Blerim Latifi: Kur sulmohet kujtesa e UÇK-së, sulmohet vetë historia jonë


Ecja
në natyrën e harlisur nga gjelbërimi, të jep një qetësi të thellë. Duket sikur
mendimet që na rëndojnë gjatë rutinës javore treten mes barit të njomë dhe
ajrit të pastër. Bukuria e gjallë e natyrës zgjon brenda nesh një ndjenjë lirie
dhe harmonie me botën përreth. Unë kam disa vende ku e shijoj këtë lloj ecjeje,
pothuajse romantike.
Sot,
kur e pashë se shiu kishte ndaluar, e lashë makinën te shkolla e Galicês dhe
nisa të ngjitesha në kodrën aty pranë. Këpucët dhe pantallonat m’u lagën nga
bari, por kjo vetëm sa m’i rikujtoi me shumë nostalgji vitet e fëmijërisë.
Papritur
hasa në një shpellë, për të cilën nuk dija asgjë. Dikur do të më duhej të
shkoja në bibliotekë dhe të gjeja ndonjë libër gjeologjie për të kuptuar një
dukuri të tillë natyrore. Sot mjaftojnë disa fotografi dhe pak sekonda pritjeje
para Inteligjencës Artificiale.
Dhe
ja përgjigjja e saj:
“Duket
qartë si një hyrje e vogël shpelle karstike. Forma e gurëve të gërryer,
errësira e brendshme dhe çarja vertikale në terren janë tipike për shpellat e
krijuara nga tretja e shkëmbinjve gëlqerorë prej ujit gjatë mijëra viteve. Zona
përreth duket si një terren klasik karstik ballkanik: shkëmbinj gëlqerorë,
bimësi e ulët, çarje dhe zgavra natyrore, me mundësi për kanale nëntokësore ose
ujë sezonal. Në shumë raste, hyrje të tilla janë vetëm ‘goja’ e një sistemi më
të madh nën tokë. Disa shpella fillojnë shumë ngushtë dhe më pas hapen më
thellë brenda.”
Por
Inteligjenca Artificiale nuk u ndal vetëm te informacioni shkencor për atë
shpellë. Ajo, si një mik që të do të mirën, më dha edhe këshilla se si duhet të
veproja me kujdes nëse do të kisha ndërmend ta eksploroja:
“Nëse
mendon ta eksplorosh: mos hyr vetëm, përdor dritë të fortë, kujdes nga
rrëshqitja dhe mungesa e oksigjenit, si dhe nga shembjet e gurëve apo kafshët
(lakuriqë nate, gjarpërinj etj.). Pamja ka diçka shumë primitive dhe arketipale
— si ato hyrje që në imagjinatën e lashtë lidhen me strehimin, misterin ose
botën e nëndheshme.”
Këto
këshilla më bënë të mendoj se mbase filozofi amerikan John Searle e ka gabim
kur insiston në idenë se inteligjenca artificiale kurrë nuk mund të arrijë t'i
ketë cilësitë emotive e morale të inteligjencês biologjike njerëzore.
Natyrisht,
nuk kisha ndërmend të hyja në ndonjë aventurë eksplorimi. Doja vetëm të kënaqja
sytë me panoramën e bukur të natyrës pranverore. Mbase ekzistojnë legjenda
lokale për atë shpellë, por për to duhet pyetur banorët e katundit, kujtesa e
të cilëve ende nuk është përvetësuar nga algoritmet e Inteligjencês
Artificiale.
Në
kthim më erdhi në mend një paradoks i kohës sonë: ndërsa Inteligjenca
Artificiale na ofron akces të plotë dhe të menjëhershëm në dijet shkencore,
duket se prirja njerëzore për të përqafuar injorancën dhe budallallëkun kurrë
nuk ka qenë më e fortë se sot.
Aristoteli,
në hyrje të Metafizikës së tij, shkruan se dëshira për dije është e rrënjosur
në natyrën e njeriut, por kjo duket të jetë vetëm pjesërisht e vërtetë. Duket
se tek njeriu gjendet po aq e rrënjosur edhe dëshira për injorancën. Dhe këtë
na e dëshmon një libër i shkelqyeshëm, i shkruar për këtë punë nga historiani
britanik Peter Burke: Injoranca- Një histori globale.

_____________
Nuk
është ndonjë memorial i harruar nga shekujt, i lënë në mëshirën e kohës dhe të
natyrës. Është memorial i luftës së fundit, luftës së Ushtrisë Çlirimtare e
Kosovës, e vetmja luftë çlirimtare që pati sukses në krejt historinë e
përpjekjeve tona për liri.
Dhe
shihet qartë se dëmtimi i tij s'ka ardhur nga “duart” e natyrës, por nga duart
e njerëzve. Vetëm 27 vjet pas luftës çlirimtare, forcat e liga që ishin kundër
saj kanë marrë guximin që nga fjalët të kalojnë në vepra.
Romakët
e lashtë këtë do ta quanin Damnatio memoriae, shkatërrim i qëllimshëm i
kujtesës. Dhe ky rast mund të jetë vetëm një lloj testi që i bëhet kësaj
shoqërie. Nëse ajo hesht dhe nuk reagon, nesër mund të shihni shkatërrimin e
memorialeve të tjera, të shtatoreve, e një ditë edhe të varreve të dëshmorëve.
Dikush
mund të thotë se kjo që po them është alarm që nuk duhet marrë seriozisht. Por
historia na ka dëshmuar se sulmet ndaj kujtesës kolektive fillojnë pikërisht
kështu: duke thyer një gur varri këtu, duke përdhosur një memorial atje, për të
vazhduar më pas me normalizimin e akteve të tilla, derisa një ditë të gjithë e
kuptojnë se e tëra ishte një fshirje e qëllimshme e historisë.

Foto
dhe info e marrë nga Berat Ademi
_____________
Zhabat
dhe morrat që, edhe pas kaq shekujsh, përpiqen ta njollosin emrin e tij, do të
zhduken shpejt [ligji biologjik] dhe do të harrohen.
Aq
të pavlerë janë mbi faqen e dheut, sa as mahallat e tyre nuk do t’i kujtojnë
më.
Ndërsa
emri dhe lavdia e tij do të vazhdojnë të jehojnë edhe në shekujt që vijnë. Për
një arsye themelore: emri i tij simbolizon vetë natyrën njerëzore, thelbin e
saj, që është dëshira për liri, që është dëshira për të qenë zot në shtëpinë
tande. Kjo dëshirë që romakët e lashtë e quanin patria, ndërsa rilindasit
shqiptarë e shqipëruan aq bukur me fjalën atdhe.

_____________
Po
pra, së shpejti do të kemi “nderin” t’i kemi në duar pesë libra mbi Agim
Bahtirin. Secili vëllim me nga 500 faqe. 2500 faqe në total. Pak a shumë sa
"Lufta dhe Paqja" e Lev Tolstoit dhe "Kapitali" i Karl
Marksit.
Mos
të qeshim para kohe.
Kjo
punë “kolosale” në "Republikën e Letrave Kosovare" mund të jetë
paralajmërim i një epoke të re, me një kult të ri lideri.
Nuk
është hera e parë, dhe as do të jetë e fundit, që turmat e çmendura i vendosin
në fron palaçot dhe kllounët.
Flitet
se Isak Njuton një herë ka thënë: Unë mund të llogaris lëvizjen e trupave
qiellorë, por jo edhe marrëzinë e njerëzve.
_____________
Kur
politikanët nuk janë në gjendje t’i ofrojnë asgjë konkrete popullit, e fusin në
lojë Zotin.
Dështimin
ekonomik e mbulojnë me fraza morale e simbolika religjioze.
Mungesën
e fabrikave e kompensojnë me tempuj fetarë.
Atë
të investimeve zhvillimore me ceremoni politiko-fetare.
Dhe
populli i shkretë, i etur për shpresë, e gëlltit trikun.
Deri
në ditën kur e gjithë ngrehina e shoqërisë bie dhe bashkë me të edhe rrenat që
e dekoronin nga jashtë.
_____________
Holzwege
quhet një nga esetë më të bukura të Martin Heidegger-it. Në gjermanisht, kjo
fjalë ka kuptimin e shtigjeve pyjore. Këto janë shtigje që duken si rrugë të
çelura, por shpesh ato nuk çojnë askund; befas ndërpriten mes vegjetacionit të
dendur dhe njeriu atëherë duhet të zgjedhë mes kthimit pas ose ecjes përpara,
mes drunjve dhe ferrave të harlisura.
Holzwege
është metaforë për natyrën e mendimit filozofik, por edhe për vetë jetën
njerëzore, individuale e kolektive.
_____________
Një
fushë e madhe e mbjellun me grurë. Një fushë që, përtej peisazhit impresiv,
shërben edhe si dëshmi se ende ka njerëz që e duan tokën, që e respektojnë punën
dhe që nuk e kanë humbur besimin se ky vend mund të bëhet. Edhe pse ky besim
goditet çdo ditë nga mbrapshtitë e pafundme të politikës.















