Blerim Latifi: Kaçakët modernë grekë dhe heronjtë e Homerit
Kaçakët modernë grekë dhe heronjtë e Homerit

E
lexova një lajm ndërkombëtar se si filmi Odiseu i Christopher Nolan ka
shkaktuar rritje masive të shitjes së poemave të Homerit dhe të interesimit për
mësimin e greqishtes.
Njerëzit
mendojnë se greqishtja e sotme është e njëjta me greqishten antike në të cilën
u redaktuan poemat homerike.
Kjo
më kujtoi një dëshmi interesante të cilën historiani britanik Mark Mazower e
sjell në librin e tij "Revolucioni Grek dhe krijimi i Europës
moderne", kushtuar Luftës për Pavarësi të Greqisë (1821–1832).
Kur
shpërtheu kjo luftë, shumë intelektualë perëndimorë, të edukuar me frymën e
romantizmit dhe rilindjes evropiane, e cila glorifikonte antikitetin grek,
vrapuan ta mbështesnin kryengritjen greke. Shumë prej tyre iu bashkuan asaj, të
udhëhequr nga ëndrra romantike për të parë te kryengritësit modernë grekë
heronjtë e lashtësisë. Në mesin e tyre ishte edhe poeti romantik anglez
Bajroni.
Një
natë, derisa po rrinte me një çetë kleftësh (kaçakësh) grekë, i ekzaltuar u
ngrit të recitonte disa pjesë nga Iliada e Homerit në gjuhën antike greke. Në
fund të recitimit, njëri nga kleftët i tha se nuk kishte marrë vesh asgjë nga
recitimi i tij.
Ky
episod ilustron bukur hendekun e madh midis greqishtes homerike dhe greqishtes
së folur nga grekët e shekullit XIX. Reagimi i kleftit nxirrte në pah se sa
larg qëndronte gjuha e Homerit nga gjuha që flisnin grekët modernë.
Ky
hendek kishte nxitur studiuesin gjerman Jakob Philipp Fallmerayer të vinte në
dyshim vazhdimësinë etnike midis grekëve të lashtë dhe grekëve modernë. Sipas
tij, popullsia e Greqisë kishte pësuar ndryshime aq të mëdha gjatë shekujve,
sidomos si pasojë e vendosjes së sllavëve në Ballkan, saqë grekët modernë nuk
mund të konsideroheshin pasardhës të drejtpërdrejtë të helenëve të lashtë.
Dëshmia
tjetër që po ashtu e sjell Mazower është se kleftët grekë, të cilët ishin
ngritur kundër Perandorisë Osmane, të nxitur edhe nga manovrat e Ali Pashë
Tepelenës, jo vetëm që nuk dinin asgjë për heronjtë homerikë, por as që e
quanin veten grekë. Ata e quanin veten me emrin bizantin Romaioi (romej),
ndërsa identiteti "helen" ishte ende kryesisht konstruksion i
intelektualëve europianë, të frymëzuar nga idealet estetike të Rilindjes dhe
romantizmit evropian.
Dihet
po ashtu se një pjesë e konsiderueshme e kleftëve ishin arvanitas që flisnin
shqip. Kjo tregon se kryengritja greke e vitit 1821 ishte një lëvizje shumë më
e larmishme nga pikëpamja gjuhësore dhe identitare sesa e paraqet
historiografia zyrtare greke.


