Blerim Latifi: Nata e zjarreve

Nuk
mbaj mend shumë gjëra nga koha e komunizmit. Kur ai ra në vitin 1989, unë isha
veç dhjetë vjeç. Në mesin e atyre gjërave që më kujtohen është nata e zjarreve,
e cila binte më 30 prill, pra në pragun e Ditës së Punëtorëve, ditë që në
vendet e bllokut komunist festohej me krejt ikonografinë e një feste
religjioze. Më vonë, në leximet e mia filozofike, do ta kuptoja se komunizmi
ishte vërtet një fe politike, ose siç e quan Edgar Morin, "fe e shpëtimit
tokësor".
Po
çfarë ndodhte në atë natë?
Djemtë
e lagjes mobilizoheshin, grumbullonin drunj e goma të prishura dhe, pasi bënin
një pirg të madh prej tyre, i vinin flakën. Bëhej një zjarr i madh dhe ne, si
fëmijë të mahnitur nga spektakli i flakës, kënaqeshim duke e parë atë
instalacion të zjarrtë. Njëjtë veprohej edhe nëpër lagjet tjera e katundet
tjera. Për pak kohë, nga të gjitha anët shiheshin shtjellunga tymi që
ngriheshin drejt qiellit.
Në
Jugosllavinë Socisliste kjo natë njihej shpesh me emrin sllav prvomajske
vatre, zjarret e 1 Majit.
Po
çfarë ishte ky ritual piroman?
Në
pamje të parë dukej si një zakon i komunizmit, por rrënjët e tij janë shumë më
të vjetra se vetë komunizmi. Në antropologji mësojm? se, mbarë Europën, fundi i
prillit shënohej me zjarre pranverore që simbolizonin largimin e dimrit,
pastrimin dhe ardhjen e stinës së re. Kështu pra regjimet komuniste nuk e
shpikën këtë rit. Ato vetëm e përvetësuan dhe i dhanë kuptim të ri politik.
Kështu,
zjarri i vjetër i pranverës u shndërrua në flakën e revolucionit proletar. Ajo
që dikur shënonte rilindjen e natyrës, tani duhej të shënonte lindjen e njeriut
të ri socialist. Ajo që dikur ishte rit stinor, u bë liturgji ideologjike. Në
sytë tanë ishte lojë, argëtim, por në logjikën e sistemit ishte pedagogji për
masat.
Sot,
kur e kujtoj, ajo natë më duket si një takim mes paganizmit të lashtë dhe fesë
politike komuniste. Njerëzit mblidheshin rreth flakës siç janë mbledhur
gjithmonë në histori, por kësaj here në emër të revolucionit proletar. Ne
mendonim se po ndiznim një zjarr, pa e kuptuar se në të vërtetë po mbanim
ndezur një mit, i cili pas pak kohe do të bëhej shkrumb e hi.















