Blerim Latifi: Atë ditë mbi Junik

53m më parë

Prof. Blerim Latifi:

Shikoni me vëmendje tri llojet e detyrave që BIA i paska ngarkuar këtij spiuni të saj nga Dragashi: të infiltrohet brenda institucioneve të Kosovës [nga fotot shihet se ka arritur deri në zyrat më të larta të shtetit], të identifikojë zyrtarë të AKI-së përmes fotografimit të tyre dhe të mbledhë informacione për anëtarë të rrymës vahabiste, me qëllim rekrutimin e tyre në BIA.

Të tria këto detyra pikëtakohen në një qëllim: të goditet shteti i Kosovës nga brenda tij dhe nga jashtë përmes vahabizmit.

Kapja e këtij spiuni nxjerr edhe një herë sheshit faktin se vahabizmi në Kosovë ka qenë dhe vazhdon të jetë një nga projektet më të mëdha të inteligjencës serbe kundër shtetit të Kosovës.

Qysh moti e kemi thënë këtë gjë, por njerëzit këtu[ jo të gjithë, kuptohet] kanë zgjedhur t’i mbyllin sytë e veshët dhe, kështu, në mënyrë pasive të ndihmojnë shkatërrimin e të ardhmes së këtij shteti.

Një individ mund ta shpëtosh nga agresioni i tjetrit, por jo edhe kur ai vendos ta shkatërrojë veten.

Kjo, natyrisht, vlen edhe për kombet e shtetet.

____________

Shkelja e Kushtetutës është kthyer në gjë normale në këtë vend.

Pushteti e ka bërë të qartë se interesat e tij kanë përparësi ndaj respektimit të Kushtetutës.

Opozita nuk e ka ndërmend të shkojë përtej deklaratave teorike në mbrojtje të saj.

Shoqëria civile, që dikur reagonte edhe për gjëra të kota, nuk bëhet e gjallë. Me gjasë ka vdekur bashkë me ndaljen e donacioneve perëndimore.

Juristët, që ky vend i ka me bollëk, çele guri gojën.

Publiku është indiferent.

Të gjithë këta tregues bashkohen në një pikë: ky vend pesë pare nuk i jep nëse një ditë zgjohet në një sistem politik jodemokratik.

____________

Ose institucionet bëhen siç duam ne, ose nuk ka institucione! Ose marrëveshja bëhet sipas kushteve tona, ose nuk ka marrëveshje fare! Ose presidenti zgjidhet siç e mendojmë ne, ose nuk ka president!

Ky është qëndrimi i pakompromis i Vetëvendosjes.

Përballë këtij qëndrimi, LDK-ja u dorëzua: le t’i marrë të gjitha Vetëvendosja.

Tani mbetet të shihet nëse LDK-ja do ta mbështes me votat e saj përqendrimin e t? gjitha pushteteve në duart e Kurtit.

Nëse e bën këtë, mbase shmangen zgjedhjet, por përgjegjësia për pasojat e këtij përqendrimi do të bjerë edhe mbi LDK-në.

Dikush mund të thotë se nuk duhet paragjykuar ky përqendrim i pushtetit. Por ky nuk është paragjykim.

Përqendrimi i pushtetit në një subjekt të vetëm politik, siç tregojnë kush e di sa shembuj nga historia, nuk premton ditë të mira për demokracinë. Aq më pak në vendet ku tradita demokratike është e brishtë dhe e varfër.

____________

“Rrjetet sociale u japin legjioneve të idiotëve të drejtën të flasin, ndërkohë që më parë ata flisnin vetëm në ndonjë bar, pas një gote vere, pa i shkaktuar dëm komunitetit”, thoshte filozofi italian Umberto Eco.

Ai nuk mund ta merrte me mend se në Kosovë do të shkonim edhe më tej: këtu idiotëve nuk u japin vetëm mundësinë të flasin në rrjetet sociale, por edhe të bërtasin nga brenda Parlamentit.

____________

Jeton e punon në Gjermani a në Zvicër. Në dy vende shembull për demokracinë, rendin dhe kulturën institucionale.

Pastaj vjen në Kosovë, hyn në Kuvend të shtetit sikur në një pazar dhe bërtet që të pushkatohet kundërshtari politik i liderit të tij.

Çfarë plehu!

____________

Ju kujtohet filmi vizatimor Tomi e Xheri?

Tomi i shkretë bëhet copë e grimë pas çdo dështimi për ta kapur Xherin dhe, pastaj, në skenën tjetër, shfaqet sërish shëndoshë e mirë.

Kjo është intuita e fëmijëve: bota është si një lodër që mund ta shkatërrosh e ta ndërtosh aty për aty, sipas qejfit. Sherri nuk prodhon pasoja të pakthyeshme dhe gjithçka mund të nisë përsëri nga e para.

Me këtë logjikë, sot, të ashtuquajturit politikanë, në krye me partinë më të madhe, sillen edhe me shtetin e Kosovës.

E shkelin Kushtetutën, i anashkalojnë ligjet, i dobësojnë institucionet dhe nuk çajnë kokën pse ato performojnë keq ose nuk funksionojnë fare. Sepse, në mendësinë e tyre, shteti është si bota e Tomit dhe Xherit: sado ta dëmtosh, në skenën tjetër ai do të shfaqet përsëri aty, i njëjtë dhe i pandryshuar.

Por shteti nuk është film vizatimor. Institucionet nuk rindërtohen vetvetiu pasi janë shkatërruar. Besimi nuk rikthehet me ndërrimin e skenës. Dhe Kushtetuta nuk është një rregull loje që mund të shkelet sot e të harrohet nesër.

Shteti është pjesë e botës së të rriturve mendërisht, ku veprimet kanë pasoja, shpesh të pakthyeshme. Ajo që shkatërrohet sot mund të kërkojë vite, madje breza, për t'u rindërtuar.

____________

Fatmir Limaj dhe Ekrem Kastrati paskan vënë themelet e një “vepre të madhe ekonomike” në qendër të Malishevës.

Malisheva ndërkohë po përballet me një nga problemet më të rënda: zbrazjen e shkollave dhe ikjen masive të të rinjve drejt Perëndimit.

Kjo vepër do ta frenojë përfundimisht këtë zbrazje demografike. Dikush po e quan "spastrim demografik të Kosovës".

Aq shumë do ta frenojë, sa një ditë nuk do të mbetet kush të dërgojë kurora me lule te varret e dëshmorëve në Kleçkë.

P.S. Naim Tërnava atë punë e ka. Është bisnesi i tij. Ai e mendon botën e shoqninë në terma religjiozë, sepse është prijës fetar. Problemi është kur politikanët dështojnë t’i japin ekonomi vendit dhe dështimin e tyre e fshehin pas palltos së Tërnavës. Është e qartë si drita e diellit: Një ditë, as ajo nuk do t’u kryejë punë.


____________

E lexova këtë lajm: Itaka, ishulli grek që besohet të jetë atdheu i Odisesë në poemën e Homerit, po përballet me një bum turistësh, pas publikimit të filmit të Christopher Nolan, The Odyssey.

Por arkeologjia kurrë s’e ka gjetur apo vërtetuar se ku ishte Itaka e Odiseut të Homerit. Mundet që ajo të mos ketë ekzistuar kurrë jashtë imagjinatës së rapsodit të lashtë. Madje, vetë ekzistenca e këtij rapsodi nuk është e dëshmuar kurrë.

“Itaka e sotme” është thjesht sajesë e politikës turistike të shtetit grek.

Industria e miteve ka qenë dhe vazhdon të jetë financiarisht shumë profitabile në botë.

Ëndërrimtarët me sy hapur janë kapitali i kësaj industrie.

Grekët janë një nga shembujt më të suksesshëm të saj, ndërkaq shqiptarët ndër shembujt më të pasuksesshëm.

____________

Përveç reciprocitetit ekonomik dhe politik, ekziston edhe reciprociteti moral: njohja e ndërsjellë e vuajtjeve njerëzore.

Nëse ti i njeh vuajtjet e mia, edhe unë i njoh vuajtjet e tua. Nëse ti e njeh luftën time për liri e pavarësi, edhe unë e njoh luftën tënde për liri e pavarësi.

Por nëse ti nuk i njeh vuajtjet e mia, as unë nuk kam asnjë detyrim moral t’i njoh vuajtjet e tua.

Nëse ti e mohon luftën time për liri e pavarësi, nuk mund të kërkosh prej meje që ta njoh si të tillë luftën tënde. Indiferenca jote e meriton indiferencën time.

Ky është ligji i barazisë natyrore. Lex talionis, siç e quanin romakët.

____________

Atë ditë mbi Junik

... Më vonë e kuptuam se nuk do të mund të lëviznim nga vendi ku ishim pozicionuar mbi Junik, derisa të vinte një urdhër tjetër nga Komandanti i Zonës Operative të Dukagjinit, Ramush Haradinaj.

Pas dy ditësh, morëm vesh se do të na vizitonte pikërisht ai. Në orën e caktuar, u rreshtuam të gjithë në rrugën kryesore të atij vendbanimi për të pritur komandant Haradinajn. Ai erdhi i shoqëruar me një grup ushtarësh dhe, bashkë me komandantin e brigadës sonë, e mori në revistë gjithë brigadën.

Pastaj doli përpara nesh dhe na mbajti një fjalim të shkurtër. Na quajti “heronj të thyerjes së kufirit”, na uroi çlirimin e Kosovës dhe ne të gjithë iu përgjigjëm me “urra”.

Dukej i dobësuar nga shëndeti, por uniforma i rrinte bukur në shtat. Njeriu për të cilin kisha dëgjuar aq shumë që nga marsi i vitit 1998, tani ishte aty, përballë meje: ai komandant dhe unë ushtar i tij.

Atë pasdite e kuptuam se do të mund të lëviznim të lirë në drejtim të familjeve tona. Ishim të gëzuar që më në fund do të bashkoheshim me to, por, njëkohësisht, me një ndjenjë frike se, ndoshta, nuk do t’i gjenim më gjallë...

Pjesë nga kujtimet e luftës.