Blerim Latifi: 30 vjet nga hapja e Zyrës Informative të SHBA-së në Kosovë dhe ngritja e flamurit amerikan në Prishtinë

1h më parë

Prof. Blerim Latifi:

Qenkan bërë plot 30 vite nga ajo ditë kur në një shtëpi në Prishtinë u ngrit flamuri amerikan, me ç’rast u hap Zyra Informative e SHBA-së në Kosovë.

Njeriu duhet ta ketë jetuar atë kohë për ta ndjerë peshën e plotë të atij akti simbolik.

Viti 1996 ishte ndër vitet më të zymta në Kosovën e sunduar nga regjimi fashist i Milosheviqit.

Një dëshpërim i thellë kishte pllakosur njerëzit, sidomos pas përjashtimit të Kosovës nga Marrëveshja e Dejtonit, e cila i dha fund luftës në Bosnje.

Ishte ndjenja e braktisjes dhe e lënies në harresë nga bota. Fjalët dhe premtimet nuk bindnin më; ato vinin e shkonin si gjethet e vjeshtës që i merr era.

Gazetat përsërisnin prej vitesh të njëjtat gjëra, ndërsa vendi po zbrazej pa pushim nga shqiptarët. Ata largoheshin me kokë të ulur para policëve serbë, të cilët me arrogancën e tyre donin të shfaqnin gjithëfuqinë e sistemit të aparteidit.

Aty këtu flitej se në disa fshatra të Kosovës ishin shfaqur njerëz të armatosur që quheshin UÇK, por të paktë ishin ata që besonin se dikush në Kosovë po mendonte seriozisht për një kryengritje të armatosur.

Kishim filluar të jetonim me ndjesinë se vendi kishte mbetur i bllokuar në një zonë të errët, midis rezistencës paqësore që po shterronte dita-ditës dhe luftës së armatosur që askush nuk e dëshironte.

Në atë atmosferë pasigurie, zhgënjimi dhe vetmie politike, ngritja e flamurit amerikan në Prishtinë nuk ishte thjesht hapja e një zyre. Për shqiptarët e Kosovês ajo ishte shenja e parë e prekshme se Amerika nuk e kishte harruar Kosovën.

Ishte një dritë shprese në një kohë kur errësira e nënshtrimit dhe poshtnimit serb dukej se po bëhej gjithnjë e më e madhe.


__________

Në Luftën e Dytë Botërore, të vetmet shtete që u dhanë ndihmë ushtarake dhe logjistike partizanëve shqiptarë ishin Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Oficerë britanikë qëndronin pranë tyre për t'i mësuar se si të përballeshin me makinerinë e sofistikuar luftarake të fashizmit.

Pas luftës, kur uria po e mbyste popullin shqiptar, ndihmat e para ushqimore dhe medikamentet erdhën nga amerikanët dhe britanikët.

Por komunistët shqiptarë, të manipuluar nga jugosllavët e Titos dhe bolshevikët e Stalinit, në vend të mirënjohjes i shpërblyen anglo-amerikanët me përbuzje dhe dëbim.

Dhe pastaj erdhën 45 vjet të theqafjes, me diktaturë politike, terror shtetëror dhe mjerim ekonomik, saqë kur ra regjimi, një komb i tërë dukej si i dalë nga një kamp përqendrimi.

Sot, shumë shqiptarë janë çuar peshë dhe sërish po përpiqen të mbjellin antiamerikanizmin brenda këtij kombi. Dhe sërish kjo vjen nga ata që dikur mbollën farën e komunizmit në këto troje.

Sikurse atëherë, edhe sot përpiqen t'i largojnë shqiptarët nga aleanca e tyre me Perëndimin dhe t'i helmojnë me të njëjtat produkte ideologjike që u kushtuan kaq shtrenjtë dje.

Historia nuk përsëritet; ajo vetëm rimon, ka thënë dikush. Dhe rimat që dëgjohen sot tingëllojnë aq të ngjashme me ato që shqiptarët i kanë dëgjuar dikur, pak para se të hynin në një nga periudhat më të errëta të historisë së tyre.

__________

E dimë të gjithë: në ditët tona, konkurrenca mes shteteve nuk zhvillohet më vetëm në fushën ushtarake apo diplomatike.

Një nga betejat më të rëndësishme është ajo për tërheqjen e investimeve të huaja, teknologjisë, kapitalit dhe projekteve strategjike.

Në këtë garë, shërbimet inteligjente kanë një rol shumë më të madh sesa pranohet zakonisht në diskursin publik. Ky rol quhet:  Inteligjencë ekonomike.

Arsyeja dihet: ekonomia përbën themelin e sigurisë kombëtare. Për këtë arsye, shumë shërbime inteligjente angazhohen në monitorimin e lëvizjeve të kompanive të mëdha, fondeve investuese dhe projekteve që mund të ndryshojnë balancat ekonomike rajonale.

Në raste të caktuara, ato mund të ndihmojnë edhe kompanitë kombëtare në konkurrencën për tenderë ndërkombëtarë, ose të mbrojnë interesat strategjike të shtetit të tyre.

Në rajone të karakterizuara nga rivalitete t? forta e të vjetra gjeopolitike, si Ballkani, investimet e mëdha shpesh shndërrohen në objekte përplasjesh politike. Një port, një aeroport, një korridor energjetik apo një kompleks turistik mund të ketë jo vetëm peshë ekonomike, por edhe rëndësi strategjike.

Për këtë arsye, aktorë të ndryshëm shtetërorë dhe jo-shtetërorë përpiqen të ndikojnë mbi opinionin publik, partitë politike, organizatat e shoqërisë civile dhe mediat, me qëllim favorizimin ose pengimin e projekteve të caktuara.

Në Kosovë inteligjenca ekonomike e Serbis? e ka lënë vendin pa investime në kapacitet e prodhimit të energjisë, ndërsa në Shqipëri inteligjenca ekonomike greke ka filluar operacionin per të mos e lejuar Shqipërinë të bëhet rival i saj në ekonominë mesdhetare të turizmit.

Mos u çudisni: në ditët në vazhdim do mund të shohim se si ky operacion ka skenarë edhe për destabilizimin e shtetit.

Në të dy rastet kjo punë e ndyrë është kryer dhe po kryhet përmes vetë shqiptarëve, disa të blerë e shumë të tjerë në rolin e atyre që në fjalorin e shërbimeve inteligjente quhen idiotë të dobishëm.

__________

Siç na mëson historia, në Romën e lashtë, vaditja e tokave dhe furnizimi me ujë bëhej përmes një sistemi të jashtëzakonshëm ujësjellësish, disa prej të cilëve shtriheshin mbi 100 kilometra, ndërsa vetë qyteti kishte furnizim të pandërprerë me ujë 24 orë në ditë.

Dy mijë vjet më vonë, në Kosovë mburren me hapjen e një vade uji për ujitje.

Në fillim mendova se ishte një foto e gjeneruar nga inteligjenca artificiale, por kur pashë se ishte e vërtetë, më erdhi marre. Marre që në vendin tim, në vitin 2026, paraqiten si arritje gjëra të tilla. Madje me ceremoni zyrtare.

__________

Sa herë që shqiptarët janë pranë një hapi të rëndësishëm a vendimtar që i lidhë më fort me Perëndimin, agjenturat armiqësore aktivizojnë bakteret e Haxhi Qamilit. Për të mos i lënë të ecin përpara dhe, po qe e mundur, edhe për t’i tërhequr sërish drejt mjerimit të së shkuarës.