Blerim Latifi: Pse laboratorët e mëdhenj të inteligjencës artificiale po punësojnë kaq shumë filozofë?

1h më parë

Pse laboratorët e mëdhenj të inteligjencës artificiale po punësojnë kaq shumë filozofë?

Nga Blerim Latifi

Ky është titulli domethënës i një artikulli të fundit të revistës The Economist.

Vetë nëntitulli e shpjegon arsyen: "Kjo teknologji sjell një mori problemesh të ndërlikuara – pikërisht llojin e problemeve që filozofët i kanë gjithmonë për zemër."

Ky zhvillim shënon një kthesë ironike në historinë e mendimit modern.

Qysh nga vdekja e filozofit më të madh të modernitetit, Hegelit, filozofia ka jetuar nën hijen e profecive për fundin e saj të afërt.

Pothuajse çdo rrymë e madhe intelektuale e dy shekujve të fundit ka prodhuar një rrëfim për "vdekjen" e filozofisë.

Marksistët mendonin se ajo do të zëvendësohej nga Materializmi Dialektik e Historik; pozitivistët besonin se shkencat e natyrës do t'i bënin të panevojshme spekulimet filozofike; poststrukturalistët dhe postmodernistët shpallën fundin e metafizikës perëndimore dhe universalizmit të saj epistemik dhe etik; ndërsa postkolonialistët e panë filozofinë perëndimore si një diskurs që duhej tejkaluar bashkë me trashëgiminë e kolonializmit.

Të gjithë, secili në mënyrën e vet, ofruan një argument për "fundin e merituar" të filozofisë.

Edhe Martin Heidegger, ndoshta filozofi më me ndikim i shekullit XX, u bë pjesë e kësaj kronike të vdekjes së paralajmëruar të filozofisë.

Në intervistën e tij të fundit për Der Spiegel, ai parashikoi se filozofia do të zëvendësohej nga kibernetika, pra nga shkenca e sistemeve, e informacionit dhe e kontrollit.

Dekada më vonë, Stephen Hawking do ta përsëriste këtë ide në gjuhën e pozitivizmit të vjetër, duke deklaruar se filozofia kishte vdekur, sepse shkencat e natyrës tashmë po u jepnin përgjigje pyetjeve që dikur i përkisnin filozofisë.

Por historia duket se ka marrë një kthesë të papritur.

Pikërisht teknologjia që shumëkush e pa si varrmihësen e filozofisë po e rikthen atë në qendër të vëmendjes.

Zhvillimi i inteligjencës artificiale ka nxjerrë në pah probleme që nuk zgjidhen vetëm me algoritme dhe fuqi kompjuterike.

Çfarë është kuptimi?

Çfarë është e vërteta?

Çfarë është njohja?

Si duhet të arsyetojë një sistem inteligjent? Si duhet të marrë vendime?

Çfarë e dallon dijen nga hamendësimi?

Këto nuk janë pyetje të inxhinierisë, por të filozofisë.

Prandaj nuk është rastësi që laboratorët më të mëdhenj të inteligjencës artificiale po punësojnë filozofë.

Pra Revolucioni i AI-së nuk po e shpall fundin e filozofisë. Përkundrazi, ai po dëshmon se asnjë teknologji nuk mund të zhvillohet pa reflektim filozofik mbi gjuhën, arsyen, njohjen dhe etikën.

Pas dy shekujsh profeci për vdekjen e saj, filozofia po rikthehet atje ku askush nuk e priste: në zemër të revolucionit më të madh teknologjik të kohës sonë.