Blerim Latifi: Çarja e radhës në LDK

U
nisën me flamurin e bashkimit të së djathtës, dhe ja ku janë sot, në fillim të
një çarje tjetër të madhe të partisë.
Kjo
çarje ka arsye që nuk kërkojnë shumë mund për t’u kuptuar: ata në LDK që kanë
vuajtur më së shumti sulmet nga pushteti i binomit Kurti–Osmani, nuk mund të
bëheshin brenda natës mikpritës të kthimit të Vjosa Osmanit në LDK.
Kishte
vetëm një mundësi që plagët e tyre të qetësoheshin dhe pajtimi të arrihej:
Vjosa duhej të kthente një përqindje të madhe të elektoratit që kishte ikur
bashkë me të në listën e Vetëvendosjes në vitin 2021.
Meqë
kjo nuk u arrit, të zemëruarit me Vjosën nuk kishin më arsye të heshtnin.
Heshtja e tyre bëhej edhe më e pamundur nga fakti se strategjia elektorale e
Lumirit dhe Vjosës linte të kuptohej se ata e kishin në mendje një koalicion me
Vetëvendosjen pas zgjedhjeve të 7 qershorit.
Vetë
Vjosa, atë natë, në minutat e para pas mbylljes së kutive të votimit, e zbuloi
planin. Ajo nuk e fshehu se kthimi i saj në LDK ishte i përkohshëm: ajo ishte
kthyer në LDK jo për LDK-në, por për ta përdorur edhe një herë atë si mjet në
rrugën e rikthimit në zyrën e Presidencës.
Natyrisht,
kjo mund të ketë irrituar shumë njerëz për të cilët LDK-ja nuk është thjesht
një subjekt politik, por një identitet personal e historik. Dhe të tillë në LDK
ka shumë.
Lumiri,
duke i bërë fresk këtij plani të Vjosës, nuk po e kuptonte se kupa ishte
mbushur dhe nuk mbante më. Kështu filluan rebelimet e degëve dhe mbledhja e
nënshkrimeve për thirrjen e Kuvendit, ku tashmë duket se bashkimi nuk është më
skenari më i mundshëm.
Vetë
logjika e thirrjes së këtij Kuvendi i tregon qartë pasojat e tij: një kuvend i
thirrur për të zgjidhur një konflikt të brendshëm rrallëherë mbetet vetëm një
procedurë teknike. Ai zakonisht shndërrohet në betejë për drejtimin dhe
identitetin e një partie. Dhe, natyrisht,
pala që e humbet këtë betejë do të përballet me pyetjen themelore nëse
ka ende vend për të në shtëpinë e vjetër apo është koha për të dalë prej saj?


