Blerim Latifi: Dy rrufepritësit e Franklinit

1h më parë

Dy rrufepritësit e Franklinit

Nga Prof. Blerim Latifi

Për mijëvjeçarë, rrufeja përfytyrohej si arma më e frikshme e zotave. Zeusi i grekëve, Jupiteri i romakëve, Thori i nordikëve, Peruni i sllavëve, e të tjerë, përfytyroheshin të pajisur me këtë armë. Madje, ajo nuk ishte thjesht arma e tyre, por simboli i fuqisë së tyre supreme.

Edhe religjionet abrahamike nuk i shpëtuan këtij përfytyrimi. Jehovai shfaqet në Sinai përmes bubullimave dhe vetëtimave. Në Testamentin e Ri, ardhja e dytë e Krishtit përshkruhet si një vetëtimë që ndriçon qiellin, ndërsa një kapitull në Kuran mban emrin “Bubullima”.

Ky ishte një nga konsensuset më të mëdha të botës së vjetër: rrufeja ishte teofani, shfaqja e fuqisë hyjnore. Në traditën shqiptare kjo teofani shprehej në formën e një mallkimi të randë: Tê vraftë réja!

Ata që mendonin ndryshe ishin të paktë.

Ndër ta ishte Aristoteli, i cili në veprën e tij “Meteorologjia” u përpoq ta shpjegonte rrufenë si një dukuri natyrore, duke kërkuar shkaqe fizike dhe jo hyjnore. Megjithatë, shpjegimi i tij, edhe pse natyralist në frymë, ishte i pasaktë.

Do të duhej të vinte moderniteti, me revolucionin e tij shkencor, që mitologjitë e rrufesë të fillonin të binin. Kjo ndodhi me zbulimin e natyrës së saj elektrike. Kuptimi gradual i lidhjes midis elektricitetit dhe rrufesë ndryshoi mënyrën se si njerëzit e shihnin këtë fenomen: ajo nuk ishte më arma e zotave, por një dukuri fizike që mund të studiohej dhe të kuptohej me metoda shkencore.

Kjo kthesë lidhet edhe me punën e Benjamin Franklinit në zhvillimin e rrufepritësit.

Por Franklini nuk krijoi vetëm një rrufepritës për ndërtesat.

Ai ishte gjithashtu një nga etërit e një rrufepritësi tjetër: Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e cila u ndërtua si një rrufepritës politik për të parandaluar përqendrimin e pushtetit në duart e një sundimtari të vetëm dhe absolut.

Ashtu si rrufepritësi e largon energjinë shkatërruese të rrufesë nga ndërtesat, institucionet kushtetuese liberale dhe demokratike synojnë ta kanalizojnë dhe ta kufizojnë energjinë shkatërruese të pushtetit njerëzor.

Kështu, Franklini la gjurmë të pashlyeshme në dy çlirime të mëdha të modernitetit: çlirimin nga frika e rrufesë si armë hyjnore dhe çlirimin nga ideja se sundimtari njerëzor mund të gëzojë pushtet absolut, si një Zeus mbi tokë.

Dhe kjo e dyta, deri më sot, është dëshmuar të jetë formula më efektive për t'u mbrojtur nga Zeusët tokësorë prej mishi e gjaku.