Gjon Marku: Xhaketa

Tregim nga Gjon
Marku
Salla
e Akademisë së Arteve po boshatisej pas shfaqjes së operës "Mrika". Mentori, Fabiola, Alma
dhe Gjini pothuajse qenë të fundit që e lanë sallën. Kur po kapërcenin derën e
jashtme të saj, vunë re se një shi i imët kishte lagur bulevardin kryesor, duke
ia forcuar ngjyrën gri.
Edhe pse binte shi,
ecnin me një hap mjaft të ngadaltë, por kurrsesi nuk kishin dalë për shëtitje.
Veshur si për një darkë të veçantë dhe me një humor të pazakontë, të katër
studentët lëviznin drejt qendrës së kryeqytetit, ku kishin vendosur të festonin
së bashku ditëlindjen e Mentorit, i cili të nesërmen do të nisej drejt jugut në
praktikat e fundshkollës.
Mentori me Gjinin
pothuajse u kishin dhënë fund studimeve, pasi për të dy kishin mbetur vetëm
praktikat dhe provimet e diplomës. Të dy nga i njëjti vend, shtatëmbëdhjetë
vjet bashkë në bankat e shkollës, s'kishin shkëmbyer kurrë një fjalë të keqe.
Të dy të shkëlqyer dhe të propozuar për pedagogë të universitetit.
Edhe pse në vitin e
tretë, të ndarë në specialitete të ndryshme, ishin prapë bashkë në një dhomë.
Të dy njësoj të gjatë dhe dukej se kishin marrë shumë edhe në tipare nga
njëri-tjetri.
Ndërsa Fabiola me Almën,
edhe ato nga i njëjti vend, tashmë prisnin me tërë entuziazmin suksesin e të
dashurve të tyre, të cilët për pak kohë prisnin emërimin. Të katër kishin
ardhur nga e njëjta shkollë; atje, në shkollën e mesme, ishin njohur
fillimisht. Mentori me Almën, e kjo e fundit ishte bërë shkak për lidhjen midis
Gjinit dhe Fabiolës.
Biseda e tyre ishte
endur sa te ditëlindja e Mentorit, sa te emërimi i tyre e sa te xhaketa e
Gjinit. Kjo e fundit ishte e prerë bukur, sa s'ka. Në fakt, Gjini shquhej për
shijet e tij të holla dhe guston e veçantë në veshje. Ai ishte edhe më mirë
ekonomikisht. Ndërsa Mentori ishte disi ngushtë nga kjo anë e, kështu, vishej
disi më dobët.
Hynë diku në anën e
majtë të bulevardit, në një lokal që enkas ishte për të rinj, dhe aty morën
diçka më shumë për të uruar Mentorin, i cili të nesërmen do të merrte rrugën
drejt jugut në turneun e fundshkollës. Gjini do të qëndronte në Tiranë, në
ndjekje të eksperimentit të tij në serë.
Mentori mezi e kishte
pritur këtë fundviti. Për të, guida nëpër qytetet e jugut do të ishte një
mrekulli. Gjatë e kishte përjetuar këtë moment dhe ishte përgatitur
shpirtërisht prej shumë kohësh, si për një turne në ndonjë vend të Perëndimit.
Po ktheheshin drejt
stacionit të autobusit. Kaluan para Ambasadës së Vatikanit, e ndërtuar me një
arkitekturë të veçantë, kur Gjini, duke qeshur, i tha Mentorit që të nesërmen
të merrte xhaketën e tij.
Mentori qeshi.
- Ky pelivan ma paska
lexuar mendimin, - tha me vete.
- Merre që të dukesh më
i bukur, veç kujdes se do të marrësh në qafë femrat e jugut.
Mentori u bë pak më
serioz se zakonisht.
- Jo, Gjin, ti s'ke as
tri ditë që e ke veshur.
- Po, po, - ndërhyri
Fabiola, - merre. Ti mezi e prite këtë ekskursion. Si thua ti, Alma?
- Po, Mentor, veç
kujdes, me vajzat e jugut s'ke punë.
Ia dhanë të qeshurës të
katër.
- Mirë, Alma, kështu
jemi një me një, - vijoi humorin e tij Gjini. - Po kur të kthehet Mentori, do
të flasësh ndryshe.
Kështu, të gjithë ranë
në një mendim dhe, me atë humor, u kthyen para godinës nr. 8 për të ndenjur
gjatë, derisa roja e godinës paralajmëroi mbylljen e saj.
Mentori dhe Gjini u
kthyen në dhomën e tyre, ku bënë gati çantën e Mentorit. I vendosën me kujdes
librat, rrobat dhe fletoret e leksioneve.
Edhe pse ranë vonë për
të fjetur, ata u ngritën herët. Mentori, i veshur bukur, me humorin e tij të
zakonshëm dhe me një nur të veçantë, rendi drejt godinës nr. 8. Formuloi
melodinë e tij të zakonshme dhe shumë shpejt, në katin e katërt, u shfaqën
siluetat e Almës dhe Fabiolës, të cilat dhanë të kuptonin se po vinin.
Zbritën poshtë. Alma s'e
fshehu dot krenarinë e saj dhe, bashkë me përshëndetjen e zakonshme, zgjati
kokën dhe e puthi lehtë të dashurin e saj.
- Ej, ej, pritni, unë
jam këtu! - ndërhyri Fabiola.
Kaluan rrëzë godinës dhe
dolën në rrugicën që lidhte godinat me njëra-tjetrën. Pasi u bashkuan me
Gjinin, u nisën drejt Fakultetit të Agronomisë.
Aq shumë i shihje bashkë
ata, saqë, kur mungonte ndonjëri prej tyre, të krijohej përshtypja se diçka
kishte ndodhur.
Përshëndetje, puthje dhe
pastaj autobusi la portën e universitetit për t'u shkëputur drejt jugut.
Alma e përlotur bënte me
dorë. Gjini dhe Fabiola, të mbështetur te njëri-tjetri, gjithashtu. Pastaj të
tre zbritën poshtë rrugës me pisha që të fuste në zemër të qytetit, ku
ndodheshin godinat e tyre.
Kur shkuan afër
amfiteatrit, Fabiola, me të qeshur, tha:
- Sa i bukur që ishte
bërë Mentori, apo jo, Alma?
- Tallu ti, tallu, -
ndërhyri Alma. - Këtë bukuroshin tënd e ke këtu, ndërsa ai për dy javë...
- Si do t'ia bëni tani,
kur të ikim fare? - ndërhyri Gjini.
- Kollaj, - tha Fabiola.
- Ju kot s'jeni propozuar për profesorë, kështu që këtu ju kemi natë për natë e
ditë për ditë. Pale më, do të na jepni edhe mësim!
- Pse, a nuk kemi qenë
deri tani profesorët tuaj? - tha tjetri gjithë mburrje.
- Po pra, po, - ndërhynë
ato të dyja njëherazi, por shakaja nuk pati shijen e zakonshme, pasi Alma qe
disi e mërzitur, kështu që u ndanë ftohtë.
***
Autobusi
me studentët e dy grupeve të Fakultetit të Agronomisë mori rrugën drejt Ujit të
Ftohtë në Vlorë. Jashtë binte një shi i furishëm. Deti gulçonte, ndërsa valët e
tij suleshin vrullshëm drejt bregut shkëmbor. Qielli, ngjyrë gri, të ngjallte
një ankth të brendshëm; megjithatë, ata ia kishin nisur këngës të gjithë së
bashku.
Frynte një erë e
pazakontë, a thua se donte ta shuante këngën dhe humorin e tyre. Por ata as që
donin t'ia dinin. Të gjithë ishin me humor të mirë, veç ai, shoferi, diçka
bluante me vete. Fytyra i kishte marrë një pamje të vrazhdë, ashtu si koha
jashtë autobusit, i cili sikur donte të fluturonte, si ata të rinj, gjokset e
të cilëve i mbushte vrulli i moshës.
- Alma, sa fort të
dua... - buçiste vrullshëm kënga.
Zëri i Mentorit shquhej
mbi zërat e të tjerëve. A thua se i këndonte vërtet Almës së tij të bukur, për
të cilën ndoshta e kishte marrë malli, edhe pse s'kishte veçse dy ditë që nuk e
kishte parë dhe tani ishin paksa larg. Ajo atje, në Universitetin Bujqësor,
ndërsa ai këtu, në bregun e Detit Jon.
Jashtë frynte furtunë,
brenda gjëmonte kënga: "...E çiftja bam..."
Drejtuesi i mjetit
merrte e jepte. Si t'ia bënte? Dyzet veta në autobus, dy profesorë të nderuar.
Makina nuk bindej më; shpejtësia sa vinte e rritej. Kishin hyrë në Qafën e
Llogarasë. Jashtë, një furtunë e pazakontë. Kthesat pasonin njëra-tjetrën.
Rruga ishte në zbritje. Humnerat drejt detit binin thikë. Deti kërcënonte
ashpër, duke përplasur valët në breg.
O Zot! Kurrë në jetën e
tij s'kishte qenë më ngushtë. Njëzet e tre-katërvjeçarë, që prisnin të
përfundonin studimet e pas disa muajsh do të drejtonin ekonomi të tëra, tani
gjendeshin në buzë të varrit, tërësisht në dorën e fatit.
Shpejtësia e autobusit
shtohej. I erdhi të ulërinte, por e mbajti veten. Tetëdhjetë kilometra në orë
nëpër ato kthesa pa fund, nëpër ato rrugë ku çdo çast mund të përfundoje në
humnerë.
- Më ngadalë! - dëgjoi
zërin e profesorit që rrinte në sediljen e parë të autobusit.
Po si më ngadalë? -
mendoi me vete. Autobusi nuk bindej. Tani më komandon ai mua e jo unë atë. Ai
është kthyer në përbindësh. Do të fluturojë. Po, po, do të fluturojë. Dreqi e
mori!
Kaloi edhe Pisha Flamur,
e gdhendur dhe e krasitur me kujdes jo nga agronomë të vjetër, as nga studentë
të agronomisë, por nga dora e natyrës.
Tani gjithçka ishte
jashtë kontrollit. I bëri me dorë profesorit të afrohej. Tjetri s'lëvizi nga
vendi. Diçka kishte kuptuar.
Brenda autobusit tani
kishte rënë një qetësi varri. Askush nuk fliste. Jashtë, furtuna vazhdonte
ashpër, sikur po festonte triumfin e saj.
Shoferi bëri sërish me
dorë nga profesori. Tjetri u afrua pranë tij.
- Autobusi është
çmendur...
Profesori u ngrit në
këmbë. Fytyra, dyll e verdhë, kishte marrë hijen e vdekjes. Dukej se do të
paralajmëronte atë që tani e kishin kuptuar të gjithë.
Sytë u ngulën tek ai, i
cili nuk fliste. Shquhej si një burrë tepër i matur, por tani...
- Bijtë e mi, - u
drejtua ai, si në asnjëherë tjetër, me një zë që dilte thellë prej gjoksit. - Autobusi
ka pësuar një defekt të vogël. Mbahuni fort, që kur të mund të frenojë, të mos
përplaset asnjëri.
Një «oh» e gjatë e mbyti
fjalën e tij.
Ai u ul në sedilje dhe u
kap fort pas tubave të inoksit. Hodhi vështrimin mbi fytyrën e shoferit për të
kuptuar diçka. Një pikë e madhe loti rrëshqiste nëpër faqen e tij.
I erdhi në mendje vajza
e tij, studente e vitit të pestë, në të njëjtën moshë me këta studentë.
Mentori kujtoi
ditëlindjen e tij, kur ata të tre ishin ngritur dhe e kishin uruar. Dora i kapi
fort cepin e xhaketës.
«Mentor, merr xhaketën
time nesër, të dukesh më i bukur; veç kujdes se do të marrësh në qafë femrat e
jugut.»
«Të rri shumë bukur,
Mentor», - sikur i pëshpëriti në vesh Alma.
Tani ai ishte aq larg
saj. Mund të mos takohej me të më kurrë.
- Jo! - lëshoi një
klithmë të fortë, e cila u pasua nga një kor klithmash.
Autobusi tani fluturonte
drejt detit gulçues. Rrugën e kishte lënë pas. Ata gjendeshin ballë për ballë
me vdekjen.
Klithma u ndal bashkë me
autobusin, poshtë në humnerë.
Shoferi i kishte dhënë
lamtumirën e fundit jetës së tij dhe tani shtrihej në bregun shkëmbor, i
gjakosur. Ndërsa në faqe një lot i kishte ngrirë.
Po ashtu, i vdekur ishte
edhe një student.
Studentët dhe
profesorët, sy përlotur, njëri i plagosur, tjetri i sakatuar, merrnin e jepnin
me vdekjen.
Vdiq edhe ai studenti i
perimtarisë që kishte marrë plagë në kokë.
Ata të gjithë e shihnin
vdekjen me sy.
Mentori gjithashtu ishte
plagosur rëndë në kokë, prej nga gjaku kishte rënë në supin e djathtë të
xhaketës së Gjinit.
Furtuna vazhdonte.
Kryesisht frynte erë. S'kishte zgjatur shumë dhe aty ishin gjendur ambulancat
dhe mjekët e spitalit të Himarës. Pas afro një ore, në afërsi të vendit të
aksidentit kishin mbërritur dy helikopterë të ndihmës së shpejtë, ku me
shpejtësi u vendosën studentët që ishin më rëndë.
Mentorit, në fakt, nuk i
dukej vetja aq keq, por mjekët kishin urdhëruar hipjen e tij në helikopter.
Edhe aty, brenda helikopterit, pothuajse të gjithë ishin përqendruar tek ai
dhe, kryesisht, doktor Agim Qarri merrej me plagën që kishte në kokë, ndërsa helikopteri
lëkundej në ngjitjen e tij mbi Llogara.
Çudi, mendoi Mentori dhe
pyeti veten për përqendrimin e mjekëve tek ai, ndërsa me të tjerët merreshin më
pak.
I erdhi një gjumë i
thellë.
Në shtëpinë e tij
prisnin shumë njerëz në një dasmë të çuditshme. E ëma, e veshur me të zeza,
këndonte një këngë të pakuptimtë për të. Ndërsa Alma, e veshur me një vello të
zezë, u printe krushqve, e lodhur deri në palcë. Gjini me Fabiolën nuk dukeshin
askund. I ati zgjaste dorën t'ua jepte miqve, por kokën e mbante mënjanë.
Ishin të gjithë shokët e
grupit, madje të gjithë shokët e kursit, veç Gjinit dhe Fabiolës. Alma herë
shfaqej e herë zhdukej. Velloja e zezë s'i jepte një nur të mirë.
Po pse, dreqin, dasma
ishte kështu?...
...Në helikopterin e
urgjencës kishte shpërthyer një britmë e fortë. Helikopterët ishin përplasur me
njëri-tjetrin për t'i shuar të gjithë. Vdekja i kishte ngjeshur me
njëri-tjetrin për t'i bërë një të dy helikopterët dhe për të dalë fitimtare mbi
ta, mbi ata me të cilët kishte luftuar aq gjatë.
***
Gjini
ishte kthyer i lodhur nga eksperimenti në serë. Ishte vonë, kështu që vendosi
të mos shkonte, si zakonisht, te Fabiola. U ul në tavolinën e punës për të
përpunuar të dhënat e eksperimentit. Papritmas hyri roja e godinës dhe i tha se
e kërkonin jashtë. U vesh dhe doli me një frymë.
Fabiola dhe Alma prisnin
vetëm pak metra larg hyrjes së godinës. Ato kurrë nuk kishin ardhur në godinë
për të kërkuar atë apo Mentorin. Kështu, kjo gjë i dha të kuptonte se diçka e
pazakontë u kishte ndodhur.
Hungërima e një qeni të
fuste tmerrin. Herë në një cep e herë në një tjetër të godinës së tij...
Studentë që vinin e shkonin. Qytetin e tyre e kishte kapluar një trazim i
brendshëm.
- Po ju?
- Dëgjo, larg qoftë,
thonë se autobusi është rrëzuar.
- Pusho! Ç'janë këto
fjalë?
Alma filloi të qante.
Ora tani pothuajse ishte njëmbëdhjetë e natës. Studentët vinin e shkonin.
Një makinë u fut nëpër
rrugica dhe u drejtua drejt godinës nr. 8. Por ato nuk patën kohë të merrnin
vesh se çfarë ndodhi. Artjola, e veshur me të zeza, zbriti shkallët dhe u ngjit
në makinë, e cila u nis menjëherë.
Në çdo vend pyetej:
- Vërtet ka rënë
autobusi? Vërtet?
Hungërima e qenve të
fuste frikën. Ato mbillnin një kob të zi.
E gjithë nata kaloi me
ecejake nëpër universitet. Rrugicat ishin zhytur në ankth. Mensat e studentëve,
në mëngjes, nuk patën vizitorët e zakonshëm, dhe kjo nuk kishte ndodhur kurrë
më parë.
Ata të gjithë kishin
marrë rrugën drejt Fakultetit të Agronomisë si një kortezh i çuditshëm. Edhe
ata të Ekonomikut, inxhinierët, zooteknikët dhe veterinerët.
Para godinës së
Agronomisë gjendeshin të gjithë. Salla 101 ishte mbushur si asnjëherë tjetër.
Dënesa e studentëve ishte kthyer në një kor.
Nuk vonoi dhe brenda hyri
rektori, i shoqëruar nga disa pedagogë. Sy përlotur, nisi të lexojë lajmin e
hidhur, emrat e të vdekurve...
Profesor Misto Shumeli...
Dënesa ishte kthyer në
një vaj me zë.
Mentor...
Almës i kishte rënë të
fikët.
Pastaj ambulanca që
vinte dhe ikte. Merrte dikë: të vëllanë e dikujt, të motrën e dikujt tjetër, të
dashurin apo të dashurën e ndonjë tjetri që kishte vdekur.
Filluan të grupoheshin
studentët që do të shoqëronin të vdekurit në familjet e tyre. Gjini, Fabiola
dhe Alma u bënë gati të futeshin në autobusin që do të shkonte në vendlindjen e
Mentorit.
- Gjin, - thirri shefi i
katedrës, - ju jeni caktuar të qëndroni në Tiranë.
- Në asnjë mënyrë! -
ndërhyri Gjini. - Unë do ta shoqëroj Mentorin. Kemi një jetë të tërë bashkë;
tani të mos jem në lamtumirën e fundit s'ka kuptim.
- Katedra të caktoi ty
si përfaqësues për të mbajtur kurorën, natyrisht së bashku me mua, te kolegu
ynë.
Fjala "kolegu"
Gjinit i tingëlloi disi pa vend. Por aty për aty ia priti shkurt:
- Po pse, Mentori a nuk
është kolegu ynë?
Shefi i katedrës, disi i
mundur, ngriti supet, duke i dhënë të kuptonte se ishte i lirë të udhëtonte
drejt Veriut.
Kështu, Gjini mbeti
vetëm në dhomën e tij. Librat e Mentorit, fletoret, aty në komodinën e vogël.
S'kishte kaluar as një
javë, kur Alma me Fabiolën u gjendën sërish para godinës nr. 3, ku banonte
Gjini, të veshura në të zeza, me fytyrat e zverdhura si dylli.
Kush tjetër mund të ketë
vdekur? - mendoi Gjini, - që sërish kanë ardhur këtu.
- Jam nisur për në
shtëpinë e Mentorit, - mërmëriti Alma. - Gjin, unë dua t'u them se Mentori
kishte veshur xhaketën tuaj!
Këto fjalë Gjinit i ranë
si bombë.
- Kujt do t'ia thuash? -
ndërpreu zymtë Gjini.
Toni i fjalëve të tij
ishte tepër i ashpër.
- Kurrsesi, jo... Ju
kështu më fyeni.
Fabiola vështronte
ngultas të dashurin e saj, i cili kishte nisur të përlotej e të dridhej prej
nervave, dhe as vetë nuk e kuptoi se si formuloi një:
- Më fal, Gjin.
Morën rrugën teposhtë
drejt godinës nr. 8.
Vëllai i Almës priste të
motrën.
Mbaruan studimet dhe,
vërtet, Gjini mbeti aty, në Universitetin Bujqësor, si pedagog. Almës dhe
Fabiolës u jepte praktikat, por gjithmonë në grupin e tyre ndihej keq.
Iku shpejt ai vit dhe
Alma u kthye në qytetin e saj të lindjes dhe, pas disa kohësh, ato i humbën
lidhjet.
Gjini kishte ngurruar ta
ftonte në dasmë, ndërsa Fabiola e kishte ftuar, por përgjigjja e të vëllait
kishte qenë se ajo ishte martuar dhe ishte larguar për në Itali. Letra kishte
qenë e shkurtër, ndërsa në një prej rreshtave të saj shkruhej se ishte martuar
me një mësues fizike.
Të gjallët me të gjallët
e të vdekurit me të vdekurit.
Kështu, pothuajse, ata u
harruan.
S'kishin kaluar as pesë
vjet, kur një natë në shtëpinë e tyre u shfaq përfytyrimi i Mentorit dhe i
Almës. Ajo, nga Italia, shkruante se do të kthehej. Madje kërkonte ta prisnin
aty, te lokali ku kishin festuar ditëlindjen e Mentorit.
«Dua patjetër të më
prisni. Patjetër dua të takoj së paku njërin.»
Gjini me Fabiolën dolën
aty që herët. Kishin kohë, kështu që morën rrugën drejt Korpusit Qendror të
Universitetit. Kaluan fare pranë Akademisë së Arteve.
Pllakata e vendosur në
një tabelë lajmëronte shfaqjen e operës „Mrika". Kjo e bëri Gjinin të zymtë.
Me sa duket, e futi në një botë kujtimesh të këqija. Fabiola, kur pa pllakatën,
u drodh dhe bëri të ikte një minutë e më parë.
Ashtu, të heshtur, të
mbështetur te njëri-tjetri, morën rrugën për në qendër. Mendimet i kishin
hedhur pesë vjet më parë. Kishte qenë ditëlindja dhe, dy ditë më vonë,
ditëvdekja e tij. Ai ishte shuar si një meteor i vogël.
- O Zot! - mërmëriti
Gjini.
- Çfarë, Gjin? - pyeti
Fabiola, e trembur prej fjalëve të tij.
- Asgjë... Asgjë... Sot
Mentori do të mbushte...
- Mjaft, Gjin, të lutem,
ikim. S'dua të kujtoj asgjë. Edhe Alma gaboi rëndë që na ftoi ne sonte
pikërisht aty ku, vite më parë, festuam ditëlindjen e tij. Përse duhej kjo?
Tani ajo ka jetën e saj. Në fund të fundit, s'festohet ditëlindja e të
vdekurve. Ndoshta s'bëmë mirë as ne që erdhëm.
- Jo, Fabiola, ne bëmë
mirë dhe do ta presim Almën, se s'bën. Kemi qenë miq të vjetër.
Në kafe
"Rinia" s'kishte njeri tjetër, përveç tyre, kur në derë u shfaq ajo.
E veshur si për një ceremoni mortore, me kostum të zi. Po ashtu edhe i shoqi,
me një valixhe në dorë.
U përshëndetën dhe, pasi
pinë kafe, ato u ngritën që të iknin.
Po përse me kaq
urgjencë, pa thënë se pse, aq i alarmuar ky takim? - mendoi Gjini.
Por Alma s'e la të
mendonte më gjatë, sepse me duart që i dridheshin nisi të hapte valixhen. Sytë
e saj tashmë ishin mbushur me lot. I shoqi pothuajse e kishte kapërcyer derën e
lokalit.
Ashtu, me fjalë gjysmë e
gjysmë, nxori prej andej një xhaketë të paketuar bukur.
- Merre, Gjin, është e
jotja.
Gjini filloi të dridhej
i tëri. Fjalët e saj të fundit ishin thënë me një zë që dridhej, ndërsa dy lot
të vegjël i rridhnin nëpër mollëza.
- Kurrsesi! Ju nuk duhej
ta bënit këtë.
- Merre, merre, Gjin...
- në fakt, atij iu duk sikur tha Mentori. - Merre, është e jotja.
Dhe u largua ashtu, e
përlotur, drejt hyrjes së lokalit.
Fabiola dridhej, ndërsa
ai mbështeti kokën ndër duar. U mundua të fshihte përlotjen e tij. Nxori nga
xhepi disa para, i hodhi në tavolinë dhe nisi të lëvizte drejt derës.
Fabiola mbante në dorë
xhaketën e tij, e cila i dukej e rëndë si plumb. Po, po, ajo nuk fliste dot,
sepse aty ishte një histori e kaluar, e gdhendur me mall.


