Blerim Latifi: Po të kishte gojë ky lis...

51m më parë

Prof. Blerim Latifi:

Sic mund të shihet, ky lis është shumë i vjetër. Por kujtesa popullore nuk na thotë asgjë të saktë mbi moshën e tij. Natyrisht, biologët e bimëve, me teknologjitë e avancuara shkencore, mund ta zgjidhin fare lehtë këtë enigmë, por ku t’i gjej ata në këtë mëngjes të freskët korriku?

Ja që në duar kisha një mundësi për ta kryer këtë punë pa shumë mundim. I bëra disa fotografi lisit dhe ia dërgova Inteligjencës Artificiale. Më kërkoi perimetrin e trungut. Kur i tregova se nuk e kisha matur, por vetëm fotografuar, ajo dha një vlerësim të përafërt: mosha e këtij lisi mund të arrijë deri në 450 vjet.

Sa e mahnitshme! Një monument i vërtetë i natyrës, që u ka mbijetuar shekujve, forcave të natyrës dhe sopatës së njerëzve, si të ishte një lis i shenjtë.

450 vjet i vjetër, pra bashkëkohës me njerëzit që e themeluan Prekazin, i cili në defterin osman të Sanxhakut të Vushtrrisë të vitit 1570 figuron si një vendbanim me shtatë shtëpi, të gjitha të krishtera.

Legjenda thotë se këta njerëz vinin nga një vëllazëri e fisit Kuçi, që jetonte në Luginën e Drinit, aty ku sot ndodhet Lutogllava e Pejës.

Po të kishte gojë ky lis, ndoshta do të na e tregonte të vërtetën. Por ai është veç një dëshmitar i heshtur, që me praninë e tij shekullore mund vetëm të na zgjojë imagjinatën dhe, bashkë me të, edhe mendimin mbi kohën, e cila porsi lumi i rrëmbyer merr me vete njerëzit dhe brezat e tyre, për t’i çuar drejt detit të harrimit.


________

Konsullatë serbe në Shkodër. Budallallëk me brirë. Stacion legal i BIA-s në kryeqendrën e Shqipërisë së Veriut, BIA-s e cila në top-prioritetet e saj vazhdon ta ketë destabilizimin e kombit shqiptar kudo ku mundet.

________

Kur Ukraina zgjodhi për president një humorist, të shumtë ishin ata që menduan se kjo ishte thjesht një performancë jetëshkurtër politike. Një komedian pa përvojë politike nuk kishte shanse ta kthente në binarë Ukrainën e zhytur në jostabilitet dhe korrupsion politik. Putini duket të jetë frymëzuar nga ky paragjykim dhe iu hodh në grykë Ukrainës. Pas katër vitesh lufte, shteti i drejtuar nga komediani Zelenski e ka kthyer në teatër tragjedie vetë kryeqytetin e carëve, të cilët Putini donte t'i imitonte.

Dikush ka thënë një herë: Komedianët duhet t'i marrim shumë seriozisht.


Admin