Blerim Latifi: Mësimi i harruar i Homerit
Duke lexuar statistikat mortore të Luftës Ukrainë-Rusi
Mësimi i harruar i
Homerit

Stefan
Cvajgu, në librin e tij të shkëlqyer “Bota e së djeshmes – Kujtimet e një
europiani”, përshkruan entuziazmin që pushtoi turmat në fillim të Luftës së
Parë Botërore. Njerëzit niseshin drejt frontit sikur po shkonin në një festë
ose në një aventurë të shkurtër, me bindjen se lufta do të mbaronte shpejt dhe
se do të ktheheshin triumfalisht në shtëpi. Por lufta zgjati mbi katër vite,
duke e kthyer Europën në rrënoja.
Ky
iluzion nuk ishte i ri. Ai e ka shoqëruar luftën që nga fillimet e historisë
njerëzore.
Luftërat
fillojnë pothuaj gjithmonë me premtimin e një fitoreje të shpejtë, por gjatë
rrugës ky premtim shembet. Entuziazmi ia lë vendin zhgënjimit, ndërsa njerëzit
e gjejnë veten të mbyllur brenda një ferri që nuk ka horizont fundi.
Edhe
mitet më të lashta e njohin këtë mekanizëm të rrezikshëm që shkakton luftërat.
Grekët
u nisën drejt Trojës me bindjen se do ta kryenin shpejt punën dhe do të
ktheheshin fitimtarë. Por lufta zgjati dhjetë vjet. Ajo që dukej një ekspeditë
e shkurtër krenarie u shndërrua në një katastrofë të stërzgjatur.
Prej
mijëra vitesh jemi mësuar ta lexojmë “Iliadën” e Homerit si një epope heroizmi
dhe aventure, por pothuajse kurrë nuk ndalemi te mësimi i saj më i madh
politik: iluzioni i luftës së shpejtë.
Shembulli
më i fundit në historinë tmerrësisht të gjatë të këtij iluzioni është, pa
dyshim, lufta Rusi–Ukrainë. Kur Vlladimir Putin urdhëroi pushtimin e Ukrainës,
pothuajse të gjithë, përfshirë edhe vetë Kremlinin, besuan se lufta do të
përfundonte brenda pak javësh ose muajsh. Kjo bindje reflektohej edhe në emrin
që iu dha agresionit: "Operacioni Special Ushtarak". Ishte një
emërtim që nënkuptonte një aksion të shpejtë dhe vendimtar, në frymën e
Blitzkrieg-ut.
Por,
ashtu si Blitzkrieg-u gjerman u shndërrua në një luftë pesë vjeçare, që la pas
60 milionë viktima, edhe "Operacioni Special" i Putinit ka hyrë
tashmë në vitin e pestë, duke lënë pas mbi gjysmë milioni të vrarë.
Mbase ky është një lloj ligji i natyrës së luftës: ajo fillon me iluzionin e një fundi të shpejtë, por shumë shpesh përfundon duke u bërë një ferr që merr vite, gëlltit breza të tërë njerëzish dhe shpesh edhe kombe e civilizime.





