Albert Vataj: Kush e fshiu nga kalendari i të kremteve “1 Shtatorin” si ditën e fillimit të shkollës?!
Kush e fshiu nga kalendari i të kremteve “1 Shtatorin” si ditën e fillimit të shkollës?!

Sot
është 1 Shtator, në oborret e shkollave nuk ka fëmijë. Prindërit nuk janë më si
dikur, më të emocionuar se fëmijët e tyre që do të fillonin të hidhnin hapin e
parë në rrugën e dijes.
Rrugëve
këtë ditë nuk ka më fëmijë të ndrojtur që struken te prindërit e tyre, apo prej
tyre që mbajnë në duar buqeta lulesh për mësuesen e tyre të parë, në ditën e
tyre të parë, në hapin e tyre të parë në rrugën e dijes.
Ndoshta
nuk ka rëndësi kalendarike sa ç’ka simbolike përcaktimi i një date fikse të
fillimit të vitit të ri shkollor, një datë që shënjon, një datë që ruhet në
kujtesë, një datë që udhëton me ty si nisja, si fillimi i një rruge të gjatë
drejt dritës.
1
Shtatori ishte një prej tyre.
Ishte
dita kur fëmija e kuptonte se po linte pas një copëz të fëmijërisë së tij dhe
po hynte në një botë tjetër: një botë me banka, libra, dërrasë të zezë, zile,
rregulla, detyra, miqësi, frikë, ëndrra dhe një figurë që, për shumë vite, do
të mbetej në kujtesë, mësuesja e parë.
Ndoshta
nuk ka ndonjë rëndësi të jashtëzakonshme pedagogjike nëse viti shkollor nis më
1, më 10 apo më 14 Shtator.
Por
ka një rëndësi të madhe simbolike që një shoqëri t'i japë një date kuptimin e
fillimit.
Sepse
fëmijët nuk rriten vetëm me programe mësimore. Ata rriten edhe me kujtime.
Dhe
kujtimet nuk kanë nevojë për udhëzime administrative; kanë nevojë për momente.
Është
e vërtetë se 1 Shtatori si fillim tradicional i vitit shkollor lidhet me një
traditë të gjerë të vendeve të ish-Bllokut Lindor. Në Rusi, Ukrainë, Bullgari
dhe vende të tjera, 1 Shtatori vazhdon të jetë i lidhur me Ditën e Dijes, me
ceremoninë e fillimit të vitit shkollor dhe me një simbolikë të fortë publike.
Por
këtu lind pyetja:
A
duhet të fshijmë një kujtim vetëm sepse e ka përdorur një sistem që nuk na
pëlqen?
Nëse
po, atëherë do të duhej të rishikonim një pjesë të madhe të kalendarit tonë, të
gjuhës sonë institucionale, të ceremonive, të arkitekturës, të muzikës, madje
edhe të kujtimeve tona familjare.
Sepse
diktaturat nuk kanë shpikur fëmijërinë, as shkollën, as librin, as mësuesin, as
emocionin e ditës së parë.
Ajo
që ishte ideologjike ishte mënyra se si sistemi e përdorte shkollën. Por
fillimi i shkollës nuk është ideologji.
Një
fëmijë që hyn për herë të parë në klasë nuk është komunist, demokrat, lindor
apo perëndimor.
Është
thjesht një fëmijë.
Dhe
një mësues që i hap derën e klasës nuk është një relike e ndonjë sistemi
politik.
Është
një njeri që i hap një fëmije derën drejt dijes; që i jep dorën apo e ledhaton
për të qenë më me vetëbesim në këtë hap të parë që po hedh; për të qenë më
kureshtar në këtë të panjohur me të cilën takohet sot dhe do të lartësohet
nesër; për të qenë i sigurt se në klasë ai do të jetë jo vetëm me familjen e
tij, por me një familje më të madhe, me të cilën do të zbulojë një botë të re;
do të ketë shoqe e shokë me të cilët do të mësojë e do të luajë; do të ketë një
bankë që do të jetë e tija apo e saja.
Prandaj,
nëse 1 Shtatori u hoq për t'u distancuar nga një traditë e trashëguar nga
Lindja, pyetja që duhet bërë sot është më e thellë:
A
e hoqëm vetëm një datë apo, pa e kuptuar, po heqim edhe ceremoninë,
solemnitetin dhe respektin që duhet të rrethojë festën e kremtes së dijes?
Dikur,
dita e parë e shkollës kishte një lloj solemniteti që sot duket sikur po
tretet.
Nuk
ishte thjesht: "Hapet viti shkollor." Ishte një ngjarje. Prindi e
përcillte fëmijën. Fëmija që strukej drejt prindit që e përcjell dhe mësuesit
që e presin butësisht e ëmbëlsisht për t’u dhënë atyre, përmes shkollës, klasës
e bankës, një botë të re dhe një ëndërr që është ajo që ata duan.
Pas
shthurjes së ziles, natyrisht që duhej të hiqeshin njëherësh borizani,
rreshtimi, betimi, gjimnastika e mëngjesit, shalli i kuq i pionierit, jaka e
bardhë dhe uniforma, patjetër apeli dhe kontrolli i higjienës. Ndoshta ne duhet
të mbronim brezin e ri të mësimdhënies nga gjithë këto “kinezëri” e
“bolshevizma”, siç duhet t’ia ndalonim me rreptësi konsiderimin e shkollës si
një strehë asistence apo si një mundësi të mirë për t’i bishtnuar angazhimeve
familjare e për të injoruar çdo detyrim e përgjegjësi, apo për të qenë më i
lirë në çdo paudhësi e tekë moshore, të cilat për fat të keq e kanë marrë në
një kërcënim serioz autoritetin e shkollës si një institucion i dijes dhe
edukimit.
Por
sistemi modern i arsimit, ai që e konsideroi të parëndësishëm 1 Shtatorin duke
e fshirë si datë, rrezikon gjithnjë e më shumë ta kthejë mësuesin në një
administrues të një procesi: planifikime, formularë, dokumentacion, objektiva,
kompetenca, standarde, raporte, evidenca.
Dhe
diku mes gjithë këtyre plan-programeve ditore mësimore, mund të humbasë ajo që
nuk matet dot në formular: aftësia për të frymëzuar.
Për
fat të mirë, mësuesi i mirë nuk është thjesht ai që e përfundon programin, por
është ai që i bën nxënësit të duan të dinë më shumë se ç'u kërkohet.
Nuk
është thjesht ai që është "korrekt", është ai që është i drejtë.
Nuk
është thjesht ai që përcjell informacion, është ai që formon karakter.
Dhe
këtu qëndron paradoksi ynë. Flasim shumë për reformimin e shkollës, për metodat
e reja, teknologjinë, kompetencat dhe kurrikulat, por shumë më pak për pyetjen
themelore: çfarë lloj njeriu duam të dalë nga ajo shkollë?
Sepse
mund të kemi një nxënës që di shumë dhe kupton pak.
Mund
të kemi një nxënës që merr nota të mira dhe nuk di të mbajë përgjegjësi.
Mund
të kemi një fëmijë që përdor teknologjinë me mjeshtëri, por nuk di të lexojë
një libër.
Mund
të kemi një të ri që di të kërkojë gjithçka në internet, por nuk di të bëjë një
pyetje të zgjuar.
Kjo
është kriza e vërtetë.
Jo
data e fillimit, e cila natyrisht që nuk është prioritare në rëndësinë që ka
dhe duhet të ketë shkolla e mësimnxënia.
Në
këtë pikë, dallimi me Kosovën është domethënës. Në Kosovë, viti shkollor
2026/2027 nis më 1 Shtator.
Ndërsa
në Shqipëri, sipas kalendarit të miratuar nga Ministria e Arsimit, mësimi për
arsimin bazë dhe arsimin e mesëm të lartë nis më 14 Shtator 2026 dhe përfundon
më 18 Qershor 2027. Për maturantët përfundon më herët, më 4 Qershor 2027, në
funksion të përgatitjeve për Maturën Shtetërore.
Dallimi
në vetvete nuk është ndonjë dramë. Secili sistem ka arsyet e veta, kushtet e
veta, organizimin e vet. Por simbolika është e bukur për t'u menduar dhe
emocionuese për t’u bartur nga prindi te fëmija.
Në
njërën anë të kufirit politik, sot shkolla hap dyert. Në anën tjetër, oborret
janë ende bosh.
Dhe
kjo na rikthen te pyetja: A ka ende nevojë shoqëria shqiptare për ditë që i
japin dijes një fytyrë, një solemnitet, një kujtim?
Unë
besoj se po.
Madje
sot më shumë se kurrë.
Një
fëmijë ka nevojë ta ndiejë se po fillon diçka.
Ka
nevojë për një mëngjes ndryshe.
Për
një këmishë të re.
Për
një çantë të re.
Për
një lule.
Për
një fotografi pranë derës së shkollës.
Për
dorën e nënës.
Për
zërin e babait që i thotë: "Shko, mëso."
Për
një mësuese që i buzëqesh.
Për
një zile që tingëllon.
Këto
duken gjëra të vogla.
Por
fëmijëria ndërtohet nga gjërat e vogla.
Dhe
shumë vite më vonë, kur ai fëmijë të jetë burrë ose grua, kur të jetë larguar
nga qyteti, kur prindërit të jenë plakur dhe shkolla të jetë vetëm një ndërtesë
e largët në kujtesë, ai mund të mos kujtojë formulën e parë matematikore, as
faqen e parë të abetares.
Por
mund të kujtojë dorën e nënës që e mbante atë mëngjes.
Mund
të kujtojë lulen.
Mund
të kujtojë bankën.
Mund
të kujtojë fytyrën e mësueses.
Mund
të kujtojë frikën.
Dhe
mund të kujtojë atë çast të vogël e të madh kur për herë të parë ndjeu se bota
ishte më e madhe se shtëpia.
Prandaj,
le ta bëjmë pyetjen ndryshe.
Kush
e fshiu 1 Shtatorin?
Ministria?
Reforma?
Kalendarët
e rinj?
Dëshira
për t'u shkëputur nga e kaluara?
Nuk
është kjo pyetja më e rëndësishme.
Pyetja
e vërtetë është:
Çfarë
kemi humbur bashkë me të?
Nëse
kemi hequr vetëm një datë, nuk ka ndodhur asgjë.
Por
nëse, duke hequr datën, kemi humbur edhe solemnitetin e fillimit, autoritetin e
mësuesit, respektin për librin, përgjegjësinë e nxënësit, përfshirjen e prindit
dhe idenë se shkolla është një tempull i dijes, atëherë problemi nuk është më
kalendari.
Problemi
është shkolla.
Dhe
shkolla është shumë më tepër se një ndërtesë ku zhvillohen orët e mësimit.
Ajo
është një nga institucionet ku një shoqëri perpiqet të riprodhojë veten.
Aty
ajo i thotë brezit të ri:
"Këta
jemi ne. Këto janë dijet tona. Këto janë vlerat tona. Këto janë gabimet tona.
Këto janë ëndrrat tona. Merri, kuptoji, kundërshtoji kur duhet dhe bëji më të
mira."
Prandaj
një shoqëri që nuk e nderon shkollën, herët a vonë do të përballet me një brez
që nuk e kupton pse duhet ta nderojë dijen.
Dhe
kjo është shumë më e rrezikshme se ndryshimi i një date në kalendar.
1
Shtatori mund të mos jetë më dita e parë e shkollës.
Por
mund të mbetet dita kur kujtojmë pse shkolla duhet të jetë e para.
Sepse
një komb nuk fillon të ndërtojë të ardhmen kur hap një fabrikë, një rrugë apo
një kullë.
E
ardhmja fillon atë mëngjes kur një fëmijë hap librin e parë.
Dhe
ndoshta kjo është ajo që duhet të rikthejmë: jo domosdoshmërisht 1 Shtatorin si
datë administrative, por 1 Shtatorin si simbol.
Sepse
datat mund të ndryshohen me një vendim.
Por
një shoqëri që e humb ceremoninë e dijes, rrezikon të humbë edhe vetë kuptimin
e dijes.


