Blerim Latifi: Melodia e fyellit dyjar shqiptar si kolonë zanore në filmin "Odiseu"


Melodia
e fyellit dyjar shqiptar si kolonë zanore në filmin "Odiseu" të
Christopher Nolanit.
Nuk
mund të gjendej një tingull që do t’u përngjante më shumë tingujve të kohës
homerike sesa tingulli i këtij fyelli. Në vazot antike greke, perëndesha Athina
paraqitet duke i rënë një vegle të ngjashme, aulosit të lashtë, një instrument
me dy tuba frymorë që i përket së njëjtës familje veglash muzikore me fyellin
dyjar.
Por,
përtej këtij lajmi kaq të bukur për trashëgiminë kulturore të kombit tonë,
shfaqet një pyetje e vjetër:
Pse
rikthehet vazhdimisht Odisea?
Dhe:
pse sot edhe një film tjetër për të?
Sot
miliona njerëz përballen me luftëra shkatërrimtare, si në fronte ashtu edhe si
të zhvendosur nga shtëpitë e tyre. Ata mund të ndahen nga armiqësitë dhe
konfliktet që i kanë vendosur përballë njëri-tjetrit, por të gjithë i bashkon
një dëshirë thellësisht njerëzore: dëshira për t’u kthyer në shtëpi.
Dhe
pikërisht këtu qëndron fuqia e Odisesë: ajo është eposi universal dhe i
përjetshëm i kësaj dëshire njerëzore.
Ajo
nuk është vetëm historia e udhëtimit të një heroi të lashtë drejt Itakës, por
rrëfimi i përvojës së përbashkët njerëzore të humbjes, vuajtjes, kujtesës dhe
shpresës për rikthim.
Siç
shkruan Milan Kundera në novelën e tij "Padija", thelbi më i thellë i
Odisesë nuk qëndron vetëm te aventura e heroit, por te pyetja ekzistenciale e
kthimit: a është ende e mundur të kthehesh te ajo që ke lënë pas?
Odiseu
nuk kthehet thjesht në vendlindje. Ai kërkon një botë të humbur nga koha dhe
nga përvoja e luftës. Pikërisht këtu lind dhimbja e nostalgjisë: dhimbja e
kthimit të pamundur në një kohë dhe në një mënyrë jete që janë humbur
përgjithmonë.
Dhe
ndoshta kjo dhimbje shprehet në mënyrën më autentike pikërisht në tingujt
melankolikë të fyellit dyjar dhe të iso-polifonisë shqiptare: tinguj të lashtë
që bartin kujtesën e kohëve të largëta, mallin për vendin e humbur dhe dëshirën
e përhershme njerëzore për t’u kthyer aty ku dikur ishte shtëpia jonë e
vjetër, aty ku, përpara se ta njihnim
tragjizmin e botës së madhe, ëndërronim për paqen dhe lumturinë e përhershme.
___________
Pse njerëzit, ndër
shekuj, e kanë dashur heroin mitik Odiseun?
Për
shumë arsye. Ja disa prej tyre,:
Patriotët
e kanë admiruar për heroizmin e kthimit në atdhe dhe besnikërinë ndaj Itakës,
aq sa ai zgjodhi të hiqte dorë edhe nga pavdekësia që i ofrohej, vetëm për t’u
kthyer në shtëpinë e tij.
Iluministët
kanë parë tek ai triumfin e intelektit njerëzor përballë fuqive misterioze të
natyrës dhe fatit.
Adorno
dhe Horkheimer, në veprën “Dialektika e Iluminizmit”, tek Odiseu gjejnë figurën zanafillore të qëndrimit iluminist
ndaj botês: njeriun që, përmes arsyes, llogaritjes dhe vetëpërmbajtjes, ia del
të bëj zap botën që e sfidon.
Politikanët
e kanë çmuar për mendjen strategjike dhe aftësinë për t'i shmangur kurthet. Nuk
është rastësi që edhe Kali i Trojës, mashtrimi që solli rënien e qytetit, lidhet
me emrin e Odiseut.
Por
edhe shkrimtarët e kanë dashur Odiseun, sepse ai është modeli zanafillor i
zanatit të tyre: rrëfimi i një udhëtimi plot vuajtje, humbje dhe sprova, por me
fund të lumtur.
Një
ide që shpesh i atribuohet Tolstoit e përmbledh këtë strukturë themelore të
tregimit: historitë tona ndërtohen rreth dy lëvizjeve të mëdha: largimit nga
shtëpia dhe kthimit në të.
Tek
në shekullin XX, arti i tregimit u përpoq ta sfidonte paradigmën e Odiseut. Kjo
sfidë lidhet me emrin e shkrimtarit irlandez, James Joyce. N? romanin e tij
Uliksi[ emri latin i Odiseut], krejt aventura zhvillohet brenda një dite dhe
personazhet nuk largohen fizikisht nga qyteti i tyre.
Odiseu
është heroi që nuk fiton sepse është më i forti, por sepse di të mendojë, të
durojë dhe t'ia dalë mes dallgëve të botës së trazuar. Ndoshta pikërisht për
këtë ai mbetet bashkëkohësi ynë edhe pas tre mijë vjetësh.
___________
Derisa
tymi i luftës ngrihet mbi Moskë e Teheran, bota ndjek aventurat e Odiseut, të
risjella nga Hollywood-i, dhe pret që, në mbrëmje, ta vazhdojë spektaklin me
finalen e Kupës së Botës.
2800
vjet pas Homerit, bota njerëzore mbetet e njëjta: mes luftës dhe argëtimit, mes
tragjedisë dhe spektaklit.
Ballkani,
i cili në kohë trazirash botërore rëndom është gjendur në anën e tragjedive,
kësaj here ka fatin ta shijojë spektaklin. Dhe këtë falë paqes të garantuar nga
"imperializmi amerikan", të cilin shumë budallenj ideologjikë në
Prishtinë, Tiranë, Preshevë e Shkup e piketojnë si "të keqen më të madhe
të njerëzimit".


