Blerim Latifi: Personazhet mbeten të njëjtit, por maskat ndërrohen vazhdimisht

Prej
të gjitha “kafshëve politike”, militantët janë më të vëmendshmit. Ata e hetojnë
të parët çdo lëvizje në frontin politik dhe të parët i riorientojnë sulmet me
artilerinë e fyerjeve digjitale dhe duartrokitjet.
Kêshtu
atë që dje e ngrinin në qiell, sot e përbaltin, dhe anasjelltas, atë që dje e
përbaltnin, sot e duartrokasin.
Atij
që dje ia vinin në pah virtytet, sot ia nxjerrin në shesh veset, dhe
anasjelltas, atij që dje ia përplasin në fytyrë veset, sot ia mbulojnë ato me
dekorata virtytesh.
Si
ta quajmë këtë teatër etiketash?
A
mund të na ndihmojnë Albert Kamy, Samuel Beketi apo Ezhen Jonesko me teatrin e
absurdit?
Mbase
po. Sepse këtu, në skenën politike kosovare, nuk kemi të bëjmë me bindje të
qëndrueshme politike, por me role që ndërrohen sipas ritmit të betejës
politike. Personazhet mbeten të njëjtit, por maskat ndërrohen vazhdimisht. Si
të "Anarkitë" e Nolit: Heroi i
djeshëm bëhet tradhtari i sotëm, ndërsa armiku i djeshëm shpallet shpëtimtari i
ri.
Në
këtë skenë të zhurmshme, fjalët nuk përdoren më për ta thanë të vërtetën, por
për të organizuar duartrokitjet dhe linçimet. “Virtyti”, “ndershmëria”,
“tradhtia”, “patriotizmi” , të gjitha këto shndërrohen në etiketa të lëvizshme,
që ngjiten dhe hiqen sipas nevojës së momentit. Dhe militantët, si aktorë të
përhershëm të këtij teatri etiketash, janë mjeshtrit më të zotë tê kësaj
metamorfoze pothuajse kafkiane.











