Blerim Latifi: Kombet i duan heronjtë e tyre të vdekur
Kombet i duan heronjtë e tyre të vdekur

Po
lexoja një analizë mbi luftën e Iranit. Mes tjerash, autori përdorte konceptin
e njohur si “Kurthi i Tukididit”. Thashë me vete: pse të mos i hyj një rileximi
të plotë të veprës madhështore të Tukididi, Historia e Luftës së Peloponezit?
Sot
kësaj vepre i njihen merita si një ndër tekstet themeltare të shkencës
politike, realizmit politik, gjeopolitikës, si dhe të vetë filozofisë politike.
Vizioni
që Tukididi na jep mbi natyrën e jetës politike është pothuajse tragjik. Dhe
kjo hetohet qysh në librin e parë të "Historia e Luftës së
Peloponezit".
Aty,
mes analizës së shkaqeve që çuan në shpërthimin e kësaj lufte, Tukididi na
sjell historinë tragjike të dy heronjve të një lufte tjetër: asaj
greko-persiane.
Njëri
është athinasi Themistokliu, heroi i Betejês së Salaminës, ku persët u thyen me
turp nga grekët. Tjetri është spartani Pausanias, heroi i Betejês së Platesë,
ku po ashtu persët pushtues u mundën keq.
Por,
me të mbaruar lufta çlirimtare, Sparta dhe Athina nuk ndihen mirë me heronjtë e
tyre të gjallë. U pengon lavdia e tyre; e shohin si rrezik për shtetin dhe i
akuzojnë për ambicie tiranike.
Pausania
detyrohet të arratiset nga atdheu. E përndjekin gjithandej, derisa më në fund e
rrethojnë në një tempull ku e lënë të vdesë nga uria.
Themistokliu
dënohet me ostrakizëm, dëbim nga atdheu. Pastaj e akuzojnë se po bashkëpunon
fshehurazi me armiqtë persë, pikërisht me ata kundër të cilëve kishte luftuar
për të shpëtuar Athinën nga pushtimi.
Heroi
atëherë merr arratinë. Asnjë qytet helen nuk i jep strehim. Më në fund i
drejtohet tokave ilire. Te Molosët i hapin derën. Mbreti i tyre, Admeti, e
strehon dhe, kur athinasit i kërkojnë kokën e tij, ai refuzon ta dorëzojë edhe
përkundër faktit se Themistokliu nuk kishte raporte te mira me të në të
kaluarën.
Ky
mund të jetë një nga shembujt më të hershëm të dokumentuar të asaj që ndër ne,
shqiptarët, njihet si "institucioni i besës".
Dhe
vetë kjo histori është një shembull nga lashtësia që na tregon se si shoqëritë
i duan, i respektojnë dhe i nderojnë heronjtë e tyre të vdekur, por nuk janë në
gjendje ta bëjnë këtë edhe me të gjallët.











