërriti Kosta, pijaneci i kryerrugës së qytetit. U
panë në sy, por nuk u përshëndetën. Edhe pse i kishte marrë malli të rrinin
bashkë e të pinin nga një gotë, heshtën. Në fund të fundit, çfarë mund t'i
thoshin njëri-tjetrit? Asnjërit nuk i kishte mbetur një lek në xhep. Ishte fund
muaji.
Të dy
hodhën sytë nga rruga prej nga pritej të vinte Nexho, por ai nuk po dukej. U
ulën në dy trotuare përballë njëri-tjetrit. Mes tyre kalonte rruga kryesore.
Asnjëri nuk foli.
Ndërkohë,
Nexho endej lokal më lokal, por askush nuk po i afronte një gotë.
- Kohë
krize... - murmuriste dhe largohej.
Kur e
humbi edhe shpresën e fundit, nën shushurimën e plepave dëgjoi dikë ta
thërriste. U kthye. Një mik i zgjati një shishe me gjysmë litre raki fshati.
Nexho e ngriti përpara syve, e tundi lehtë dhe pa rruazat e vogla që i
premtonin se ishte raki e mirë. E falënderoi, por nuk e hapi. Me shishen në
dorë mori vrap drejt kryqëzimit.
As vetë
nuk dinte pse po shkonte atje. Me Pjetrin dhe Kostën nuk fliste më. I kishin
hyrë në zonën e tij dhe lokalet nuk i prisnin më si dikur.
- Jeni
bërë shumë... Pastaj është kohë krize, e shihni edhe vetë... - u thoshin shpesh.
Kur
mbërriti në kryqëzim, pa Kostën ulur në trotuar. Në anën tjetër, pranë rrugës
së lumit, rrinte edhe Pjetri. Të dy dukeshin të mjerë.
Nexho nuk
foli. Nxori gotën nga xhepi dhe ia tregoi Kostës. Atij iu mblodh lëngu në gojë.
Fut dorën në xhep, preku gotën e tij bosh; prej ditësh nuk kishte rënë asnjë
pikë raki në të.
Pastaj
Nexho u kthye nga Pjetri dhe i tregoi shishen. Edhe ai mbeti duke e parë në
heshtje. Të dy ishin përqendruar te njeriu që nuk u thoshte as mirëmëngjes, por
po luante me dëshirën e tyre të pangopur.
Nexho u
bëri shenjë me gisht.
Ata u
ngritën dhe iu afruan. Askush nuk foli. Askush nuk e përshëndeti tjetrin.
Ai hoqi
tapën, tundi shishen derisa rakia bëri rruaza dhe mbushi gotën e vet. Pastaj
priti.
Edhe dy të
tjerët nxorën gotat nga xhepat.
Nexho ua
mbushi plot.
Të tre,
njëherësh, i kthyen gotat.
Ai ia vuri
sërish tapën shishes. Ata futën gotat në xhepa dhe, po në heshtje, u larguan
secili në drejtimin e vet, drejt lagjeve të tyre.
Shiu
vazhdonte të binte. Kishte tre muaj.
Çative u
rridhnin ende cirkat e vjeshtës.
- Është
kohë krize... - u dëgjua zëri i Nexhos. - Ndryshe... s'kanë pse zihen pijanecët.


