Blerim Latifi: Puthja e dorës së liderit!

Brezi ynë, këtu në Kosovë, ka një "privilegj" të
cilin nuk besoj se e kanë pasur brezat e kaluar dhe vështirë se do ta kenë ata
që do të vijnë pas nesh. Ky është privilegji i të jetuarit dhe përjetuarit, në
një farë mënyre, të krejt epokave të historisë njerëzore njëkohësisht.
Ne kemi mundësinë që, krahas kohës sonë moderne, të
përjetojmë ende gjurmë të gjalla të lashtësisë dhe mesjetës. Pra të jemi
njëkohësisht primitivë, bizantinë, otomanë dhe njerëz të shekullit 21.
Ka shumë shembuj që e dëshmojnë këtë, por këtu do të marr
vetëm një: puthjen e dorës së liderit, gjest që e pamë dje në një tubim
elektoral të Kurtit në Zvicër.
Historia na tregon se puthja e dorës së liderit është një
nga gjestet më të vjetra politike dhe simbolike të njerëzimit.
Ajo nuk ka qenë thjesht shenjë mirësjelljeje apo respekti
personal, por një ritual i pushtetit: një mënyrë për ta bërë të dukshëm
sundimin absolut.
Historia e këtij gjest, pra, është histori e hierarkisë, e
nënshtrimit dhe e shenjtërimit të autoritetit politik.
Në Persinë e Lashtë, në Bizant, në Perandorinë Osmane, trupi
i sundimtarit konsiderohej pothuajse i shenjtë. T’i afroheshe atij ishte
privilegj. T’ia puthje dorën apo skajin e teshave ishte pranim publik se ai
qëndronte mbi rendin e zakonshëm njerëzor.
Siç na tregon Herodoti, në oborrin e mbretërve persianë
ekzistonte rituali i proskynesis: përkulja deri në tokë para sovranit. Rituali
islam i gjunjëzimit para Zotit buron nga ky ritual i despotizmit oriental.
Grekëve të lashtë kjo u dukej e papranueshme, sepse për
qytetarin grek liria politike nënkuptonte që askush nuk ishte zot mbi tjetrin.
Pikërisht këtu zë fill përplasja mes kulturës së qytetarit
të lirë dhe kulturës së robit tê nënshtruar.
Më vonë, në Perandorinë Bizantine, rituali në fjalë u
rafinua deri në ekstrem.
Perandori shfaqej si përfaqësues tokësor i rendit hyjnor.
Ceremonitë e oborrit bizantin ishin të mbushura me gjunjëzime, puthje duarsh,
puthje këmbësh dhe kode të sakta afërsie e distance.
Në Perandorinë Osmane, puthja e dorës së Sulltanit nuk
mjaftonte: duhej puthur edhe këmbët e tij. Kjo pastaj do të metastazonte: nga
veziri i madh e deri te pasha a kadiu diku në provinca, pushteti kërkonte
vazhdimisht puthje duarsh e këmbësh prej njerëzve.
Vetëm kur u shfaq moderniteti me revolucionet e tij
iluministe, ky ritual filloi të humbiste magjinë e tij teo-politike.
Iluminizmi krijoi qytetarin modern, i cili nuk gjunjëzohet para askujt, pra as para
sundimtarit. Kështu puthja e duarve e këmbëve u zëvendësua me shtrëngimin e
duarve, si simbolikë barazie. Në Per?ndim vetëm Kisha vazhdoi të ruante këtë
ritual në formën e puthjes se unazês së
Papês a peshkopit.
Por, siç na kujton Salman Rushdie, mutërat e të shkuarës nuk
zhduken kurrë plotësisht. Ato shfaqen e rishfaqen vazhdimisht në politikë,
religjione e regjime autoritariste për të na treguar se sa të pasigurta janë
vlerat e lirisë dhe dinjitetit njerëzor. Posaqerisht të këtij të fundit. Sepse
dinjitet do të thotë të qëndrosh vertikalisht në këmbë, të mos gjunjëzohesh e
të mos përjargesh para autoriteteve, kushdoqofshin ato.











