Blerim Latifi: Naiviteti diplomatik i Tiranës në raport me Serbinë

24m më parë

Prof. Blerim Latifi:

Disa ditë më parë, një ministre serbe tha hapur se, po të ishte në vend të Millosheviqit, ajo do ta spastronte etnikisht Kosovën. Në fakt, Millosheviqi e pati provuar, por nuk ia doli. Sot, në Serbi, nga shumica, e vetmja vërejtje që i bëhet është se ai dështoi në këtë drejtim.

Në një shtet normal evropian, një ministër që jep një deklaratë të tillë shkarkohet automatikisht. Në Serbi kjo nuk ndodh, sepse Serbia nuk është ende një shtet normal.

Vuçiqi vazhdimisht kujdeset të tregojë se pret rastin e volitshëm për të sulmuar Kosovën.

Para pak ditësh, në Zubin Potok u zbulua një varrezë masive e shqiptarëve të vrarë, të cilën shteti serb e mbante të fshehur. Një serb që u akuzua se kishte zbuluar sekretin, u arrestua nga policia serbe.

Në kontekst të këtyre zhvillimeve, që shfaqin një imazh të errët të Serbisë, asaj i duhej një “lajm pozitiv” që të tregonte një “Serbi tjetër, konstruktive, miqësore, që shikon nga e ardhmja”.

Dhe ky lajm u gjet: konsullata e Shqipërisë në Bujanoc dhe ajo e Serbisë në Shkodër. Naiviteti diplomatik i Tiranës në raport me Serbinë u shfrytëzua për bukuri nga Beogradi për ta shitur këtë lajm si dëshmi të një Serbie të re, e cila, në fakt, nuk do të lindë derisa serbët të kuptojnë se Kosova nuk do të kthehet kurrë më në Serbi.

________

Një vit pas agresionit rus kundër Ukrainës, ushtria ruse kishte ngecur në të gjitha frontet e luftës. Gatishmëria heroike për të rezistuar e ukrainasve dhe armët moderne të Perëndimit që po vinin, e larguan shumë ëndrrën e Putinit për një fitore të shpejtë.

Në situata të tilla gjithmonë kërkohet shpëtim në hapjen e një lufte tjetër, e cila mund ta zhvendosë përqendrimin e kundërshtarit. Në tavolinën e Putinit ishin dy mundësi: Ballkani dhe Lindja e Mesme. Ballkani ishte nën kontrollin e plotë të NATO-s dhe çdo ndezje zjarri atje mund të përfundonte pa ndonjë efekt të rëndësishëm për Rusinë. Sulmi terrorist i Serbisë në Banjskë do ta provonte këtë.

Prandaj mbetej vetëm një mundësi reale: Lindja e Mesme. Kështu strategët e Putinit, përmes aleatit të tyre Iranit, përgatitën sulmin e Hamasit në Izrael në tetor të vitit 2023. Sulmi duhej të ishte jashtëzakonisht brutal, në mënyrë që të provokohej një reagim po aq brutal i Izraelit. Kështu, përmes një efekti domino, do të shpërthente një luftë e madhe në Lindjen e Mesme, e cila mendohej se do t'i mundësonte Putinit më shumë frymëmarrje në Ukrainë.

Kështu Hamasi lejoi të bëhej vegël qorre e Moskës dhe Teheranit, ndërsa populli i Gazës u shndërrua në mish për top në llogaritë e tyre. Autoriteti Palestinez në Bregun Perëndimor nuk ra pre e këtij manipulimi dhe kështu e shmangu një katastrofë si ajo e Gazës.

Tre vjet më vonë, ata që kanë mbetur nga Hamasi i shpartalluar kanë nënshkruar kapitullimin e plotë. Gaza është kthyer në gërmadhë, mijëra e mijëra jetë njerëzish të pafajshëm janë sakrifikuar për dobi të një plani të huaj, Hezbollahu në Liban ka hyrë në rrugën e degradimit të plotë, Irani po e paguan njësoj çmimin e lojës së tij destruktive në Lindjen e Mesme, ndërsa Rusia i ka punët edhe më keq në frontin e luftës sesa tre vjet më parë.

Çka të thuhet tjetër, përveçse: mjerë ai popull që ka fatin të drejtohet nga ekstremistë e fanatikë të çmendur.