Gjon Marku: Kutia e duhanit

Tregim nga Gjon Marku
Sa
herë mundohesha të kujtoja diçka nga ajo ditë, ndieja një trazim të madh. Eh,
si është fjala e keqe, tamam si puna e gozhdës që ngulet sa më shumë që t'i
biesh me çekiç, e gjithsesi, edhe po ta shkulësh, vrima mbetet e hapur për t'u
kthyer pastaj në çerdhe vemjesh, që fillojnë të brejnë krejt dërrasën. Po, po,
krejt ashtu.
E
pra, ne kishim këmbyer atë breshëri fjalësh dhe ishim ndarë me njëri-tjetrin si
mos më keq. Përfundimisht e kisha vrarë.
Netëve
isha përpëlitur në krevat, pa kuptuar asgjë nga gjithë ajo që kishte ndodhur
midis nesh. Por në ndërgjegjen time ishte ngulur fort imazhi i tij. Ishte
ngulur thellë, midis mishit e kockave. E kjo më bënte të ndihesha i plagosur në
shpirt, i vetmuar dhe i braktisur si një xhaketë e vjetër, e dalë boje. Kjo ndjenjë
vetmie ishte futur thellë në kokën time. Isha përpjekur ta shmang pushtimin e
saj, ta largoja, të çlirohesha prej kthetrave të saj, por ajo dukej se më
pushtonte gjithnjë e më tepër në të gjithë qenien time.
Isha
munduar të harroja gjithçka, të gjeja një rreze drite që të mund të më mbante
gjallë shpresën. Por po e vëreja se çdo ditë shkoja pikërisht drejt asaj së
cilës i trembesha aq shumë. Kërkoja të hidhesha me kujtesën time në vitet e
shkuara, kur kisha qenë i lirë. Veçse e gjitha dukej si një imazh, si një
dëshirë e harruar rrugës.
Dhoma
ishte krejt e errët, si një birucë burgu. Ishte një heshtje e plotë. M'u bë se
dëgjova britmën dhe rënkimin e fundit të tij. O Zot, ndjeva nevojën të
bërtisja, të ulërisja me gjithë zërin e shpirtit dhe të trembja atë makth
vdekjeje që më kishte pushtuar. Kacavirresha sa andej-këndej në mendime tmerri.
Copa kujtimesh thyheshin në kujtesën time, e cila lidhej e zgjidhej mes
pavetëdijes dhe vetmisë.
Ofshana
thellë, teksa endesha në krevatin bosh atë natë të gjatë e të pafund, ku durimi
dhe pritja ishin sosur. E ndieja se kisha nevojë të shihja fushat, arat,
pranverën që kishte nisur të çelte. Të dëgjoja lugjeve këngën e bukur të
bilbilit, ta shoqëroja me fyell atë këngë bjeshkëve. Eh, medet! Kisha afro
dhjetë vjet që isha endur në atë dhomë ferri, i ngujuar për një vrasje të kryer
në rininë time. Nuk mund të duroja më...
...E
lashë në të majtë malin, prapa të cilit lëmshi i zjarrtë ngjitej në kupën e
pastër të qiellit. Fshati përballë, në një kodër të vogël, qarkohej prej dy
lumenjve me ujë të kristaltë si loti i fëmijës, që kokën e fsheh midis gjinjve
të bukur të së ëmës. Rrezet e diellit puthnin lehtë majën e malit dhe rendnin
të ndriçonin përgjysmë fshatin e vogël, për t'i dhënë një hijeshi të pazakontë.
Duke
zbritur teposhtë malit drejt njërit prej lumenjve, vetja më dukej si një zog,
prej nga mund të shihja veç qiej, qiej. Gjoksi ngopej me ajrin e pastër dhe
freskinë e mëngjesit.
Kisha
guxuar të dilja prej atij vendngujimi dhe kurrsesi nuk e dija nëse do të mund
të kthehesha i gjallë prapë atje, por nuk mund të duroja më pa parë pranverën
tek dilte, pa dëgjuar këngën e bilbilave.
Në
kujtesën time erdhi vargu i gjatë i njerëzve dhe dita e vdekjes së tim eti.
Kur
kishte vdekur im atë, armët e tij m'i kishin dhënë mua, edhe pse isha fëmijë.
Ditën e varrimit më kishin zgjatur edhe kutinë e tij të duhanit dhe më kishin
udhëzuar që t'u shpërndaja duhan miqve dhe shokëve që kishin ardhur për të
varrosur tim atë.
Që
nga ajo ditë e më pas, mua më ishte dashur të ulesha gjithmonë në anën e
oxhakut dhe t'u jepja muhabet burrave që uleshin në anën tjetër. Nëna
vazhdimisht kujdesej e më porosiste si të rrija me burrat, si t'i rendisja
fjalët mes gotave të rakisë, si të sillesha me miqtë kur më duhej të shkoja në
morte e në dasma.
Të
gjitha i kisha bërë siç bënte edhe babai, por armët e tij nëna nuk më kishte
lënë t'i prekja me dorë. Menjëherë pas varrosjes së tim eti, ajo i kishte
mbështjellë me kujdes me një beze të bardhë dhe më pas i kishte ndryrë në fund
të arkës së gdhendur, ku mbante rrobat e saj.
-
Eh! - kishte ofsharë daja kur më kishte dhënë dorën ditën e varrimit të tim
eti. Pastaj ma kishte shtrënguar fort, aq sa unë kisha filluar të ndieja
dhimbje.
-
Hajde, të pastë daja, bëhu burrë. Tani ti je shtylla më e fortë e kësaj
shtëpie.
Vitet
kishin rrjedhur shpejt dhe, një ditë, papritmas, nëna i kishte nxjerrë prej
arkës e m'i kishte dorëzuar armët, pa më dhënë qoftë edhe një porosi të vetme.
-
Tani, biri im, këto janë të tuat, - kishin qenë fjalët e vetme të saj.
Pas
asaj dite, unë kudo që shkoja i merrja me vete edhe armët e tim eti. Kjo, në
fillim, e kishte rritur krenarinë time, më kishte bërë më të guximshëm.
Fatkeqësisht, jo shumë kohë pasi i kisha vënë krahut pushkën, kisha vrarë një
njeri...
-
Më vrave, e të vraftë Zoti!
-
Jo, - kisha thënë unë, - tashti do të të vras, more qen bir qeni!
Armën
e kisha mbushur sërish dhe e kisha zbrazur në gjoksin e tij. Ai kishte rënë
përmbys. Unë nuk po orientohesha. M'u kujtua një histori që më kishte treguar
gjyshja ime.
-
Nuk duhet të ikësh pa e kthyer kufomën përswmbari, - më tingëlluan në vesh
fjalët e gjyshes. - Pastaj, që të mos të të zërë gjaku, duhet të lësh diçka
afër kufomës.
Ashtu
kisha bërë. E kisha kthyer trupin përswmbari. Dora, pa dashje, më dridhej sikur
të isha në ethe. Sytë e zgurdulluar i jepnin një pamje të pahijshme, kështu që
ia mbylla me dorën time. Pastaj hoqa këpucën e djathtë dhe çorapen e së njëjtës
këmbë. I vendosa afër kokës së tij dhe renda të ikja.
Kisha
shpëtuar, Zoti e di se si. Ashtu, nëpër pyll, kisha mbërritur në fshatin ku
banonin dajat e mi. Kisha hyrë brenda pa trokitur. Nusja e dajës, në magje,
ngjishte brumin e bukës. Kur më pa, ishte trembur dhe kishte lëshuar një
klithmë.
-
Hajde, të pastë daja, bëhu burrë! Tani ti je shtylla më e fortë e kësaj
shtëpie.
M'u
kujtuan fjalët e dajws.
-
Hajde, qoftë pushkë e hajrit, - kishte mërmëritur gruaja trupshkurtër e dajës,
e cila, në fakt, ishte bërë dyllë e verdhë.
-
Hiqi armët, të pastë nëna!
-
Jo, jo, dua të iki. S'e si dihet. Dua vetëm një gotë ujë.
-
Hiqi armët, se tani bëjmë si bëjmë.
Në
oxhak mori një kusi me ujë të nxehtë. Diku gjeti një palë rroba dhe më urdhëroi
të lahesha e të vishesha. Pa mbaruar ende këtë punë, kishte mbërritur edhe
daja, i dyti. Desha të shkrihesha në vaj kur i dhashë dorën, por, edhe pse zëri
më dridhej, i tregova fije për pe gjithçka...
Nëna
e gatuante bukën me lot, për ditë të tëra me radhë, por kurrë nuk më kishte
nemur.
Me
mendime të tilla kisha rrugëtuar atë ditë, duke kaluar disa fshatra matanë
fshatit tim, në një zonë krejt të panjohur, dhe isha ndalur në krye të një
livadhi, ku gjendej një krua, për të pushuar disa minuta.
Isha
zbërthyer dhe po rrija disi i shkujdesur, kur dëgjova hapat e dikujt që vinte
drejt kroit. Shpejt e shpejt i ngjesha armët dhe, kur ai mesoburrë mbërriti
aty, unë isha më se në rregull.
-
A je burrë! - tha tjetri, duke më zgjatur dorën.
-
A je si je? - pyeta unë.
Tjetri
nxori prej xhepit kutinë e duhanit dhe ma drejtoi.
E
mora kutinë e duhanit, ndërsa ai pinte ujë në burim, dhe pashë se kishte një
armë brezi të ngjeshur.
Futa
dorën në xhep, nxora një paketë cigaresh dhe ia zgjata.
Ishte
një kuti duhani mjaft interesante dhe tepër e veçantë, e punuar me kujdes, në
kapakun e së cilës ishte gdhendur një kalorës.
E
drodha cigaren prej paketës dhe kërkova nëpër xhepa shkrepësen, por më kot. Ai
nxori një unur, një gur dhe një eshkë dhe, pasi shkrepëtiu dy-tri herë, ma dha
eshkën e ndezur që të ndizja cigaren.
Kishte
një vështrim të rreptë, por tepër burrëror. Dukej një burrë i matur dhe mjaft i
mbajtur. Megjithatë, thellë në vetvete, dukej se bluante një brengë të rëndë.
Pamja e fytyrës, por më së shumti mënyra e të qëndruarit dhe vështrimi i tij,
ishin hetuese.
-
Për ku? - më pyeti.
Pastaj
erdhën pyetjet e zakonshme dhe, në një çast, më pyeti se nga isha.
Por,
kur i kisha thënë emrin dhe vendin, ai ishte zverdhur i tëri. Fytyra i kishte
marrë tjetër pamje. Kishte heshtur disa çaste. Pastaj, pa më parë drejt në sy,
më kishte pyetur sa fëmijë kisha dhe sa njerëz bëheshim. Brenda vetes kishte
një trazim që nuk e fshihte dot.
Mos
është ndonjë nga...?
Gjithnjë
e më tepër u mundova të hetoja shkakun e atij trazimi dhe të atij ndryshimi në
fytyrë. Cigaren e thithte thellë dhe pastaj, duke u munduar të mos binte në sy,
përpiqej të më vështronte me bishtin e syrit.
Pastaj
kisha nisur unë me pyetjet e mia, të cilat ishin, në fakt, hetuese, duke u munduar
që të mos bija në sy. Ai tashmë përgjigjej tepër shkurt.
-
Po ju, prej nga jeni? - e pyeta unë, jo vetëm sepse më kishte bërë përshtypje
ndryshimi i menjëhershëm i mimikës së tij, por edhe për t'i dhënë fund
mëdyshjes që më kishte pushtuar. Isha përqendruar i tëri në fytyrën e tij, duke
u përpjekur të dalloja nëse po më gënjente.
Djersët
i rridhnin faqeve. Më vështronte në një mënyrë të çuditshme, sikur po sillte
ndër mend diçka të largët e të pazakontë. Mos vallë i kisha ndonjë borxh? Po
unë nuk e njihja...
-
Jam prej katundit të poshtëm, i biri i Mark Gjinit.
Një
drithërimë më përshkoi menjëherë trupin. Pa dashur, bëra një lëvizje të
shkujdesur. Ishte pikërisht i vëllai i atij që kisha vrarë me dorën time vite
më parë. Ndoshta kisha rënë tamam në pritën e tij dhe të dikujt tjetër, që mund
të ishte fshehur diku prapa ndonjë guve a shkurreje.
Një
«si!» e pazakontë më doli prej goje.
Tjetri,
me një gjakftohtësi të dukshme, mori nga paketa ime edhe një cigare tjetër dhe
nga kutia e tij nisi të dredhte një cigare. Pasi e mbaroi, ma zgjati mua. Por,
kur lëvizi që të ma jepte, unë shtrëngova edhe më fort armën që kisha
mbështetur ndër gjunjë.
I
pimë cigaret dhe mendova se ishin çastet e fundit të jetës sime. Asnjëri nuk
zumë në gojë gjak, vrasje e kësi gjërash të tmerrshme. Desha që ajo pirje
cigaresh të zgjaste pafund, që edhe unë të jetoja sa më gjatë. Minutat dukeshin
shekuj. Ndjeva se djersë të ftohta më kishin mbuluar ballin. Ndjeva etje, por
ujë nuk pija dot, se pikërisht atëherë mund të më vriste.
Pasi
i pimë cigaret, u ngrit në këmbë.
-
Mbaje mend, - m'u drejtua ashpër, - deri më sot nuk ke pasur asnjë minutë besë,
por, duke filluar nga sot, ditë më ditë, ke një muaj besë për vrasjen e
vëllait...
-
Të qoftë faqja e bardhë, - kisha mërmëritur, pa e kuptuar as vetë.
Ashtu,
sikur të ishin prej druri, këmbët kishin nisur të zvarriteshin pikërisht asaj
udhe prej nga unë kisha mbërritur deri te burimi. Me vete kërkoja shkakun e
atij muaji bese të pakërkuar.
Mbi
një gur, diku në mes vendit ku kishim qenë ulur ai dhe unë, ishte paketa ime e
duhanit bashkë me unurin dhe eshkën që ai i kishte harruar.
Mora
udhën, i trazuar deri në palcë.
Kërkova
në xhep paketën, por u kujtova se nuk e kisha marrë prej majës së gurit. U
inatosa disi me veten. M'u duk se atje kisha lënë diçka të shtrenjtë, por nuk
kthehesha dot.
Shkaku
i vetëm i atij muaji bese ishin cigaret e duhanit që kishim ndërruar.
Muajt
i linin vendin njëri-tjetrit dhe unë, muaj pas muaji, dërgoja dikë për besë.
Ai, çdo muaj, jepte veç një muaj besë, ditë më ditë.
Të
dy ishim plakur dhe unë, një ditë, i kërkova të ma falte gjakun e fëmijët të
mos i linim të ngatërruar. Morëm e dhamë për muaj të tërë, derisa, pa marrë
asnjë lajm tjetër veç muajit të besës, ai kishte ndërruar jetë.
Kjo
më kishte tronditur dhe më kishte bërë të mendoja gjithsesi keq. Isha i
detyruar që sërish të dërgoja dikë që të bisedonte me djemtë e tij. Më kishin
lajmëruar se ma kishin falur gjakun.
U
bëmë gati që të shkonim te shtëpia e tij, sipas zakonit.
-
Gjakun ta ka falur im atë, - kishte mërmëritur i biri. - Ditën që vdiq, la
amanet që të mos merrnim gjak ndër ju.
Aty,
në rrasën e oxhakut, ishte vënë një kuti e vjetër duhani. Tamam ajo kuti që unë
kisha prekur me dorën time atje, te burimi, vite më parë.
I
biri e mori në dorë kutinë e duhanit, të mbushur plot prej të atit dhe të lënë
aty që në ditën e vdekjes së tij. Ia zgjati të parit të palës sonë. Pastaj
kutia kaloi dorë më dorë, ndërsa i biri tregonte historinë e ndodhur te kroi i
vjetër midis meje dhe të atit.
Në
çastin që kutia kishte mbërritur tek unë, ai duhej të thoshte fjalët e të atit,
thënë vite më parë atje:
-
A je burrë!
Unë
e kisha humbur fare. Kutia u zgjat drejt meje dhe unë, pa kuptuar se ç'po
thosha, thashë me të madhe:
-
A je burrë!
Dhe
dorën e kisha rrëshqitur në xhep, prej nga nxora paketën dhe, instinktivisht, e
zgjata drejt tij.
E
dija mirë se, në të vërtetë, edhe pse isha vrasësi, shkaktari i vrasjes ishte
dikush tjetër...
Sa
herë rruga më bie asaj ane, në vesh më buçasin fjalët:
-
A je burrë!
Pastaj
ndez një a dy cigare duhani. Lë mbi gur paketën dhe shkrepësen dhe nuk mund të
rri pa vështruar andej nga kishte ikur ai, edhe pse më bie të shoh pothuajse
gjithmonë prapa.


