Gjon Marku: Tokë e djegur

ese
Nga
Gjon Marku
Kur Shqipëria digjet, kush e dëgjon klithmën e saj?
Në degët e
gjelbra ku dikur këndonte bilbili, sot zgjat gjuhën shtriga e flakës dhe e
indiferencës së pushtetit. Era nuk sjell më aromën e pyllit, por erën e hidhur
të tymit. Pemët rrëzohen njëra pas tjetrës dhe toka, dikur e gjelbër e plot
jetë, mbulohet me cungje të zeza. Në vend të këngës së zogjve, dëgjohet
kërcitja e drurëve që digjen.
Ka net që
Shqipëria nuk fle. Jo sepse qytetet janë zgjuar, jo sepse njerëzit kanë dalë në
rrugë, jo sepse ndonjë ngjarje e madhe ka tronditur vendin. Shqipëria nuk fle sepse
malet e saj digjen.
Ditë natë
natë ditë, flakët ngjiten shpat më shpat. Pyjet kërcasin. Pemët shemben si
trupa të rrëzuar në një luftë pa ushtarë. Tymi ngrihet drejt qiellit dhe mbulon
yjet. Ajri bëhet i rëndë, toka përzhitet, kafshët ikin të tmerruara, dhe
njerëzit shohin me ankth drejt malit, duke pyetur veten nëse zjarri do të
ndalet para shtëpisë së tyre.
Por diku
tjetër, shumë larg asaj flake, jeta vazhdon.
Dritat e
hoteleve janë ndezur. Restorantet janë plot. Bregdeti është mbushur me njerëz.
Dhe disa prej atyre që duhet të jenë në krye të përgjegjësisë publike,
vazhdojnë të shijojnë verën sikur kjo Shqipëri të ishte vetëm një bregdet i
bukur, një resort, një fotografi për rrjetet sociale.
Ky është
kontrasti që dhemb: në njërën anë Shqipëria digjet, në anën tjetër Shqipëria
shijohet. Dhe mes tyre qëndron një hendek i madh - hendeku midis atij që lufton
për të shpëtuar një pyll dhe atij që e sheh pyllin vetëm nga ekrani i
televizorit.
Është një
realitet që përsëritet çdo verë dhe që këtë gusht na përballet sërish me një
pyetje të dhimbshme: çfarë po i bëjmë Shqipërisë?
Në ditët
kur temperaturat përvëlojnë, toka thahet dhe pyjet bëhen të pambrojtura
përballë flakëve, zjarri nuk djeg vetëm pemët. Ai djeg kujtesën e një vendi.
Djeg hijen e lisave ku janë ulur breza të tërë djeg legjendat e zana e mitet me
dragoj. Djeg burimet, kullotat, shpatet, biodiversitetin dhe bukuritë që nuk
mund të zëvendësohen me asnjë fond, asnjë tender dhe asnjë premtim elektoral.
Dhe ndërsa
malet rënkojnë, një tjetër pamje shfaqet përballë nesh.
Në njërën
anë janë zjarrfikësit - burra e gra që hyjnë në flakë kur të tjerët largohen
prej saj. Njerëz që luftojnë me mjete shpesh të pamjaftueshme kundër një
përbindëshi që përhapet me erën dhe indiferencen e pushtetit te korruptuar. Ata
nuk bëjnë fotografi pranë zjarrit. Nuk flasin gjatë. Nuk kërkojnë duartrokitje.
Hyjnë në ferr për të shpëtuar atë që mund të shpëtohet.
Në anën
tjetër është pushteti. Jo i gjithë pushteti, sepse ka edhe njerëz që punojnë e
përballen me krizën. Por ekziston ajo fytyrë e pushtetit që shqiptarët e shohin
prej vitesh: larg dhimbjes së njerëzve, larg fshatrave të izoluara, larg maleve
që digjen.
Ndërsa një
mal kthehet në hi, dikush tjetër vazhdon pushimet sikur asgjë nuk po ndodh.
Ndërsa një familje largohet nga shtëpia me frikën se mos flakët i marrin
gjithçka, dikush tjetër numëron ditët e pushimeve. Ndërsa zjarrfikësi lufton me
kuçedrën e zjarrit, pushtetari mund të jetë duke parë detin.
Ky
kontrast është ndoshta më i dhimbshëm se vetë flaka. Sepse Shqipëria nuk është
vetëm bregdeti. Shqipëria është edhe mali. Është pylli. Është lumi. Është
burimi. Është fshati. Është toka që ushqen njerëzit. Është ajo hapësirë e
gjelbër që na ka mbetur ende për t'ua lënë fëmijëve tanë.
Por çfarë
do t'u lëmë atyre? Një vend me male të zhveshura? Një tokë të zezë? Një qiell
të mbushur me tym? Apo vetëm fotografi të vjetra, ku pyjet duken ende të
gjelbra?
Në agim,
pas një nate zjarri, gjithçka duket tjetër. Agu vjen i vrazhdë e i thatë. Nuk
ka vesë, nuk ka freski, yjet duken të turbullta. Dhe në sytë e zjarrfikësve të
lodhur nuk ka më vetëm pagjumësi. Ka edhe një pyetje që ndoshta askush nuk ua
bën: A ia vlejti të luftonim gjithë natën, nëse nesër gjithçka do të harrohet?
Sepse ne
kemi një sëmundje të rrezikshme: harrojmë shpejt.
Kur digjet
një pyll, zemërohemi. Kur vdes një njeri, tronditemi. Kur evakuohet një fshat,
shqetësohemi. Kur kamerat largohen, gjithçka zbehet - deri në zjarrin tjetër.
Kështu
krijohet një rreth vicioz: zjarri, tmerri, lajmi, deklaratat, fotografitë, premtimet,
dhe pastaj harresa.
Por toka
nuk harron. Ajo i mban në trupin e saj plagët e çdo zjarri. Një pemë e djegur
nuk ringjallet nga një deklaratë politike. Një pyll nuk rritet me një
konferencë shtypi. Një burim i tharë nuk kthehet nga një postim në rrjetet
sociale.
Natyra
kërkon kohë. Dhe ne po ia marrim atë kohë.
Kjo është
arsyeja pse vargjet
"Rënkon,
rënkon si qenie e gjallë, kjo tokë e përzhitur, e djegur" nuk janë thjesht
vargje. Janë një thirrje - për ndërgjegje, për përgjegjësi, për ata që kanë marrë
mbi vete drejtimin e këtij vendi.
Sepse
pushteti nuk matet vetëm me zyrat, makinat, kostumet dhe fotografitë. Pushteti
matet sidomos në ditët e vështira - kur qytetari ka nevojë për shtetin, kur
fshati ka nevojë për ndihmë, kur mali digjet, kur toka kërkon ujë dhe qielli
mbushet me tym. Atëherë shihet kush është pranë popullit dhe kush është vetëm
pranë pushtetit.
Nuk është
më koha për luksin e indiferencës. Nuk është më koha që mali të digjet dhe deti
të shijohet, sikur Shqipëria të ishte vetëm një vijë bregdetare për turizëm.
Sepse pas plazhit vjen mali. Pas hotelit vjen fshati. Pas luksit vjen toka. Dhe
toka po na kërkon llogari.
Ndoshta
një ditë do të vijë një fëmijë, do të ngjitet në një kodër dhe do të pyesë:
"Ku janë pyjet që më tregonte gjyshi?"
Çfarë do
t'i përgjigjemi? Se i dogji nxehtësia? Se i mori zjarri? Se nuk patëm mjete,
nuk patëm para, nuk patëm njerëz? Apo do t'i themi të vërtetën më të hidhur: se
patëm gjithçka që duhej për ta mbrojtur, por nuk patëm gjithmonë vullnetin për
ta bërë?
Kjo është
pyetja që ngrihet mbi tokën e djegur. Dhe tymi që ngrihet nga malet nuk duhet
të jetë vetëm tym zjarri. Duhet të jetë alarm - alarm për shtetin, alarm për
shoqërinë, alarm për ndërgjegjen tonë.
Sepse një
vend mund të rindërtojë një shtëpi. Mund të ndërtojë një rrugë. Mund të ngrejë
një hotel. Mund të blejë një makinë të re zjarrfikëse. Por një pyll i lashtë
kërkon dekada për t'u kthyer. Dhe disa gjëra nuk kthehen kurrë.
Prandaj,
kur Shqipëria digjet, nuk duhet të pyesim vetëm: "Ku është zjarri?"
Duhet të
pyesim: "Ku është përgjegjësia?"
Sepse
flaka një ditë shuhet. Tymi shpërndahet. Hiri mbulohet nga shiu.
Por toka
mbetet.
Dhe toka e
djegur e mban mend gjithçka.


