Blerim Latifi: Shqiptarët dhe instrumentalizimi politik i islamit
Shqiptarët dhe instrumentalizimi politik i islamit

I
Kur
Shqipëria shpalli pavarësinë më 28 nëntor 1912 dhe fuqitë europiane po
diskutonin se a duhej pranuar si shtet i ri në Europë, një kryeministër serb i
asaj kohe, Vladan Gjorgjeviç, do të ulej dhe brenda një kohe të shkurtër do të
shkruante një libër me titull Shqiptarët dhe Fuqitë e Mëdha (Die Albanesen und
die Großmächte), botuar në Leipzig më 1913.
Libri
u adresohej këtyre fuqive dhe kishte për qëllim që diplomatët e tyre t’i bindte
se shqiptarët nuk e meritonin të kishin shtetin e tyre të pavarur. Një prej
“argumenteve” që Gjorgjeviç përdori në atë libër ishte se fuqitë e mëdha do të
bënin gabim nëse lejonin që brenda Europës së krishterë të formohej një
"shtet muhamedan".
Rebelimi
islamik i Haxhi Qamilit, dy vite më vonë, do të nxitej për të konfirmuar tezën
e kryeministrit serb, i cili aspironte për një dalje në Adriatik të shtetit të
tij. Që kjo të bëhej e mundur, Shqipëria nuk duhej të ekzistonte.
Këtu
shfaqet një nga format e para të instrumentalizimit politik të fesë islame në
funksion të goditjes së çështjes kombëtare shqiptare: shqiptari nuk paraqitej
më si pjesëtar i një kombi që kërkonte shtetin e vet, por si musliman, dhe për
rrjedhojë krijimi i shtetit shqiptar mund të paraqitej si një problem për
Europën e krishterë.
II
Disa
vite më vonë, në Konferencën e Paqes në Paris, pas përfundimit të Luftës së
Parë Botërore, kur erdhi çështja e klauzolave të marrëveshjes që kishin të
bënin me statusin e pakicave etnike në shtetet që kishin fituar luftën,
kryeministri serb Nikolla Pashiç iu afrua aleatit të tij, kryeministrit francez
Klemanso, dhe i kërkoi atij që Franca të pranonte planin e Serbisë për dëbimin
e shqiptarëve nga Kosova e Maqedonia. Edhe pse kishin qenë aleatë të ngushtë
gjatë luftës, Klemanso e kundërshtoi propozimin e Pashiçit.
Atëherë
ky i fundit do të ndryshonte strategjinë: që shqiptarët e Kosovës të mos
bëheshin çështje ndërkombëtare, ata duhej të paraqiteshin jo si pakicë etnike
shqiptare, por si pakicë fetare muslimane. Kështu, nën termin “pakicë
muslimane”, largohej problematizimi ndërkombëtar i shtypjes brutale që u bëhej
shqiptarëve të Kosovës dhe njëkohësisht vazhdohej shkombëtarizimi i tyre. Për
këtë qëllim Pashiçi krijoi Xhemijetin, Partinë e Muslimanëve në Mbretërinë
Serbo-Kroato-Sllovene, me seli në Shkup.
Pra,
kemi dy pika kritike historike, të ndara nga disa vite, por që mund të lexohen
si pjesë e së njëjtës linjë politike: në rastin e parë, identiteti fetar i
shqiptarëve përdorej për të vënë në dyshim legjitimitetin europian të shtetit
shqiptar; në rastin e dytë, i njëjti identitet fetar përdorej për ta zbehur
karakterin kombëtar të shqiptarëve të Kosovës. Në të dyja rastet, shqiptari
duhej të paraqitej jo para së gjithash si shqiptar, por si musliman. Feja
shndërrohej kështu nga një element identitar në një kategori politike, e cila
mund të përdorej për të goditur interesat kombëtare shqiptare.
Po
të mos kishte shpërthyer Lufta e Dytë Botërore, sot çështja shqiptare në Kosovë
do të ishte e njëjtë si çështja çame në Greqi.
III
Kohët
kanë ndryshuar dhe tani nuk është në çështje integriteti i shtetit shqiptar, as
dëbimi i shqiptarëve nga Kosova, i cili u provua por dështoi në vitin 1999.
Tani
çështja është të prodhohen kushtet për dështimin e shtetit të Kosovës, i
krijuar e mbështetur nga fuqitë perëndimore. Vetëm nëse dështon ky shtet,
atëherë aspiratat serbe për ta rimarrë Kosovën mund të rikthehen në tavolinë.
Dhe
ky dështim i shtetit të Kosovës mund të rezultojë, mes tjerash, edhe nga humbja
e kapitalit më të madh që e mban këtë shtet: njohja dhe mbështetja perëndimore.
E
si t’i shkatërrohet ky kapital Kosovës?
Duke
ia dëmtuar kredencialet europiane këtij shteti. Duke e paraqitur atë si një
shtet me një popullatë të islamizuar, me një rini të radikalizuar e
institucione të ndikuara nga islami politik.
Një
shtet me parime europiane të sekularitetit, të sundimit të ligjit, të
demokracisë e të drejtave të njeriut nuk mund të qëndrojë dot mbi një shoqëri
të islamizuar sipas modelit të vahabizmit e Muslim Brotherhood. Ai shembet nga
vetë baza e cila e kundërshton.
Tjetra:
në një Perëndim ku e djathta ekstreme përditë e më shumë po fiton terren
politik e social, një imazh islamist për shtetin e Kosovës është dhurata më e
madhe që mund t’i bëhet Serbisë dhe aspiratave të saj për ta rikthyer Kosovën.
Pra,
e gjitha ka të bëjë me luftën për të ardhmen e shtetit të Kosovës. Nuk ka të
bëjë asgjë me ndonjë luftë që dikujt i qenka tekur ta bëjë kundër Islamit, nga
urrejtja ndaj tij si fe.
Serbia
po përdor formulat e vjetra të Gjorgjeviçit e Pashiçit në këtë luftë, ndërsa
ne, nëse e kemi seriozisht ruajtjen e këtij shteti, duhet të bëjmë që këto
metoda të dështojnë. Dhe ka vetëm një rrugë për t’ia dalë me sukses në këtë
punë: të ndalojmë rrymat vahabiste, salafiste e ato me bazë Muslim Brotherhood
që të influencojnë jetën tonë politike, institucionet tona, fëmijët e të rinjtë
tanë, shoqërinë tonë në përgjithësi.


