Blerim Latifi: Pse e sulmojnë figurën e Skënderbeut edhe sot, gati 600 vjet pas vdekjes së tij?

2h më parë


Prof. Blerim Latifi:

Pse e sulmojnë figurën e Skënderbeut edhe sot, gati 600 vjet pas vdekjes së tij?

Në terma të psikiatrisë, ky obsesion urrejtjeje do të konsiderohej simptomë e çrregullimeve serioze mentale. Por këtu çështja është politike. Krejtësisht politike.

E sulmojnë sepse Skënderbeu është simbolika e orientimit evropian të shqiptarëve, e ata nuk e duan këtë; i duan shqiptarët një provincë të mjerë turke brenda Evropës, me të cilën krejt Evropa do të tallej, ndërsa ata do të ndiheshin krenarë, porsi ai gjeli që këndon mbi tubën e plehut në fund të oborrit.

Pse e sulmojnë Kanunin e Lekë Dukagjinit?

Jo se brengosen për karakterin e tij patriarkal, por se Kanuni i pengon ta instalojnë brenda familjeve shqiptare endogaminë arabe, martesën brenda lidhjeve të gjakut.

__________

Të gjithë e dinin se ka punuar në shërbimin inteligjent të Millosheviqit, por ai ia del që pas luftës ta relativizojë disi këtë.

Ia del madje t’i bindë njerëzit se kapitulli i tij si spiun serb është mbyllur përgjithmonë dhe se ai tani është qytetar lojal i shtetit të Kosovës.

Kështu, atij i hapen dyert gjithandej. Krijon miqësi me politikanë e gazetarë. Shfaqet edhe si analist politik, ndërsa vazhdon zanatin e paraluftës pa u kuptuar.

Spiuni që është armik dhe arrin të të bindë se është mik, është shkalla më e lartë e sofistikimit të këtij zanati. Sheholli e zotëronte këtë shkallë. Kjo tregon për një talent të rrallë, për një aftësi agjenturore që veç tipa si Kim Philby e kanë pasur.

Prandaj, përpjekjet për t’i minimizuar dhe zhvlerësuar dokumentet e gjetura në telefonin e tij, duke e paraqitur si një agjent ordiner dhe irelevant, janë thjesht përpjekje për ta zvogëluar rëndësinë e asaj që këto dokumente dëshmojnë. Se kush është i interesuar për këtë, dihet. Parasegjithash militantët dhe mercenarët e Kandaharit kosovar.

Fakti se Kosova është në rënie të lirë prej kohësh nuk mund të shpjegohet thjesht me budallallëkun e përgjithshëm të asaj që, kushtimisht, mund ta quajmë elitë politike. Duhet të ketë një strukturë të fortë që po e administron këtë budallallëk. Në fjalorin e operacioneve të ndikimit, kjo njihet si teknika e “idiotëve të dobishëm”: njerëz që, me veprimet e tyre, çojnë përpara interesat e një aktori tjetër, duke besuar gabimisht se po veprojnë në interesin e tyre.

__________

Moti, shumë moti, ju kam rrëfyer për aleancën në veprim dhe në qëllim midis nacionalizmit shtetëror maqedonas dhe rrymave vehabiste e selefiste kundër identitetit kombëtar të shqiptarëve në Maqedoni.

E keni parë rrëfimin tim si ekzagjerim.

Tash, zhvillimi i ngjarjeve po e konfirmon këtë rrëfim.

Kam frikë se s'keni parë gjë akoma.


__________

Kur e vërteta është e heshtur, pa zë, e pabesueshme, armiqtë e saj nuk janë agresivë ndaj saj, sepse ndihen të sigurt në kontrollin që kanë.

Por kur e vërteta del sheshit dhe bëhet e kapshme edhe për më naivët, atëherë armiqtë e saj acarohen dhe egërsohen.

Prandaj, tash që doli sheshit e vërteta mbi luftën e Serbisë për ta kthyer projektin perëndimor të shtetit të Kosovës në një kandahar, armiqtë e kësaj të vërtete do të egërsohen e do të hidhen në sulm gjithandej në sferën publike.

Do të prodhojnë zhurmë të madhe.

Për ta mbytur të vërtetën.

Për ta bërë të heshtë.

Për ta deformuar.

Për të mos lejuar që ajo të dëgjohet.

Por Kosovën tonë, atdheun tonë, përherë e ka shpëtuar e vërteta.

Ajo do ta shpëtojë edhe kësaj radhe. Nuk kam asnjë dyshim.

__________

Që nga dita e parë e agresionit rus mbi Ukrainën, Kisha Ruse nuk ka pushuar së përkrahuri këtë agresion, duke i mveshur atij edhe cilësime të shenjta. Arsenali nuklear i Rusisë ka marrë bekime fetare dhe reliket e shenjtorëve rusë janë dërguar në front për t’u dhënë mbështetje shpirtërore ushtarëve të Putinit.

Dikush mund ta shohë këtë si një qëndrim skandaloz të një institucioni fetar, por, në thelb, ky qëndrim është i bazuar në parimet e moçme të kishave ortodokse: ato janë kisha të varura dhe në shërbim të shtetit përkatës.

Njësoj është gjithandej botës ortodokse. Në kohën e Bizantit, Kisha i bindej autoritetit të Perandorit. Kur Mehmeti II pushtoi Kostandinopojën, bindja e Kishës kaloi te Sulltani. Dhe kur edhe otomanët morën fund në Ballkan, kishat ortodokse u kombëtarizuan, pra u kthyen në institucione që u shërbenin interesave kombëtare të shteteve përkatëse. Greqia, Bullgaria, Serbia ishin mes këtyre shteteve. Bile në Serbi interesit shtetëror i nënshtrohet edhe Bashkësia Islame e Serbisë.

Por ky rregull nuk u kufizua vetëm brenda commonwealth-it bizantin. Ai influencoi edhe botën islame. Si gjatë Perandorisë Osmane, edhe pas saj, kur lindën shtetet e sotme arabe, feja ishte dhe mbeti institucion në shërbim të interesave kombëtare të këtyre shteteve. Kjo do të thotë se Islami ishte dhe është i detyruar të interpretohet në përputhje me këto interesa. Irani, Arabia Saudite, Egjipti dhe Turqia janë shembuj kryesorë në këtë drejtim.

Por edhe në Perëndim, ku kishat janë të ndara nga shteti, ato prej kohësh nuk ndjekin politika që bien ndesh me interesin kombëtar. Pra, edhe aty marrëdhënia mes fesë dhe shtetit, ndonëse e ndërtuar mbi parimin e ndarjes institucionale, nuk do të thotë domosdoshmërisht përplasje me interesat themelore të shtetit dhe të kombit.

Veç ndër shqiptarë bën vaki që feja të përdoret haptas kundër interesave kombëtare dhe madje kjo edhe të cilësohet si gjë normale.