Blerim Latifi: Një shoqëri që shpërblen analfabetët

Qeveritë
në këtë vend, përfshirë edhe këtë të tashmen, kurrë nuk e kanë marrë seriozisht
arsimin në Kosovë. Janë mjaftuar me administrimin e gjendjes ekzistuese dhe me
premtime për të ardhmen.
Prindërit,
po ashtu, r?ndom nuk e kryejnë punën e tyre: t’i bindin fëmijët se arsimimi
cilësor është i domosdoshëm për jetën e tyre kur të rriten.
Vetë
fëmijët, të joshur nga “magjia” e botës digjitale, e shohin shkollën si një
detyrim të mërzitshëm.
Kësaj
mërzie i shtohet një fakt tjetër: përmbajtjet e teksteve mësimore, sidomos
atyre për klasat e ulëta, janë metodologjikisht katastrofale.
Ato,
kryesisht, hartohen pa përfillur rregullin psikologjik që thotë se përmbajtja e
tekstit duhet të jetë në përputhje me zhvillimin kognitiv të fëmijës.
Shikoni
tekstet e klasave të para, të dyta e të treta: aty gjen mësime aq të
komplikuara e abstrakte, sa edhe një nxënës i shkollës së mesme ka vështirësi
t’i kuptojë.
Duke
qenë përtej mundësive të tyre objektive për t’i kuptuar, nxënësit detyrohen t’i
mësojnë përmendësh, sa për t’i hequr qafe.
Kështu,
memorizimi kthehet në metodë kryesore, ndërsa ajo që përbën thelbin e edukimit
modern, zhvillimi i aftësive për të menduar, eliminohet fare.
Nga
kjo vjen rezultati final: teksti nuk kuptohet sepse nuk mendohet. Vetëm qeniet
që mendojnë mund të kuptojnë.
Krejt
kësaj historie të degradimit të edukimit i shtohet plehu i rrjeteve sociale,
algoritmet e të cilave promovojnë modelin e analfabetit të suksesshëm.
Fëmijët
ndjekin modele dhe, kur atyre u ekspozohen analfabetë të kthyer në yje të
showbiz-it e të rrjeteve sociale, sigurisht që mesazhi që marrin është i qartë:
edhe pa dije, pa arsimim dhe pa aftësi për të menduar, mund të bëhesh i
famshëm, i pasur dhe i admiruar.
Me
pak fjalë: një shoqëri që shpërblen analfabetët nuk ka mundësi tjetër, përveçse
të kthehet një ditë në shoqëri analfabetësh. E një shoqëri analfabetësh do të
thotë një shoqëri pa kapacitete për të mbrojtur liritë e saj, demokracinë dhe
zhvillimin drejt standarteve të botës bashkëkohore.


