Blerim Latifi: Ky është testi i njohur historik i lidershipit

1h më parë

Ky është testi i njohur historik i lidershipit

Nga Blerim Latifi

Fuqia e vërtetë e një lideri nuk matet vetëm me aftësinë për të fituar pushtetin, por me aftësinë për ta shndërruar pushtetin në një mjet bashkimi.

Një lider i madh nuk ushqehet me ndarjet, frikën dhe pakënaqësitë e njerëzve, por kërkon mënyra për t’i kapërcyer ato.

Ai arrin që urrejtjet e grumbulluara brenda një kombi t’i kthejë në mirëkuptim dhe respekt; përplasjet t’i shndërrojë në bashkëpunim; energjinë destruktive të konfliktit ta drejtojë drejt krijimit dhe përparimit.

Detyra e tij nuk është t’u tregojë njerëzve vetëm se ku ndryshojnë nga njëri-tjetri, por t’u kujtojë e t'i bindë në atë çfarë i bashkon.

Sepse një komb modern nuk ndërtohet duke zhdukur dallimet, por duke krijuar një hapësirë ku dallimet bashkëjetojnë nën një qëllim më të madh të përbashkët.

Lideri i vërtetë e kupton se kombet dobësohen kur qytetarët shohin njëri-tjetrin si armiq dhe forcohen kur mësojnë ta shohin tjetrin si bashkëudhëtar në të njëjtën histori.

Ai nuk kërkon të sundojë mbi ndarjet, por t’i kapërcejë ato.

Nuk e  dërton madhështinë e vet mbi plagët e shoqërisë, por mbi aftësinë për t’i shëruar ato.

Në fund, trashëgimia e një lideri nuk përcaktohet vetëm nga betejat që ka fituar, por nga lidhjet që ka krijuar mes njerëzve.

Kurti e kishte krejt kohën dhe mundësitë për ta kaluar këtë test bazë të lidershipit, por nuk ia doli.

A ka ende kohë dhe mundësi?

Nuk e besoj. Edhe nëse i fiton edhe dhjetë palë zgjedhje, qoftë edhe me nga 60 apo 70 për qind, kjo nuk do ta ndryshonte thelbin e problemit.

Sepse suksesi elektoral nuk është domosdoshmërisht sukses politik, ndërsa fitorja në zgjedhje nuk është e njëjtë me fitoren mbi përçarjen që rrënon.

Në fund, historia nuk i pyet liderët vetëm sa herë fituan. I pyet se çfarë bënë me fuqinë që u dha populli.