Ismet Kallaba: Studim monografik etnokulturor me rëndësi të shumëfishtë

Studim monografik etnokulturor me rëndësi të shumëfishtë
Nga
Ismet Kallaba
Gazetari,
publicisti dhe studiuesi Gjekë Gjonaj ka botuar së fundi librin “Trieshi
–tradita dhe trashëgimia ”, një studim
monografik etnokulturor që vjen si dhuratë e autorit për vendlindjen e tij, por
njëkohësisht edhe shlyerje e një “borxhi” moral. Sepse siç thotë ai në hyrje,
“ky libër nuk lindi thjesht si rezultat i një pune kërkimore apo si një projekt
akademik formal, por si një thirrje e brendshme dhe morale për të mos lejuar që
kujtesa historike dhe kulturore e Trieshit të zbehet me kalimin e kohës”.
Libri
trajton aspekte të ndryshme të Trieshit, kësaj treve të veçantë etnogjeografike
shqiptare. Materialin e shtjelluar në libër Gjonaj e ka ndarë në dhjetë
kapituj, ku trajton prejardhjen, vendbanimet, fiset dhe popullatën (kreu I),
ushqimet popullore (kreu II), arkitekturën popullore (kreu III), virtytet
etnopsikologjike (kreu IV), traditat dhe zakonet (kreu V), folklorin (kreu VI),
bestytnitë (kreu VII), objektet arsimore dhe fetare (kreu VIII), trashëgiminë
natyrore (kreu IX) dhe toponiminë e Trieshit (kreu X).
Në
parathënien e librit, redaktori Prof. dr. Anton Nikë – Berisha shprehet se
“Dukuritë e vështruara dhe të ndriçuara si dhe dëshmitë e shumta që sjell për
trashëgiminë e pasur dhe të lashtë të malësorëve të Trieshit të Malësisë së
Madhe, po dhe të dhënat e tjera, të shtjelluara e të ndriçuara me dije e
përkushtim, e bëjnë studimin e Gjekë Gjonajt të një rëndësie të shumëfishtë”.
Ndërkaq
recensenti Prof. dr. Hajrullah Koliqi vlerëson se kjo vepër “është një studim
monografik i mirëfilltë për zonën e Trieshit, ku pulson zemra e autorit, e
këtij intelektuali humanist dhe atdhetar, me dinjitet dhe integritet
shembullor”.
Libri
është botuar nga Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, me
mbështetjen e Agron Dedivanajt dhe Gjokë Gjolajt, dy bashkatdhetarëve tanë nga
Trieshi me banim në SHBA. Ai është shtypur në shtypshkronjën IVPE – Cetinë,
ndërsa redaktor teknik i librit është Gazmend Çitaku.
Gjekë
Gjonaj është autor i dhjetë librave, ndërsa ka përkthyer katër vepra në gjuhën
shqipe dhe malazeze. Ai ka kontribuuar gjithashtu si redaktor, recensent dhe
korrektor i disa botimeve të autorëve shqiptarë. Ka bashkëpunuar dhe
bashkëpunon me një sërë mediesh dhe portalesh shqiptare në Mal të Zi, Shqipëri,
Kosovë dhe diasporë. (Koha javore)


