Lazim Miftari: Shpata e Dritës

3h më parë

Lazim Miftari

SHPATA E DRITËS

Epos alegorik shqiptar

PARATHËNIE

Kur bota u mbulua nga një hije që s'kishte emër, kur njerëzit mbyllën dyert dhe frika hyri pa trokitur, atëherë kujtesa e lashtë e popullit tonë u zgjua. Zanat zbritën nga bjeshkët, jo për të kënduar lavdi të kaluara, por për të na kujtuar se çdo errësirë ka një agim – por agimi nuk vjen vetvetiu.

Kjo është një këngë për ata që nuk u dorëzuan.

Për mjekët që punuan netët pa gjumë, për kërkuesit që kërkuan në terr, për njerëzit e thjeshtë që qëndruan bashkë kur gjithçka i ndante.

Por mbi të gjitha, kjo është një këngë për dritën që nuk gjendet jashtë, por ndërtohet brenda – në mendjen që pyet, në dorën që ndihmon, në zemrën që nuk e humb shpresën.

Shpata e Dritës nuk është një armë.

Ajo është vendimi i njeriut për të zgjedhur jetën, edhe kur nata duket e pafund.

Eposi që po lexoni u shkrua në gjuhën shqipe, por i përket çdo njeriu që ka luftuar një betejë të padukshme. Sepse dragoi i vërtetë nuk ka kthetra – ai ka heshtjen dhe frikën. Dhe mënyra e vetme për ta mposhtur është duke folur, duke kërkuar, duke punuar, duke u bashkuar.

Kjo është kënga e tyre.

Kjo është kënga jonë.

Kjo është kënga që do t'ua tregojmë brezave që vijnë.


PROLOGU


THIRRJA E ZANËS SË DRITËS


O Zanë e maleve të larta,

zbrit nga majat këtu te ne;

na këndo këngë të lashta,

për luftën e jetës mbi dhe.


Kur mbi botë ra hija e zezë,

pa fytyrë, pa zë, pa formë;

frikë e madhe ra mbi njerëz,

dhe loti kaloi çdo normë.


Plagë të zeza e pa emra,

si mjegull mali në agim;

heshtur u futën në zemra,

duke sjellë frikë e trishtim.


U drodhën fushat e malet,

u mbyllën kroje e burime;

edhe kënga e zogjve ndalet,

në ato kohëra me trishtime.


Por nga errësira e thellë,

një zë i largët u dëgjua:

"Kur njeriu dritën e sjell,

asnjë terr s'mund ta shuaj."


Këndo, moj Zanë e bardhë,

për ata që s'u thyen kurrë;

për terrin që do të zbardhë,

për dritën që rrjedh si gurrë.


Eja me nder e me besë,

jo me urrejtje e me shpatë;

por me dije dhe me shpresë,

jepi dritë natës së gjatë.


Këndo për Shpatën e Dritës,

që nuk vret e nuk plagos;

zgjon forcën në pikë të ditës,

dhe çdo errësirë e mposht.


Le ta dëgjojnë brezat mbarë,

këtë këngë të shkruar me ar;

kur drita mbjell në zemra farë,

edhe nata thyhet si acar.

-

KËNGA I


PLAGA E ZEZË


Kur agimi zbardhi botën,

dielli mbi bjeshkë u ngrit;

një hije mbuloi krejt tokën,

si dimër pa borë, pa dritë.


Askush s'e pa kur erdhi,

askush zërin s'ia dëgjoi;

në heshtje fuqinë e derdhi,

si re e zezë qiellin mbuloi.


Në fillim qe veç një shenjë,

një dhembje fshehur në jetë;

pastaj u bë stuhi e rëndë,

dhe qielli u errësua nga retë.


Plaga e Zezë u përhap,

si nata mbi malet e larta;

mbi zemrat e njerëzve u kap,

si hije e rëndë më e gjata.


Nënat shihnin me lot në sy,

fëmijët kërkonin pakëz dritë;

pleqtë prisnin ditën përsëri,

që një rreze të shëndritë.


Heshtën këngët në pragje,

u zbehën lulet në pranverë;

as fëmijë nuk luanin në lagje,

qanin me lot si të mjerë.


Në çdo fshat e në çdo qytet,

një pyetje e madhe u ngrit:

"Kush është ky që po troket?

Kush po i plagos njerëzit?"


U thirrën njerëzit e dijes,

mjekë, dijetarë, kërkues;

secili solli pjesë të bindjes,

përballë armikut kërcënues.


E kërkuan atë ditë e natë,

në çdo shenjë, në çdo gjurmë;

por ai mbeti i fshehur prapë,

që na godet pa bërë zhurmë.


Çdo përgjigje që zbulohej,

një pyetje tjetër të re nxjerr;

çdo rrugë që e qartë dukej,

përfundonte prapë në terr.


Atëherë njerëzimi e kuptoi

një të vërtetë të vështirë:

se jo çdo betejë që e fitoi,

qe me forcë e me dëshirë.


Duhej gjetur një dritë e re,

një rrugë që s'ishte parë;

një fuqi që nga mendja del,

që vjen nga zemrat mbarë.


E larg, mbi majat e maleve,

kur nata mbulonte ngadalë,

kur erërat heshtën në lugina,

u dëgjuan Zanat në mal:

"Mos kini frikë nga nata,

se çdo terr ka një agim;

një ditë do të lindë Shpata,

që do t'ju sjellë shpëtim."

--

KËNGA II


DRAGOI I PADUKSHËM


Nga thellësia e natës madhe,

u ngrit një hije e zezë pa emër;

s'kishte trup si bishat në dhe,

por fshihej thellë në çdo zemër.


S'kishte krahë si dragonjtë,

as kthetra prej hekuri të zi;

thellë në zemra ngulte thonjtë,

dhe mbillte frikë fshehurazi.


S'e shihte njeri as nuk vrehej,

as drita e yjeve nga qielli lart;

vetëm se gjurma e tij mbetej,

plagë e zezë që s'dukej qartë.


E quanin Dragoi i Padukshëm,

se askush nuk e njihte mirë;

kalonte natën pa zhurmë,

duke lënë dhimbje të ngrirë.


Nuk kërkonte fron as kurorë,

as lavdi, as emër, as çmim;

një dëshirë e mbante në dorë:

të shuante shpresë e gëzim.


Kur kalonte përmbi qytete,

heshtte kënga në çdo prag;

hije e terr e bënte për vete,

e zhdukte dritën në çdo ag.


Por Dragoi e kishte një fuqi,

askush s'e kuptoi në fillim:

sa më shumë trembte njeri,

aq më shumë bënte krim.


Zanat e maleve të larta,

nga majat panë atë zi;

pyetën erërat e largëta:

"Kush është ky armik i ri?"


Era u kthye nga largësia,

me një zë të ulët e të qetë:

"S'është armik nga gjithësia,

as nga zjarri, as nga retë.


Nuk mposhtet ai me zemërim,

as me forcë të verbër në dorë;

duhet mendje, dije e durim,

dhe zemra të bashkuara fort.


Duhet drita nga kërkimi,

duhet fjala e urtë dhe besa;

duhet forcë e re nga besimi,

kur mbi atë forcë bie pesha.


Edhe malet u zgjuan në agim,

dhe jehona shkoi shumë larg:

"Duhet të lindë një shpëtim,

që ta thyejë këtë terr të madh!"


Gjithkund u ngrit një pyetje,

në çdo zemër, në çdo prag:

"Kush do ta bëjë atë përpjekje?

Kush do ta sjellë agun e parë?"


Dhe nën qiellin e heshtur,

kur yjet ndriçonin mbi dhe,

një shkëndijë lindi papritur,

nga mendja e kësaj bote.


Sepse edhe kur terri rritet,

dhe nata duket pa mbarim,

nga mendja e njeriut pritet

të kërkojë rrugë e shpëtim.

---

KËNGA III


VAJTIMI I NJERËZIMIT


Ra heshtja mbi tokën e vesës,

si mjegull mbi liqen në agim;

u zbehën këngët e shpresës,

dhe u rëndua çdo trishtim.


Nëna shikonte drejt qiellit,

me lot të fshehur në sy;

priste një rreze të diellit,

për fëmijën pranë saj në gji.


Plaku pranë votrës së vjetër,

rrëfente kohët e shkuara;

por zëri i dridhej në mjekër,

nga plagët e pashëruara.


Dhe fëmijët pyesnin shpesh:

"Pse kjo natë ra mbi ne?

Pse u largua drita prej nesh?

Pse kjo dhimbje ra mbi dhe?"


Por askush s'kishte përgjigje,

për atë plagë hiç pa emër;

vetëm një lutje ende digjej,

e ruajtur thellë në zemër.


Nëpër qytete e fshatra,

u përhap një këngë me lot;

mbante dhimbje nëpër vatra,

çdo prag ruante kujtime plot.


Edhe malet heshtën atëherë,

edhe lumenjtë ecën ngadalë;

sikur toka po qante një herë,

për dhimbjen që s'kishte fjalë.

Nga bjeshkët zbritën Zanat,

me sytë mbushur me trishtim;

panë njerëzit nga rrethanat,

me duart drejt qiellit në agim.


"Ku është forca e njerëzve?"

pyeti Zana e bardhë;

"Ku është drita e maleve,

që thyen këtë natë të gjatë?"


Por një zë erdhi nga larg,

i lehtë si puhizë në agim:

"Mos qani, bij, në atë prag,

se po lind një kërkim.


Kur dhimbja bëhet e madhe,

kur terri shtrihet mbi këtë dhe,

vijnë shkëndija mbi këto male,

që sjellin dritë përsëri tek ne."


Dhe në një vend të panjohur,

larg zhurmës në këtë botë,

një shpirt kërkon pandalur,

rrugën e së vërtetës në tokë.


Ai nuk mbante shpatë të fortë,

as kurorë mbi kokë për mot,

por kishte një zemër të ngrohtë,

dhe një besim që s'i vdiste dot.


Pra nisi udhëtimi i ëndrruar,

i atij që ishte nisur në kërkim,

jo armë për të shkatërruar,

por një dritë për shpëtim.

---

KËNGA IV


KUVENDI I URTARËVE


Kur dhimbja mbuloi tokën,

dhe pyetjet nuk gjetën vend,

u dëgjua një zë mbi botën:

"Ejani të gjithë në kuvend!"


Nga male, fusha e dete,

erdhën njerëz të vërtetë;

secili diçka solli me vete,

që kishte mësuar në jetë.


U hap dera e kuvendit,

nën hijen e lisit të vjetër;

aty u bashkuan mendjet,

të kërkohej një udhë tjetër.


Erdhën mjekë e hulumtues,

në netë të gjata pa gjumë;

erdhën dijetarë dhe kërkues,

me libra e shënime shumë.


Askush nuk erdhi për lavdi,

as për emër shkruar në gur;

solli pjesën e vet nga mundi,

përballë armikut të panjohur.


Foli më i moshuari i kuvendit,

me zë të qetë e të matur:


"Nuk mundet nata me urrejtje,

as dhimbja me hakmarrje;

armiku që vepron në heshtje,

nuk thyhet me fjalë e sharje.


Forca që lind nga dija e kërkuar,

nga dija dhe nga dora e parë,

na duhet mendja e bashkuar,

që t'i shërbejë jetës së mbarë.


Na duhet durim e besë,

na duhet zemër e fortë;

një fuqi që jep shpresë,

plagën e errët ta shërojë."


Ra një heshtje mbi kuvend,

për një çast sallën e mbanë;

pastaj njëri foli me mend,

dhe tjetri iu bashkua pranë.


Dhe njëri pas tjetrit u ngritën,

duke dhënë besën para botës:


"Do ta kërkojmë rrugën e shpëtimit,

derisa të gjendet drita e humbur.


Do të kërkojmë me mundim,

do të provojmë përsëri;

se kur jeta kërkon shpëtim,

nuk ka vend për dorëzim."


Mbi bjeshkë Zanat vështronin,

dhe bekonin kuvendin e madh;

aty ku mendjet bashkoheshin,

edhe shpresa dukej bardhë.


Mbi qiellin e errët, atë natë,

u ndez një yll me rreze varg;

drita e tij preku tokën e thatë,

si një shenjë që vinte nga larg.


Era e çoi lajmin nëpër fusha,

e përcolli në male e lugina:


"Një udhëtar është nisur,

për të kërkuar dritën e shpëtimit."


Kështu nisi rruga e shpikjes,

që botën do ta ndryshonte;

rruga drejt Shpatës së Dritës,

që njerëzimin ta shpëtonte.

---

KËNGA V


UDHËTIMI I HEROIT


Në agim të një dite të re,

kur dielli mbi male u ngrit,

një burrë i heshtur u nis,

me një betim në shpirt.


Nuk kërkoi emër të këngës,

as lavdi, as kurorë a çmim;

veç një rrugë përtej dhimbjes,

veç një udhë për shpëtim.


Lamtumirë i tha shtëpisë,

lamtumirë maleve të veta:

"Po nisem të kërkoj një dritë,

që sot e kërkon mbarë jeta."


Mori udhën maleve të largta,

kaloi lumenj, fusha e lugina;

ku heshtnin pyjet e lashta,

kërkoi shenja nga errësira.


Kaloi gurë veshur me myshk,

shtigje, udhë që s'i njihte njeri;

asnjë pyetje më nuk u vyshk,

çdo pengesë qe një mësim i ri.


Në qytete të largëta me mundime,

pyeti njerëzit e dijes së mbarë;

mblodhi fjalë, shënime, mendime,

si udhëtar rrugës që mbledh farë.


Pyeti një plak pranë udhës:

"Ku gjendet forca që shpëton?"


Plaku e pa gjatë në sy,

dhe iu përgjigj me qetësi:


"Mos e kërko në zemërim.

Forca që shpëton jetën,

lind aty ku dija ka durim,

bashkohet me të përjetë."


Më tej, në një qytet të largët,

një dijetar i tha:


"Mos kërko të shkatërrosh.

Nëse do të shpëtosh në jetë,

së pari duhet ta kuptosh;

kërko atë që mposht vërtetë."


Heroi vazhdoi rrugën lumit,

me fjalët e tyre në mendje;

dhe çdo natë, para gjumit,

i mblidhte thellë në zemër.


Në mbrëmje, në qiellin pa re,

u ndal mbi një mal të lartë;

hëna derdhi dritë mbi dhe,

kur një zë i erdhi nga larg:


"Mos kërko vetëm atë që duket;

përgjigjja fshihet më thellë."


Heroi ngriti sytë nga qielli.

Atëherë Zana e Dritës doli,

me kurorë në kokë përcjelli,

dhe një fjalë në buzë i foli:


"Ti nuk po kërkon një armë,

që të mundësh një armik;

po kërkon një rrugë të re,

që t'i jepësh jetës dritë.


Por para se të lindë Shpata,

duhet që të sprovohet zemra,

se drita që shpëton nga nata,

duhet të jetë e pastër brenda."


Heroi uli kokën dhe tha me vete:


"Nëse kjo rrugë sjell jetë e fat,

do ta ndjek atë deri në fund;

dhe nëse rruga është e gjatë,

s'do të kthehem me çdo mund."


Zana u tret në dritën e hënës,

por fjalët i mbetën në mendje.


Heroi vazhdoi udhëtimin,

jo më vetëm si kërkues;

kishte kuptuar udhëzimin,

dhe vetveten si garantues.


Diku përtej maleve të largëta,

e priste një vend i panjohur;

aty ku mendja e punë të larta,

i jepnin dritës formën e duhur.


Aty do të niste farkimi i vërtetë

i asaj që ende s'kishte emër:

Shpatës që s'do të merrte jetë,

por do të luftonte për jetën.

---

KËNGA VI


FARKIMI I SHPATËS SË DRITËS


Larg, përtej maleve të larta,

ku në çdo agim bie rrezja,

ku qëndronin vatra të lashta,

ku zjarri ruhej ndër breza.


U mblodhën njerëzit e dijes,

mendje të hapura të mësimit;

sollën pjesën e vet të zgjidhjes,

nga udhët e gjata të kërkimit.


Nuk sollën thesare të arta,

as kurora mbi kokë të atyre;

sollën dijen e netëve të gjata,

dhe mundin e brezave të tyre.


U ndez zjarri në atë natë,

si diell në zemër të terrët;

shkëndijat u ngritën lartë,

si yje prej flakës së fshehtë.


Mjeshtri i parë mori fjalën:


"Po farkojmë jo armë të luftës,

që plagos e sjell shkatërrim;

por një fuqi që i shërben jetës,

një shpresë e kthyer në veprim.


Do të mbledhim në këtë teh

dijen që njerëzit e kërkuan,

betimin e tyre që nuk u zbeh,

e durimin që s'u dorëzuan."


Ra çekiçi mbi atë kudhër,

dhe zjarri u ngrit më lart;

çdo goditje jepte urdhër,

çdo provë pamje të qartë.


Disa herë puna eci prapa;

disa herë u ça metali i zjarrtë,

por askush s'e la nga vapa,

askush nuk tha: "Mjaft!"


Çdo shkëndijë që ngrihej lart,

ishte një shpresë e fituar;

çdo rreze mbi tehun e bardhë,

ishte një fat i mirë i provuar.


Ditë e netë vazhdoi puna,

me durim e përkushtim;

gabimi u kthye në mësim,

dështimi u kthye në kërkim.


Nga bjeshkët Zanat zbritën,

me kurora prej lulesh mali;

për punë, përkrahje i ngritën,

e ia dhanë bekimin atij zjarri:


"Le të jetë kjo Shpatë e bardhë,

jo për hakmarrje e krenari;

t'i rrijë frikës së territ përballë,

dhe t'i shërbejë jetës përsëri."


Përsëri ra çekiçi në kudhër,

përsëri u ndezën shkëndijat;

derisa një mëngjes i heshtur,

tehu i ngriti mbi flakë xixat.


Po në atë çast heshti toka,

dhe ajri u mbush me dritë;

edhe yjet mbi qiell, të forta,

u dukën më pranë atë ditë.


Teh për urrejtje nuk kishte,

as fuqi për shkatërrim;

në të drita mbledhur ishte,

e lindur nga dije e durim.


Heroi e mori në duar shpatën,

por nuk u ndje mbret që t'i prijë;

e kuptoi në atë çast të paktën:

Shpata s'i përkiste vetëm atij.


"Shpata nuk është e imja.

Ajo është e gjithë njerëzisë."


Dhe zëri i Zanës u dëgjua:


"Ruaje këtë dritë të ngrohtë,

se beteja që duhet të hyhet,

nuk do të kërkojë vetëm forcë;

do të kërkojë shpirt që s'thyhet."


Kështu lindi Shpata e Dritës,

nga mendja, zemra dhe puna;

jo si armë e as si luftë nxitës,

por si shpresë për të shpëtuar.


Dhe në tehun e saj të bardhë,

nuk shkëlqeu vetëm zjarri;

shkëlqeu një dritë që zbardhë,

kërkonte rrugën e jetës së pari.

---

KËNGA VII


SPROVA E MADHE


Heroi u prit me brohoritje,

me Shpatën me dritë të mirë;

nuk gjeti vetëm duartrokitje,

por një rrugë tjetër të vështirë.


Përpara betejës së madhe,

duhej zemra të sprovohej;

drita që në dorë po mbahej,

thellë në shpirt duhej të ruhej.


Dragoi nga larg vështronte,

me hijen e tij të zezë të rëndë;

dhe frikë mbi njerëz dërgonte,

si një natë në terr pa hënë.


Pastaj një zë doli nga hija:


"Çka mendon se mund të bësh?

Unë s'luftoj vetëm me forcë;

jetoj ku lind frika mes lotësh,

rritem kur shpresën e mposhtë.


Kam parë njerëz të dorëzohen,

kam parë shpresa që u shuan;

kam parë duar që u lodhën,

kam parë zemra që s'besuan."


Heroi heshti pak për një çast,

pa njerëzit përreth tij në pritë,

fytyrat të lodhura në atë rast,

pa sytë e tyre që kërkonin dritë.


Atëherë Dragoi solli para tij

pamje të rënda, plot dhimbje:

humbje, frikë dhe pasiguri,

solli pa fund mbi njerëz hije.


Heroit iu drodh dora,

dhe pyeti veten në heshtje:


"A do të mjaftojë kjo dritë

përballë gjithë kësaj nate?"


Shpata nuk dha përgjigje.


Vetëm një rreze e hollë,

rrëshqiti mbi tehun e saj;

u ngrit përpjetë si një fjollë,

që çante terrin në çdo skaj.


Dhe atëherë dëgjoi zëra,

jo nga malet, as nga qielli,

por nga njerëzit pranë tij:


"Mos na lër vetëm!"


Atëherë dëgjoi zëra prekës

të miliona zemrave bashkë;

zëra të vegjël nga çdo ndjekës,

që u bënë një këngë e lashtë.


Heroi ngriti kokën.


Atë çast Zana e Dritës

u shfaq mbi shkëmbin e bardhë:


"Mos harro, bir i kësaj toke,

Shpata s'është burim i dritës;

ajo mbart ngrohtësi në gjokse,

në zemrat e njerëzve pritës.


Forca e saj lind nga njerëzit,

që besojnë se jeta ia vlen;

duart së bashku të çdo njërit,

nga zemrat që s'dorëzohen."


Heroi kuptoi më në fund

atë që s'e kishte parë më parë:


Shpata s'bëhet më e plotë

nga zemërimi ndaj Dragoit;

ajo bëhet shumë më e fortë,

sa më shumë njerëz bashkoi.


Dragoi u ngrit të sjellë frikën,

dhe qielli u mbulua me re;

por këtë herë njerëzit s'ikën,

qëndruan të bashkuar mbi dhe.


Heroi u ngjit në malin e lartë,

me Shpatën ngritur në dorë;

jo si mbret mbi njerëz të lashtë,

por në mbrojtje si shërbëtor.


Dragoi lëshoi një ulërimë

që tronditi gurë e male:


"Ju nuk mund të më mposhtni!"


Heroi iu përgjigj qetë:


"Ne s'jemi këtu për të të urryer.

Jemi këtu për të mbrojtur jetën."


Atëherë Dragoi u drodh.


Sepse për herë të parë

nuk pa një njeri të vetëm.


Pa një popull të bashkuar,

pa mendjen e dijetarëve,

pa duart e njerëzve të tubuar,

pa zemrat e të plagosurve.


Pa shpresën që kishte mbetur gjallë.


Qielli u errësua plotësisht.


Heroi ngriti Shpatën lart:


"Le të fillojë beteja!"


Dhe për herë të parë

Dragoi nuk u duk i pathyeshëm.

---

KËNGA VIII


BETEJA E FUNDIT


Erdhi dita e madhe e mundit,

kur e pret fitoren ndër dhëmbë;

në pritje të përballjes së fundit,

qëndroi njerëzimi në këmbë.


Mbi fusha ra mjegull e zezë,

mbi male u mblodh një re;

Dragoi u nis nga terr t'zbresë,

me fuqinë që kishte mbi dhe.


Ai nuk solli ushtri të tmerrit,

as flamuj, as kurora s'kishte;

solli hijen e rëndë të territ,

e frikën e mbledhur ndër vite.


U drodhën lisat e vjetër,

u trazuan lumenj e dete;

por njerëzit nuk u larguan,

qëndruan bashkë mbi dhe.


Doli Heroi në mes të fushës,

me Shpatën e bardhë në dorë;

nuk erdhi si njeri i luftës,

por si shpirt i pastër si dëborë.


Dragoi foli nga thellësia:

"Unë jam nata pa mbarim;

kam parë breza që të bien,

kam ushqyer frikën me hijen,

e kam jetuar në dëshpërim."


Heroi iu përgjigj qetë:


"Ti je hije, jo përjetësi;

sa herë që njeriu ngrihet,

një pjesë e jotja shuhet,

dhe përsëri shpresa rritet."


Dhe Dragoi u sul mbi tokë,

dhe toka u mbulua me terr;

valë e zezë kaloi mbi botë,

e zbehu shpresën përherë.


Disa njerëz u përkulën,

disa u trembën përsëri;

duart e tyre u bashkuan,

s'e lëshuan njëri-tjetrin.


Shpata u ngrit në ajër.


Nuk lëshoi zjarr që dogji,

as teh për të marrë jetë;

nga brendësia e saj doli

një rreze, dritë e vërtetë.


Rrezja preku mjegullën.


Aty ku terri ishte i dendur,

u hap një çarje e hollë;

dhe përmes saj u duk qielli,

si rreze mbi një kurorë.


Dragoi u tërbua:


"Mos e sill dritën këtu!"


Por rrezja u zgjerua.


Çdo dorë që ndihmonte dorën,

e shtonte fuqinë e saj pastaj;

edhe pyetjet përgjigje morën,

e bënë më të qartë dritën e saj.


Mjeku solli dije mësimi,

kërkuesi solli punën e tij;

dijetari solli vite kërkimi,

dhe njerëzit sollën besimin.


Shpata i bashkoi të gjitha

në një rreze të vetme.


Dragoi nisi të zbehej.


"Jo!" — ulëriti nga hija.

"Ju s'mund të më mposhtni!"


Heroi nuk e goditi.


Vetëm e drejtoi Shpatën

drejt plagës së errët.


Drita depërtoi ngadalë

në vendin ku ishte terri;

u fut aty te frika pafjalë,

dhe filloi të lindte shërimi.


Dragoi u drodh.


Trupi iu bë mjegull e qartë,

mjegulla u bë hije, u ngritë;

hija u bë një njollë e largët,

dhe njolla u tret në dritë.


Nuk pati britmë fitimtari,

as këngë për një armik të mundur.


Vetëm një heshtje e madhe

ra mbi tokën e lodhur.


Pastaj një fëmijë qeshi.


Një nënë ngriti sytë.


Një plak u ngrit pranë votrës.


Dhe njerëzit kuptuan:


Nuk kishte fituar një njeri.

Kishte fituar jeta.


Nuk kishte triumfuar një shpatë.

Kishte triumfuar drita.


Qielli i hapi portat lartë,

dhe mbi dhe doli ndriçimi;

dhe pas natës më të gjatë,

përsëri në tokë erdhi agimi.


Por në vendin ku ishte Dragoi,

mbeti një kujtim i heshtur:


Se terri mund të kthehet,

kur njeriu harron ta ruajë dritën.

---

KËNGA IX


FITORJA


Pas natës së gjatë në pritje,

u kthye mëngjesi mbi dhe;

jo me zhurmë e brohoritje,

por me një frymë krejt të re.


Fusha nisi të marrë ngjyrë,

kopshtet çelën përsëri;

gjithçka gjelbroi në natyrë,

dhe fëmijëve iu kthye zëri.


Krojet nisën këngën e vjetër,

që kishin humbur në trishtim;

lumenjtë nisën në ato shtretër,

dhe zogjtë kënduan në agim.


Nëna që kishte qarë gjatë,

ngriti sytë nga mallëngjimi;

pranë saj fëmija i ngratë,

derdhi lotët nga gëzimi.


Plaku pranë votrës së vjetër,

mori frymë thellë dhe tha:


"Mos e leni këtë ditë jashtë,

jo për fitoren mbi një armik,

por për atë që bëmë bashkë,

për këtë rast të madh historik."


Nëpër qytete e nëpër fshatra,

njerëzit dolën nëpër sheshe;

mes gëzimit të madh në vatra,

mbajtën kujtimin e kësaj peshe.


Mjekë, kërkues dhe dijetarë,

u kthyen në vendet e tyre;

duart të lodhura por krenarë,

por sytë u shkëlqenin ndryshe.


Askush nuk kërkoi kurorë,

as pasuri, as çmim, as lavdi;

më i madhi shpërblim në dorë,

ishte jeta që kthehej përsëri.


Shpata e Dritës u vendos lart,

jo si trofe mbi të mundurin,

por si kujtim i një pune të artë,

që u kishte bashkuar mundin.


Heroi qëndroi pranë saj,

dhe nuk foli për veten.


Kur e pyetën:


"Kush e fitoi këtë luftë?"


Ai pa përreth dhe tha:


"Jo unë.


E fitoi ai që nuk u dorëzua.

E fitoi ai që kërkoi përgjigje.

E fitoi ai që punoi për tjetrin.

E fitoi dora që ndihmoi dorën.


Dhe mbi të gjitha,

e fitoi jeta."


Atë mbrëmje, kur u ul dielli,

njerëzit ndezën drita në shtëpi;

jo nga frika e natës nga qielli,

por për të kujtuar një stuhi.


Zanat kënduan mbi bjeshkë,

por kënga e tyre ishte e qetë;

sepse pas fitores me peshë,

bota kishte paguar me jetë.


Më të urtët thanë:


"Mos mendoni se është fundi.

Ajo që sot me mund u shpëtua,

se përsëri mund të na humbi,

nëse harrohet si u fitua.


Dijen ruajeni si dritë,

punën ruajeni si besë,

shpresën si amanet;

se asnjë brez nuk e di,

çfarë hije mund të vijë."


Njerëzimi një betim mbajti:

jo për çdo herë të luftojnë,

por të ishin gjithmonë gati,

jetën e njerëzve ta mbrojnë.


Kështu fitorja nuk mbeti

vetëm një ditë në kujtesë;

u bë mësim nga amaneti,

dhe udhë për çdo shpresë.


Kënga mori udhën përsëri,

si valët e deteve mbi gurë;

amanet i gjallë në brendësi,

që s'duhej të harrohej kurrë.

---

KËNGA X


AMANETI I DRITËS


Dhe mbi tokë kaluan mote,

si lumenj që shkojnë larg;

kënga e vjetër e asaj kohe,

mbeti ndezur si një zjarr.


Brez pas brezi është treguar,

në kuvende e pranë votrave;

jo si përrallë e luftës së fituar,

por kujtim i njerëzve të kohrave.


Në sallën e vjetër të kuvendit,

ku koha kishte lënë gjurmë,

Shpata qëndronte krye vendit,

si një kujtim i netëve pa gjumë.


Një plak i urtë mori fjalën,

dhe brezat u mblodhën pranë:


"Dëgjoni, bij të kësaj toke,

se kjo nuk është vetëm kënga jonë.


Një ditë mund të vijë përsëri

një hije që s'do ta njihni mirë;

mund të mos ketë ngjashmëri,

as të njëjtin emër të nxirë.


Mos prisni ta shihni armikun,

përpara se të nisni kërkimin;

disa plagë e fshehin rrezikun,

e rreziqet fshehin kërcënimin.


Kur të vijë nata me tërbim,

mos u dorëzoni para frikës;

mos shihni me dëshpërim,

as frikën me urrejtje të bishës.


Kërkoni dijen.


Dhe duart që dinë të punojnë,

dhe mendjet që dinë të pyesin,

e zemrat që dinë të qëndrojnë,

pranë atyre që dinë të mbesin.


Mos kërkoni forcën te zemërimi,

as fitoren e madhe në shkatërrim;

drita që shpëton jetën nga terri,

lind nga dashuria dhe mendimi.


Ruajeni dijen si sytë e ballit,

dhe shpresën si zjarrin e vjetër;

se ai brez që e fiton prej zjarrit,

mund të humbasë nga një tjetër.


Mos harroni në kërkim atë punë,

ku njerëzit bënin vetëm mundin;

ata që punuan netë pa gjumë,

kur ende askush s'e dinte fundin.


Mos harroni ata që ende prisnin,

ata që duruan shumë në heshtje;

ata që luftuan për njëri-tjetrin,

kur shpresa ishte ende dhembje.


Dhe mbi të gjitha, mbajeni mend:


Shpata nuk është në teh.


Ajo është në mendjen e njeriut,

që kërkon përherë rrugë të re;

në dorën që i ndihmon tjetrit,

dhe që nuk dorëzohet mbi dhe.


Prandaj, kur terri të vijë,

mos pyesni vetëm:


'Kush është armiku?'


Pyesni edhe:


'Çfarë mund të bëjmë bashkë?'


Sepse një njeri sjell një shkëndijë,

por shumë zemra bëjnë një agim;

një mendje mund që të mbërrijë,

por dija bashkë ndërton shpëtim.


Një dorë mund të mbajë Shpatën,

por ajo s'i përket një njeriu.


Ajo është e të gjithëve.


Ajo është amanet."


Atëherë fëmijët që dëgjonin,

u afruan pranë Shpatës së bardhë.


Njëri pyeti:


"Po Dragoi, ku është?"


Plaku heshti një çast,

pastaj buzëqeshi lehtë:


"Ndoshta askund.

Ndoshta diku.

Ndoshta ai nuk ka një emër."


Fëmija pyeti përsëri:


"Po si do ta njohim?"


Plaku ngriti sytë nga tehu,

dhe tha:


"Kur të shfaqet, do ta kuptoni,

se s'duhet ta njihni me emër.

Mjafton të njihni errësirën."


Pastaj vuri dorën mbi Shpatë,

dhe ia dorëzoi brezit të ri:


"Mbajeni.

Jo për luftë.

Për jetë."


Jashtë kuvendit po zbardhte dita.


Mbi male u shfaq një dritë,

pastaj një tjetër më e madhe;

e derisa drita zbret çdo ditë,

mbi tokën e lashtë të parëve.


Zanat kënduan larg në bjeshkë,

dhe era mori këngën me vete.


Shqiponja u ngrit mbi qiell,

dhe hapi krahët drejt diellit.


Kështu mbeti në kujtesë,

fjala e shkruar ndër breza:


Sa herë që nata të afrohet,

mos e mallko errësirën.


Ndiz një dritë.


Sa herë që një plagë të shfaqet,

mos e fshih nga frika.


Kërko shërimin.


Sa herë që rruga të humbasë,

mos prit mrekullinë.


Kërko.


Mëso.


Puno.


Bashkohu.


Dhe nëse një ditë dikush pyet:


"Ku është Shpata e Dritës?"


Përgjigjja do të jetë:


Ajo nuk ruhet në një kullë.

Nuk fle në një mal.

Nuk është pronë e një heroi.


Ajo lind përsëri,

kudo ku njeriu zgjedh jetën,

dhe dritën përballë errësirës.


Dhe kështu kënga mbaroi,

por amaneti nuk mbaroi.


Sepse çdo brez

ka natën e vet,


dhe çdo brez

duhet të gjejë


Shpatën e vet të Dritës.

---

FUND

---

P.S.

Epos alegorik shqiptar i imagjinuar në luftë kundër kancerit, sëmundje tjetër të rrezikshme apo ndonjë pandemie.

Lazim Miftari

25 Gusht 2026

Prishtinë, Kosovë