Blerim Latifi: Nga kryengritja te shteti - Drenica dhe fundi i logjikës së rebelimit

Branislav
Nushiq, në librin e tij Kosova, shkruante këtu e 124 vjet më parë se Drenica
ishte një krahinë ku pushteti osman nuk ia dilte të vendoste autoritetin e vet.
Sipas tij, popullsia e saj i ishte kundërvënë shndërrimit të Drenicës në njësi
administrative normale të Perandorisë. Në Llaushë ishte ngritur selia e
kajmekamit dhe ishin ndërtuar objektet shtetërore, por më 14 janar 1891 rreth
2000 shqiptarë të armatosur e dëbuan kajmekamin, dogjën konakun dhe shkatërruan
gjithçka që simbolizonte pushtetin shtetëror. Kur më pas të dërguarit e
Perandorisë u përpoqën të negocionin me prijësit vendorë, ata morën këtë
përgjigje të prerë: “Për pesëqind vjet me radhë nuk ka pasur pushtet në Drenicë
e as tash nuk na duhet ai, por as nuk do të vendoset, derisa ne të jemi
gjallë!”
Por
këtë përshtypje nuk e kishte vetëm Nushiqi.
Edhe
udhëpërshkrues të tjerë të kohës, sidomos konsujt e huaj me seli në Mitrovicë
dhe Prishtinë, e përshkruanin Drenicën si një territor ku autoriteti real nuk
buronte nga shteti, por nga krenët, fiset dhe zakoni.
Thënë
ndryshe, Drenica ishte njëfarë Mirdite e Kosovës: një krahinë malore dhe
fisnore ku çdo pushtet qendror, osman apo serb, e kishte të vështirë të
depërtonte.
Vetë
Nushiqi shkruante se Drenica mund të mobilizonte shpejt deri në një mijë
luftëtarë të armatosur, por këta nuk i bindeshin askujt tjetër përveç krenëve
të tyre. Kjo është ndoshta fjalia më e rëndësishme për të kuptuar historinë
politike të kësaj zone: autoriteti nuk ishte institucional, por personal,
fisnor dhe lokal. Ligji i shtetit vlente pak; Kanuni dhe besnikëria ndaj
prijësve vendorë vlenin më shumë.
Pikërisht
kjo traditë e gjatë e mosnënshtrimit ndaj pushteteve shpjegon edhe vazhdimësinë
e kryengritjeve në Drenicë gjatë gjithë shekullit XX. Kryengritja e Ahmet
Delisë më 1912, rezistenca e Azem Galicës në vitet 1919–1924, kryengritja e
Shaban Polluzhês më 1945 dhe, përfundimisht, dalja e Ushtrisë Çlirimtare të
Kosovës në Drenicë gjatë viteve 1997–1998, nuk mund të kuptohen si ngjarje të
ndara nga njëra-tjetra. Ato burojnë nga e njëjta kulturë politike: refuzimi i
sundimit të jashtëm dhe bindja se liria lokale mbrohet me armë.
Por
të jemi të qartë në një pikë: ky kapitull historik është mbyllur në qershorin e
vitit 1999. Ai nuk mund dhe nuk duhet të hapet më në asnjë formë. Sepse, në
fund të fundit, qëllimi i gjithë asaj historie kryengritjesh ishte pikërisht
krijimi i një shteti ku shqiptari nuk do të kishte më nevojë të jetonte jashtë
rendit institucional.
Në
momentin kur u krijua shteti i Kosovës, logjika e rebelimit ka humbur
krejtësisht arsyen historike të ekzistencës së saj.
Prandaj,
kushdo që sot përpiqet ta ringjallë romantikën e mosbindjes krahinore apo
traditën e sfidimit të institucioneve ose përdorimin e institucioneve
shtetërore për interesa të betejave politike të ditës, po i shkakton një dëm të
rrezikshëm Drenicês, Kosovës dhe vetë shtetit tonë të përbashkët. Sepse ajo që
dikur ishte mjet mbijetese dhe rezistence ndaj pushtuesit, në kushtet e një
shteti shqiptar në Kosovë mund të shndërrohet lehtësisht në pengesë serioze për
ligjin dhe funksionimin demokratik të shtetit. Dhe unë jam krejt i bindur se
askush në Drenicë nuk e do një gjë të tillë.
Post Scriptum:
Për
të gjithë ata që me një lehtësi të padurueshme janë mësuar të lëshojnë lart e
poshtë akuza e fyerje nga më morbidet,
po e kujtoj një urti të moçme shqiptare: “Gjuha eshtra s’ka, por eshtra thyen!”











