Blerim Latifi: Shqiptari që proteston për botën, por hesht për lagjen e vet

Në
vitin 2007, Komuna e Tetovës mori vendim që disa rrugë të qytetit të emërtoheshin
“Iliria”, “Dëshmorët e Kombit” dhe “Dervish Cara”. Gati njëzet vjet më vonë,
Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut e shfuqizoi atë vendim, duke
rikthyer emrat e vjetër të këtyre rrugëve, përfshirë edhe emrin e Titos.
Pse
ky vendim nuk u mor atëherë, por u desh të priteshin pothuajse dy dekada?
Nuk
është aspak e vështirë të kuptohet arsyeja: sot shqiptarët në Maqedoninë e
Veriut janë politikisht shumë më të dobët sesa ishin në atë kohë. Kjo u pa edhe
në çështjen e gjuhës shqipe.
Protestat
e studentëve nuk arritën të shndërrohen në një lëvizje më të gjerë politike.
Partitë shqiptare janë më të përçara dhe me më pak peshë se dikur, ndërsa ajo
që, me kusht, mund ta quajmë elitë kulturore, po i ngjan përditë e më shumë
elitave kulturore të Lindjes së Mesme, duke u marrë me kauza dhe identitete të
largëta, ndërsa humbet ndjeshmërinë për çështjet që prekin drejtpërdrejt
pozitën e shqiptarëve në vendin e vet.
Si
rezultat, është krijuar një gjendje paradoksale: shqiptari i Maqedonisë mund të
të hidhet në fyt për Palestinën, por kur i ndërrojnë emrin shqip të rrugës para
shtëpisë, kthen kokën në anën tjetër.
Natyrisht,
nacionalistët maqedonas e dinë këtë gjendje, prandaj edhe i janë futur punës
për t’i shkatërruar të gjitha rezultatet që arritën shqiptarët pas luftës së
vitit 2001.
Do
të doja, por nuk shoh se do të hasin në shumë vështirësi.









