Gjon Marku: Kulla në Shëngjergj
KULLA NË SHËNGJERGJ

Deda e kaloi Fanin e Vogël dhe ngjiti të përpjetën drejt Gëziqit.
Një verrkeqe e ndiqte mbrapa, ndërsa koka e tij ishte trazuar së tepërmi. Me vete
mendonte kullën në atë majë të vogël kodre në Shëngjergj.
Akoma nuk
kishte dalë prej pyllit të lisit, kur dëgjoi të lehurat e qenve te kulla e parë
e Gëziqit, ndërsa ai e hidhte këmbën pa e menduar mirë se ku po e vinte. Nata
kishte errësuar gjithçka, ndërsa verrkeqja, si një ogur i keq, ia shtonte
lodhjen. Vendin e njihte mirë. Ai vetë kishte ndërtuar gjysmën e shtëpive të
këtij katundi dhe në cilëndo që të thërriste, derën e kishte hapur. Por Deda
ngutej të mbërrinte sa më parë te kulla e vet, për të cilën i kishin çuar fjalë
se po shembej.
Po i afrohej
kullës së Marka Prenajve, rrëzë së cilës binte udha e Bajrakut.
Eh, ç'kullë,
mendoi me vete dhe ofshani thellë. Nëpër mendje i erdhi çasti kur ishte hedhur
guri i parë i themelit të saj. Vetë Preç Marku, djali i madh i Marka Prenit,
pasi i kishte hequr këmborën dashit të madh të tufës, e kishte sjellë aty dhe,
bash te shqimi i derës, e pati therur me dorën e vet. Pastaj kokën ia kishte
vënë në themelin e kullës. Edhe pse brirët qenë fort të gjatë, dy vëllezërit e
tij, si dy lisa të fortë, e patën bërë zap flinë. Marka Preni, atëherë shumë i
moshuar, duke e mbajtur me zor peshën e tij, herë mbi këmbët e tejlodhura ndër
vite, herë në shkopin që s'i ndahej nga dora, erdhi dhe, me duart që i
dridheshin, bëri kryq bash aty, në shqimin e derës së lagur nga gjaku i flisë.
S'pati
vonuar Abati; duke u kthyer prej Shkodre, qe ndalur të takonte plakun dhe, pasi
kishin ngrënë drekë, vetë ai ishte ngritur e kishte bekuar të katër qoshet e
kullës, duke dhënë kështu bekimin për djelmëninë që do të rritej në breza. Dhe,
vërtet, tetë djem të kësaj kulle gjithë krahina do t'i kishte zili. Nami i saj
kishte kapërcyer me kohë kufijtë e krahinës.
As vetë s'e
kuptoi se si, por krejt papritmas, dëgjoi veten duke thënë:
- Zot, bëju
mirë këtyre njerëzve të mrekullueshëm.
Për një hop
e mbajti hapin, por menjëherë ndërroi mendje.
- Ku të lënë
këta të ikësh natën? - mendoi Deda.
Ra teposhtë
nga Përroi i Çakajve, duke e lënë në të djathtë kullën, e pastaj ngjiti një të
përpjetë të vogël dhe doli në Kodrën e Kishës. Verrkeqja filloi sërish të
dëgjohej, tani më afër...
Ndjeu një
drithërimë t'ia përshkonte trupin. Ky zog i keq sikur ndjell kob... Kurrë në
jetën e vet s'ishte trembur, edhe pse kishte rrugëtuar jo pak natën.
Iu duk se
edhe ndër varre dikush fliste. Të vdekurit...? Një Zot e di. Britma e trishtë
tash sikur iu përplas në fytyrë bashkë me flladin e natës, por u mbajt.
Biseda ndër
varre iu bë se vazhdonte. Ishte pikërisht në tokën e shenjtë, ndaj u ul në
gjunjë dhe, me fytyrën nga ndërtesa e kishës, bëri kryq dhe iu lut Zotit. Diku
jo larg prej këtej, sipas shumë të moshuarve, njëherë e një kohë kishte qenë
Abacia e vjetër dhe thuajse të gjithë e dinin se fatkeqësia a hasmi e kishin
fundosur atë qytezë të kahmotshme. Po tani gjithçka e mbyste terri i natës,
ndërsa qyteti ishte i humbur nën dhe.
Po qysh dheu
kishte mundur të thithte një qytet të tërë...?
Zot, krejt
ashtu ishte duke humbur kulla e tij.
Mos!... Mos
qoftë e thënë!
Këngëkobi i
zogut të keq u dëgjua përsëri, tashmë më afër. Aty, mbi degët e fojletës, thua
se ai zë mortor u drejtohej të shumtëve të atyshëm.
Pastaj tri
pushkë, njëra pas tjetrës.
Një piskamë:
- E kanë vra
Pjetër Bokën, mor eeeeej!
U ngrit në
këmbë dhe i dha hapit teposhtë drejt Fanit të Madh, lugina e të cilit dukej
sikur oshëtinte nga misteri i vrasjes.
Në Kodrën e
Stalosit vuri re se prej kullës së Marka Prenajve disa drita u nisën drejt
kishës. U pendua pse s'kishte qëndruar për një çast. Po, kur mendoi kullën e
vet, i dha hapit edhe më shpejt...
Zot, të mos
u ketë ndodhur ndonjë gjë e keqe atyre! Ç'burra që janë!
Ra teposhtë
nga Laku i Krisë. Pastaj një e lehur qensh.
- Qenkam
afruar te stanet - tha me vete dhe, duke rënë teposhtë, e kuptoi se diku e
kishte shmangur udhën. U mendua disa çaste e pastaj futi gishtin ndër buzë dhe
ia dha një fishkëllime. Qëndroi pak, mbajti vesh dhe përsëri fishkëlleu.
Diku më
poshtë dëgjoi një fishkëllimë tjetër gjegjëse. I dha hapit, udhë e pa udhë,
derisa ra te stanet.
Thirri dy a
tri herë. Qentë sikur donin të këpusnin hekurat. U hap dera e stanit dhe, me
një unë zjarri në dorë, u duk një djalë i ri, veshur me tirqe e në fill të
këmishës.
- Hej, or
ti, jam një udhëtar. Dua një dritë.
- Eja, eja,
- dëgjoi zërin ftues të djaloshit. - Tani është vonë, po rri sonte.
Pastaj doli
te dera një tjetër, veshur edhe ai me tirqe e me një çubuk në gojë.
- Kush asht?
- e pyeti të birin.
- Një
udhëtar, babë. Kërkon një dritë e thotë se don me udhëtue tash natën.
- Hajde, or
ti, se nuk jemi shue, se po bëjmë fe.
Deda ra
teposhtë drejt stanit, ndërsa djaloshi urdhëroi qentë të pushonin.
- Mirë se të
pruni Zoti, or Dedë!
- Ti je, or
Preç!?
- Po, Dedë.
Hajde brenda! Këtu te stani jemi, po rrimë sonte e po bajmë kuvend.
- Jo, për
besë, s'dua t'ju trazoj. Më duhet një dritë, se due të mbërrij te kulla
patjetër sonte.
- Pse, a ka
gjë të keqe?
- Çfarë të
të them? Dua një dritë, se më duhet të eci.
Në kokë
akoma i shungullonte krisma e thatë, piskama dhe zëri i zogut ndjellakeq.
- Kush është
Pjetër Boka? - pyeti Deda.
- Është i
biri i Prengës, matanë Fanit të Vogël, përtej Mullinit n'Lugje. A ka ndonjë
fjalë të keqe?
- M'u ba se
ndigjova një thirrmë se e kanë vra.
- Çfarë
thua, or burrë? E paskan shuar atë shtëpi. Eh, ç'djalë! Jetim e i vetëm.
Pasoi një
heshtje e shkurtër.
Djali i ri
solli një krah me dru pishe.
- Si me qenë
Marka Prendi, - mendoi me vete Deda.
- Është
djali i vogël, Dedë, - sqaroi Preç Marku, kur pa se Deda e kishte përqendruar
vështrimin tek ai.
- Qenka
rritur e bërë burrë.
- Po çfarë
halli ke, or Dedë, që don patjetër të shkosh sonte nëpër këtë natë të errët, që
është si me fut gishtat ndër sy?
- Mos i
raftë kujt! Është duke më humbur kulla teposhtë...
- Luaj
vendit, or burrë! Çfarë thua!
- Për besë,
kulla ime është duke humbur përditë në dhe. Tani, për të hyrë brenda, s'na merr
më dera e jashtme. Një namë e zezë ka rënë në trojet e mia, - psherëtiu Deda. -
Prej Blinishtit jam duke ardhur sot dhe dua të gjindem në kullë, se nuk e di
çfarë po ngjet. Fëmijët e mi mund t'i zërë brenda. Përditë humbet nganjë grimë
e nganjë grimë.
Preçi nuk po
u besonte veshëve.
- Më duhet
të shkoj, s'bën të vonohem asnjë minutë.
- Jo, or
burrë, po ti prit dhjetë minuta sa të pimë ndonjë gotë raki e mandej shko.
- Jo, jo, të
faleminderit. Duhet të shkoj sa më shpejt.
- Zef, shko
përcille, - i tha të vëllait.
Zefi u
ngrit, shkoi në dhomën tjetër dhe u vesh.
- Ku po e
çon Zefin? - pyeti Deda, pak si me ton.
Preçi mbeti
për pak çaste si pa gojë.
- Dedë, jam
duke ta dhënë Zefin me vete. Tash është natë e natës nuk i dihet.
- Jo, he
burrë! A thue kujtove se jam trembur? Unë kam ecë natën e ditën...
- Po, - e
ndërpreu tjetri, - Zefin jam duke ta dhënë me vete. Çfarë po e gjen Zefin?
Shkoni duke bërë muhabet një copë udhë.
Me pishat në
duar, të dy bashkë morën teposhten drejt Fanit të Madh. Me një frymë kishin
ngjitur tërmalen, kur Deda ndaloi dhe, duke e falënderuar Zefin, iu lut të
kthehej. Ai, i gjendur midis detyrës së vëllait të madh dhe këmbënguljes së
Dedës, mbeti në mëdyshje.
- Po unë si
t'ia bëj...
- Asnjë hap
më tej, - e ndërpreu përsëri Deda.
Ndanë pishat
e dritës dhe u nisën secili në udhë të vet.
*
* *
Nuk i kishte
mbetur edhe shumë dhe Deda do të gjendej në kullën e tij.
Hyri në një
rrugë të ngushtë përmes shqopnajës, që të çonte në Qafë-Vorrez. Thirravaji i
zogut të keq u ndje përsëri, por tash diku më larg, ndoshta pikërisht mbi Qafë
Vorrez. Si një homazh mbi muranat e krushqve të vrarë ndërshoq, ndoshta atje
mbi udhën e kalit që në shpinë mbante nusen e vdekur. Atje, pikërisht në atë
qafë, kohët, legjendat dhe baladat ndërthureshin tragjikisht.
Kur mbërriti
te dera e kullës në Rrasë të Zezë, ora kishte kaluar dy pas mesnate. Një tis i
errët, si petku i zisë, e kishte mbërthyer kullën. Si një ferr, mendoi me vete.
Kurrë në jetën e vet s'kishte ditur me true, ndërsa sonte e kishte çuar
qoftëlargun nëpër mend disa herë.
Më shumë se
gjysma e katit të parë të kullës kishte humbur, sa dera kishte mbetur si një
dritare e vogël rrëzë tokës, kurse shkallët e gurta të jashtme ishin anuar si
bashi i një anijeje gjysmë të mbytur. Zgjati shkopin dhe i ra derës. Asgjë nuk
u dëgjua brenda. I ra prapë, më fort. Po zërat e grave e të fëmijëve vinin jo
të plotë.
- Shtriga...
Shtriga ka ardhë te dera... Shtriga! Shtriga!
Pastaj një
zë gruaje që thërriste emrat e burrave.
- Hapeni
derën! - thirri me të madhe Deda.
Zërat brenda
u shtuan. Dëgjoi një foshnjë të qante.
- Hapeni
derën! - thirri prapë. - Jam Deda!
Filloi të
thërriste emrat e djemve.
U hap dera
dhe hyri brenda ashtu i dërmuar. E rrethoi gjindja e shtëpisë, që edhe pse nuk
fliste, dukej sikur thoshte:
- Po ty, a
nuk të la kush brenda?
Pa folur
asnjë fjalë, u ngrit dhe iu afrua plasës së murit, e cila ishte bërë më shumë
se një pëllëmbë. U ngjit në katin e sipërm. Cupili i traut kishte ecur teposhtë
më shumë se një shuplakë.
- Ngrehuni!
Shpejt, të dalim jashtë! - thirri Deda i tronditur.
- Të gjithë
jashtë kullës! Me gjithçka kemi!
Mëngjesi e
zuri nën qiellin e zbrazët. Deda, i rraskapitur dhe i lodhur tej mase,
vështronte fëmijët e strukur. Aty, në të zbardhur, e mbështeti kryet ndër duar
dhe, brenda atij kotullimi, pa i mbyllur mirë sytë, iu bë se dëgjoi verrkeqen.
Pastaj atë zë të djerrur që thërriste pa ndarë:
- E kanë
vrarë Pjetër Bokën, more ejjj...
Një plakë e
vjetër, veshur krejt me të zeza, zgjaste duart prej kodrës ku ishin lisat e
Drenit dhe ia ngulte thonjtë kullës së tij për ta ndarë më dysh. Në të njëjtën
kohë, sa herë merrte frymë, grimë pas grime, e thithte teposhtë drejt zgrofit
të vet tërë kullën, duke bërë që ajo të humbte ngadalë-ngadalë.
Brofi
njëherë në këmbë, sikur dikush ta kishte shpuar me thikë në zemër. E pa se
kishte bërë një veprim të papritur, pasi të gjithë ishin trembur, por nuk foli
asnjë fjalë, veç mori sqeparin dhe nisi të gdhendte një bisht kazmeje.
Vargu i
njerëzve zbriti teposhtë dhe ra në atë shesh ku Deda kishte zënë familjarisht.
Kishte ardhur krejt katundi me iu gjendur Dedës në këtë ditë. Ndër ta ishte
Preç Marku, me të cilin u përqafuan mirë e mirë.
- Po, or
Dedë, qeshë vetë në mort. Kob i zi qe. Plaku i vjetër, kapërcyer të
tetëdhjetat, nuk mundi të mbahej aspak kur ia hodhën të nipin në gropë. Ka keq
e më keq, po mos na raftë. Ti, prej Zotit, njerëzit e shtëpisë i ke shëndoshë e
mirë. Kullën do ta ngresh prapë. Shtëpinë e ke plot, prej Zotit.
Deda u ndie
ngrohtë. Kishin filluar t'i vinin miqtë e bukës dhe i thoshin fjalë të bardha.
Shife, -
mendoi me vete, - ky vjen e gjen këto fjalë ari bash në ditën më të zezë e të
thotë: "Shtëpinë plot e ke." I del fjala e mirë prej shpirtit dhe nuk
ta bën zi, edhe pse e di mirë se ç'hall ke.
S'kaluan as
gjashtë muaj, kur Deda ishte duke vënë tjegullat e kullës së re, kulla e vjetër
humbte përditë teposhtë, sikur po zhytej bashkë me kujtesën e brezave që e
kishin ngritur dhe plasat në mur hapeshin gjithnjë e më shumë.
Por meraku
për kullën e vjetër e gërryente së brendshmi, aq sa shpesh kishte marrë pushkën
dhe kishte bërë rojë gjithë natën, duke pritur atë gjë të padukshme që po e
thithte teposhtë. Por asgjë nuk kishte mundur të vinte re.
Në krye të
vitit ra ta shihte prapë kullën. Hyri brenda, edhe pse kati i dytë kishte nisur
të humbiste tash nën tokë dhe muri kishte nisur të hapej brinjazi. U ul atje,
rrëzë votrës së deformuar, dhe një gjumë zhegu i shkoi nëpër sy.
Iu shfaq në
ëndërr Abati që po vinte nga Shën Gjergji. Zuri vend në një minder, veshur e
mbathur si mos më mirë, duke kuvenduar me të atin, i cili ishte gëzuar si me
qenë djalë i ri.
- Merre atë
pushkë e shti një herë, - i tha Abati të atit.
Ai, duke
qeshur, u ngrit prej vendit, mori pushkën, doli në dritare dhe shtiu njëherë.
Pastaj thirri djalin e Dedës, ia dha pushkën në duar dhe i tha të shtinte edhe
ai një herë. I biri hodhi vështrimin nga Abati, i cili, duke qeshur, i tha:
- Po, po,
qit edhe ti një herë!
- Bjere ta
qes edhe unë! - tha Deda.
- Jo, Dedë,
- tha Abati, - ti merre pushkën tënde e qit me të, po deshe...
- Dedë,
Dedë! - dëgjoi të vëllanë duke e tundur për krahu. - Çohu e shkunde xhaketën,
se je ba gjysh!
Deda fërkoi
sytë.
- Ka le një
djalë bash sot, ditën e Shna Noit.
Deda doli në
dritaren e kullës. Një larë dielli hyri brenda saj.
- Merr
pushkën tënde e qit edhe ti, po deshe, - iu bë se i foli prapë Abati.
Mori pushkën
dhe shtiu tri herë, njëra pas tjetrës.
U rrit nipi
i vogël dhe një ditë iu afrua Dedës, që ishte duke kapur të nëntëdhjetat, dhe
me të qeshur e pyeti:
- Gjysh, po
pse u shup kulla ashtu? Si s'ma ke kallxue çfarë qe?
- Dëgjo,
bir, - ia priti aty për aty, me të qeshur, të nipit, që tash ishte në universitet.
- Unë qeshë
i zënë me kullën e re e s'pata kohë ta zbuloj pse u shup kulla e vjetër, po ti,
tani që ke shkollë, bën mirë me më kallxue me të vërtetë pse humbte teposhtë
kulla e vjetër, se unë gjithë jetën e kërkova përgjigjen e s'e gjeta dot.


