Blerim Latifi: Kur bota kishte sytë te Kupa e Botës, ata kishin sytë te Liria
Prof. Blerim Latifi për korrikun e vitit 1998, thyerjen e kufirit në Rrasën e Zogut dhe madhështinë e djemve të UÇK-së:

Flakët
e luftës e kishin përfshirë nga Llapi në veri deri te Reka e Keqe në jug.
Pesëdhjetë mijë trupa ushtarake dhe policore serbe ishin hedhur në sulmin më të
madh kundër UÇK-së deri atëherë. Objektivi ishte i qartë: të shkatërroheshin
rrugët e furnizimit të saj dhe të shuhej kryengritja shqiptare.
Pothuajse
të gjithë e prisnin rezultatin fatal. Guerilja shqiptare, me rreth 10 mijë
luftëtarë, duhej të mposhtej shpejt nga armata serbe, e cila kishte trashëguar
njërin ndër arsenalet më të mëdha ushtarake të Europës së asaj kohe. Diplomatët
e prisnin këtë finale ushtarake për të filluar më pas bisedimet e kota për
fatin e Kosovës.9
Në
Tropojë, rreth 1000 luftëtarë të UÇK-së prisnin urdhrin për t'u nisur drejt
Kosovës. Lajmet nuk ishin aspak të mira: kufiri ishte blinduar e minuar nga
ushtria serbe. Por ata djem nuk kishin ardhur aty për të pritur. Kishin bërë
qindra e qindra kilometra rrugë, shumicën në këmbë, vetëm për të siguruar një
pushkë dhe për t'u kthyer në luftë. E dinin se përpara i priste vdekja, por
askush nuk mund t'i ndalonte.
Dhe
u nisën. Mes vapës që digjte, mes shtigjeve të ngushta dhe pritave të armikut
të vendosura në grykat e Bjeshkëve të Nemuna. Secili prej tyre e dinte se po
ecte drejt kufirit mes jetës dhe vdekjes. Të gjithë e ndjenin se Kosova po
jetonte ditët e saj vendimtare: liri ose vdekje.
Në
Rrasën e Zogut ndodhi ajo që pritej. Prita e armikut shpërtheu me zjarr. Kufiri
që kishte ndarë shqiptarët që nga viti 1913, sërish po lahej me gjakun e
shqiptarëve.
Mes
të vrarëve dhe të plagosurve ishte edhe personazhi i kësaj fotografie, Valton
Berisha nga Istogu. Edhe ai kishte bërë qindra kilometra rrugë për ta veshur
uniformën e UÇK-së. Nuk kishte ardhur për lavdi e as për t'u bërë pjesë e
historisë. Kishte ardhur për të luftuar për lirinë e Kosovës.
Në
fundin e shekullit XX, shekullin e teknologjisë e makinerive, djemtè e UÇK-së
duhej t'i bartin në shpinë armatimet nëpër shtigje të gjata, mes maleve të
thepisura e të minuara. Mjafton kjo për ta kuptuar madhështinë e UÇK-së,
thelbin e saj, që natyrisht disa kurrë nuk mund ta kuptojnë, edhe sikur dhjetë
jetë t'i kishin.



